Faton Fetahu - Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Koncept Dokumenti për konfiskimin e pasurisë - Një nismë jokushtetuese e Qeverisë Kurti (I)

 

Konstituimi i shpejt i institucioneve qendrore kushtetuese që rezultuan nga procesi zgjedhor i 14 shkurtit, gjithsesi ishte lajm i mirë edhe për sektorin e drejtësisë. Partia fituese e zgjedhjeve, me një epërsi të madhe ndaj subjekteve të tjera garuese, arriti fitore absolute, e cila, presupozonte sigurimin më të lehtë të shumicës së nevojshme për të realizuar reformat e premtuara në drejtësi dhe jo vetëm.

Sidoqoftë, qasja jogjeneroze e kësaj shumice, e cila zgjodhi që pushtetin dhe përgjegjësitë qeverisëse t’i koncentroj vetëm në adresën e saj politike, e vështirëson arritjen e ndonjë koncensusi më të gjerë politik, e të domosdoshëm për miratimin e reformave të nivelit kushtetues.

Sepse, në instancë të fundit, një pjesë e reformave të premtuara elektorale në sektorin e drejtësisë, nuk do të mund të realizohen pa ndryshime kushtetuese. I tillë është rasti, fjala bie, me vettingun e shumëpërfolur në opinion publik apo me nismën për konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme, e cila së fundi, është propozuar si politikë e re, në formën fillestare përmes një koncept dokumenti.

Ndërkohë, sado paradoksale që mund të duket, edhe pse janë bërë një muaj nga zgjedhja e qeverisë, ende nuk është prezantuar e miratuar as programi qeverisës e as programi legjislativ. Subjekti politik që udhëheq qeverinë, përjashto disa muaj në vitin e kaluar, për një dekadë më radhë ka qenë opozitë parlamentare dhe ka pasur kohë shumë të madhe për t’u përgatitur për alternimin parlamentar, për të zhvilluar kapacitetet e nevojshme politike dhe profesionale, e aq më tepër, për të përgatitur një vizion e program të qartë qeverisës, në emër të të cilit edhe ka fituar besimin qytetar.

Tashmë, për disa javë më radhë, anëtarët e qeverisë, nuk e kanë të qartë vizionin zhvillimor për ndonjë sektor, e as idenë se nga t’ia nisin. Të përhumbur mes zyreve qeveritare e përballë sfidave e problemeve që kërkojnë adresim e zgjidhje konkrete, ata zgjedhin të zhvendosin vëmendjen e publikut nga (mos) puna e tyre. Duhet të “shpikin” tema populliste për të fituar “amnisti” nga kritikat e mundshme.

Kësaj radhe, këtë detyrë po e kryejnë suksesshëm drejtuesit e Ministrisë së Drejtësisë, ndoshta të pavetëdijshëm që politikat e sektorit që drejtojnë, nuk është e preferueshme të propozohen pa konsultime shteruese e pa pajtimin e institucioneve të pavarura të drejtësisë sikurse edhe pa sygjerimet e bazuara e të vlefshme të partnerëve e organizatave ndërkombëtare e vendore, që kanë investuar e kontribuuar shumë në ngritjen dhe zhvillimin e institucioneve të drejtësisë.

Të trajtosh politikat në fushën e drejtësisë me një qasje sa popullsite, e aq përjashtuese ndaj opozitës, shoqërisë civile e partnerëve ndërkombëtarë, për qëllime të caktuara, është më shumë se tallje me qytetarët dhe institucionet.

I tillë është edhe propozimi dhe miratimi i koncept dokumentit për çështjen e pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme, i cili një ditë prej ditëve, dëgjuam se e miratoi qeveria dhe lajmet vërshuan gjithandej. U propagandua, si “çelësi që vendit tonë i’a hap dyert e perspektivës dhe zhvillimit, e i jep goditjen përfundimtare korrupsionit dhe krimit të organizuar”. Thjesht një zgjidhje magjike!

Por, e vërteta është, e do të jetë dëshpëruese për propozuesin e tij. Këtë do ta dëshmoj koha, e disa nga arsyet pse nuk do të jetë i zbatueshëm do të mundohemi t’i paraqesim në numra të ndarë të këtij shkrimi.

Këtij koncepti i mungon elementi më i rëndësishëm – pajtueshmëria e tij me rendin kushtetues. Për këtë të fundit do të flasim, po ashtu, në numrat e radhës.

