Ilustrimi: Jetë Dobranja për Kallxo.com

Kaubojët që nuk e mbajnë fjalën

Prapa krejt trumbetimit dhe mburrjes rreth vizitës së fundit të Richard Grenell në Prishtinë, fshihet një tjetër dokument i pakuptimtë me pak informacione konkrete apo përfitime të qarta për Kosovën. 

 

“Nuk na duhen fjalë të kota,” tha Richard Grenell të hënën në Prishtinë, para se ta nënvizonte “qasjen e re“ të përqafuar nga Administrata Trump për Kosovën dhe Serbinë, e cila, sipas tij, është “e orientuar drejt aksionit” 

Në ditën e  vizitës, Grenell dhe delegacioni i tij ishin përshkruar, përfshirë edhe nga vetë ata, si një grup kaubojësh, duke lëvizur nëpër qytet dhe duke u përkujdesur për biznesin. 

Problemi qëndron aty se shumë pak biznes në fakt është bërë në Prishtinë ditën e hënë. Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe Adam Boehler, Shef Ekzekutiv i Korporatës Financiare të Zhvillimit Ndërkombëtar në SH.B.A., IDFC, thjesht e nënshkruan një deklaratë të përbashkët të shkurtër pesë paragrafëshe. 

Deklarata thotë se Hoti dhe Boehler “ndajnë dëshirën e përbashkët” që një marrëveshje e re stimuluese për investime, IIA, do të nënshkruhet midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara. Letra gjithashtu thekson se kjo IIA e re do të ndihmojë në avancimin e negociatave për projektet e rëna dakord midis Kosovës dhe Serbisë më 4 shtator në Uashington DC.

Përveç faktit që kjo IIA e re nuk u nënshkrua atje dhe pastaj të hënën në mbrëmje – thjesht u zotua se do të themelohet në “kohën më të shpejtë të mundshme” – edhe po të nënshkruhej, nuk nënkupton me automatizëm se mund të konsiderohej diçka pozitive për Kosovën.

Një IIA e mëparshme ishte nënshkruar tashmë midis Kosovës dhe SHBA në qershorin e vitit 2009, nën administrimin e Korporatës Private të Investimeve për Jashtë, OPIC, paraardhësi i IDFC, një organ i ri i cili u themelua nga Administrata Trump në vitin 2019.

Përkundër kësaj IIA-je të mëparshme, investimet amerikane në Kosovë kanë qenë të rralla gjatë dekadës së kaluar. Midis viteve 2009 dhe 2019, më pak se 200 milionë euro investime të huaja direkte në Kosovë erdhën nga SH.B.A., nga të cilat, të paktën 40 përqind, përfshinin blerjen e pasurive të patundshme. Sa për krahasim, në të njëjtën periudhë, gati 600 milionë investime të huaja direkte u bënë nga Gjermania.

Ndërkohë, deklarata e përbashkët nga Hoti dhe Boehler tregon se IIA e re mund të jetë më kufizuese sesa paraardhësi i saj, me një  fokusim në projektet e dakorduara në Uashington DC. Ndërkohë që mund të bëhen më shumë investime amerikane, ka të ngjarë që ato të jenë kryesisht në projekte që kanë për qëllim zhvillimin rajonal, duke kufizuar mundësinë për të financuar projekte që zhvillojnë Kosovën përbrenda.

Ditën e hënë, kryeministri Hoti premtoi se kjo marrëveshje do të rezultojë me mijëra vende pune, porse infrastruktura e projekteve të nënvizuara në marrëveshjen për normalizim ekonomik nuk ka gjasa të sigurojë punësim të menjëhershëm e sidomos jo punësim afatgjatë.

Ndërkohë, Boehler foli për “një projekt në vlerë prej një miliard dollarësh në tubacion”, duke iu referuar një qendre të re skijimi për të demonstruar gjerësinë e projekteve që diskutohen. Sidoqoftë, siç është bërë tipike për negociatat e përmbylluara nën patronazhin e Grenell, asnjëra nga këto nuk gjen mbështetjen e saj në letër.

Përgjatë vitit 2020, një sërë dokumentesh janë nënshkruar në lidhje me Kosovën dhe Serbinë, të gjitha kanë qenë të mangëta në detaje: datat, shifrat dhe garancitë janë gjithmonë të dukshme nga mungesa e tyre.

