Foto: Atdhe Mulla

Gjendje Terrori

Që nga e shtuna, njerëzit janë zgjuar për të zbuluar që jetojnë në një gjendje të vazhdueshme terrori, në të cilën vdekja e një djali të ri mund të përdoret jo vetëm për të shkaktuar dhimbje, por edhe për të bindur të gjithë qytetarët që nuk ka vend të sigurt në Kosovë, madje as në një qeli burgu.

Astrit Dehari u paraburgos nën dyshimin se ishte terrorist. Dehari dhe pesë aktivistë të rinj të Vetëvendosjes, shumica e të cilëve janë studentë sikur Astriti, dyshoheshin që të kenë sulmuar ndërtesën e Kuvendit me një RPG (mortajë dore).

Kosova është një vend me pasoja të rënda nga terrori serb – në ish-Jugosllavi disidentët politikë (sidomos shqiptarët) burgoseshin për akte terroriste apo qëllim për t’i kryer ato. Persekutimi politik duket i besueshëm, sidomos kur të dyshuarit ngujohen me muaj të tërë në burg me të burgosur që janë dënuar edhe për krime të rënda. (Në krahasim, shumica e të dyshuarve për terrorizëm dhe pjesëmarrje në ISIS apo Al Nusra u mbrojtën nga rehatia e shtëpisë së tyre, natyrisht vetëm nëse nuk kanë vendosë që të ikin).

Pa marrë parasysh nëse Dehari ishte i pafajshëm ose jo, asnjë i arrestuar s’guxon të gjendet i vdekur në qeli. Madje edhe shkaktarë natyrorë, siç janë sëmundjet, duhet të trajtohen sepse Kosova, së paku zyrtarisht, nuk ka dënim me vdekje. Nëse Dehari është vrarë, duhet të bëhet çmos të gjendet vrasësi i tij dhe asnjë gjykatë nuk bën të mohojë që shteti është përgjegjës për vdekjen e tij.

Në rast se e ka vrarë veten, asnjë analist nuk bën të thërrasë për depolitizimin e vdekjes së tij, sepse nuk ka asgjë më politike se sa të vrasësh veten në burg – të eliminosh ekzistencën tënde përballë një aparati shtetëror të pafrikësueshëm i cili mund ta zhbëjë lirinë tënde.

Të enjten mbrëma, Klan Kosova e mbuloi vdekjen e Dehari në Zonën e Debatit, ku u emetuan video incizimet nga korridori i qelisë së Astrit Deharit nga dita e vdekjes së tij. Xhirimet e rrjedhura nuk i ishin dhënë familjes Dehari, e cila kishte kërkuar një hetim të pavarur që nga vdekja e tij. Në xhirime, Dehari i pavetëdijshëm zbulohet nga të burgosur të tjerë të cilët kthehen nga shëtitja e tyre e përditshme. Gardianët janë të fundit që arrijnë në skenë.

Një turmë mblidhet tek dera e qelisë së Deharit, dhe shumë të burgosur hyjnë e dalin në qeli. Një kaos total mbretëron për nja pesë minuta. Më në fund, një roje mbërrin – por janë shokët e qelisë që e nxjerrin trupin e pavetëdijshëm të Astritit për ta bartë deri në një lokacion tjetër.

Xhirimet janë të frikshme dhe terrorizuese. Ato tregojnë shumë pak, por thonë shumë: ky shtet operon në hije, dhe e vërteta del vetëm në copëza nga qoshet, po asnjëherë s’del e plotë. Përderisa autenticiteti i xhirimeve nuk është konfirmuar, (dhe avokati i familjes e dyshon vërtetësinë), prokuroria do të duhej të pyeste veten së paku se qysh mund të dalin këto materiale. Kur Gazeta Express e botoi videon po të njëjtën mbrëmje, pretendonte se “ka vendosur ta publikojë me qëllim të sqarimit të çfarëdo paqartësie,” sikur të ishte punë e mediave të hetonin vdekjen e Deharit dhe punë e publikut të gjerë të vendosë se kush e ka fajin.

Prokuroria e ka zhgënjyer Astrit Deharin. Për pesë ditë kryeprokurori Sylë Hoxha ka thënë se autopsia nuk është finalizuar, që hetimet vazhdojnë, që nuk i ka parë xhirimet e sigurimit. Tani që krejt kombi i ka pa, jam e sigurt që kjo e fundit do të ndryshojë. Por mos u habisni, edhe autopsia edhe hetimi po ashtu janë ndikuar.

Nuk do të ketë drejtësi të vërtetë për Astrit Deharin, sepse xhirimet e rrjedhura tregojnë se përderisa familja s’mundet me pasë qasje në provat për djalin e tyre përmes kanaleve zyrtare, informacioni do të rrjedhë, do të pikojë nga nënbota në mediat tona mainstream, për të na terrorizuar të gjithëve. Këto rrjedhje do të dalin në Klan Kosovë, në Gazetën Express, apo në ndonjë uebsajt tjetër, për “të na informuar” për pasigurinë tonë – ne nuk jemi të sigurt askund. Nuk jemi të sigurt në shkolla tona, që janë sakatuar nga analfabetizmi dhe mashtrimi, nuk jemi të sigurt në spitalet tona, të pllakosura me skandale, dhe përfundimisht nuk jemi të sigurt në burgjet tona, ku disa të burgosur ndërtojnë “pallate” të vogla, e të tjerët vdesin pa shpjegim.

Të jetosh në këto kushte është të jetosh në një gjendje të vazhdueshme terrori. E për këtë, dikush do të duhej të shkonte në burg.