Sheshi para Qeverise dhe Kuvendit të Kosovës - FOTO: KALLXO

Kosova mbeti lakuriq: Si të dalim nga ky batak?

“Kuvendi i Kosovës duhet ta shpërndaj vetveten dhe vendi të shkoj në zgjedhje. Menjëherë pas zgjedhjeve si akt demokratik dhe moral Presidenti i vendit duhet të japë dorëheqje dhe të zgjidhet një president i ri. Tani është koha që ky president të jetë Murat Jashari. Pas gjithë kësaj duhet të krijohet një memorandum uniteti i brendshëm politik i gjithë spektrit mbi parimet e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ndërsa përfaqësimi bëhet siç e thotë Kushtetuta”.

Gurakuç Kuçi, Ph. D. Candidat

 Për ta shtyrë përpara votimin e Gjykatës Speciale (GJS) Presidenti i tanishëm i Kosovës Hashim Thaçi, me 2015 thoshte se me votimin e kësaj gjykate Kosovës do t’i hapen shumë perspektiva të mira ndërkombëtare. Pesë vjet nga votimi i GJS-së kemi vetëm pesë njohje nga disa shtete që janë ishuj apo arkipelagë të vegjël dhe regres në më shumë se 10-12 tërheqje të njohjeve. Për më keq edhe anëtarësimet në organizatat ndërkombëtare kanë dështuar e tani edhe vetë pala kosovare ka hequr dorë nga tentativat për anëtarësim.

GJS është prodhim i raporteve të nisura nga Karla Del Ponte, të iniciuara me mocion në Këshillin e Evropës nga Konstantin Kosaçev përfaqësues nga Rusia dhe Millosh Aligrudiç, nga Serbia bashkë me disa diplomatë tjerë, të përgatitura nga një task forcë e Këshillit të Evropës dhe të  raportuara nga Dik Marty. Pra, për këtë raport i fundit është Marti që duhet fajësuar. E po aq duhet fajësuar edhe 82 deputetët që e kanë votuar bashkë me një kastë të gjerë të tjerësh që e kanë përkrahur nga Qeveria e atëhershme dhe jashtë saj.

Mirëpo, GJS përveç raportit të Martit përfshin edhe periudhën deri me 31 dhjetor 2000. Raporti atakonte UÇK-në me në krye Hashim Thaçin si grup që kishin bërë trafikimin e organeve të qenieve njerëzore, mirëpo GJS përfshin edhe periudhën e pas luftës ku jepen akuza edhe për gjëra të tjera. Andaj si duket frika nga GJS-ja më shumë vjen për akuzat jashtë raportit të Martit se sa nga vetë akuzat që dalin nga raporti.

Andaj kjo i jep kuptim tentativës së Presidentit për amnisti nga GJS-ja. Që kishte një tentativë të dështuar nga ky i fundit për ta amnistuar vetveten nga GJS-ja tregojnë argumentet që nga fillimi. Thaçi kishte bërë presion vazhdimisht të votohej GJS-ja edhe kur kjo ishte hedhur poshtë një herë nga Kuvendi. Pastaj më vonë tentativa për zhbërjen e ligjit për GJS-në. Pastaj lobimi për ndihmë për zhbërjen e GJS-së edhe tek sekretari amerikan Pompeo dhe së fundi edhe deklarata e Prokurorisë Speciale, gjitha këto tregojnë për tendencat për të kërkuar amnisti për Thaçi për vete dhe eventualisht ndonjë tjetër. Të kujtojmë se Thaçi kishte paralajmëruar padi ndaj Martit gjë që nuk e bëri kurrë.

Sidoqoftë, duke pasur parasysh që GJS-ja është një gjykatë raciste dhe politike, edhe deklarata e tanishme e Prokurorisë nuk ka qenë e paqëllimshme. Një gjë të tillë ia kanë mundësuar vetë politikanët në Kosovë, tani s’kemi pse i vajtojmë kur i thërret kjo Gjykatë. Më mirë ta vajtojmë veten dhe Kosovën se kë dhe çka i kemi lejuar t’i bëjnë.

Janë tri arsye që mund të dyshojmë në akuzat e Prokurorisë Speciale:

  • e para, prokuroria dha një deklaratë të tillë pikërisht para takimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Uashington që t’ia djeg kartën Thaçit të bëjë kompromis që të amnistohet nga GJS-ja, gjë që në mënyrë indirekte thuhet në komunikatë,
  • e dyta, që Kosova të dobësohet në takim përballë Serbisë sidomos kur tani Vuçiq në Serbi ka një pushtet me mbi 60% të votave dhe ka përballë njerëz nga Kosova që nuk kanë aspak legjitimitet, dhe
  • e treta, më e rëndësishmja që në dialog ndoshta nuk po përfaqësohen disa interesa të caktuara mirë të dikujt si nga Rusia dhe duhet të anulohet ky dialog.

