Gazetare e kameramane me maska duke filmuar ne Sherbimin Infektiv ne Qendren Spitalore Universitare Nene Tereza, QSUT, i cili eshte kthyer ne karantine

Guximi i gazetares dhe lloji i gazetarisë që na duhet

Në vitin 1887 një vajzë në të njëzetat mori një hap të vështirë në drejtim të realizimit të qëllimeve profesionale. E lodhur nga shkrimet për tema sociale dhe përgjigjet në letrat drejtuar redaktorëve në gazetën ku punonte, Elizabeth Cochrane si gazetare e re, ia vuri vetes si synim të krijojë atë lloj përmbajtje gazetareske që do t’i siguronte asaj faqen e parë të gazetës. Pas katër muajsh kërkimi Cochrane arrin të gjejë punë në gazetën më të madhe të kohës, “New York World” të Joseph Pulitzer.

Tema e saj e parë ishte të hulumtonte kushtet e trajtimit të pacientëve me probleme mendore në Blackwell’s Island, spital në qytetin e New Yorkut.

Ishte koha kur gratë nuk shkruanin nën emrin e tyre, rrjedhimisht Elizabeth Cochrane në gazetën e madhe do të nënshkruhej me emrin Nellie Bly. Ky është edhe emri që e bëri të famshme gazetaren Cochrane, ndonëse në karrierën e saj do të nënshkruhej edhe me emra të tjerë. Për ta kryer detyrën si gazetare hulumtuese ajo nuk zgjodhi mjete, sepse për të hyrë në një spital ku dyshohej se personeli mjekësor i keqtrajtonte pacientët, intervistat e rregullta nuk mjaftonin. Nellie Bly vendosi të maskohet, të shndërrohet në paciente dhe kështu të bëhet pjesë e trajtimit mizor që ajo do ta zbulonte për disa ditë qëndrimi në spital.

Artikulli dypjesësh i Nellie Bly, i titulluar “Inside in the madhouse” u publikua në tetor të vitit 1887 duke shkaktuar një sensacion. Përvoja personale e gazetares zbuloi trajtimin e keq të pacientëve, veçanërisht grave imigrante të cilat me të mbërritur, i dërgonin në Blackwell’s Island sepse nuk e kuptonin gjuhën që e flisnin. Kështu Nellie Bly krahas famës, e siguroi edhe punën nga botuesi Pulitzer. Qyteti i New Yorkut dhuroi një milion dollar për përmirësimin e kushteve në spital. Puna e guximshme e Nellie Bly bëri që ajo të shndërrohet në pionere të asaj lloj gazetarie që më vonë do të quhet gazetari hulumtuese. Ishte koha kur gazetat në Evropë ende e shihnin të çuditshëm faktin që gazetarët në Amerikë u shtronin pyetje zyrtarëve qeveritarë. Ishte koha kur gazetat ekzistonin por nuk punësonin reporterë. Ishte koha kur gazetaria ende nuk e kishte zërin e saj.

Kur kanë kaluar më shumë se 100 vjet nga ajo që Nellie Bly ka nisur, gazetaria investigative ka njohur emra të shumë gazetarëve të cilët kanë hulumtuar tema për t’i mbajtur autoritetet qeverisëse përgjegjëse ndaj publikut, duke rrëzuar kështu qeveri e pushtete të fuqishme.

Në 30-të vitet e fundit për shkak të internetit dhe teknologjive të reja gazetaria si profesion dhe si sistem i domosdoshëm për demokracinë i është nënshtruar ndryshimeve të mëdha; duke filluar nga mënyra si mblidhen informatat, pajisjet teknike që përdoren, dhe mundësitë e publikimit. Llojet e gazetarive përveç se janë shtuar janë bërë edhe më të qasshme. Njerëzit që mbajnë bexhin e gazetarëve pa qenë gazetarë janë shtuar. Po ashtu, redaksi të mëdha të lajmeve si Asociatated Press (AP) kanë filluar të aplikojnë atë që quhet gazetari e automatizuar; njerëzit nuk e kuptojnë se janë duke e lexuar një artikull të shkruar nga roboti derisa mbërrijnë në fund të artikullit ku shkruan “this story was generated by automated insights”. “Kjo bëhet me qëllim që të krijohet hapësirë për gazetarët profesionistë që të merren me tema hulumtuese”, citohet të ketë thënë redaktori i AP-së. Michael Schudson, studiues i gazetarisë, i cili përmend disa lloje të gazetarisë që, sipas tij, gëzojnë legjitimitetin e punës por duke iu referuar epokës digjitale të zhvillimit të industrisë, duhet të rimendohet domosdoshmëria e tyre. Llojet e gazetarisë që numëron Schudson, duke anashkaluar shtypin e verdhë dhe “fake news-at” janë avokuese, lokale, informuese, gazetaria për komunitete të caktuara si dhe gazetaria investigative. Të gjitha këto i shërbejnë një qëllimi të caktuar të pranueshëm, por gazetaria pa të cilën demokracia nuk funksionon është gazetaria që arrin të parandalojë cenimin e lirive individuale, synon drejtësinë dhe sundimin e ligjit, pra “accauntibility journalism” ose gazetaria hulumtuese/llogarikërkuese.

