Foto: Kallxo.com

Investo në Kosovë (nëse mundesh me i ra në fije)

Imagjinojeni një skenar si në vazhdim:

Një i ri kosovar, me banim të kamotshëm në Gjermani, së bashku më një të afërm të tij në Kosovë, vendosin që të investojnë në ndërtimin e centrali për prodhim të energjisë nga era. Dy investitorët e rinj, për herë të parë do të zbatojnë një teknologji të re, e cila rrit efiçiencën e mullinjve me erë. Ata kanë identifikuar edhe lokacionin se ku do të investojnë. Krejt çka ka mbetur është ndjekja e procedurave administrative për të filluar punën. Plotësimi i dokumenteve administrative do të duhej të ishte puna me e lehtë për këta investitorë të rinj. Por, shumë shpejt këta të rinj do ta kuptojnë se lëmshi burokratik në institucionet e Kosovës është më sfidues se sa lëmshi inxhinierik për prodhimin e energjisë.

Ashtu si çdo biznes tjetër që regjistrohet në Kosovë, edhe biznesi i dy investitorëve të rinj duhet të regjistrohet në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë. Njëkohësisht, investitorët e rinj duhet të marrin edhe lejen nga komuna, në territorin e së cilës do të vendoset centrali i mullinjve të erës. Mullinjtë e erës do të vendosen në një pikë të lartë kodrinore, e cila është në pronësi të Agjencisë Pyjore të Kosovës, andaj duhet të marrin një leje për operim edhe nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ku bën pjesë ky agjencion. Duke marr parasysh se vendosja e mullinjve të erës ka ndikim në mjedis, investitorët duhet të marrin edhe një pëlqim mjedisor nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Tash mund të fillohet me prodhimin e energjisë? Gabim. Për shkak se prodhimi i energjisë nga burimet e ripërtëritshme hyn në mesin e investimeve strategjike dhe do të investohen së paku 30 milionë euro, investitorët do të aplikojnë për marrjen e statusit të investitorëve strategjik, ashtu siç parashihet me Ligjin për investimet strategjike. Mirëpo, këtu komplikohen edhe më shumë gjërat. Me ristrukturimin e Qeverisë, investimet strategjike kanë hyrë në portofolin e Ministrisë së Diasporës. Por, me Ligjin për investime strategjike, Ministria e Diasporës nuk parashihet të luaj ndonjë rol. Andaj, askush nuk mund të jap përgjigje se si mund të ecet tutje derisa të ndryshohet ligji i cili mund të marrë disa muaj.

Por me kaq nuk përfundon saga burokratike. Për shkak se energjia bie në portofolion e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe sipas Planit Kombëtar të Veprimit për Burimet e Ripërtëritshme të Energjisë kjo ministri cakton caqet vjetore të BRE-ve, investitorët duhet të konsultohen edhe me Divizionin e Burimeve të Ripërtërishme, i cili funksionon në kuadër të Departamentit të Energjisë në MZHE. Dhe të aplikojë në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë për të përfituar nga tarifat nxitëse.

Pasi që investitorët e rinj do të përdorin një teknologji inovative e cila e rrit eficiencën e mullinjve të erës dhe ka potencial të zgjerimit, ata dëshirojnë të marrin edhe mbështetjen e Ministrisë së Ndërmarrësisë dhe Inovacionit. Por për shkak se kjo ministri është ende duke u konsoliduar dhe nuk e ka të qartë fushëveprimtarinë e saj, investitorët e rinj nuk do të marrin përgjigje edhe për një kohë.

Investitorët duhet të presin edhe për lejen përfundimtare për operim të cilën e lëshon Zyra e Rregullatorit të Energjisë, aty ku ka biznese që presin gati dy vite për të marr leje të operimit. Edhe në rast se arrijnë të përfundojnë të gjitha këto procedura, investitorët do të duhet të negociojnë me operatorin privat që menaxhon rrjetin e energjisë elektrike, KEDS, me qëllim të lidhjes së centralit të ri me pikën më të afërt të shpërndarjes së energjisë.

Edhe pse shembulli i mësipërm është i imagjinuar, një rast i tillë është shumë i mundshëm që të ndodhë. Kushdo që vendos që të investoj në Kosovë, në çfarëdo fushe, do t’i duhet që të përballet me një burokraci neveritëse. Për një projekt të vetëm, një investitor duhet të sillet nëpër gjashtë ministri të ndryshme, një komunë, një rregullator publik dhe të koordinohet me një operator privat.

