Boris Johnson

Kryeministri i ri do ta zhdukë rolin e Britanisë në Ballkan

Me qeverinë e re britanike, plotësisht e obsesionuar me largimin nga BE-ja në vjeshtë,  interesi dhe ndikimi në rënie i Britanisë së Madhe në Ballkan mund të përkeqësohet edhe më tej.

Kur liderët e 16 vendeve u mblodhën në Londër me 9 dhe 10 korrik të vitit të  kaluar në Samitin e Ballkanit Perëndimor – takimi i pestë i tillë në kontekstin e të ashtuquajturit Procesi i Berlinit – ata e bënë këtë me insistimin e Britanisë se Samiti duhet të mbahet në Londër sepse, përderisa Mbretëria e Madhe po “largohej nga BE-ja”, nuk po largohej edhe nga “Europa”.

Mirëpo ky samit dha mesazhin e kundërt pasi që nikoqiri i samitit, Sekretari i Jashtëm, Boris Johnson, nuk arriti as të jetë prezent aty.

Padyshim që ai kishte një arsyetim për mosprezencën e tij – ai po jepte dorëheqjen mu në ditën kur u hap samiti, duke deklaruar se plani i “butë” i Kryeministres Theresa May do ta linte Mbretërinë e Bashkuar si një “koloni” të BE-së.

Por ai nuk kishte pse ta zgjedhte samitin dy-ditor të Ballkanit për të dhënë dorëheqjen e tij, dhe mosprezenca e tij në samit, sipas disave aty tregonte shumë për indiferencën e tij ndaj një rajoni në të cilin Britania dikur ishte një lojtar me ndikim.

Tani si Kryeministër, pasi e largoi nga froni Thereza May si lidere të Partisë Konservatore, udhëheqësit e Ballkanit janë kurreshtarë të dinë nëse Britania nën qeverisjen e tij (sado e gjatë të jetë) planifikon të përfshihet në çështjet e rajonit.

Për dallim nga May, një avokues modern i mbetjes në BE (Remainer) por i cili u bë një avokues modern i daljes nga BE (Brexiteer) pas referendumit të vitit 2016, Johnson me vite ka ruajtur pikëpamjen se BE ishte një organizatë në thelb e keqe – me një instinkt të rrënjosur për mbeturina, dominim dhe vendimmarrje jodemokratike.

Dalja nga ky (sipas pikëpamjes së tij) klub që ngjason në një burg dhe prishja e reputacionit të tij në Britani ka qenë motivi i tij udhëzues qysh kur shkoi në Bruksel në vitin 1989 si korrespodent djathtist në Daily Telegraph.

I fiksuar me zbulimin e projektit skandaloz të mbeturinave në zemër të BE-së, në Bruksel, jo befasisht, çështjet e Ballkanit kanë qenë shumë pak preokupuese për të.

Në vitin 1999, duke punuar si redaktor në revistën djathtiste Spectator, ai mundi t’i sigurojë disa tifozë në Serbi për të kritikuar bombardimet e NATO-s, duke deklaruar – por që rezultoi deklarim i gabuar – se sulmet ajrore nuk do ta ndalonin Serbinë të vazhdojë spatrimin etnik në Kosovë.

Liderët e Ballkanit Perëndimor në samitin e vitit 2018 në Londër, me kryeministren e atëhershme britanike Theresa May (rreshti i parë, C-L) dhe Kancelaren e Gjermanisë Angela Merkel duke pozuar për një ‘foto familjare’. Foto: EPA / LUKE MACGREGOR / POOL

Mirëpo serbët, të cilët tek Xhonsoni e gjetën një simpatizant të kauzës së tyre, në Kosovë ose kudo tjetër, ishin gabim. Ai ishte thjesht një kolumnist i një grupi të krahut djathtist i cili ishte kritikues i ashpër i Qeverisë Laburiste të Tony Blerit dhe dëshpërimisht i interesuar t’a bëjë atë dështojë në raport me Kosovën.

Në vitin 2016, si Sekretar i Jashtëm i sapoemëruar në qeverinë e Theresa May, Xhonson vendosi t’i harrojë të gjitha ato që i kishte thënë. Në një vizitë të shkurtër gjatë vjeshtës në Kosovë, ai e deklaroi veten “të kënaqur” që ishte në Prishtinë dhe tha se Britania dëshironte një “Kosovë të sigurt, stabile dhe prosperuese”.

Për ndonjë fans të përjetshëm serb, ishte shokues momenti kur ai vazhdoi së quajturi Kosovën “një shembull të ndritshëm për të tjerët” – duke shtuar njëkohësisht se ishte “krenar që Britania ishte një nga vendet e para që njohu pavarësinë e saj në 2008”.

Në një vizitë në Beograd, si pjesë e të njëjtit turne, ai gjithashtu dha mbështetje të fortë për liderin serb Aleksandar Vucic dhe për shpresat e pranimit të Serbisë në BE. Por vizita e tij në Beograd rezultoi me polemika në Britani sepse ai u akuzua se e përdori atë kryesisht për të promovuar librin e tij të ri mbi ëinston Churchill, ‘Faktori Churchill’

Ndërkohë, Xhonson ishte më këmbëngulës në lidhje me grushtshtetin e supozuar në Mal të Zi, në tetor të vitit 2016, duke i dhënë një mbështetje të pakualifikuar versionit të ngjarjeve të paraqitura nga qeveria në Podgoricë. Në vazhdimësi, Xhonson pretendonte se Rusia ishte përfshirë në një komplot për të rrëzuar liderin veteran pro-perëndimor Milo Djukanoviç – dhe se komplotistët mund të kenë pasur për qëllim ta heqnin qafe.

“Ata janë angazhuar në minimin e vendeve në Ballkanin Perëndimor – e patë se çfarë ndodhi në Mal të Zi,” tha Johnson në Mars 2017.

Kishte “shumë prova që rusët janë të aftë për të gjitha llojet e mashtrimeve të pista, [përfshirë edhe] Malin e Zi në një përpjekje për grusht shteti dhe ndoshta një atentat,” shtoi ai.

Roli e Xhonson si Sekretar i Jashtëm mbaroi shumë duke mos pasur kohë të mjaftueshme që ai të hartojë ndonjë politikë më të qartë për Ballkanin, përtej idesë se Rusia po përfshihej bukur shumë.

Tani, si Kryeministër, Ballkani është ndër përparësitë e tij më të pakta. Të gjitha energjitë e tij do të shpenzohen në ruajtjen e shumicës së tij minimale në parlament dhe në largimin e Britanisë nga BE deri me 31 tetor – me apo pa marrëveshje. Nëse ai e arrin këtë qëllim, ai pritet të shkojë në zgjedhje.

Në realitet, ndikimi i Britanisë në Ballkan filloi të shkërrmoqet në të njëjtën ditë kur rezultati i referendumit të qershorit 2016 tregoi se shumica e votuesve në Mbretërinë e Bashkuar donin të dilnin nga BE.

Fuqia e Britanisë në rajon nuk kishte qenë kurrë ekonomike – lidhjet afariste janë minimale – por politike. Si një mbështetës në vazhdimësi i zgjerimit – pjesërisht për arsye egoiste, për të dobësuar fuqinë franko-gjermane – Britania ishte një aleat i rëndësishëm i anëtarëve të BE-së në Ballkan dhe një kundërpeshë e rëndësishme për një Francë skeptike ndaj zgjerimit.

Por ideja që Britania mund të vazhdojë së lobuari në mënyrë efektive për zgjerimin ndërkohë, në të njëjtën kohë të largohej nga BE, ishte gjithnjë një ide fantastike. Ishte e qartë, madje edhe para se Samiti per Ballkanin në Londër të pësonte fiasko, se Britania e Madhe kishte humbur plotësisht ndikimin e saj mbi këto procese. Në këtë kuptim, qoftë Thereza May, qoftë Xhonson – apo dikush tjetër – të bëhet kryeministër britanik është pothuajse krejt e parëndësishme.

Marcus Tanner është një redaktor i Ballkan Insight dhe autori i  “Mbretëresha e Malësisë –  Edith Durham dhe Ballkani” [Tauris].Mendimet e shprehura në pjesën e komenteve janë vetëm të autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e BIRN.