Kosova sërish në radarin Amerikan

Katër qeveritë e fundit të SHBA-së lanë shenjën e tyre mbi Kosovën dhe lajmi i fundit për emërimin e emisarit të posaçëm Amerikan për Ballkan sinjalizon radhën e administratës Trump për të tentuar finalizimin e një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.

“Zgjidhja e çështjes së Kosovës është prioritet në axhendën time. Ne kemi një mundësi dhe ne duam ta shfrytëzojmë atë,” deklaroi Matthew Palmer, emisari i sapoemëruar për Ballkan nga Departamenti i Shtetit Amerikan, më 30 gusht.

Emërimi i Palmer vjen në një kohë kur negociatat Kosovë-Serbi kanë mbetur pezull. Serbia ka filluar një fushatë të çnjohjeve duke i shtyrë vendet që e kanë njohur Kosovën t’i tërheqin njohjet e tyre. Sipas raportimeve, më shumë se dhjetë vende e kanë bërë një gjë të tillë. Kosova gjithashtu nuk arriti të anëtarësohet në organizata të rëndësishme ndërkombëtare si UNESCO dhe Interpol si rezultat i fushatës së Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës. Si përgjigje, Kosova ka vendosur tarifa doganore 100 përqind ndaj mallrave boshnjake dhe serbe në nëntor 2018.

Shtetet e ‘Quint-it’, të përbërë nga Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA, lëshuan një deklaratë të fortë me mesazh të qartë për hapat që duhen ndërmarrë. “Për Kosovën, kjo nënkupton pezullimin e tarifave të vendosura për Serbinë. Për Serbinë, kjo nënkupton pezullimin e fushatës së çnjohjeve kundër Kosovës. “

Përkeqësimi i situatës duket se ka alarmuar zyrtarët diplomatikë amerikanë. Po bëhet më se e qartë se vetëm një qasje e koordinuar SHBA-BE mund të krijojë kushet drejt krijimit të një marrëveshje përfundimtare midis dy shteteve. Emërimi i Palmer sinjalizon ngritje të angazhimit Amerikan në dialog. Duket se SHBA dhe BE mund të prodhojnë sinergjinë e nevojshme për ta bërë të mundur një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.

Në anën tjetër, situata e krijuar në terren mund të përkeqësojë edhe përpjekjet më të mëdha të aleatëve ndërkombëtarë për finalizimin e një marrëveshje. Serbia nuk ka treguar as simpatinë më të vogël për tragjeditë dhe viktimat e luftës në Kosovë. Kërkim falja as që vie në diskutim. Mirëpo, historia na mëson se asnjë marrëveshje e qëndrueshme nuk mund të realizohet pa i tejkaluar sfidat e së kaluarës. Përkundër kësaj, BE, në një përpjekje për ta mbajtur Serbinë jashtë rrethit të ndikimit rus, e ka akomoduar atë në kurriz të Kosovës.

Serbia vazhdon të jetë aleati kryesor i Rusisë në rajon, duke mbajtur lidhje të ngushta diplomatike si dhe duke pranuar armatim në mënyre te vazhdueshme. Ndërkohë, Serbia ka hapur kapituj të ri acquis communautaire të BE-së, hapa këto që duhet të ndërmerren nga vendet aspiruese që duan të anëtarësohen në BE në të ardhmen. Për më tepër, Serbia refuzoi të marrë pjesë në zbatimin e sanksioneve të drejtuara nga BE kundër Rusisë dhe pritet të bashkohet në organizatën e Bashkimit Ekonomik Euroaziatik në tetor, përkundër thirrjeve të BE-së që mos ta bëj një gjë të tillë.

SHBA nuk ka emëruar emisar të posaçëm në Ballkan që nga viti 1999. Richard Holbrooke kaloi vite në Ballkan duke luajtur një rol të rëndësishëm në përpjekjet për ndalimin e konfliktit midis shqiptarëve të Kosovës dhe ish-Jugosllavisë, si dhe në 1995 me ‘Marrëveshjen e Dejton’ në Bosnje dhe Hercegovinë.

Shpallja e pavarësisë që pasoi në vitin 2008 nuk ishte fundi i kapitullit për Kosovën. Mungesa e anëtarësimit në organizata multilaterale dhe mungesa e një marrëveshje përfundimtare me Serbinë e ka shtyrë Kosovën në izolim ndërkombëtar. Kosova mbetet një punë e papërfunduar dhe SHBA-të  kanë shprehur gatishmërinë të ndryshojë kahje me emërimin e një të dërguari të posaçëm për Ballkanin, një veprim i rëndësishëm duke marrë parasysh rolin që Holbrooke pati në të kaluarën.

