Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Keqkuptimet rreth vaksinave rrezikojnë jetën e shtatzënave

Mënyra e duhur për të mundur sëmundjet është vaksinimi. Vaksina nuk është terminologji e panjohur për ne. Përkundrazi, ne marrim vaksina që nga momenti i parë që vijmë në jetë, dhe kjo vazhdon deri sa të rritemi, e për disa sëmundje tjera vazhdojmë të vaksinohemi edhe në moshën madhore.

Vaksina konsiderohet arritja më e madhe e shekullit 20 në shëndetin publik. Para kohës së zbulimit të vaksinave, njerëzit kanë vdekur nga sëmundjet e ndryshme infektive, ku sot, shumica e këtyre sëmundjeve janë shfarosur pikërisht, falë vaksinave që ne i marrim.

Gratë shtatzëna dhe  COVID -19:

Gratë shtatzëna janë më të predispozuara për t’u sëmurë me rëndë në rast se infektohen me COVID 19 në krahasim me bashkëmoshataret jo shtatzëna. Shtatzënia shkakton ndryshime në trup, ndryshime këto që të bëjnë më të ndjeshme ndaj virusëve respirator si është edhe virusi që shkakton COVID-19 .

Çka do të thotë të sëmuresh më rëndë?

Të sëmuresh më rëndë do të thotë: të shtrihesh në spital, të shtrihesh në intensive, të marrësh frymë me ndihmën e aparaturës speciale.

Vaksinimi kundër Covid-19 në shtatzëni:

Kemi shumë pyetje dhe dilema rreth vaksinimit në shtatzëni.

A duhet të vaksinohemi në shtatzëni?

A i bënë dëme bebit?

A ka mundësi që nga vaksina të sëmuremi më shumë?

Bebi, a sëmuret brenda në barkun e nënës së vaksinuar?

Çka përmban vaksina?

Dhe shumë pyetje tjera.

Sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), Kolegjit Amerikan për Gjinekologë dhe Obstetër (ACOG), Kolegjit Mbretëror për Gjinekolog dhe Obstetër (RCOG ) vaksina kundër COVID – 19  rekomandohet për gratë shtatzëna, gratë gjidhënëse, gratë që tentojnë të mbesin shtatzënë.

Vaksinat për mbrojtjen nga COVID – 19 nuk përmbajnë virusin e gjallë, andaj marrja e tyre nuk shkakton infeksion te gratë shtatzëna e as te bebet e tyre.

Rekomandohet të merren vaksinat mRNA (Moderna dhe Pfizer BioNTech).

Këto vaksina përbëhen nga lajmëtari ARN (mRNA) që është i mbështjellë nga një lipid për të depërtuar në qeliza, duke i përdorë qelizat e trupit për të prodhuar antigjene (spike protein), të cilat stimulojnë sistemin imunitarë (mbrojtës) për të prodhuar antitrupa kundër COVID -19. Vaksinat mRNA , siç është Pfizer BioNtech, nuk futet në bërthamë, dhe nuk ndërron ADN-në e pranuesit. Me fjalë tjera, këto vaksina nuk shkaktojnë ndryshime gjenetike. Vaksinimi në shtatzëni ndihmon në krijimin e antitrupave që mbrojnë bebën në barkun e nënës. Këto antitrupa , që janë krijuar pas marrjes së vaksinës mRNA janë gjetur në gjakun e kordonit umbelikal. Kjo do të thotë se vaksinimi mund t’ i ndihmoi bebit tuaj që të mbrohet nga infeksioni me COVID-19.

Faktet rreth efikasitetit dhe sigurisë së vaksinës kundër COVID-19 në shtatzëni po përditësohen. Këto të dhëna tregojnë që marrja e vaksinës në shtatzëni ka benefite më të mëdha se çdo risk tjetër potencial.

Të dhënat e fundit rekomandojnë vaksinimin e plotë te të gjitha gratë që janë shtatzëna, te grave që dëshirojnë të mbesin shtatzëne. Nëse keni ngelur shtatzënë dhe nuk keni arritur të merrni dozën e dytë , atë mund ta merrni edhe gjatë shtatzënisë.

Për shkak të rritjeve të rasteve me Omicron, rekomandohet doza përforcuese te të gjitha shtatzënat, 3 muaj pas marrjes së dozës së dytë.

Shoqata Evropiane për Embriologji dhe Reproduksion Human ( ESHRE ), rekomandon vaksinimin e çifteve ( gra dhe burra ) para se të futen në programin për mbarsim të asistuar ( IVF ). E sidomos gratë e predispozuara ( me sëmundje tjera ) që të sëmuren më rëndë nga COVID 19, u rekomandohet vaksinimi sa më pare.

 

BLETA SMAJLI VITIA GJINEKOLOGE-OBSTETRE