Ilustrim

Hallka e dobët në zinxhirin e lajmeve të rrejshme - Rrenat brenda llojit

Laura Kryeziu, moderatore në Radio Kosova, kohëve të fundit ka qenë viktimë e dy incidenteve publike.

Njëri ka të bëjë me një sulm fizik ndaj saj në vendin e punës, rast ky për të cilin u shkrua shumë pak, madje, nuk ka pasur as reagim të Asociacionit të Gazetarëve, e as të ndonjë organizate tjetër.

Përderisa Laura si viktimë e sulmit fizik mund të trajtohet në ndonjë shkrim tjetër, kurse rasti  mund të hetohet edhe nga Policia dhe organet kompetente, në këtë shkrim do të merremi me Laurën si viktimë e një lajmi të rrejshëm.

Laura Kryeziu ishte një nga qindra, ose mijëra njerëz që reaguan në Facebook ndaj një shkrimi të Ardian Kastratit, profesorit të UP dhe deputetit të PDK-ë, i cili përdori disa vargje të Faik Konicës, për të ironizuar me “fshatarake me bark si kadë e me këmbë si magje…”.

Mirëpo, Laura dikur ishte e martuar me një burrë që po ashtu quhet Ardian Kastrati. Edhe pse nuk është fjala për të njëjtin person, shumë media në Kosovë, reagimin e një kolegeje gazetare e pasqyruan si reagimin e “ish gruas së Ardian Kastratit”.

Për shumë kë, kjo mund të jetë huqja e radhës nga portalet e Kosovës, që pa vërtetuar faktet, publikojnë tituj e shkrime të rrejshme. Mirëpo, kur në fokus të shkrimit është një gazetare/moderatore dhe një deputet, që po ashtu është figurë shumë e njohur mediale, atëherë kemi të bëjmë me stad të ri të lajmeve të rrejshme.

Kjo tregon që jemi në gjendje të “sakrifikojmë” edhe njerëz të “llojit” tonë, t`i përfshijmë në lajme të rrejshme, me qëllim që t`i marrim disa klikime.

Debati mbi lajmet e rrejshme

Ardian Kastrati e citoi Konicën për gratë “fshatarake me bark si kadë e me këmbë si magje…”, në kohën kur Vjosa Osmani u votua në Kuvendin e Kosovës Presidente e Republikës.

Kuptohet, ky shkrim i tij provokoi reagime të shumta të shoqërisë civile, aktivistëve për të drejtat e grave, të drejtat e minoriteteve dhe grupeve të tjera, përfshi këtu “skuadrat e pushkatimit”, të përbëra nga analistë të studiove televizive.

Kastrati, më pas shkroi në Facebook se shkrimi i tij nuk kishte të bënte me Vjosa Osmanin, mirëpo, orteku veçse ishte nisur. U organizua një protestë, ku kërkohej shkarkimi i tij nga Universiteti i Prishtinës, ky universitet e dërgoi atë në Këshill të Etikës, kurse debati në media rreth gjuhës së politikanëve, ofendimeve dhe temave të ngjashme, po zhvillohej nga gazetarë, analistë, politikanë dhe njerëz që i shoh shpesh në TV, por kurrë nuk ua di profesionin.

Përveç përfshirjes së koleges nga Radio Kosova nëpërmjet një lajmi të rrejshëm në debatin rreth kësaj teme, shkrimi i Ardian Kastratit, i pati edhe dy efekte tjera.

I pari dhe i menjëhershmi ishte rritja e popullaritetit të Faik Konicës. Të dhënat e Google tregojnë se në Kosovë, pasi në media shkrimi ku Kastrati citon Konicën, është shtuar dukshëm kërkimi për Faik Konicën në Google. Konica për dy ditë ishte ndër kërkimet më të shpeshta të kosovarëve në Google, për çka duhet “falënderuar” vetëm dhe ekskluzivisht Ardian Kastratin.

Përderisa ka shumë shkrime për mungesën e edukimit medial, mendoj që kjo shpërfaq mungesë të edukimit letrar e kulturor, por kjo mbase është temë për një tjetër shkrim tjetër.