Megjithatë, situata politike nga të dy anët e Atlantikut ka ndryshuar në mënyrë dramatike që kur Holbrooke ishte në Ballkan. Edhe pse historikisht përfshirja e SHBA-ve në diplomaci dhe rezultatet e suksesshme kanë shkuar paralelisht, e ardhmja nën administratën Trump që merr nuk është aq e qartë, duke marrë parasysh qasjen e tij jo-konvencionale të politikbërjes.


Nga Bush tek Bush: Çasje bipartizane rreth Kosovës

Reagimi i parë i Amerikan ndaj dhunës sistematike në Kosovë erdhi nga George H. W. Bush, reagim ky i njohur ndryshe si Paralajmërimi i Krishtlindjes. “Në rast të një konflikti në Kosovë të shkaktuar nga veprimet serbe, Shtetet e Bashkuara do të jenë të gatshme të përdorin forcë ushtarake kundër serbëve në Kosovë dhe Serbisë,” presidenti amerikan shkruajti në një letër drejtuar Sllobodan Millosheviç më 25 dhjetor 1992.

Paralajmërimi i Bush ishte riafirmuar nga administrata Clinton brenda një muaji nga marrja e detyrës në vitin 1993. Sekretari i ri i Shtetit amerikan Warren Christopher deklaroi, “Ne mbetemi të përgatitur t’u përgjigjemi serbëve në rast të një konflikti në Kosovë të shkaktuar nga veprimet serbe.” Paralajmërimi kishte një efekt në vonimin e luftës në Kosovë, por konflikti do të fillonte më vonë.

Në fund të viteve 90, kur situata në Kosovë po përkeqësohej dhe dhuna po përshkallëzohej, Richard Holbrooke shkoi në Beograd dhe i kërkoi Sllobodan Milosheviçit të tërhiqte forcat e tij nga Kosova dhe të kthehej në tryezën dialogut. Në prag të fushatës së bombardimeve të NATO-s në Mars 1999 në Kosovë që do të çonte në rrëzimin e tij, Millosheviç u drejtua Holbrooke, “A nuk keni më asgjë për të thënë?” Holbrooke u ndal për një moment dhe iu drejtua Millosheviçit për herë të fundit, “Hasta la vista, baby.”

Mosrespektimi i vazhdueshëm i komunitetit ndërkombëtar, mosgatishmëria për të diskutuar zgjidhje të problemit, vazhdimi i krimeve të luftës dhe shkeljet e mëdha të të drejtave të njeriut nuk lanë ndonjë alternativë tjetër për Perëndimin veçse ndndërhyrjes ushtarake në Kosovë.

Pas luftës, Kosova filloi një proces të gjatë të shtet ndërtimit dhe SHBA vendosi që të tërhiqet nga Ballkani, duke krijuar hapësirë për organizata të ndryshme ndërkombëtare.

Bisedimet për statusin përfundimtar të Kosovës u zhvilluan nga i dërguari special i OKB-së Martti Ahtisaari. Në shkurt 2007, Ahtisaari prezantoi raportin e tij, i cili parashikonte pavarësinë e Kosovës mirëpo vetëm pas një periudhe të “pavarësisë së mbikëqyrur”.

Plani nuk u aprovua nga Këshilli i Sigurisë i OKB-së, por SHBA kërkuan një zgjidhje për çështjen e Kosovës. Më 10 korrik 2007, George W. Bush bëri një vizitë historike në Shqipëri, duke qenë presidenti i parë amerikan që vizitoi shtetin ish komunist. Presidenti Bush e përdori këtë vizitë për të treguar mbështetje për planin e OKB-së për pavarësinë e Kosovës. “Në një moment, herët apo vonë, duhet thënë mjaft është mjaft. Kosova është e pavarur dhe ky është pozicioni që kemi marrë,” tha ai. Vitin tjetër, më 17 shkurt, Kosova shpalli pavarësinë e saj.


Nga Obama tek Trump: Ndryshim drastik?

Në vitin 2012, mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës i erdhi fundi. Presidenti Obama e vlerësoi përfundimin e mbikëqyrjes si një “moment historik,” megjithatë, vetë Obama kurrë nuk u angazhua në rajonin e Ballkanit.

Megjithë dështimin e Obamës për të pasur një rol në diplomacinë e Kosovës, mbështetja Amerikane për Kosovën ishte gjithnjë e pranishme. Hillary Clinton, e cila shërbeu si Sekretare e Shtetit gjatë administratës Obama, e bëri të qartë këtë pozicion. “Ne jemi kundër çdo diskutimi mbi ndryshimet territoriale ose rihapjen e statusit të Kosovës,” tha Clinton gjatë një takimi me kryeministrin e atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçin. “Këto çështje nuk janë në diskutim. Kufijtë e Kosovës së pavarur dhe sovrane janë të qarta dhe të përcaktuara.”