 

Kosova mbeti lakuriq

Sidoqoftë, qëllimi u arrit që 27 qershori të dështoj dhe të krijohet edhe një mundësi e re që të shtyhen prapë përpara disa interesa të caktuara të cilët u hoqën nga tavolina e dialogut në Uashington. Në rrethana normale sot politikanët e Kosovës do duhej të ishin të mbledhur duke krijuar një platformë dhe përfaqësim unik për ta vazhduar pa u zmbrapsur dialogun. Mirëpo një gjë e tillë nuk është e mundur sepse kasta e vjetër ka thyer kurrizin e krijimit të një uniteti politik dhe legjitimiteti popullor.

Nga 6 tetori 2019 kur doli fituese një parti politike e cila për mision kishte shpëlarjen e gjithë njerëzve të korruptuar të vënë nga uzurpokracia që kishin qenë deri me atëherë në pushtet. Kastën e vjetër uzurpokrate e zuri paniku, fatkeqësisht shumica nga ta dikur ishin pjesë e UÇK-së me një të kaluar të lavdishme deri në qershor 1999 por jo më tutje. Kjo kastë bënë çdo gjë të mundur që të riktheheshin në pushtet duke shfrytëzuar mekanizma e përligjur veprime juridike monarkiste, duke blerë media e analistë e deri duke shfrytëzuar edhe rrethanat politike të jashtme në emër të pro-amerikanizmit.

Për të realizuar rikthimin në pushtet rrëzuan qeverinë e cila ishte krijuar bazuar mbi premtimet elektorale ndaj qytetarëve; krijuan një qeveri jo të dalë nga zgjedhjet elektorale por mbi interpretimet monarkiste dhe lojërave kushtetuese, dhe menjëherë filluan avazin e vjetër siç ishte para 6 tetorit me emërime politike, administrative e tenderë. Ndërsa sponsorizuesi kryesor i gjithë kësaj siç u tha publikisht në Kuvend ishte Presidenti i cili si shpërblim nga kjo merrte gjithë diplomacinë dhe përfaqësimin e Kosovës në dialog me Serbinë dhe kudo. Ndërsa Kosovën e zhveshën nga çdo masë mbrojtëse ndaj Serbisë, ndaj çdo kriteri që e bënë shtet si ajo për të kërkuar anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Duke pasur një qeveri kukull dhe një kryeministër e ministre të punëve të jashtme të paaftë dhe pa legjitimitet për përfaqësim të Kosovës, akuza ndaj Thaçit i cili ka uzurpuar politikën e jashtme dhe dialogun me Serbinë ka mjaftuar që në Kosovë të krijoj batak politik.

Të gjitha këto veprime që me rrëzimin e Qeverisë Kurti, krijimin e Qeverisë Hoti dhe akuzat nga prokuroria speciale e kanë lënë Kosovën lakuriq në dialog me Serbinë.

 

Si të dalim nga bataku politik?

Dalja nga bataku politik shkon vetëm nëpërmjet një procesi demokratik dhe rikthimit të legjitimitetit institucional. Kosova nuk mund më të përfaqësohet nga një President nën akuza për krime lufte dhe as nga një kryeministër pa legjitimitet demokratik përpara një Vuçiqi me mbi 60%.

Kuvendi i Kosovës duhet ta shpërndaj vetveten dhe vendi të shkoj në zgjedhje. Menjëherë pas zgjedhjeve si akt demokratik dhe moral Presidenti i vendit duhet të japë dorëheqje dhe të zgjidhet një president i ri. Tani është koha që ky president të jetë Murat Jashari. Pas gjithë kësaj duhet të krijohet një memorandum uniteti i brendshëm politik i gjithë spektrit mbi parimet e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ndërsa përfaqësimi bëhet siç e thotë Kushtetuta.

Çdo tendencë tjetër e vazhdimit me ruajtjen e strukturave të tanishme i shkakton dëme të pariparueshme Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë dhe në gjithë arenën ndërkombëtare deri në kolapsin e shtetit.

Mirëpo, dialogu duhet të vazhdoj pas zgjedhje në SHBA, rregullimit institucional legjitim në Kosovë dhe qetësimit nga kriza shëndetësore dhe ekonomike e shkaktuar nga pandemia COVID19.

Nuk ka dyshim që UÇK-ja nuk ka kryer krime dhe do dalin të pastër, ashtu si edhe në proceset më herët në Hagë. Por duhet pasur kujdes se këto akuza të Martit dhe GJS-ja nuk janë çështje drejtësie por politike andaj edhe Kosovës i duhet dalë nga ky batak politik.

Gjithsesi edhe nëse marrëveshja me Serbinë arrihet nga Thaçi, ky i fundit duke qenë në fund të mandatit si President, me paralajmërimin se do të tërhiqet nga politika, nuk ka aftësinë që edhe ta zbatojë ndonjë marrëveshje me Serbinë. E njëjta vlen edhe për palegjitimetin e Qeverisë Hoti. Andaj, edhe SHBA-së e BE-së i duhen përfaqësues nga Kosova me legjitimitet të cilët kanë mundësinë jo vetëm të arritjes së marrëveshjes me Serbinë por edhe të zbatimit të saj.