Alma Hasalami - Psikologe

Izolimi i afektit dhe varfëria emocionale: Automatizmi

Kur punoja në një qendër për fëmijë me probleme të zhvillimit, mora në terapi një fëmijë të vështirë, të cilit i ishte larguar terapistja e tij e mëparshme. Ishte mashkull 6-7 vjeç, me probleme të theksuara të motorikës (lëvizjeve). Nuk ishte në gjendje të mbante objekte me dorë (motorika fine) dhe dëshira për të bashkëpunuar mungonte plotësisht duke shkuar deri në agresivitet.

Por, që te seanca e parë, gjërat filluan të ndryshonin shumë shpejt kur vendosa muzikë. Tingujt po na ndihmonin të komunikonim emocionalisht me njëri tjetrin dhe kërcimi po e ndihmonte atë të vendoste kontrollin mbi trupin. Pas seancës, babai i fëmijës ankohet se, gjatë përgjimit prapa derës së terapisë, nuk kishte dëgjuar asnjë të bërtitur dhe asnjë të qarë: “Është shumë e urtë doktoresha për djalin tim! Dua një terapiste tjetër!” ankohet.

Ditën tjetër, babai i fëmijës bën një sjellje antipatike dhe nënçmuese duke mu drejtuar “Ja kjo!”. Në atë moment kuptova që gjithë përpjekja ime për të ndihmuar atë fëmijë ishte e kotë, me atë baba që kishte. E refuzova duke i thënë “Unë nuk mund ta marr fëmijën tuaj në terapi kur ju tregoheni i paedukatë me mua!”. Ai filloi të bërtiste se paguhesha për këtë punë dhe se po abuzoja duke e lënë djalin e tij pa terapi. Ndërkohë unë po i tregoja që rrogën e merrja për të bërë punën time dhe jo për t’I përmbushur tekat një diktatori. Prindi e përfitonte terapinë falas meqë ishte familje në nevojë.  Ai donte që t’i mësoja fëmijës shkronjat dhe numrat, ndërkohë që fëmija nuk ishte në gjendje as të mbante lapsin në dorë.

Ai fëmijë nuk zbatonte asnjë komandë në rast se nuk i vinte në formën e një ulërime dhe ndaj çdo përpjekje të butë komunikimi shprehte dhunë. Askush nuk i kishte mësuar atij fëmije mbi dashurinë apo ndjesitë. A kishte patur kohë ndonjëri nga prindërit e tij të heshte dhe ta shihte në sy? Ta ndjente? E kështu, babai i tij erdhi, disa ditë më vonë, duke më kërkuar se duhej ta falja për hir të djalit, dhe jo se ai vetë kishte kuptuar ndonjë gjë nga gjithë ndodhia. Unë shoh sytë e djalit dhe për hir të tij i them: “Sot ai ju bindet. Është ushtari i juaj. Ju i bërtisni dhe ai direkt e bën gjënë që i kërkoni. Po nesër, kur ai të dalë e të takojë dikë që i bërtet më shumë e t’i bindet? Doni një ushtar apo një fëmijë të shëndetshëm?”.

Në fakt të gjitha kopshtet e shkollat përpiqen t’i mësojnë fëmijës konceptin e barazisë dhe të ushtrisë: uniforma, qëndimi në bankë, tekste të njëjta, punë e detyra të njëjta, angazhim i detyrueshëm, shpërblim dhe penalizim i programuar. Kur isha në klasë të gjashtë, më thërret mësuesja e historisë. Më tregon një vazo që kisha vizatuar dhe që ishte ekspozuar në punimet më të mira të shkollës. “Është shumë simetrike! Nuk ka jetë!” më thotë. Në atë moment nuk po e kuptoja shumë mirë. Si mund të kishte jetë vazoja? E megjithatë, e ndjeja që vazoja ishte e vetmuar dhe e ngrirë. Nuk kishte asnjë lule në të, vetëm dritëhija e lapsit që e shoqëronte. “Qëllimi ishte paraqitja gjeometrike e një objekti” i përgjigjem. “Është thjesht një justifikim!” më thotë. Ajo e kishte kuptuar që ajo vazo isha unë. Në një shkollë të re, me nxënës të panjohur për mua, të cilët nuk të lejonin hapësirë për integrim, unë ndihesha si vazoja.

