Kosova ka nevojë që pakoja e rimëkëmbjes të rritet

Qytetarët e Kosovës dhe ekonomia e saj janë goditur rëndë nga pandemia. Mungesa e konsensusit politikë kanë parandaluar një reagim të fortë institucional në përballje me zvogëlimin e humbjeve ekonomike nga pandemia.

Mungesa e konsensusit politik ndikoi që masat e deritanishme nga institucionet e Republikës së Kosovës me qëllim të lehtësimit të ndikimit të pandemisë në ekonominë dhe në jetën e qytetarëve të Republikës së Kosovës, të jenë të pamjaftueshme dhe tepër të ngadalta.

Në kohen kur duhej më së shumti unitet për përballje me pandeminë, respektivisht në një situatë të emergjencës globale shëndetësore Kosova mbeti me qeveri në detyrë e cila pavarësisht kësaj ndërmori një varg masash, kryesisht shëndetësore dhe financiare në përballje me COVID-19. Këto masa ishin të vonshme, pasi Ligji për Rimëkëmbje që kishte numrin më të madh të masave u miratua vetëm në fund të vitit 2020, apo 9 muaj pasi nisi pandemia.

Është e qartë që pakoja aktuale fiskale duhet të rritet dhe të bëhet implementimi i saj me urgjencë. Pakoja fiskale si masë e rimëkëmbjes ekonomike në mungesë të një analize të mirëfilltë nuk ka qenë e sinkronizuar me nivelin e humbjeve ekonomike nga COVID-19.

Të dhënat tregojnë se infuzionet e shtetit në ekonomi nuk ishin të mjaftueshme. Përderisa si rezultat i pandemisë ekonomia në vitin 2020 pësoi humbje për 6% të GDP-së, pjesëmarrja e pakos së shpërndarë fiskale në GDP deri në dhjetor të vitit 2020 ka qenë rreth 288 milionë euro ose 3.6% e GDP-së (FMN).

Kjo diskrepancë e madhe në mes të pjesëmarrjes së humbjeve në GDP dhe pjesëmarrjes së Pakos Fiskale në GDP ngre para dizajnuesve të politikave fiskale në Kosovë urgjencën e rritjes së pakos fiskale si dhe urgjencën e implementimit të pakos së rritur fiskale në funksion të rimëkëmbjes ekonomike.

Ky hendek i madh në mes të humbjeve dhe pakos së shpërndarë fiskale tregon nivelin e pamjftueshmërisë së mjeteve të shpërndara në ekonomitë familjare dhe bizneset.

Vënja e zhvillimit ekonomik prioritet nga kandidati për kryeministër, Albin Kurti, është për t’u përshëndetur. Suksesi i Qeverisë se re do varet nga rritja e pakos fiskale dhe nga shpejtësia e implementimit të saj. Suksesi i Qeverisë Kurti në evitimin e pasojave negative ekonomike nga pandemia do të ndikonte edhe në një dimension shumë të rëndësishëm të profilit të shtetit të Kosovës e që është siguria në prespektivën ekonomike.

Në mungesë të politikave të qëndrueshme dhe afatgjata në Kosovë është rritur pasiguria në prespektiven ekonomike. Kjo është theksuar edhe në raportet e institucioneve financiare ndërkombëtare.  Në këtë kuadër pritjet e qytetarëve të Kosovës janë të mëdha dhe të arsyeshme nga qeveria e re.

Paralelisht me masat e ndërrmarra tashmë të karakterit të administrimit të tatimeve, Qeveria e re duhet të aplikojë edhe masa të reja të politikës fiskale, si në fushën e tatimeve, në fushën e riplanifikimit buxhetor përmes rishikimit të buxhetit në Parlament, në fushën e huamarrjes publike, etj.

Si rrjedhojë Qeveria duhet të hartojë strategji fiskale për përballje me COVID-19 dhe sa ma shpejtë ta prezantojë atë për aprovim në Parlament. Në fushën fiskale duhet sa më shpejtë që është e mundur të zgjerohet spektri i lehtësirave fiskale jo vetëm të karakterit të administrimit të tatimeve por të ndërmerren edhe masa të reja të politikës fiskale që në lehtësira të përkohshme të përfshihen edhe elementet tjera bazike subjektive dhe objektive të tatimeve, si zvoglimin e përkohshëm të normave tatimore të disa tatime, lirime të përkohshme të kategorive të caktuara ekonomike nga tatimi, etj.

Norma tatimore te Tatimi në të Ardhura të Korporatave për vitin 2021 do të duhej të zvogëlohej nga 10% në 5% për të gjithë sektoret e aktiviteteve ekonomike që janë goditur nga pandemia, si hotelieria, transporti, etj.

Paralelisht me këtë në këta sektorë duhet bërë subvencionimin e pagave, përfshirë pagesën e pagave minimale për të gjithë punonjësit e subjekteve ekonomike private dhe sipërmarrësit  deri në fund të vitit 2021 si dhe pagesën e 50 për qind të pagës minimale neto deri në fund të vitit 2021 për punonjësit në ndërmarrjet e mëdha të sektorit privat dhe për punonjësit që janë aktualisht pa punë për shkak të pandemisë.

Niveli i lehtësirave të përkohshme në ngarkesën fiskale duhet të jetë i sinkronizuar me nivelin e humbjeve që do të shkaktohen në biznese nga COVID-19. Kjo do mundësonte që t’i jepej stimulues kapaciteteve gjeneruse të afarizmit dhe shpërndarjes së të ardhurave.

Sigurisht se financimi dhe subvencionimi i këtyre kategorive shkakton presione buxhetore. Minimizimi i presioneve buxhetore do të mund të bëhej përmes menaxhimit më të mirë të huave publike. Menaxhimi i huave publike në Kosovë deri tani nuk është bërë mirë, janë lidhur huatë publike të jashtme dhe nuk janë shfrytëzuar. Investimet kapitale të projekteve që në perspektivën e ardhme kohore gjenerojnë të ardhura duhet të financohen nga huatë publike të jashtme afatgjata dhe jo nga të hyrat buxhetore. Kjo do ta lehtësonte buxhetin nga barra e shpenzimeve në rritje buxhetore nga pandemia.

Konsideroj se efektet negative ekonomiko-financiare të pandemisë do të ndikojnë në nevojën e ndryshimit substancial të buxhetit të vitit 2021 në ato pozicione të cilat janë të pa ngarkuara me obligime për financime nga vitet paraprake.

Buxheti i vitit 2021 është aprovuar me nguti, jo i planifikuar mirë dhe jo në funksion të prioriteteve konform me situatën e krijuar nga pandemia. Pandemia COVID-19 kërkon masa të jashtëzakonshme dhe devijim nga disa parashikime buxhetore në funksion të stimulimit direkt të aktiviteteve ekonomike të bizneseve të dëmtuara nga pandemia përmes rishikimit të buxhetit të vitit 2021.

Autori është anëtar në panelin këshillëdhënës të Elsevierit- Amsterdam, bashkëpunëtor i përhershëm në Byronë Ndërkombëtare të Dokumentacionit Fiskal- Amsterdam, anëtar i rregullt në Asociacionin Europian të Profesorëve të së Drejtës Tatimore –Amsterdam si dhe Profesor i Rregullt në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës