Kriza Nuk Ndikoi në Remitenca

Katër vitet e fundit (2008-2011) kanë qenë vitet më të vështirat për ekonominë ndërkombëtare dhe atë të Bashkimit Evropian, që nga kriza botërore e vitit 1939, e cila njihet në historinë e ekonomisë si kriza e hiperprodhimit.

Kriza ndërkombëtare e viteve të fundit ka qenë më e theksuar në BE, pasi që Evropa, përveç krizës financiare ndërkombëtare, u përball edhe me krizën e deficiteve buxhetore të vendeve anëtare, duke filluar nga Greqia, Italia, Irlanda, Portugalia, Hungaria, vendet baltike etj. Kriza në BE e ka vënë në pikëpyetje edhe vetë ekzistencën e valutës së përbashkët evropiane – euro.

Por si u bë që kriza në BE, ku është e koncentruar diaspora jonë, të mos ketë efekt në reduktimin e dërgesave në Kosovë, që në zhargonin ekonomik njihen si remitenca?

Nëse krahas krizës në BE do të reduktoheshin edhe dërgesat e diasporës, atëherë nuk do të kishte vend për analizë, pasi që do të ishte e natyrshme që emigrantët tanë, të përballur me krizën ekonomike në vendet ku ata jetojnë, t’i zvogëlojnë dërgesat për familjarët e tyre.

Në rastin e Kosovës ndodhi paradoksi, me ardhjen e krizës remitencat u rritën.

Me përjashtim të vitit 2009, kur remitencat shënuan një rënie simbolike, në vitet e tjera dërgesat në Kosovë vazhdimisht kanë shënuar rritje dhe ato silleshin mbi 500 milionë euro në vit, të dhëna të konfirmuara nga Banka Qendrore e Kosovës. Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, dërgesat e emigrantëve në Kosovë kanë vazhduar të rriten me 1.2% edhe në gjashtëmujorin e parë të vitit 2011. Edhe në vitin 2010 remitencat në Kosovë janë rritur për 1.3%.

Ekzistojnë një mori faktorësh që e mbajtën trendin aktual të remitencave. Në tekstin në vijim do të analizohen faktorët më kryesorë.
 
Sipas një studimi të USAID-it, 75% e emigrantëve kosovarë jetojnë në Gjermani, Zvicër, Itali dhe Austri. Pjesa tjetër, prej 25%, jetojnë në vendet skandinave, Britani, SHBA, Francë etj.

Edhe pse BE-ja, si tërësi, është përballur me krizën financiare dhe krizën e deficiteve buxhetore, vendet ku është e koncentruar diaspora jonë, në Gjermani dhe Zvicër, ekonomitë e tyre kanë performuar mirë në këtë kohë krize, madje që të dyja këto vende po shënojnë rritje ekonomike.

Luhatjet në tregjet financiare dhe kriza e deficiteve në BE, nuk kanë ndikuar në shkurtimin e vendeve të punës në Gjermani dhe Zvicër, nuk kanë ndikuar në uljen e standardit të banorëve të këtyre shteteve dhe për rrjedhojë nuk kanë ndikuar tek mërgata jonë dhe të hyrat që ata i gjenerojnë në këto vende. Ky është faktori esencial dhe vendimtar, i cili ka ndikuar që dërgesat nga diaspora të qëndrojnë gati në nivelin e njëjtë, madje me një rritje simbolike.

Viti 2011 ka qenë vit i lulëzimit të ekonomisë gjermane, e cila është e bazuar në industri dhe teknologji. Makineria, industria e automjeteve, elektroteknika, kimia dhe industria e përpunimit, janë shtyllat kryesore të industrisë gjermane. Industria gjermane edhe këtë vit dëshmoi se është e zonja të performojë jashtëzakonisht mirë në kohë krizash, thuhet në një hulumtim të Institutit për Ekonomi Gjermane me seli në Këln.

