Foto: Facebook

Kosova në Sytë e të Tjerëve

Rruga është mësuese e rëndë, po aq edhe e jashtëzakonshme. Nëpër to mëson çdoherë të matësh me metrin tënd dhe të zbulosh sërish e sërish. Gjatë rrugës sime të fundit në ish-vendet jugosllave, jam pyetur sa herë, çfarë është Kosova dhe çfarë po ndodh atje.

Biseda të gjata e të këndshme bëhen atëherë kur kulturat takohen, por bisedat ndërmjet njerëzish të vendeve që dikur rronin nën një kupolë të ashtuquajtur të përbashkët, gati gjithnjë janë të rënda.

Pjesa më e trishtuar del të jetë atëherë kur gjithçfarë të huajt dinë për Kosovën, është lufta e 1998-99. Para e pas, vendi ynë ngjan në një vend të vdekur për të cilin rrallë kush ka ndonjë ide se çfarë ndodh. Dhe kjo vlen edhe për ata që akoma ndonjëherë quhen ish-jugosllavë.

Në sportelin e kontrollimit të pasaportave në aeroportin e Ljubljanës të përshëndet pas xhamit polici slloven. Aha, vjen nga Kosova, më thotë si me habi. Po, çfarë do të bësh në Slloveni për kaq kohë? Nga Kosova, ia kthej. Çfarë mund të kërkojnë kosovarët jashtë vendit të tyre më shumë se ç‘kërkojnë të tjerët? Lëvizje për punë, ose lëvizje vetëm për qejf… por zyrtari i vendit, i cili kronologjikisht ndër ish-vendet jugosllave, i pari e kish njohur Kosovën, insiston në një përgjigje konkrete rreth qëndrimit tim disa javësh në vendin e tij.

Nuk është kërkesa për përgjigje e policit në aeroportin e Ljubljanës dhe as e atyre në aeroportet tjera, siç nuk mund të jetë arsye dyshimi kohëzgjatja e qëndrimit, po është vendi nga vijmë. Nuk janë të pakta paragjykimet e dyshimet, po as kureshtja për njohjen e njerëzve që vijnë nga kjo anë kaq e afërt me evropianët tjerë e kaq e largët për gjithë ata.

Rruga është mësuese e rreptë, por jashtëzakonisht interesante. Ndërkohë që rrëfimi për Kosovën nuk mund të jetë një rrëfim mbi idealizmin e rrejshëm, as një fotografi e madhe për një vend të cilin rrallë kush e ka parë… Po, qysh e shohin të tjerët tokën e kosovarëve?

Drejtori i një kompanie të madhe farmaceutike sllovene gjatë një mbrëmjeje, thotë se po ikën nga tavolina e kafenesë për të parë lojën e kosovarëve në kampionatin evropian, s’ka rëndësi thotë ai pse zyrtarisht quhet kombëtarja e Shqipërisë, kosovarët janë zemra e ekipit.

Një mikeshë që ka mbaruar për bibliotekari, thotë se ajo çfarë di për Kosovën është se në kryeqytetin e këtij shteti ndodhet njëra nga libraritë me arkitekturën më të bukur në botë. Ana kujton profesorin në universitet t’u ketë thënë shpesh studentëve: “Shihni ç‘bibliotekë të jashtëzakonshme ka Kosova, Biblioteka Kombëtare sllovene as që mund t’i afrohet!”.

Ndërsa, kur flasim për mungesën e bashkëpunimeve ndërletrare, miqtë e mi, shkrimtarë slloven, më thonë se bashkëpunimi ndërmjet nesh, mund të jenë hapat e parë… “Kam tridhjetë vjet që merrem me librin dhe ndërkomunikimet letrare, asnjëherë më parë nuk më ka rënë të njohë një autor kosovar”, më thotë Carmen L’Oven, shkrimtare dhe gazetare. “Më ka ndodh të dëgjoj për Kosovën, të dëgjoj për të në edicionet e lajmeve… po asgjë më shumë se kaq”. Carmen shpesh e ngatërron Kosovën me Shqipërinë “Albania-Kosova, a nuk është një vend…?”.

Shumë pyetje dhe sidomos shumë kureshtje për shtetin e ri. Dhe përgjigjet gjithnjë janë të rënda, varësisht nëse ato do të jenë të sinqerta apo jo.

Na fol për vendin tënd. Para kësaj kërkese, në mesin e një tavoline miqsh kroatë e sllovenë, e folura dhe zbulimi i realitetit duket i vështirë. Gjithë ajo çfarë mund të thuash ngjan vetëm si mundësi. Kosova është një vend vështirë i përshkrueshëm, u them. Të huajt e kanë të pamundur ta kuptojnë të gjithë storien e saj. Ajo kërkon kohë të njihet, dhe sy e mendje pa paragjykim.

Ajo kërkon t’i dëgjohen historitë e shumta, historitë e dashurisë e të dhembjes, historitë e humbjes… ajo kërkon durimin për ta njohur dhe forcën për t’i mësuar sekretet e saj. Kosova është një histori e dhembjes dhe e dashurisë, përmbi gjithçka tjetër. Rrëfime të shumta ka në vendin që rron në një kohë shumëfishe, mes epokash dhe labirinthesh.

Po, thotë, një shkrimtar kroat ulur në tavolinën e kafenesë, “Kosova më ngjan në një vend plot mistere, të cilën ne akoma refuzojmë ta zbulojmë. E kam parë vetëm në kohë lufte në televizor, ishte e tmerrshme, nuk doja të shikoja; pamjet e gjakut, të varrezave masive dhe sfondi i një vendi ngjyrë hiri, që aq shumë i ngjante vendeve post-sovjetike”.

Sidoqoftë, përshtypjeve e mendimeve të të tjerëve, krejtësisht individuale, dhe të cilët pak ose aspak na njohin, këtu ka një popullatë që kërkon të ecë përpara, që kërkon të zbulojë e të zbulohet, ndonëse shpesh e përballur në luftë me veten e në luftë me të tjerët.

Megjithatë, asgjë nuk mund të kryhet vetëm me nismat individuale, pa pasur përpjekje serioze që historinë tonë ta çojmë tek të tjerët dhe të tjerët t’i sjellim te ne. Kosova nuk ka pse të mbetet vendi i humbur dhe vetëm vendi i luftës, ajo mund të paraqesë portretin që ka e t’i josh të tjerët, gjithnjë nëse ata që udhëheqin me të, të nisin ta duan nga pak.