Hobbes dhe opozita e Lëvizjes “Vetëvendosje”

Derisa Albin Kurti po fliste në TEDxVienna në kryeqytetin austriak, shumë të huaj po e komentonin në mediet sociale veçanërisht në Twitter. Shumica prej komentuesve të huaj ishin të impresionuar me menyren se si ai e pershkruante “protektoratin nderkombetar” në pergjithesi dhe veçanarisht në Kosovë. Me një ironi të hollë intelektuale edhe pse në gjuhë të huaj, Albini arriti ta impresonojë një publik intelektual dhe kritik çfarë zakonisht ka në ketë format që quhet TED Talks. Ai per 20 minuta arriti ta pershkruante gjithë atë çfarë kishte ndodhur në Kosovë nën protektoratin ndërkombëtar. Por dikush nga komentuesit bënte thirrje që të lexohet në mes rreshtash fjalimi, i cili sipas tij ishte kunder nderkombetarëve dhe pakicave në Kosovë. Ligjërimi publik i VV shpeshherë shihet sidomos nga të huajt, si një tendencë e një Kosove veç me shqiptarë: pa ndërkombetarë dhe pa serbë.

T’i kthemi opozites së VV. Intensiteti i aktiviteteve politike të VV e bën ketë lëvizje vështirë të injorueshme. Për çdo ditë Lëvizja Vetëvendosje ka ndonjë aktivitetet ”opozitar”: prej tubimeve me qytetarë, iniciativave në parlament, deklaratave për shtyp, debate me qytetarë brenda dhe jashtë Kosovës, prezentime në universitete të ndryshme europiane (së fundi edhe në universitete prestigjioze siç jane LSE dhe Oxford), aktiviteteve simbolike në rrugë e deri tek shfaqja e filmave me tematika të ndryshme kryesisht filmave që nxisin debat. Të gjitha këto aktivitete të VV kanë një inspirim kundër establishmentit i cili funksionon në Kosovë me mbështetjen e ndërkombetarëve të cilët kanë përgjegjësi edhe ekzekutive për Kosovën sipas Planit të Ahtisaarit.

Nëse i shihni aktivitetet e VV të pasqyruara në media, ato zënë një hapesire të madhe aty. Ky lloj aktivizmi politik e bën VV një forcë politike të pamuhoeshme në skenen politike të Kosovës e cila është e aftë që të prodhojë lajm për cdo dite.  Këto aktivitete politike të kësaj lëvizje mund të kuptohen në dy mënyra: e para,  si aktivitete politik opozitare që kanë për qellim të tregojnë se janë krejtesisht të ndryshëm dhe se e meritojnë pushtetin dhe e dyta tipike për iniciativa qytetare të cilat mundohen që të ndergjegjesojnë qytetarët kundër padrejtesive politike, sociale e ekonomike. Por duke qenë se tashmë ajo është pjesë e strukturave të sistemit politik dhe ka ambicje për pushtet, e lenë në hije ketë të dyten: pra ndergjegjesimin e qytetareve (e popullit në fjalorin e VV) kundër padrejtësive që vijnë nga nivelet e ndryshme te pushtetit.

Lëvizja e cila fillimisht shikohej si një lëvizje qytetare e të rinjve që nuk pajtoheshin me misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) dhe që protestonin kundër tij, po rrëshqet në një lëvizje shoqërore-politike e ngjyrosur me një patriotizëm ekonomik tipike për vendet e pas konfliktit. VV një njërën anë kërkon me vendosmëri vetëvendosje për Kosovën (kundërshtimi i negociatave me Serbinë për Kosovën) dhe ne anën tjetër angazhohet fuqimisht për më shumë barazi sociale (kundërshtimin e privatizimit, që në VV quhet “neoliberal”, mbrojtën e prodhuesve vendorë, ankesat për rrogat e mëdha në Parlament, solidarizimi me të varfrit etj).

Duket që atmosfera kundër pushtetit në Kosovë për shkak të dështimit të zhvillimit ekonomik dhe social shkon në favor të rritjes se kësaj Lëvizje. Mandej ndjenja e përhapur e paknaqesisë në Kosove ndaj partive të “mëdha” (PDK, LDK, AAK) të cilat janë larguar në masë të mëdha nga qytetaret e rëndomtë, e bën VV si një ndër forcat kryesore të përfaqësimit real të interesave te qytetarët në skenën politike kosovare. Një gjë tjetër me rendësi që e dallon VV nga subjektet tjera politike janë format jokonvencionale të angazhimit politik. Përderisa tek subjektet tjera politike kemi një formë të angazhimit politik përmes deklaratave, paraqitjeve në TV, takimeve protektollare, tek VV shohim një antipati ndaj këtyre formave konvencionale te angazhimit politik. Mënyra e veprimit politik të VV është më e afërt me qytetarin për arsye se është një formë e manifestimit publik qoftë në rrugë, qoftë në vende të ndryshme publike. Gjithsesi se kjo formë e angazhimit i ka edhe kundërshtarët e vet.

Aksione paqësore?