 

Në një vend si Kosova ku gazetat janë mbyllur, për t’u lënë vend portaleve, shpresat për të bërë gazetari hulumtuese janë të vogla por lufta për ta identifikuar, verifikuar dhe prezantuar gazetarinë profesionale dhe hulumtuese duhet të triumfojë.

Për shkak të zhvillimit të vonuar të mediave dhe gazetarisë profesionale në Kosovë përballja me internetin dhe teknologjitë e reja e ka mjegulluar kufirin mes gazetarisë profesionale dhe websajteve që publikojnë lajme të shkurtra, në mënyrë të shpejtë. Madje janë rritur kritikat negative për përmbajtjen. Instituti Demokratik (NDI) në një hulumtim të bërë në vitin 2019, ka zbuluar se tregu medial në Kosovë është i vërshuar nga dezinformatat. Hulumtimi thekson  mungesën e transparencës në financa si faktor që krijon një ambient të ndjeshëm ndaj manipulimit të informacionit ku dezinformatat mund të lulëzojnë. Numri i portaleve rritet nga dita në ditë dhe kjo nuk është më thelbi i problemit, por është dekurajuese që gazetaria hulumtuese nuk ka gjetur vend në llojin e gazetarisë që portalet në Kosovë e bëjnë; ndonëse mundësitë janë rritur.

Rreth 15 vite më parë një redaktor ua kujtonte gazetarëve të rinj që temat me peshë nuk sigurohen nga koha në kafiteri apo nga zyrtarët shtetërorë, por – binte fjala – ato sigurohen gjatë udhëtimit të përditshëm me autobus, në taksi, apo në sallone bukurie. Si këshille mund të vlejë edhe sot, porse sot burimet e informacionet që sjellin tema të mëdha janë shtuar. Aktualisht gazetarët kosovarë ndodhen përballë mundësive të shumta për të hulumtuar në tema të rëndësishme, dhe puna duhet të nisë nga planet reformuese të qeverisë së re që prekin sektorët primarë të funksionimit të shtetit. Nëse do të ketë ndryshim në shëndetësi, arsim dhe energji, atëherë puna duhet të pasqyrohet nga gazetarët profesionistë e hulumtues. Edhe pse një pjesë të monitorimit të punës së të zgjedhurve publikë e kryen opozita dhe shoqëria civile, sërish asnjë institucion nuk mund të punojë në mënyrë të vazhdueshme dhe më të pavarur se sa gazetarët profesionistë dhe kjo është arsyeja përse gazetaria hulumtuese është e rëndësishme.

Përtej mbikëqyrjes së punës së qeverisë, ka edhe tema të tjera lehtë të identifikueshme që gazetarët mund t’i hulumtojnë. Për shembull, janë shokuese komentet e qytetarëve për cilësinë e shërbimit të kompanive të sigurimit në Kosovë bërë në statusin e një avokati të njohur kosovar. Postimi që ka marrë mbi 100 komente, është bërë në grupin me emrin Network Prishtina, në Facebook, që numëron më shumë se 70 mijë ndjekës. Sipas një raporti të Bankës Qendrore të Kosovës numri i qytetarëve që paguajnë për sigurimin e jetës është në rritje, prandaj cilësia e shërbimeve do të ishte me interes për vetë ata por edhe për tregun e kompanive të sigurimit në Kosovë.

Është aktuale tema e performancës së Bordit të Drejtorëve të Televizionit Publik të Kosovës. Një temë që ka kaluar pa shumë zhurmë jashtë zyrave institucionale është ajo e mosauditimit të financave të RTK-së nga Auditori Gjeneral i Kosovës dhe roli i prokurorisë në këtë çështje. Në shumëllojshmërinë e temave aktuale me interes për t’u hulumtuar janë edhe pagesat për avokatët mbrojtës të të akuzuarve nga Gjykata Speciale. Gazetaria hulumtuese definohet si raportim origjinal i paraqitur në mënyrë imponuese dhe emocionale, e fuqishme përpara personave që udhëheqin institucione publike, e tëra kjo në interes të ruajtjes së qeverisë demokratike, të përgjegjshme dhe llogaridhënëse për publikun. Në një vend si Kosova ku gazetat janë mbyllur, për t’u lënë vend portaleve, shpresat për këtë lloj gazetarie janë të vogla por lufta  për ta identifikuar, verifikuar dhe prezantuar gazetarinë profesionale dhe hulumtuese duhet të triumfojë.