Qysh në vitin 2008, një projekt i financuar nga Departamenti për Zhvillim Ndërkombëtar i Britanisë së Madhe (DFID), kishte sugjeruar Qeverisë së Kosovës që të krijoj një ministri të vetme të zhvillimit ekonomik. Përderisa në shtetet si Finlanda dhe Estonia, politikat e punësimit, ekonomisë, bujqësisë, transportit, tregtisë, industrisë, energjisë janë të ndara në më së shumti tri ministri, në Kosovë në vitin 2008 këto politika ishin të ndara në gjashtë ministri të ndryshme. Më 2014, Instituti GAP kishte rekomanduar po ashtu krijimin e një ministrie të fuqishme të zhvillimit ekonomik, duke shkrirë brenda saj Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Ministrinë e Financave, Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe Ministrinë e Infrastrukturës.

Qeveritë që dolën pas vitit 2008, jo që nuk ulën numrin e ministrive, por i shtuan ato. Përderisa më 2008 Kosova kishte gjashtë ministri që mbulonin aspekte të ndryshme të ekonomisë, në fund të 2017 janë nëntë ministri. Rreth gjysma e posteve ministrore në Qeverinë Haradinaj në fushëveprimtarinë e tyre kanë zhvillimin ekonomik. Qeveria e re, e krijuar në fillim të shtatorit të këtij viti, shtoi edhe tri ministri të reja të cilat mbulojnë sektorë të ndryshëm të ekonomisë: Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Ministria e Ndërmarrësisë dhe Inovacionit dhe Ministria e Zhvillimit Rajonal.

Mungesë karrigesh për ministrat e Qeverisë Haradinaj – Foto: Atdhe Mulla

Por, me rritjen e numrit të ministrive, Kosova nuk ka përjetuar edhe rritje ekonomike dhe punësim. Rritja vjetore ekonomike është më e ngadalshme në vitet e fundit, se sa në vitet 2007 apo 2008 kur vendi kishte më pak ministri. Po ashtu, shkalla e punësimit më 2017 është pothuajse në nivele të njëjta me atë të 2008. Përkundër asaj se shifrat zyrtare të papunësisë duken më të ulëta, numri i të punësuarve më 2017 janë të njëjtat me ato të 2008.

Atëherë, përse nëntë ministri të zhvillimit ekonomik e mbajnë Kosovën më të varfër se sa, për shembull Finlanda ose Estonia, të cilat kanë vetëm tri ministri të zhvillimit ekonomik? Përse rritja e numrit të ministrive që mbulojnë aspekte të ndryshme të ekonomisë, nuk ka sjell edhe ndryshim real ekonomik në Kosovë në dhjetë vjetët e fundit? Thjesht: numri i ministrive asnjëherë nuk reflekton nevojat reale të ekonomisë, por reflekton interesat financiare të partive politike që formojnë koalicionet qeverisëse. Burokracia më e madhe asnjëherë nuk zhvillon ekonominë, por vetëm e pengon atë. Asnjë vend nuk ka shënuar sukses në ndërmarrësi e inovacion, si rezultat i punës së një ‘ministrie të ndërmarrësisë dhe inovacionit’. Nëse, “Gjirafa”, si një ndër kompanitë më të suksesshme, e fokusuar në suksesin e ekonomisë online në Kosovë dhe vendet e rajonit, do të priste mbështetjen e qeverisë për t’u lansuar, ajo nuk do të ekzistonte kurrë, ashtu siç nuk do të ngrihet asnjë “start-up” i suksesshëm nëse është duke e pritur funksionalizimin e Ministrisë së Ndërmarrësisë dhe Inovacionit.

Numri më i madh i ministrive, përveç që është abuzim me taksat e qytetarëve, është edhe pengesë për bizneset dhe është burim i korrupsionit. Kur një biznesi i duhet që të ketë punë me rreth dhjetë burokrat të administratës së Kosovës dhe të shpenzoj kohë duke pritur në zyret e shumta, pashmangshëm do të paraqiten praktikat e ryshfetit, me qëllim të përshpejtimit të procedurave përmes korruptimit – dukuri e cila po e mban Kosovën lart në listat e vendve më të korruptuara e të pa zhvilluara.