Ilustrimi: Kallxo.com

‘Heronj të Luftës’ apo ‘Kriminelë të Luftës’?

Ish komandantë të UÇK-së që udhëtuan në Hagë këtyre ditëve, u përcollën me lavde e etiketa heronjsh nga liderët e institucioneve të Kosovës, ndonëse disa prej tyre gjykatat vendore i kanë dënuar për krime lufte.. Shoqëria kosovare nuk duhet ta kopjojë atë serbe sa i takon rehabilitimit të kriminelëve të luftës.

Në prill të vitit 2008, ish-kryeprokurorja e Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavi, Carla Del Ponte, në librin e saj “The Hunt: Me and War Criminals”, akuzoi komandantët kryesorë të UÇK-së, mes tjerash, se fill pas luftës trafikuan organet e të burgosurve serbë. Pas botimit të këtij libri, Komiteti për Çështje Legale dhe të Drejta të Njeriut i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, e ngarkoi liberal-demokratin zviceran, Dick Marty, që ta hartojë një raport në lidhje me këto akuza dhe ta përgatisë një draft rezolutë.

Në dhjetor 2010 Marty publikoi raportin me titull “Trajtimi çnjerëzor dhe trafikimi i paligjshëm i organeve njerëzore në Kosovë”, ku pohonte se ndërsa forcat serbe po tërhiqeshin e ato të NATO-s po hynin në Kosovë, UÇK-ja kreu shumë krime ndaj serbëve, ndaj shqiptarëve të Kosovës të dyshuar si ‘tradhtarë’ ose ‘kolaboracionistë’, dhe ndaj viktimave të konflikteve të brendshme në UÇK.

Marty poashtu shtoi se NATO-ja ishte “de facto” aleat i UÇK-së në atë kohë, dhe pamundësia e NATO-s për të pasur kontroll në gjithë territorin e Kosovës në kohën kur po ndodhin “krime të shumta” ndaj grupeve të ndryshme etnike, nënkupton se NATO ishte e paaftë të dënojë kryerësit e krimeve.

Nuk mund të mohohet se pas përfundimit të luftës në Kosovë u vranë civilë të pafajshëm serbë dhe të grupeve tjera etnike e politike. Për këto vrasje reaguan shumë organizata prestigjioze ndërkombëtare për të drejta të njeriut, që dikur raportonin edhe për shkeljet e të drejtave të qytetarëve shqiptarë të Kosovës nga ana e autoriteteve serbe e jugosllave. Vrasjet e pasluftës u dokumentuan më së miri në raportin “Abductions and Disappearances of non-Albanians in Kosovo” (2001), të Fondit për të Drejtën Humanitare, nën përkujdesjen e aktivistes për të drejta të njeriut, Natasha Kandiq.

Në raportin e këtij Fondi thuhej se në periudhën 12 qershor 1999 – 1 shtator 1999, në Kosovë u zhdukën ose rrëmbyen 835 qytetarë të Kosovës të nacionalitetit serb, malazez, boshnjak e rom. Prej tyre, sipas raportit, UÇK-ja liroi 141 të rrëmbyer; 24 ikën nga burgjet e UÇK-së; 13 u liruan me ndërmjetësim të KFOR-it; 62 u vranë pasi u rrëmbyen; pjesa tjetër prej 593 personave konsiderohen të zhdukur, prej të cilëve 257 të rrëmbyer prej UÇK-së ose personave që vepruan në emër të UÇK-së, ndërsa 336 të zhdukur në rrethana të paqarta. Këta të vrarë e të zhdukur janë në mesin e rreth 13,500 personave të vrarë në Kosovë, shumica e të cilëve shqiptarë të Kosovës.

Në gusht 2015, Kuvendi i Kosovës e miratoi themelimin e Gjykatës Speciale për t’i hetuar krimet që përmenden në Raportin e Dick Marty-t, e tek tash, në janar të vitit 2019 Gjykata Speciale ftoi disa nga komandantët e UÇK-së për intervistë.

Liderët e institucioneve kryesore në Kosovë – Kryeparlamentari, Presidenti dhe Kryeministri – që të tre top liderë të UÇK-së, pas takimeve me komandantët e ftuar për intervistë nga Gjykata Speciale (sic), deklaruan se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e “pastër”. Qëllimi i luftës së UÇK-së – liria e Kosovës – ishte i drejtë, por lufta e UÇK-së nuk ishte e pastër sepse u kryen krime, në të cilat, për fat të keq, ishin të implikuar edhe top liderët e UÇK-së.

Kur u formua Gjykata Speciale, tani Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, por edhe Kryetari i Parlamentit, Kadri Veseli, argumentonin se lufta e UÇK-së do të pastrohej me formimin e kësaj Gjykate, prandaj edhe i lutnin deputetët që ta votonin.

Lufta e UÇK-së nuk ishte e gjitha e pastër, e këtë e dëshmojnë edhe vendimet e gjykatave vendore. Njëri nga të thirrurit në Gjykatën Speciale, ish Komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, në vitin 2013 ishte gjetur fajtor dhe qëndroi 4 vite në burg për krime të luftës, dënim ky i vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit.

Për më shumë, Presidenti i Kosovës, i cilësoi ata që u nisën për intervistim në Hagë “heronj të luftës, që do të mbesin përgjithmonë të tillë për popullin e Kosovës”. Edhe sikur të mos ishin të dënuar më parë, ky deklarim i Presidentit do të ishte skandaloz. Me këtë, Presidenti i Kosovës i shpërfilli vendimet e gjykatave të Kosovës, kur dihet që ish-komandanti Rrustem Mustafa i cili u nis për në Hagë, ishte dënuar për krime lufte nga gjykata vendore.

Liderët e institucioneve të Kosovës, duke i takuar komandantët para nisjes për në Hagë, e duke u dhuruar flamuj dhe duke u thurë lavde, dëshmuan para botës se institucionet politike kosovare nuk dallojnë shumë nga ato serbe, që kriminelëve serbë të dënuar në Hagë u organizojnë deri edhe promovime librash për të bëmat e tyre kriminale.

Përderisa shqiptarët e Kosovës me të drejtë ankohen për rehabilitimin e kriminelëve serbë në institucionet e Serbisë, nuk do të duhej në asnjë mënyrë që një praktikë e tillë të kopjohej nga institucionet kosovare. Natyrisht, nuk po flasim për krahasime këtu sepse dihet se Serbia ka kryer krime sistematike në Kosovë. Por, po ashtu, dihet se civilë serbë, romë e edhe shqiptarë janë vrarë dhe një numër i tyre ende figurojnë të zhdukur që nga lufta e fundit.

 

Shkëlzen Gashi është publicist nga Prishtina.

Opinionet e shprehura në rubrikën Mendime janë vetëm të autorit dhe nuk reflektojnë domsdoshmërisht pikëpamjet e Kallxo.com.