Koha që Boshnjakët të Deklarohen

Bosnja dhe Hercegovina gjendet në një krizë të zhvillimit të ngadalshëm aq gjatë se që kjo është bërë pjesë normale e jetës. Ka kaluar një vit pa asnjë shenjë të qeverisë në nivel shteti, ndërkaq në sipërfaqe jeta vazhdon, por, në brendi, njerëzit janë gjithnjë e më të ndarë sa i përket të ardhmes së vendit.

Tensionet etnike dhe sociale janë duke u shtuar. Vetëm gjatë disa javëve të fundit në qytete të ndryshme kanë ngjarë katër konflikte të dhunshme mes tifozëve huliganë të futbollit, i fundit prej tyre më 6 tetor në Sarajevë, kur përkrahësit e ekipit lokal (Zhelezniqarit) dhe ata të Hajdukut të Splitit u rrahën në qendër të qytetit.

Një numër i madh civilësh dhe policësh u lënduan dhe vetura të shumta u dogjën dhe kthyen mbrapsht në këtë incident që ishte një nga më të këqijtë në shumë vite.
Në firma po shfaqen grevat, ndërsa një protestë në rrugë është planifikuar nga OJQ’të që të mbahet më 15 tetor në Sarajevë dhe në disa qytete tjera më të mëdha, për të kundërshtuar krizën e stërzgjatur politike, ekonomike dhe sociale.

Edhe pse klima dallon në thelb nga ajo e fundit të viteve të 80’ta dhe fillimit të viteve të 90’ta, kombinimi i dhunës në fusha të futbollit me trazirat në rrugë paraqesin një përkujtim të frikshëm të ditëve të fundit të Jugosllavisë.

Megjithatë, politikanët lokalë duken të patrazuar, shoqëria civile është inerte, komuniteti ndërkombëtar i ndarë dhe mediat lokale kanë tendenca të krijimit të ndarjeve më shumë se kurrë më parë.

BE e ka publikuar Raportin e Progresit për BeH për vitin 2011, në të cilin ka treguar se kjo e fundit është duke stagnuar apo duke shënuar përkeqësime në sferën politike, ekonomike dhe në të gjitha sferat tjera kyçe. Ky është raporti më i keq i progresit që BeH ka marrë ndonjëherë deri tani; ishte aq i keq sa që BE mund ta kishte quajtur atë raporti i përkeqësimit në vend se ta quajë raport i progresit.

Ajo që është e mahnitshme është se disa politikanë po tentojnë që ta bindin elektoratin e vet se recesioni është para përfundimit dhe se vendin e pret një e ardhme më e ndritur.

Gjatë tërë vitit të fundit kolegët e mi dhe unë kemi udhëtuar anekënd vendit, kemi identifikuar probleme të ndryshme në nivele të ndryshme administrative dhe kemi hulumtuar për të gjetur origjinën e tyre.

Kemi biseduar me njerëz nga të gjitha anët: me partitë në pushtet dhe me ato në opozitë; në vise urbane dhe rurale; me funksionarë dhe me njerëz të rëndomtë. Ne i kemi publikuar të gjeturat tona lidhur me situatën në Federatën e Bosnjë dhe Hercegovinës [njërin nga dy entitetet] në raportin “Kriza paralele” shtatorin e shkuar. Ne i kemi zbuluar të gjeturat tona lidhur me entitetin tjetër, Republikën Serbe, në publikimin e javës së kaluar të quajtur “Çka po kërkon Republika Serbe?”.

Raporti ynë i fundit arrin tek konkluzioni se diskursi i vrazhdë politik i liderëve serbë të Bosnjës ka arritur sukses në kuptim të sigurimit se asnjë palë homologe lokale apo ndërkombëtare nuk vë më në pikëpyetje ekzistimin e entitetit. Megjithatë, për këtë është paguar një çmim i lartë.

Sot, imazhi i këtij entiteti është njollosur keq; fqinjët e parë të tij në Federatë janë mbushur plot mllef; investimet e huaja janë zvogëluar apo pothuajse janë shuar fare, ndërsa korrupsioni, favorizimet dhe nepotizmi janë në nivelin më të lartë. Republika Serbe tani përballet me sfida kyçe ekonomike dhe sociale të cilat paraqesin kërcënim jo vetëm për interesat nacional të serbëve por të të gjithëve.

Liderët e Republikës Serbe e kanë sjellë entitetin e tyre dhe pjesën tjetër të vendit buzë katastrofës, duke luajtur me sentimentin nacional, duke i përqeshur fuqitë ndërkombëtare dhe duke i dobësuar institucionet shtetërore.