Sidoqoftë, kortezhi rreth secilit dokument që nënshkruhet tani është bërë i pandryshueshëm. Një trumbetim i madh dhe një ceremoni me shumë fotografi të shkrepura gjatë nënshkrimit i paraprijnë një deklarate se një ‘marrëveshje historike’ është arritur. Pastaj pason një konferencë e shkurtër për media, e mbushur me antagonizma, e mbajtur zakonisht para se gazetarët të kenë pasur mundësinë të lexojnë dokumentet e nënshkruara.

Në konferencën për media, Grenell mbeti lojal në porositë e tij. Të hënën, ai u përgjigj një pyetjeje të bërë nga BIRN mbi deklaratat e Presidentit Trump se administrata e tij ishte “duke i dhënë fund vrasjeve masive mes Kosovës dhe Serbisë”, duke pretenduar se Trump kishte si qëllim të thoshte se ai ishte “i përqendruar në normalizimin ekonomik”.

Në kohën kur dokumentet analizohen, përmbajtja e tyre shpesh është aq e dobët sa e sfidon edhe bindjen: një “marrëveshje historike fluturimi” rezulton të jetë një “letër zotimi” e nënshkruar nga një nëpunës i paemëruar civil dhe Lufthansa. Prej janarit kur u nënshgkrua ‘marrëveshja e aviacioni’ deri tash në shtator, rëndësia e saj u zbeh aq shumë sa që nuk u fut as në marrëveshjen e 4 shtatorit. U harrua.

Në anën tjetër, marrëveshja e së hënës u shit si një shenjë e zotimit të Uashingtonit për të implementuar marrëveshjet e normalizimit ekonomik të nënshkruara në Uashington DC, në vetvete është një koleksion i mjegullt i zotimeve, e që pak prej të cilave duket se shkojnë në interes të Kosovës. Përfaqësuesit e SHBA e vunë në pah madhësinë e pashembullt të delegacionit që morën me vete në Prishtinë për të dëshmuar zotimin e tyre, por edhe një herë, disa rezultate të prekshme që janë qartësisht të dobishme për Kosovën, janë lënë në letër.

Ndërkohë, Serbia duket se shkel në mënyrë flagrante marrëveshjet e arritura me, pothuajse, asnjë reagim nga ndërmjetësi i tyre i SHBA.

Vetëm pak ditë pasi u arritën marrëveshjet e Uashingtonit, Presidenti serb Aleksandar Vuçiq deklaroi hapur se ai shpresonte që Izraeli do ta rishikonte qëllimin e tij për ta njohur Kosovën, megjithë vënien e nënshkrimit duke u zotuar që as zyrtarisht e as jozyrtarisht nuk do të kërkojë nga ndonjë shtet që ta ç’njohë Kosovën si shtet të pavarur.

Shkurt pas kësaj, Jerusalem Post raportoi se Serbia do ta refuzojë zhvendosjen e Ambasadës së saj në Jerusalem në rast se Izraeli e njeh Kosovën.

Referencat në marrëveshjet e Uashingtonit për “operatorët e dyshimtë të 5G”, të interpretuara nga shumë si përjashtim i prezencës kineze, gjithashtu kanë rënë në vesh të shurdhër në Beograd, ku një Qendër e Re për Zhvillim dhe Inovacion u hap nga kompania Huawei javën e kaluar.

Sidoqoftë, duke parë që SHBA nuk ësjhtë nënshkruese e këtyre marrëveshjeve dhe duke parë që në zanafillë që Grenell nuk po iu përgjigjet shkeljeve të menjëhershme nga Beogradi, si mund të ketë garanci se të tjera marrëveshje nuk do të shkilen?

Në fakt, Grenell heshti për të dyja këto çështje gjatë vizitës së tij në Beograd. Sipas Vuçiqit, Grenell propozoi një rinovim të përbashkët të ndërtesës së Ministrisë së Mbrojtjes të bombarduar nga NATO në vitin 1999.

Emisari Grenell po ashtu mbikëqyri një marrëveshje të nënshkruar midis Odave Tregtare të Kosovës dhe Serbisë, duke e përshëndetur “progresin  e mahnitshëm” që ndodhi këtë javë në Prishtinë dhe Beograd.

Krejt kjo ndërkohë që pretendohet se eksurzioni i tij në Prishtinë dhe Beograd si dhe dokumentet e mëtejshme të pakuptimta që dolën si rezultat i kësaj demonstrojnë përkushtimin e administratës së tij për implementimin e marrëveshjeve të Uashingtonit.

Në Beograd, Grenell përsëriti të njëjtën fjalim në lidhje me përkushtimin e Trump.

Kjo është një epokë e diplomacisë amerikane për të cilën Kosova vetëm mund të shpresojë se do të përfundojë së shpejti.

 

Ky shkrim është shkruar fillimisht në anglisht.