Hyrjet e ndërtesave kolektive, problemi me mirëmbajtjen

Një ndër problemet më të mëdha me të cilin ballafaqohen qytetarët e Kosovës të cilët jetojnë në ndërtesa kolektive është mungesa e mirëmbajtjes së hapësirave të përbashkëta. Që nga përfundimi i luftës në Kosovë pamjet brenda apo edhe përreth ndërtesave kolektive në shumë raste kanë qenë mjaft të shëmtuara, por edhe të pasigurta për jetesë. Korridore të papastra, xhama të hyrjeve të thyera, kabllo të rrymës të zbuluara, poqe jo funksionale, mure të pa gëlqerosura me dekada apo bodrume të mbushura me ujë e fekale vazhdojnë të jenë prezentë në shumë hyrje të ndërtesave kolektive anembanë Kosovës.

Pyetja e parë që vjen në mendje në këto raste është, po si duhet të rregullohet kjo çështje?

Mirëmbajtja e hapësirave të përbashkëta në ndërtesa kolektive (korridoret, shkallët, bodrumet, ashensorët) rregullohet me Ligjin për Ndërtesat e Banimit në Bashkëpronësi i miratuar në vitin 2013. Sipas këtij ligji përgjegjës për mirëmbajtjen e hapësirave të përbashkëta janë pronarët e njësive banesore të cilët duhet të organizohen dhe të krijojnë Shoqatën e Pronarëve dhe kryesinë e kësaj shoqate. Shoqata e Pronarëve më tej mund të punësojë një administrator të licencuar nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për të administruar funksionet e përditshme të ndërtesës kolektive.

Sipas një hulumtimi të realizuar nga OJQ Developing Togeher në vitin 2017, rezulton se ky ligj pothuaj fare nuk zbatohet në Kosovë. Po del të jetë pothuaj e pamundur që pronarët e njësive banesore vet të organizohen dhe të merren me mirëmbajtjen e hapësirave të përbashkëta  prandaj është e patjetërsueshme që të ndryshohet qasja në këtë drejtim duke u angazhuar vetë komunat më tepër për të zgjidhur këtë problematikë shumë të madhe.

Një shembull i mirë në këtë temë është Ndërmarrja Publike Banesore (NPB) e Prishtinës. Në katër vitet e fundit kjo ndërmarrje ka marr përsipër renovimin dhe mirëmbajtjen e hapësirave të përbashkëta në banesat kolektive në Prishtinë. Deri më tani kjo ndërmarrje ka arritur që të merr nën menaxhim rreth 350 hyrje të ndërtesave kolektive me rreth 7,000 njësi banesore (klientë). Për t`u bërë klient i NPB-së duhet që së paku 80% e banorëve të një hyrjeje të nënshkruajnë një deklaratë që pajtohen që NPB të merr përsipër mirëmbajtjen e hyrjes së tyre. Pas kësaj organizohen takime në mes të NPB-së dhe nënshkruhet kontratë 7 vjeçare për mirëmbajtjen e hyrjeve nga ana e NPB-së dhe pronarëve/banorëve të njësive banesore. Me këtë edhe përmbushet kërkesa ligjore që banorët të dakordohen vetë se kush duhet të ju mirëmbajë hapësirat e përbashkëta. NPB në këto raste së pari e bën një investim në këto hyrje që zakonisht nënkupton pastrim gjeneral, ndërrimi i pjesëve të dëmtuara (xhamat, poqët, rrethojat apo edhe ashensorët), ndërrimin e dyerve të hyrjes përfshi interfonët, etj. Lista e intervenimeve fillestare është e specifikuar nga NPB. Çmimet mujore të NPB-së për mirëmbajtje sillen nga 6 deri në 12 euro për njësi banesore në varësi të asaj se në hyrje a ka ashensorë apo jo.

Qytetarët e Prishtinës klientë të NPB-së në përgjithësi shprehen të kënaqur me shërbimet e kësaj ndërmarrje por ka edhe të atillë që kanë vërejtje sidomos në shpejtësinë e reagimit ndaj prishjeve të ndryshme. Në një hulumtim të prezantuar në mars 2021 nga NPB lidhur me kënaqshmërinë e klientëve me shërbimet e NPB-së rezulton se nga 300 të anketuar, 171 konsumatorë apo 57% e tyre kanë shprehur se janë shumë të kënaqur me punën dhe shërbimet e ofruara nga NPB, 87 të anketuar apo 29% prej tyre kanë shprehur se janë deri diku të kënaqur me punën dhe shërbimet e NPB-së, 26 të anketuar apo 9% janë shprehur se janë pak të kënaqur me shërbimet dhe pjesa tjetër apo 16 të anketuar apo 5% e tyre janë shprehur si të pa kënaqur me shërbimet dhe punën e NPB-së. Anketa është bërë me 300 respondentë dhe hulumtimi mund të shkarkohet këtu.