Shkolla u mëson fëmijëve t’i bëjnë detyrat apo punimet duke zbatuar në mënyrë rigoroze rregullat, pa u lejuar përfshirje emocionale në to. Kur po i shpjegoja një 13 vjeçareje inekuacionet në matematikë, me një dëshpërim shumë të madh më pyet “Çfarë kuptimi ka e gjithë kjo? Për çfarë më hyjnë në punë gjithë këto gjëra të komplikuara?”. E pyeta se çfarë dëshironte të bëhej kur të rritej dhe mu përgjigj “police që të kapte kriminelët”. Ajo ishte shumë inteligjente dhe e kuptonte shumë mirë që veprimi duhej të kishte një qëllim dhe se dija duhet të futet në punë për diçka. Abstraksioni I matematikës nuk ju lejon fëmijëve përfshirje emocionale. Nisa t’i shpjegoj se tek rezultati i inekuacionit, i cili p.sh. ishte 3 < x < 7,  x është krimineli që po kërkojmë, akoma i paidentifikuar. Mirëpo meqë kemi disa të dhëna të sakta, treshin dhe shtatën, tani mund të ngushtojmë rrezen e dyshimit dhe jemi një hap afër identifikimit. Ajo u gëzua kur dëgjoi këtë dhe dëshira për t’i mësuar inekuacionet u ndez përnjëherë. Ishte viti i parë që filloi të merrte nota të mira në matematikë dhe vetëbesimi po e motivonte të punonte edhe më shumë.

Para dy ditësh pata seancën e tretë, ndoshta dhe të fundit, me një djalë 19 vjeçar. Në seancën e parë u morëm me abuzimin me kokainë. Në fund të terapisë, duke ndjerë lehtësimin e menjëhershëm, ai fitoi besim dhe më rrëfeu se kishte një traumë të cilën donte ta shëronte. Kishte kryer marrëdhënie seksuale me një mashkull, pa patur dëshirë. U gëzua shumë kur mësoi se kjo traumë mund të shërohet dhe kur kuptoi që nuk ishte homoseksual, pasi ajo marrëdhënie nuk kishte qenë dëshira e tij dhe se nuk kishte ndjerë kënaqësi. Në bisedë me psikologen e cila e ndiqte prej disa seancash, ajo më shprehet se marrëdhënia e tij homoseksuale nuk është traumatike pasi nga pyetësorët ai kishte dalë biseksual. Dhe për më tepër kjo marrëdhënie nuk kishte ndodhur vetëm njëherë por disa herë, prandaj s’mund të quhet traumë, sipas psikologes. Patjetër që unë, si kundër automatizmave apo algoritmave që jam, nuk mund ta pranoj asnjëherë si të vërtetë rezultatin e një testi psikologjik. Aq më tepër për një djalë 19 vjeçar i cili nuk ka eksploruar akoma seksualitetin e tij. Më mjaftoi dëshira e tij për tu shëruar nga kjo traumë dhe me atë u morëm në seancën e dytë. Tani, pas 4 muajsh, ai më rrëfen se i ka hequr vetë të gjitha ilaçet psikiatrike dhe se ka rënë në dashuri me një vajzë. Në këtë rast kemi pacientin adoleshent i cili mund t’i mësojë ish psikologes së tij ca gjëra që ajo nuk i ka kuptuar as nga jeta e saj seksuale, dhe as nga profesorët apo pyetësorët.

Sot, në epokën e autizmit dhe të inteligjencës artificiale, të ndjesh është diçka e rëndomtë, madje problematike. Kam parë persona që i mburrin autikët si qenie me inteligjencë superoirë, ndërkohë që s’kanë jetuar asnjëherë me vuajtjen e tyre. Kam parë psikologë që mbështëten verbërisht në teste dhe jo në eksperiencën profesionale dhe jetësore. Patjetër autizmi, që në fakt duhej të quhej automatizëm, nuk ka prekur vetëm femijët e kësaj epoke, por edhe të rriturit. Prandaj kemi profesionistë të cilët në mënyrë automatike zbatojnë komanda dhe harrojnë të mendojnë. Kemi mjekë që zbatojnë protokolle dhe nuk e vrasin mendjen për shërim. Kemi psikologë të cilët mbështesin gjithë gjykimin e tyre në teste psikometrie, thjesht sepse përtojnë të merren me analizën e psikës së pacientit. Po kështu kemi dhe profesionistë të tjerë, p.sh. inxhinierë apo arkitektë, të cilët në vend të ndërtojnë po shkatërrojnë. Një inxhinier, i cili merret me projektim hidrocentralesh, me thotë “Kot ankoheni ju ambientalistët! Ne nuk i bëjmë asgje ujit të lumit. Thjesht e marrim nga pika A dhe e çojmë në pikën B.”. Për të gjithë ekosistemi