Megjithatë, entiteti i udhëhequr nga serbët nuk është i vetmi që duhet fajësuar. Për tango nevojiten së paku dy partnerë, e në rastin e Bosnjës nevojiten tre, katër apo pesë sish. Kështu që në vend të tangos ne duhet të vallëzojmë valle, madje valle të cilën të gjithë valltarët e tërheqin në drejtime të ndryshme.

Partitë nacionale kroate janë duke flirtuar me idenë e rrezikshme të krijimit të një entiteti të ndarë kroat në fokusuar në jug të vendit, megjithëse me këtë do të izoloheshin në masë të madhe kroatët e Bosnjës që jetojnë jashtë Hercegovinës. Boshnjakëve fare nuk u pëlqen kjo ide, e cila gjithashtu nuk po ka përkrahje ndërkombëtare, por kroatëve të Bosnjës duket se kjo fare nuk po u intereson.

Përderisa kroatët dhe serbët kryesisht janë të përqendruar në interesat e tyre nacionale, shumica e boshnjakëve si dhe atyre që e identifikojnë veten me Bosnje dhe Hercegovinën dëshirojnë të ndërtojnë një shtet qytetar. Shumica nuk kanë kohë për mendimet e shumicës së kroatëve dhe serbëve të cilët preferojnë entitete në baza etnike. Askush nuk është i gatshëm që të hyjë në diskutime se si të bashkohet koncepti qytetar dhe ai etnik në një shoqëri demokratike.

Unë besoj se i tërë ky lëmsh i aleancës etnike kundrejt asaj nacionale, si dhe shtetit qendror kundrejt entiteteve, është krijuar nga politikanët për të maskuar mbrojtjen e tyre të interesave personale dhe ekonomike.

Elitat politike të Bosnjës janë rreshtuar në mbrojtje të asaj që pretendojnë të jenë interesat më të larta nacionale apo ideologjike që nga 1992, por sa vërtetë e çajnë kokën për to? Dhe çfarë në të vërtetë ka krijuar ky nacionalizëm mendjelartë përveç mjerimit dhe tragjedisë për të gjitha grupet etnike?

Megjithatë, tri vite e gjysmë luftë dhe 15 vite mosmarrëveshje politike pasuese kanë prekur njerëzit kudo në Bosnje. Ata më nuk kanë mendim të përbashkët të së ardhmes apo strukturës së shtetit dhe disa madje as që e pranojnë më ekzistimin e shtetit.

Duke udhëtuar nëpër Bosnje, unë pashë se boshnjakët, serbët dhe kroatët ende kanë shumëçka për të ndarë. Ata të gjithë, mbi të gjitha, kujdesen për identitetin e tyre, por askush nuk dëshiron më luftë.

Nëse identiteti i tyre respektohet dhe pranohet nga të tjerët, ata e zhvendosin vëmendjen e tyre në çështje të përditshme siç janë siguria, stabiliteti, punësimi dhe standardet më të mira të jetesës. Ata kundërshtojnë aspiratat politike të homologëve të tyre etnikë, mirëpo i mirëpresin ata si miq dhe fqinjë.

Sidoqoftë gjashtë vite të tensioneve politike, ekonomike dhe sociale janë duke shfaqur pasojat dhe vendi duket se është pranë një kolapsi ekonomik dhe social, nëse jo edhe atij politik e administrativ. Ekonomia ka stagnuar dhe entitetet janë duke marrë kredi të reja në mënyrë që të vazhdojnë t’i paguajnë pagat, pensionet dhe përfitimet sociale. Shteti do të përballet me sfida të reja ekonomike, sociale dhe financiare në vitin 2012 kur do të fillojë shpagimi i kredive të mëdha ndërkombëtare.

Pasi që situata sa shkon e keqësohet, është koha e duhur që qytetarët e Bosnjës të mendojnë se a janë më të interesuar për paketimin apo përmbajtjen, dhe t’u thonë liderëve të tyre se ata duan që të mbrohen jo vetëm interesat e tyre nacionalë por edhe ata ekonomik dhe social.

Është gjithashtu koha që liderët lokalë, OJQ-të, intelektualët dhe mediat tu ofrojnë qytetarëve atë që këtyre të fundit u nevojitet dhe të mos premtojnë gjëra të cilat nuk mund t’i realizojnë. Përndryshe e tërë kjo mund të arrij në përfundimin që më së paku dëshirohet nga të gjithë: një shtet dhe një ekonomi në kolaps, e ndoshta edhe konflikte të mëtejme.

Sreqko Llatall është analist nga Sarajeva, pranë Grupit Ndërkombëtar të Krizave (ICG).