Sidoqoftë janë edhe disa mangësi të cilat duhet të përmirësohen nga NPB. Edhe pse numri prej rreth 350 hyrjeve të ndërtesave kolektive nën menaxhimin e NPB-së është mjaft i madh, kjo përbën rreth 27 % të hyrjeve që ekzistojnë në Prishtinë. Qytetarët e Kosovës që jetojnë në ndërtesa kolektive e kanë mundësinë që të përzgjedhin nëse donë që NPB të merr nën menaxhim mirëmbajtjen e hapësirave të përbashkëta në ndërtesat e tyre apo të përzgjedhin ndonjë operator tjetër. Konkurrenca në këtë drejtim  e rrit kualitetin e shërbimeve s të NPB-së por edhe të operatorëve tjerë të cilët ofrojnë shërbime të ngjashme.

Sipas NPB-së në Prishtinë ekzistojnë rreth 1,300 hyrje por me trendin e madh të ndërtimeve në Prishtinë ky numër duhet të verifikohet më shpesh dhe të azhurnohet sepse nuk mund të bëhet ndonjë strategji e mirëfilltë pa e ditur numrin e saktë të ndërtesave kolektive/hyrjeve në Prishtinë.

Pra, NPB duhet që të bëj një plan masiv strategjik për të marr nën menaxhim të gjitha ndërtesat në bashkëpronësi të cilat janë të interesuara të bëhen klientë të NPB-së. Kjo duhet të përcillet me një fushatë gjithëpërfshirëse për t’i ftuar qytetarët që të organizohen dhe aplikojnë për shërbimet e NPB-së. Për mirëmbajtjen/pastrimin e të gjitha hyrjeve në Prishtinë do të duhet punësimi i së paku 800 vetëve me kontratë afatgjate që do të kontribuonte në rënien e papunësisë në Prishtinë.

Në anën tjetër, marrja nën menaxhim e mirëmbajtjes së hyrjeve në Prishtinë sjell të hyra për NPB-në ku me një kalkulim të thjeshtë del se mund të ketë hyrje në vlerë rreth 200,000 euro në muaj (nëse NPB i merr nën menaxhim rreth 1,000 hyrje të ndërtesave kolektive). Kjo vlerë edhe pse në dukje të parë e madhe, është mjaft kritike për të mundur të menaxhohen një numër aq i madh i ndërtesave.

Në këtë rast duhet që edhe komuna e Prishtinës sipas nevojës të subvencionojë NPB-në pas një analize të mirëfilltë. Një gjë tjetër të cilën duhet të bëjë NPB-ja është që të bëjë investime kapitale në ndërtesat kolektive. Duhet të analizohet struktura e ndërtesave në kuptimin e qëndrueshmërisë dhe estetikës, sidomos te ato ndërtesa të ndërtuara para lufte. Për shembull disa kulme të ndërtesave në Ulpianë nuk janë ndërruar që nga ndërtimi i tyre në vitet e 60’ta të shekullit të kaluar. Po ashtu fasadat te ndërtesat shumëkatëshe te fontana janë rrjepur të tërat të cilat përpos që krijojnë pamje mjaft të shëmtuar, përbëjnë edhe rrezik për njerëzit përreth. Sipas NPB-së projekti për renovimin e këtyre fasadave në Ulpianë është në fazat finale dhe pritet që të realizohet në bashkëpunim me MCCnë (Millenium Challenge Corporation).

Ndërmarrja Publike Banesore është një shembull i mirë i cili tregon se kur ka kreativitet dhe vullnet nga ndërmarrjet dhe përkrahje nga komunat mund të kryhen punë të mira. Ky shembull duhet të analizohet edhe nga komunat tjera të mëdha të Kosovës të cilat përballen me telashet e ngjashme dhe sipas mundësive teknike të adoptohet. Ndërmarrjet publike lokale ekzistojnë që të përmirësojnë jetën e qytetarëve prandaj profiti duhet të jetë në rend të dytë.