Efekti tjetër që u prodhua ishte ai i klasifikimit të reagimeve. Mediat pasqyronin reagime direkt nga Facebook-u ku flitej për bullizëm, mizogjini, seksizëm, maskulinizëm, patriarkat, gjuhë të urrejtjes dhe kategori tjera sociologjike e juridike, që përdoreshin lirshëm për të etiketuar një deputet të Kuvendit, me ose pa të drejtë.

Përdorimi i këtyre epiteteve pa asnjë “filtër”, po ashtu bëri që në rrjete sociale dhe në media të zhvillohet një debat me etiketime të gabueshme dhe mbi premisa të rrejshme, nëse jo mbi rrena totale.

Zinxhiri i lajmeve të rrejshme

Pandemia ka qenë kohë interesante për mediat në Kosovë. Madje-madje, mund të thuhet se, ngjashëm si në shumë fusha të jetës, tregu medial në Kosovë, në pandemi ka funksionuar veçmas krejt dynjasë, ose sui generis, siç jemi mësuar të themi tashmë.

Pikërisht në kohë pandemie, kur do të ishte logjike të pritej ndonjë krizë në reklama, u hapën dy televizione të reja, së paku katër portale shtuan prodhimet e tyre televizive dhe tashmë kanë produksione solide, një nga portalet më serioze në vend filloi të aplikojë modelin e parapagimit për lexuesit e vet, dhjetëra gazetarë, disa nga të cilët profile shumë të larta, kaluan nga një media në tjetrën ose në politikë.

Kur kësaj i shton që kishim dy rrëzime të qeverisë, një palë zgjedhje të parakohshme, del që pandemia për mediat ka qenë kohë e “lulëzimit”.

Sidoqoftë, pandemia ka qenë po ashtu koha kur njerëzit kanë qenë të mbyllur në shtëpi më shumë, e kanë pasur telefonin në dorë shumë më shumë dhe kanë lexuar gjithçka dhe çkado.

Algoritmet e rrjeteve sociale më pas e kanë bërë të veten dhe nëse dikush e ka lexuar një shkrim se Coronavirusi nuk ekziston, ose se si ky virus shpërndahet nëpërmjet rrjetit 5G, ose si vaksinat përmbajnë mikro-çipa për t`i kontrolluar njerëzit, atëherë pas vetëm disa minutave janë shfaqur edhe dhjetëra shkrime tjera të kësaj natyre në profilin e secilit.

Kjo bën që të krijohet një “zinxhir” i lajmeve të rrejshme që mund ta lidhë secilin nga ne, pavarësisht moshës, shkollimit, besimit, apo etnisë.

Mirëpo, secili zinxhir është i fortë, aq sa është e fortë hallka e tij më e dobët. Në rastin e zinxhirit të lajmeve të rrejshme, duket se hallka më e dobët shpesh është publikuesi.

Nëse lajmet shenjëstrojnë ose dëmtojnë sheshazi një gazetar, ose një politikan, ose një shtresë të caktuar, apo nëse lajmet nuk kanë në vete asnjë fakt ose burim, atëherë është lehtë të “çmontohen”.

Kjo nuk është sfidë aspak e lehtë, për shkak se tituj e lajme të rrejshme që plasohen brenda ditës ka me mijëra. Nuk është e lehtë sepse gazetarët, me ose pa vetëdije, po dezinformojmë nganjëherë.

Por, si kërkesë themelore duhet të jetë vetëm një: Që debati të ndërtohet mbi fakte dhe jo lajme të rrejshme ose gjysmë-informata. Nëse kjo instalohet si normë e komunikimit, lajmet e pafaktuara do të eliminohen nga diskutimi. Këtë kriter mund ta vendosim ne si shoqëri dhe nëse merremi vesh për këtë kriter, truri ynë do të jetë filtër më i fuqishëm sesa cilido algoritëm i cilitdo rrjeti social dhe cilado agjendë e cilitdo portal.