Kapixhikët e Prizrenit

Kush e di – e di; ndër klasikët e Prizrenit është “kapixhiku”. Bile, e di mjaft mirë. “Kapixhikët” hapen vargut të kthinave të brendshme lidhëse midis shtëpive komshish, të mbështetura shpinë më shpinë e sup më sup.

Shko në derën e komshiut, hyr brenda… Afrohu te “kapixhiku”, shtyje atë dhe kalo te komshiu tjetër… Shko te “kapixhiku” tjetër, hape atë dhe kalo te tjetri komshi… Prej aty, te “kapixhiku”, hape dhe kalo te një komshi tjetër… gjersa t’i vijë fundi mbarë lagjes!

Mos bëj merak, asnjeri s’ka për të parë ty në këtë udhëtim, përpos komshinjve që i do dhe i çmon! Gjurmët e tua s’kanë për t’i vërejtur jo se jo të huajt që nuk e njohin “Kulturën e kapixikut” apo më saktë “Qytetërimin e kapixhikut”!

E sigurt është – domethënë – rruga që kalon nëpër “kapixhik”; madje tepër e sigurt!  Të moshuarit tregojnë se si prizrenasit gjatë luftës së dytë botërore kanë shpëtuar  duke i përdorur kapixhikët.

Kjo është e jashtëzakonshme! E cili Nazist mund të dinte që një kapixhik në lagjen Karl Max, tani Adem Jashari, mund të të çojë tri lagje tutje pa dalë fare nga oborret e shtëpive deri te Rruga e Sarajëve, pranë xhamisë së Qoragës?

Kapixhiku kishte shpëtuar jetën e shumë njerëzve, të dashurve e të shtrenjtëve tanë, edhe ditëve të luftës së fundit që u bë makth i keq dhe na dogji fort shpirtin.

Nuk ka pak fjalë edhe profesori i filozofisë, Fevzi Karamuço për Kapixhikët. Ai përveç theksimit të rasteve politike, ngre vëmendjen edhe në rëndësinë e një formimi social që ka thelluar prania e Kapixhikëve në muret e shtëpive të vjetra të Prizrenit. Pra, ai thotë që, kapixhikët, kanë bërë që Prizrenasit të ndjehen më afër me njëri-tjetrin në përditshmëri, më të shumtë në raste festash e më ngushëllues në gjëma e ditë të zeza.

Kushedi se kush do të ketë qenë ai që i hodhi themelin ”Qytetërimit të kapixhikut”…

Kur i ka brofur në mendje ky fiqir madhështor! Së pari kishte mbledhur komshinjtë më të afërt e më të besueshëm. Gjerë e gjatë u kishte folur për “kapixhikët”, që do lidhnin përbrenda shtëpitë me njëra-tjetrën, fare sigurt… E, përderisa është kthyer në një klasike të Prizrenit tonë, i bie se është pranuar dhe miratuar. Shumë shpejt u përhap në mesin e komshive të vërtetë.

Në esencën dhe themelin e “Qytetërimit të kapixhikut” flenë dy nocione, më saktë dy botëkuptime dhe mënyra ekzistenciale (modus vivendi), të cilat sot pothuaj i kemi humbur dhe prandaj po i kërkojmë bukur shumë: BESIMI dhe MIRËSJELLJA. Pa këto dyja dhe sidomos pa i përbrendësuar mirë e mirë nuk mund të flitet për “Qytetërimin e kapixhikut” dhe as mund të themelohet ai!

BESIMI i ndërsjellë është një vlerë që fitohet vetëm atëherë kur njerëzit njihen shumë mirë me shoqi-shoqin. I vështirë boll për t’u fituar, i lehtë sa më s’ka për t’u humbur.

Ruajtja e BESIMIT të ndërsjellë nga shpërdorimi ka të bëjë me vazhdimësinë e përkujdesjes ndaj raporteve të sinqerta dhe serioze, të brumosura me dashuri e respekt plotë.

KUJDESI, DASHURIA, RESPEKTI, SINQERITETI, SERIOZITETI…

Sa të përmalluar që jemi për këto vlera, që këto të jenë pjesë e marrëdhënieve dhe përditshmërisë sonë, ashtu të palëkundura, stoike e të mbrojtura…

Ndërsa MIRËSJELLJA, para së gjithash, paraqet kujdesin përplot seriozitet të ndier e të treguar karshi personit përballë, veçorive të tij dhe privatësisë së tij.

“Qytetërimi i kapixhikut” ka edhe një kusht teknik të patjetërsueshëm: shtëpitë fqinjësore gjithsesi duhet të jenë afër-afër, sup më sup dhe të mbështetura shpinë më shpinë që të kenë një rrugë kaluese ndërmjet!

Njëlloj sikur banorët e Prizrenit me fe dhe nacionalitete të ndryshme. Sipas qytetërimit të Kapixhikut nuk ka rëndësi komshinjtë se cilës fe, cilës nacionalitet e race i takojnë. Prizrenasit, shqiptarë, turq, boshnjak, serb, rom, myslimanë e të krishterë, duke kaluar nëpërmjet kapixhikëve kanë vërtetuar që mund të jetosh me multietnicitet e me mirëkuptim fetar, krejt bashkë, pa armiqësi, brenda një qyteti. Qytetërimi i kapixhikut mendoj që ka koontribuar theksueshëm në këto vlera të lartëcekura.

Çfarë do të bësh në rrokaqiejt “modernë” (!) që Prizrenit tonë i janë ngulur si kamë në zemër, në shpirt dhe në identitetin tradicional të begatshëm me delikatesë; ata që ngrehen lart sikur duan të grithin vetë qiellin… Edhe nëse do me patjetër, kur ta themelosh “Qytetërimin e kapixhikut”, ku do ta hapësh “kapixhikun”? Vallë do të ndërtosh një “ashensorxhik” midis kateve? Bile, nga ata që zbresin deri në hyrje-daljet e godinës?

Po ajo forma e raportit që fle në thelbin dhe themelet e “Qytetërimit të kapixhikut”?

Druaj se jo vetëm avancimi, por vetë krijimi i tij po bëhet i pamundur…

Marrëdhëniet ndër njerëzore janë reduktuar në “Rrjetet Sociale”… Sytë dhe duart janë prangosur në ekranet e telefonave mobilë – së shpejti askush nuk do ta shikojë në fytyrë tjetrin!

Për BESIMIN e ndërsjellë, MIRËSJELLJEN, KUJDESIN, DASHURINË, RESPEKTIN, SINQERITETIN, SERIOZITETIN në “Rrjetet sociale” më mirë të mos flasim fare!

Gjallërimi i serishëm i “Qytetërimit të kapixhikut” është shpresë për njerëzimin! Mjaftonë që “kapixhikun” që e kemi, ta ringjallim prapë dhe të zhvillojmë në dimensione të reja!

Shkruar nga Roland Spahiu dhe Engin Nurkonojani.