Sipas këtij hulumtimi, 29 nga 46 shoqatat e industrisë gjermane kanë pasur rritje ekonomike në vitin 2011, dhe një rritje në afarizmin e tyre planifikojnë edhe vitin 2012, ndërsa pjesa tjetër, në përgjithësi, planifikojnë një vit të ngjashëm me 2011-ën.

Studimi tregon se në 31 sektorë të industrisë gjermane nuk ka pasur shkurtim të vendeve të punës gjatë vitit 2011 dhe një gjë e tillë do të ndodhë edhe në 2012.
Sipas këtij studimi, ekonomia gjermane gjatë vitit 2011, jo vetëm që ka pasur rritje prej rreth 1%, por ajo ka arritur edhe të “shërojë plagët” e krizës financiare ndërkombëtare, dhe ka konsoliduar pozicionin e saj në tregjet ndërkombëtare me një eksport që po tejkalon të gjitha rekordet. Studimi i Institutit Ekonomik të Këlnit, potencon se koha ka dëshmuar që ekonomia dhe eksporti gjerman është në një gjendje shumë stabile.

Një performancë të ngjashme tri vitet e fundit kishte edhe, Zvicra, vendi i dytë për nga numri i diasporës kosovare. Sipas Sekretariatit Zviceran për Ekonomi, ekonomia zvicerane kishte një rritje prej 0.5% gjatë vitit 2011. Historikisht,  sipas këtij sekretariati, ekonomia zvicerane është rritur mesatarisht nga 0.4% në vit që nga viti 1980 deri më 2011, që nënkupton se rritja e vitit të kaluar është mbi mesataren kombëtare. Rritjen më të lartë ekonomike Zvicra e ka pasur në vitin 1989,  me 2.1%.

Kriza ekonomike nuk e ka goditur në masë të theksuar ekonominë zvicerane. Në vitin 2009 u shënua një rënie ekonomike prej 0.4%, por, menjëherë në vitin 2010 u realizua rritja ekonomike 0.7%.

Ekonomia zvicerane ka një shkallë të ulët të papunësisë, ka fuqi të aftë punëtore dhe i ka të ardhurat kombëtare për kokë banori më të lartat në botë. Sistemi bankar është shtylla e ekonomisë zvicerane, dhe në kohë krizash, ky sektor përfiton investime të mëdha nëpërmes depozitave, për shkak të sistemit stabil për shekuj me radhë.

Të dhënat e lartpërmendura dëshmojnë se në dy vendet ku është e koncentruar diaspora jonë nuk ka efekte të theksuara të krizës ekonomike dhe ky është faktori esencial që ka ndikuar që remitencat në Kosovë të kenë trend rritjeje.

Një faktor tjetër që mund të konsiderohet i rëndësishëm për nivelin aktual të dërgesave të diasporës në Kosovë është i natyrës sociale dhe tradicionale.

Në mungesë të posedimit të shtetit të tyre, për shekuj me radhë, kosovarët janë shumë më solidarë në kohë krizash. Kjo ndodhi edhe në krizën e fundit financiare ndërkombëtare.
 
Këto pohime i vërteton edhe një sondazhi të institutit të hulumtimeve “Gallup” për emigrimin dhe dërgesat e tyre, të realizuar në 135 vende të botës, i cili rezulton se Kosova është ndër vendet me më së shumti dërgesa të pranuara, krahasuar me numrin e banorëve. Hulumtimi tregon se 23% e familjeve në Kosovë pranojnë dërgesa nga jashtë dhe kjo paraqet përqindjen më të lartë në rajon.

Dërgesat nga jashtë përbëjnë të ardhurat kryesore për shumë familje kosovare dhe kanë një ndikim pozitiv në ekonominë e vendit, me 12% të GDP-së. Dërgesat nga diaspora kanë një efekt tjetër, të jashtëzakonshëm, në bilancin e pagesave me botën e jashtme, kur dihet se hendeku i importit mbulohet me eksport vetëm në masën prej rreth 10%. ([email protected])