Ilustrimi për Kallxo.com: Jetë Dobranja/Trembelat.

Klasa politike e Kosovës: Një dekadë  dështim

Klasa e tanishme politike në Kosovë mund të japë pamjen e stabilitetit, por jo dhe qeverisje efektive, integrim evropian apo më e rëndësishmja, mirëqenien e përgjithshme të qytetarëve.

Marrëveshja e parë kontraktuale mes Kosovës dhe BE-së, Marrëveshja e Stabilizimit dhe Asocimit, MSA, hyri në fuqi në prill 2016. Në fund të atij viti, ish-Ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj shkroi një opinion për gazetën Zëri ku tha se viti 2017 do të ishte viti kur Kosova do të fitonte statusin e vendit kandidat të BE-së. Mes euforisë mbizotëruese, Hoxhaj gjithashtu deklaroi se Kosova do të aplikonte për anëtarësim në Këshillin e Evropës në janar të vtitit 2018 më së voni.

Sot, Kosova nuk është as vend kandidat i BE-së dhe as anëtar i Këshillit të Evropës. Përkundrazi, Kosova dështoi të anëtarësohet në UNESCO dhe Interpol. Numri i njohjeve ka ngecur dhe deri në dhjetë shtete kanë tërhequr njohjet e tyre. Kosova nuk arriti të marrë as liberalizimin e vizave me BE-në, një proces që është i pavarur nga integrimi evropian dhe dukshëm më i lehtë për t’u arritur.

Hoxhaj duhet të mbahet përgjegjës për performancën e dobët të politikës së jashtme të Kosovës, sepse ai mbajti më së gjati postin e ministrit të jashtëm. Partia e tij, Partia Demokratike e Kosovës, PDK, ka qenë pjesë e qeverisë që nga viti 2008 dhe është drejtpërdrejt përgjegjëse, ndër të tjera, për sundimin e dobët të ligjit, ekonomi të paqëndrueshme, shkallën e lartë të papunësisë dhe cilësinë e ulët të sistemit arsimor dhe shëndetësor.

Por kjo nuk e ka larguar optimizmin e Hoxhaj. Më 14 prill të këtij viti, ai deklaroi se PDK duhet “të rikthej shpresën, besimin dhe optimizmin… dhe kjo mund të jetë e mundur vetëm me PDK-në në pushtet”.

Kjo deklaratë është një gabim logjik. Rikthej shpresën nga kush? PDK ka qenë në pushtet për më shumë se një dekadë, dhe mban përgjegjësinë kryesore për performancën e dobët politike të Kosovës.

Situata socio-ekonomike është aq e keqe sa që Kosova ka përjetuar rënien më të madhe të popullsisë në dekadën e fundit nga migrimi masiv. Sipas UK Guardian, popullsia në Kosovë ka rënë për 15.4 për qind që nga viti 2007, shifër rekorde në Evropë. Kjo është një statistikë tronditëse për një vend me vetëm 1.8 milion popullsi 30 për qind e të cilëve janë të papunë, veçanërisht të rinjtë dhe gratë.

Sa herë që qeveria e Kosovës ka dështuar në arritjen e objektivave të tyre politike, vendore apo ndërkombëtare, PDK iu është shmangur përgjegjësisë. Liberalizimi i vizave është një shembull konkret për të ilustruar një gjë të tillë.

Në vitin 2010, ish kryeministri, tani presidenti Hashim Thaçi, premtoi gjatë fushatës së tij elektorale se Kosova do të fitonte liberalizimin e vizave brenda 15 muajve. Tetë vite më pas, qytetarët e Kosovës janë të vetmit në Ballkan që kanë regjim vizash në zonën Schengen. Por, PDK përsëri nuk po merr përgjegjësi. Përkundrazi, shefi i ri i Hoxhaj, Kadri Veseli, fajësoi BE-në, duke e quajtur atë raciste për mos dhënien e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Për më tepër, aventura e Thaçit për të “korrigjuar” kufijtë me Serbinë ka vënë një re të zezë mbi Kosovën. Iniciativa e tij ka dëmtuar seriozisht legjitimitetin e Kosovës, sepse argumenti i tij është ndërtuar mbi premisën që Kosova duhet ose të japë diçka, ose, Kosova do të bëhet si Palestina. Në vend të një presidenti që mbron legjitimitetin e shtetit, Kosova ka një që e vë në dyshim atë publikisht.

Nepotizmi nuk ka të ndalur

Në shtator 2017, Kosova u bë me një qeveri të re në krye me kryeministrin Ramush Haradinaj. Ngjashëm si paraardhësi i tij, Haradinaj nuk ka treguar se është i aftë për qeverisje të mirë. Bashkëjetesa e tij me PDK-në vetëm vazhdoi kulturën e nepotizmit dhe korrupsionit e cila është e përhapur si kurrë më parë.

Institucionet e Kosovës mbeten të mbushura me militant partiak. Qeveria ka qenë mjaft kreative sa i përket punësimit të njerëzve të tillë, duke formuar dy ministri të tjera, Ministria për Inovacionin dhe Ndërmarrësi dhe Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike. Kjo është kapje e shtetit në mënyrë tipike. Qeveria tani përbëhet nga gjashtë zëvendëskryeministra dhe 21 ministri. Numri i zëvendësministrave është i panjohur, por besohet të kalojë numrin 80. Një sistem i tillë kërkon një sasi të konsiderueshme parash për të mbajtur korrupsionin në të gjitha nivelet.

Një ditë pas dështimit kolosal të Kosovës për t’u anëtarësuar në Interpol, Haradinaj e mbuloi dështim e tij me vendosjen e tarifës doganore për importet serbe dhe boshnjake. Megjithëse shumica e qytetarëve të Kosovës e mirëpritën këtë vendim, ata nuk është se përfituan nga ajo. Sipas disa raportimeve, çmimi i disa produkteve, duke përfshirë produktet bazë si bylmeti dhe buka, kanë pësuar rritje si rezultat i tarifës.

Ndërkohë, Haradinaj ka ngritur pagat në mënyrë të vazhdueshme në sektorin publik, duke zgjeruar hendekun mes pagave në sektorin privat dhe publik dhe përkeqësuar kështu ekonominë e paqëndrueshme të vendit. Qeveria është punëdhënësi më i madh i vendit dhe ndërmarrjet publike gjenerojnë shumën më të madhe të të ardhurave nga reklamat.

Mirëqenia e qytetarëve është lënë anash

Diskursi publik tani është tashmë centralizuar rreth dy çështjeve që lidhen me Serbinë: vendosja e tarifave për produktet serbe dhe mundësa e arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë. Ndërkohë, mekanizmat dhe masat konkrete që do të hapnin rrugën drejt integrimit evropian dhe më e rëndësishmja, do të përmirësonin mirëqenien e qytetarëve të Kosovës, janë vënë në njërën anë.

Një nga këto detyra të rëndësishme është zbatimi i Axhendës për Reforma Evropiane, ERA, e cila është një mekanizëm që rrjedh nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, MSA. Për të pasur një zbatim më të lehtë të MSA-së, autoritetet e Kosovës dhe Komisioni Evropian hartuan ERA, e cila përqendrohet në tri shtylla: qeverisja e mirë dhe sundimi i ligjit; konkurrueshmëria dhe klima e investimeve; dhe punësimi dhe arsimi. Secila përmban pikat e veprimit dhe afatet kohore që duhet të plotësohen nga institucionet përgjegjëse.

ERA fokusohet në prioritetet primare të Kosovës brenda SAA e cila do të duhej të përfundonte deri në fund të vitit 2017. Megjithatë, kabineti i Haradinajt nuk i ka përmbushur kriteret e planit të tyre të veprimit ne afatin e caktuar kohor. Sipas raport vlerësimit për vitin 2018 të prodhuar nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike, Instituti GAP dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike, vetëm 68 nga 108 veprime janë përfunduar plotësisht, që i bie 63 për qind.

Qeveria e Kosovës tani po planifikon të hartojë një listë të re të prioriteteve, të njohura dnryshe si ERA 2, e cila me siguri që do të përfshijë prioritetet e papërmbushura në dokumentin origjinal, si dhe prioritete të reja.

Neglizhenca e BE-së është pjesë e problemit

Qeveria e Kosovës nuk është plotësisht e fajtore. BE nuk ka qenë asnjëherë e angazhuar seriozisht në rajon dhe për një kohë të gjatë ka priotirizuar stabilitetin para demokracisë, një sistem prioritetesh e cila ndryshe njihet si ‘stabilokraci’.

Por nëse BE dëshiron të shohë ndryshime të vërteta në Ballkanin Perëndimor, ajo duhet të eliminojë paradigmën që vetëm “burrat e fortë” mund të arrijnë stabilitet dhe rezultat të dëshiruar. Shumica e këtyre udhëheqësve kanë qenë në politikë për dekada, dhe shumë janë të përfshirë në skandale korruptive dhe kriminale. Më e rëndësishmja, ata nuk janë të sinqertë. Thaçi, Haradinaj dhe Veseli sigurojnë stabilitet në Kosovë sepse kontrollojnë institucionet shtetërore si policia, agjencia e inteligjencës, sistemi gjyqësor dhe të tjera. Nëse pushteti i tyre politik kërcënohet drejtpërdrejt, ata janë në gjendje të eskalojnë në mënyrë të rrezikshme.

Ka ardhur koha që BE të shkojë përtej ‘stabilokracisë’ dhe të mbështesë ndryshimet reale, duke mbështetur një grup të ri udhëheqësish dhe duke ofruar hapësirë ​​adekuate për ndryshime të tilla. BE duhet ta shohë integrimin e rajonit si prioritet. Ballkani Perëndimor ka nevojë për udhëzime të vazhdueshme nga BE. Por BE duhet të kushtojë më shumë vëmendje dhe të zëvendësojë retorikën boshe me masa konkrete, duke treguar përkushtim ndaj rajonit dhe duke investuar më shumë kohë dhe burime cilësore në drejtim të reformave.

Visar Xhambazi është hulumtues në Institutin e Prishtinës për Studime Politike  (PIPS). Ai ka mbaruar studimet Master në studime ndërkombëtare në Old Dominion University në Virxhinia, Amerikë, me specializim në politikën e jashtme Amerikane dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.

Mendimet e shprehura në sektorin e Opinioneve janë vetëm ato të autorëve dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.