Frika nga Konkretja

Aktualisht, departamente të ndryshme të Qeverisë së Kosovës janë përgjegjëse për zbatimin e 51 strategjive dhe planeve të veprimit. Nëntëmbëdhjetë nga këto strategji bien në fushën e zhvillimit ekonomik. Por, asnjëherë deri më tani nuk ka ekzistu një strategji e gjithëmbarshme e zhvillimit ekonomik, e cila do të kishte ngërthy në vete të gjitha strategjitë tjera sektoriale.

Në mungesë të një strategjie të tillë gjithëpërfshirëse, strategjitë sektoriale nuk kanë pasur asnjëherë një objektiv madhor: cili është orientimi ekonomik i Kosovës dhe si të shfrytëzohen më së miri mundësitë ekonomike që ofron ky vend?

Tentativa e vetme deri më tani për të hartuar një strategji të gjithëmbarshme të zhvillimit ekonomik ka qenë iniciativa e dështuar dhe komike e qeverisë në fillim të 2011. Një pjesë e madhe e qeverisë së Kosovës, në mbështetje edhe të disa organizatave ndërkombëtare, shkuan në Bansko të Bullgarisë me qëllim të hartimit të “vizionit për zhvillim ekonomik të Kosovës 2011-2014”.

Ky plan, i cili së shpejti filloi të njihej si “Plani Bansko”, ishte një dokument në powerpoint, objektivat e të cilit ishin: rritja ekonomike vjetore 7 deri 8%; uljen e papunësisë për 10%; përmirësimi i rangimit për 40 vende në ranglistën e Bankës Botërore për ambientin e të bërit biznes; privatizimi i ndërmarrjeve publike PTK, KEDS dhe Kosova e Re deri më 2012.

Rezultati? Rritja ekonomike vjetore që nga 2011 në masetare ka qenë rreth 3%. Nuk janë krijuar vende të reja të punës dhe rrjedhimisht papunësia ka mbetur në nivele të njëjta. Më 2014 Kosova ishte e ranguar për 27 vende më mirë në ranglistën e Bankës Botërore, por që nuk solli asnjë zhvillim pozitiv në praktikë (investimet e huaja direkte ranë dukshëm).

PTK nuk u privatizua, por u ul dukshëm vlera e saj dhe tash përballemi me një aktakuzë në institucione ndërkombëtare. KEDS u shit për 26 milionë euro, kurse Kosova e Re mori vetëm një ofertë të dëmshme financiare, ndërtimi i së cilës pritet të fillojë më 2017.

Për dallim nga “Plani Bansko” i 2011, Strategjia Kombëtare për Zhvillim 2021 është dokument shumë më përmbajtësor, duke identifikuar mirë problemet kryesore në ekonominë e vendit dhe hapat që do të ndërmerren në adresimin e tyre.

Strategjia identifikon zhvillimin e kapitalit njerëzor si element kyç në zhvillimin ekonomik. Përveç kapitalit njerëzor, janë edhe tri fusha kryesore, zhvillimi i të cilave sipas Strategjisë, sjell zhvillim ekonomik: sundimi i ligjit, zhvillimi i industrive konkurruese dhe infrastruktura.

Të gjitha këto fusha janë jetike për zhvillimin ekonomik. Por, si do të duket Kosova më 2021 në rast se zbatohet pjesërisht ose komplet Strategjia? Këtë nuk na e thotë Strategjia. Si duket, duke parë dështimin e “Planit Bansko”, hartuesit e Strategjisë i janë shmangur indikatorëve matës. Kjo do të bëjë më të vështirë vendosjen e trageteve për vetë qeverinë, si dhe do e bëjë më të vështirë matjen e suksesit të Strategjisë.

Në ditën që u hapën diskutimet për Strategjinë për Zhvillim Ekonomik, njëkohësisht u hapën diskutimet edhe më Programin e Reformave Ekonomike 2016. Me kërkesë të Komisionit Evropian, ky është viti i dytë kur qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor obligohen të hartojnë programe një vjeçare të reformave ekonomike. Programi i Reformave Ekonomike do të shërbejë njëkohësisht edhe si program i zbatimit të Strategjisë në vitin 2016. Por ajo çfarë është e çuditshme është se Strategjia për Zhvillim Ekonomik dhe Programi për Reforma Ekonomike përputhen në pak pika.

Përderisa objektiva kyçe të Strategjisë janë zhvillimi i kapitalit njerëzor dhe sundimi i ligjit, këto dy objektiva përmenden vetëm shkarazi në Programin për 2016.

Programi Nacional i Reformave Ekonomike për Kosovën 2015 ka qenë një ndër programet më të mira të shkruara në krahasim me vendet tjera të Ballkanit Perëndimor. Por, nëse kthehemi dhe e shikojmë zbatimin e tij, shihet se ai dokument i shkruar mirë në letër, ka mbetur pothuajse i pa zbatuar në praktikë.

Pjesë e Programit të 2015 ishte edhe aprovimi i Ligjit për Trepçën, fillimi i investimeve në Brezovicë, krijimi i Fondit për Sigurime Shëndetësore, etj., por asnjëra nga këto nuk është arritur.

Andaj, edhe Strategjia për Zhvillim Ekonomik por edhe Programi i Reformave Ekonomike 2016 janë dokumente shumë të mira në letër, por për zbatimin e tyre duhet të punojë tërë qeveria.

E nëse bazohemi në atë se kjo Strategji e cila ka të bëjë me zhvillimin ekonomik, u prezantua vetëm nga Ministri i Financave dhe jo nga Ministri i Zhvillimit Ekonomik dhe ministrat tjerë, lë të kuptohet se brenda vetë kabinetit qeveritar nuk ka pëlqim për masat e zbatimit të këtyre dokumenteve strategjike.