Sidoqoftë, rezultoi se kufijtë në fakt ishin temë diskutimi. Sipas disa raportimeve, presidentët aktualë të Kosovës dhe Serbisë, Thaçi dhe Aleksandar Vuçiç, u angazhuan në bisedime sekrete rreth shkëmbimit apo korrigjimit të kufijve, për të arritur një marrëveshje përfundimtare. Kjo ide u refuzua nga qytetarët dhe shumica e liderëve ndërkombëtarë.

Zgjedhjet presidenciale në SHBA në vitin 2016 rezultuan në ndryshim rrënjësor në politikën amerikane dhe më gjerë. Zgjedhja e Donald Trump solli skepticizëm të mëtutjeshëm në Kosovë. John Bolton, ish-këshilltar për siguri kombëtare të Presidentit Trump, deklaroi në gusht 2018: “Politika jonë, politika amerikane, është që nëse të dy palët [Kosova dhe Serbia] mund të darkodohen dhe të arrijnë marrëveshje, ne nuk do të bëjmë përjashtojnë ndryshimet territoriale.”

Megjithëse ishte jashtëzakonisht e papritur që Presidenti Trump të kishte edhe vëmendjen më të vogël në Ballkan, ai bëri një veprim befasues në dhjetor 2018 duke dërguar letra personale presidentëve të Kosovës dhe Serbisë respektivisht, duke i nxitur ata të arrijnë një kompromis dhe duke ofruar mundësinë e një ftese të përbashkët në Shtëpinë e Bardhë. “Dështimi i shrytëzimit të kësaj mundësie unike do të ishte një kthesë prapa, pasi një shans tjetër për një marrëveshje gjithëpërfshirëse paqësore ka pak gjasa të ndodhë përsëri në një të ardhme të afërt,” i shkruajti Trump presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Për më tepër, Washingtoni tani planifikon të rifillojë bisedimet Kosovë-Serbi me emërimin e Palmer, i cili gjithashtu mban pozitën e Ndihmës Sekretarit Amerikan. Emërimi i Palmer sinjalizon më shumë përkushtim të SHBA-ve për dialogun dhe dëshirën për të ringjallur rolin amerikan në Ballkan.

Riangazhimi Amerikan me rajonin vjen si rezultat i dështimit të BE-së për të ndërmjetësuar një marrëveshje përfundimtare gjithëpërfshirëse midis Kosovës dhe Serbisë. BE-ja, roli i së cilës drejt normalizimit Serbi-Kosovë ka qenë thelbësore, jo vetëm që nuk i shtyu qeveritë e Kosovës dhe Serbisë të arrijnë një marrëveshje deri në fund të mandatit të fundit të Komisionit Evropian në vitin 2019, por as nuk arriti për ti rikthyer ata në tryezën e bisedimeve.

Vlen të ceket se Amerika e Trump nuk është Amerika e kohës së Clinton. SHBA-të vazhdojnë të jenë superfuqia e botës, por ndikimi i saj po zvogëlohet. Politika e Trump ‘Amerika e Para,’ ka përkeqësuar marrëdhëniet e SHBA-së me aleatët e saj evropianë.

Rusia vazhdon të shfrytëzojë çështjen e Kosovës për të tërhequr paralele me territore të kontestuara si Krimea, Osetia e Jugore dhe Abkazia. Kështu, përfundimi i një marrëveshje mund të jetë një mekanizëm efikas për të larguar Serbinë nga sfera e ndikimit rus.

Shkathtësitë e Palmer si diplomat do të varen kryesisht nga mbështetja e administratës Trump, si dhe nga qasja e koordinuar SHBA-BE. Sidoqoftë, emërimi i Palmer vjen në një kohë kur marrëdhëniet SHBA-BE janë të tensionuara, pavarësisht angazhimit të ri amerikan në Ballkan. Si rezultat, kjo do të thotë që Palmer nuk do ta ketë rrugen e hapur si paraardhësi i tij Holbrooke në vitet 1990.

Si një veprim politik që priret të sinjalizojë angazhim për rajonin, emërimi i një të emisarit të veçantë tregon dëshirën e SHBA-ve për të zgjidhur “Nyjën Gordiane” të Ballkanit, diçka që aleati më i fortë ndërkombëtar i Kosovës nuk është akoma në përpjekje. SHBA janë të vetëdijshëm se një marrëveshje përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë do të hapë rrugën për një të ardhme të qëndrueshme për të gjithë rajonin.

Përkundër skepticizmit, është e mundur që me dorën e zgjatur të SHBA-së, negociatat e Brukselit mund të afrojnë drejt një marrëveshje përfundimtare në të ardhmen.

 

Mendimet e shprehura në seksionin e Opinioneve janë vetëm ato të autorit dhe jo domosdoshmërisht pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN dhe INTERENWS KOSOVA.