Në vitin 2003 gjatë një prezantimi për media, Anders Fogh Rasmussen, kryeministër i atëhershëm i Danimarkës ishte “sulmuar” me ngjyre të kuqe nga një aktivist i paqes në objektet qeveritare. Arsyetimi i aktivistit ishte se kryeministri i atëhershëm dhe tash Sekretari i Përgjithshëm i NATO’s i “kishte duart e përlyera me gjak” për shkak të përkrahjes që rezultoi edhe me pjesëmarrjen e Danimarkës në luftën në Irak. Ishte koha kur Danimarka kishte shprehur përkrahje për luftë, e skandinavët përgjithësisht janë kundër luftërave. Ky aksion ishte mjaft i debatuar në atë kohë.

Derisa sigurimi i kryeministrit merrej me shtimin e masave të sigurisë të ish-Kryeministrit, të frikësuar se mund t’ju ndodhë prapë një “befasi” e tillë, shoqëria daneze ishte ndarë në dysh në mes të atyre që përkrahin aksionin dhe atyre qe ishin kundër tij. Duket se ajo që e bënte këtë aksion “te pëlqyeshëm” ishte fakti që disponimi i shumicës daneze ishin kundër luftës dhe se vendimi i kryeministrit nuk kishte konsensus në shoqëri. Ky raste tregon që kur një çështje me rendësi të madhe për shtetin e kombin nuk ka konsensus shoqëror, aksioni politik edhe pse mund të jetë i “vrazhdë”, është i pranueshëm dhe legjitim. 

Aksione të tilla në veprimtarinë e VV kemi parë shumë. Bile, aksioni kundër rektorit të UP-së, ngjan shumë me aksionin e 2003 në Danimarkë. Por a janë aksionet e VV të pranueshme dhe legjitime? Për një pjesë të popullsisë këto aksione kanë qenë të vrazhda dhe jodemokratike, ndërkohë që tek pjesa tjetër janë duartrokitur. Ta zëmë kur VV proteston kundër shitjes së PTK’se apo rrezon kamionët me mallra të Serbisë, njerëzit i duartrokasin dhe thonë “mirë po ua bëjnë” për shkak se është në të njëjtën vijë me interesin e publikut dhe rrjedhimisht këto aksione pranohen, por kur VV “sulmon” një Ministër në prani të një Ambasadori të huaj, kjo duket si një kapërcim i rregullave dhe si uzurpim i hapësirës publike për shprehje të lirë dhe rezulton pa përkrahje në publik.

Në Evropën Perëndimore ka shumë aksione politike dhe qytetari aktive, prej kah e merr inspirimin VV por krijimi i “legjitimitetit popullor” për aksione të tilla shpeshherë është i diskutueshëm. Një gjë që shumë analiste e harrojnë kur flasin për VV dhe partitë politike “institucionaliste” është se legjitimiteti nuk fitohet vetëm nga zgjedhjet, por edhe nga përkrahja popullore, të cilën VV duket e ka në masë të madhe. Rasti i ish kryeministrit të Danimarkës, është një shembull për humbjen e legjitimitetit popullor kur kishte vendosur ta përkrah luftën e Irakut ne kundërshtim me disponimin e publikut dhe ku aksioni kundër tij fitoi legjitimitetet. Legjitimiteti fitohet, nuk jepet.

Frika “hobsiane”

Në vitin 2007, pas protestës së 10 shkurtit te Lëvizjes VV, situata pati eskaluar në dhunë madje pati edhe viktima nga ana e protestueseve. Atëherë nga ana e VV shfaqej një lloje frike “hobsiane”, e cila duket se është ende prezente tek VV dhe tek një pjesë e konsiderueshme e kosovarëve, si pasojë e mungesës së shtetit të vërtetë që vepron dhe që merr vendime të medha shtetërore sovrane. Thomas Hobbes, filozof politik i njohur, pasi që kishte përjetuar luftën civile në Angli, pati shkruar se kur njerëzit janë të frikësuar ata janë në gjendje të bëjnë gjithçka. Ai thoshte se ekziston një lloj frike ndikimi i së cilës është shkatërrimtare, më shumë se çdo lloj frikë tjetër, e kjo është frika sistematike që ngjallet kur një shtet fillon të shembet. Ketë frikë sistematike e kemi përjetuar kur filloi të shembej Jugosllavia, e cila shembje është percjellur nga dhuna dhe luftërat e përgjakshme etnike.

Në kontekstin e sotëm kosovar, kjo frikë sistematike është ngjallur dhe forcuar tani jo nga shembja e shtetit, por pikërisht nga mungesa e shtetit të vërtetë që vepron, e kundërta e një shteti pasiv e cili pret dhe analizon. Mungesa e shtetit për shumë kohë ka trazuar gjendjen shpirtërore të njerëzve në Kosovë, ngjashëm sikur gjendja shpirtërore e fëmijës që është rritur pa nënë. Mungesa e shtetit i bën banorët e një vendi të pasigurtë, të frikësuar dhe nxitë fantazinë e tyre nacionaliste. Derisa një populli i mungon shteti (i vërtetë), ai nuk mund të jetë i qetë, nuk mund te jetë i hapur dhe nuk mund të jetë paqësor sepse siç e thotë edhe Michael Ignatieff, një popull mund të bëhet tërësisht human, tërësisht vet-vetja, vetëm kur ai ka një vend (shtet) të vetin. Në ketë kontekst VV do te mund të “qetësohej” dhe të lirohet nga “frika hobsiane” vetëm atëherë kur Kosova të fitojë sovranitetin e plotë të një shteti të pavarur e demokratik, ku populli faktorizohet përmes referendumit dhe formave tjera të demokracisë direkte.