Pa i nënvizuar aspektet formale të cilat nuk i ka përmbushur propozimi e miratimi i tij, problematike mbetet përmbajtja e tij konfuze dhe opsioni i rekomanduar për miratim.

Parimisht, qëllimi i koncept dokumenteve është përmbledhja e evidentuar e problemeve konkrete në fushën që mëtohet të rregullohet, pastaj, analizimi i politikave që propozohen, vlerësimi paraprak i ndikimeve të mundshme ligjore dhe ndikimeve të tjera, arsyetimi i opsioneve që shtrohen dhe veçmas i opsionit që rekomandohet për miratim, etj.

Por si erdhi deri te ky koncept dokument për çështjen e pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme?

Pa paragjykuar qëllimet e propozuesit, në debatet e ditëve të fundit për këtë nismë të miratuar të qeverisë, po harrohet se i njëjti debat, deri në nivel parlamentar u zhvillua rreth tre vite më parë, kur ministri i drejtësisë aso kohe (në kabinetin e të cilit në cilësinë e këshilltarit ligjor, shërbeu edhe autori i këtyre rreshtave), propozoi Projektligjin për Kompetencat e Zgjeruara të Konfiskimit të Pasurisë, ndërsa pak muaj më pas, partia opozitare e atëhershme, që sot është në pushtet, kishte propozuar Projektligjin për Shqyrtimin dhe Vërtetimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Për dallim nga i pari që ishte miratuar dhe është në fuqi, ky i fundit u rrëzua me votë të deputetëve të asaj legjislature.

Pra, koncepti si atëherë përmes atij projektligji, si tani, përmes këtij koncept dokumenti që i paraprinë një projektligji të ri e të ngjashëm – mbetet i njëjtë – konfiskimi i pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme edhe në mungesë të një aktgjykimi dënues, përmes procedurës civile.

Sido që të jetë, edhe sipas rregullave por edhe sipas praktikës, të nxitesh nga nevoja për rregullimin/përmirësimin e një segmenti të marrëdhënieve shoqërore, a zbatimin më efikas të ligjit, qoftë duke e ndjekur një qëllim legjitim, duhet të bazohesh në vlerësimet dhe gjetjet sa më të sakta për nivelin e rregullimit të atij segmenti, për nivelin e (mos) zbatimit të ligjit në fuqi, për domosdoshmërinë dhe rëndësinë e evitimit të paqartësive, pengesave dhe vakumit juridik, apo eliminimit të shkakut/qeve, që kanë për pasojë nxitjen e një nevoje për përmirësim.

Pra, vetëm duke u bazuar në hulumtime, analiza e raporte kredibile, mund të ndërmerret një nismë ligjore, gjithsesi duke respektuar parimin e transparencës, gjithëpërfshirjes, kushtetutshmërisë e ligjshmërisë. Sepse, siç dihet, jo çdo nismë që ndjekë një qëllim legjitim, është në përputhje me kushtetutën dhe ligjin.

Manifestimi i vullnetit të propozuesit të këtij koncepti, i shprehur në publik ditëve të fundit, e aq më tepër, mungesa e argumenteve juridike në përmbajtjen e tij, mbi atë se, për cilat shkaqe nuk është duke u zbatuar mjaftueshëm ligji në fuqi për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë dhe pse duhet të aplikojmë një model tjetër paralel, jo vetëm se flet për mungesën e referencave në hulumtime, analiza e raporte kredibile që trajtojnë aspekte të konfiskimit të pasurisë, por e dëshmon katërcipërisht faktin që ky propozim bazën e vetme e ka në projeksionet imagjinare politike të këtij pushteti, se vetëm ata janë “shpëtimtarët e vërtetë”, të buxhetit të shtetit dhe drejtësisë që do të arrihet në qeverisjen e tyre.

Fatkeqësisht, ky koncept, më shumë do të mund përdoret si mjet i fushëbetejave politike e elektorale, se sa një zgjidhje e drejtë dhe e duhur juridike efikase.

Por, para se të flasim për aspektet që e karakterizojnë këtë koncept dokument le të shtrojmë disa paralele e të krahasojmë ngjashmëritë e dallimet me ligjin në fuqi për kompetencat e zgjeruara në mënyrë që të ofrojmë një pasqyrë sa më të plotë të argumenteve që qojnë te përfundimi se i njëjti është jokushtetues. E këto dallime e ngjashmëri do të paraqiten në numrin e dytë të këtij shkrimi.

 

Faton FETAHU

Autori është njohës i të drejtës kushtetuese dhe parlamentare, me përvojë solide në këshilldhënie juridike