Dafina Lata - Autorja është gazetare e pavarur

Figura e gruas dhe gjuha seksiste në media

Gjuha seksiste po vazhdon të jetë prezente në rrjetet sociale, po ashtu edhe nëpër studiot e debateve televizive. Gruaja fatkeqësisht po vazhdon të portretizohet në forma të ndryshme në media nga përdorues të gjuhës joadekuate dhe shpeshherë seksiste.

Në të shumtën e rasteve kjo po ndodh, si shkak i mungesës së një gjuhe të mirëfilltë dhe argumentuese, nga persona që devijojnë gjuhën e përdorur deri në skajshmëri kundër grave, veçanërisht gruas së suksesshme dhe aktiviste.

Duke dëshmuar mendësinë e tyre patriarkale, ku gruaja nuk është shikuar dhe konsideruar si person i ngritur dhe avancuar në shoqëri. Në anën tjetër, gjithë kjo qasje, përbën shkelje të të drejtave të njeriut, dhe është shkelje e etikës mediale, për çfarë duhet të jetë e dënueshme.

Rastet e përdorimit të gjuhës seksiste janë bërë të shpeshta ditëve të fundit. Aq më keq dhe shqetësuese është, kur kjo lloj gjuhe përdoret nga persona me funksione publike.

Rasti i profesorit të Universitetit të Prishtinës, Ardian Kastrati, i cili në rrjetin e tij social Facebook, përdori gjuhë të papërshtatshme ndaj figurës së gruas, përkatësisht të presidentes së vendit Vjosa Osmani.

Gjuha e përdorur nga Kastrati ngjalli reagime, nga organizatat që merren me të drejtat e grave në Kosovë, por edhe të aktivistëve të shoqërisë civile të cilët protestuan kundër gjuhës së përdorur nga profesori dhe njëherit deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ardian Kastrati.

Rasti tjetër, ndodhi në studio televizive, ndaj gazetares së sportit Qëndresa Krelani, ndaj së cilës, janë thënë fjalë ofenduese gjatë një debati që për temë kishte futbollin.

Trajneri Tahir Batatina, i është drejtuar gazetares Krelani me fjalët: “Ti në gazetari mundesh me palu gazeta, ose me pastru diçka, por me analizu futbollin në këtë mënyrë jo…. niveli yt nuk është i një gazetareje, duke filluar prej dukjes…”.

Të gjitha këto fjalë përbëjnë gjuhë fyese dhe seksiste, dhe janë të papranueshme si aspektin gjinor por edhe në atë profesional.

Nëse ekziston mendimi ndryshe, duhet argumentuar, por jo me fjalë ofenduese siç ka ndodhur në shumë raste, përfshirë edhe rastin ndaj gazetares Krelani.

Andaj, për këtë u ngritën edhe reagime, nga përfaqësues të mediave dhe të  organizatave që merren me çështjet e barazisë gjinore në vend të cilat dënuan gjuhën e përdorur.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK , në reagimin e tyre deklaruan se, gjuha seksiste, ofenduese dhe krejtësisht joadekuate e përdorur nga Batatina është tejet shqetësuese dhe e papranueshme.

Gjithashtu, për AGK-në nuk është shqetësuese vetëm sa pak janë të përfaqësuara gratë në media, por edhe si përfaqësohen ato. Në anën tjetër, duhet pas parasysh se në rast të përdorimit të gjuhës së urrejtjes, diskriminimit apo të seksizmit, ekziston Komisioni i Pavarur i Mediave – KPM, apo Këshilli i Pavarur i Mediave të Shkruara të cilët duhet të bëjnë më shumë në monitorimin e aspektit përmbajtjesor të mediave audio ose audio – vizuele.

Në rast se qytetarët janë viktimë e gjuhës diskriminuese nga çfarëdo materiali medial audio ose audio-vizuel, të shfrytëzojnë të drejtën e ankesës në këto institucione.

Pikërisht për kët , organizata INDEP në dhjetor të vitit 2019, kishin publikuar një video vetëdijësuese, ku flitet për gjuhën e urrejtjes, diskriminuese dhe seksiste në media, që po vazhdon të mbetet si një problem global. Fokusi dhe qëllimi i kësaj nisme ishte si shkak i portretizimit jo adekuat të grave në mediat tradicionale. Sipas, INDEP gjuha e tillë po ndikon që shumë gra të hezitojnë të paraqiten në media, duke parandaluar zhvillimin e potencialit të tyre profesional.

Tituj e shkrime të cilat kanë pasur përmbajtje seksiste dhe përdorim të stereotipave të ndryshme, janë identifikuar edhe në mediat e shkruara – online. Duke mos u respektuar Kodi i Mediave të Shkruara, në të cilin thuhet se, duhet pasur kujdes në përdorimin e shprehjeve denigruese me qëllim të lëndimit apo kërcënimit të një individi apo grupi mbi baza të përkatësisë etnike, gjinore, racore, apo paaftësisë fizike dhe mendore.

Kur kemi përdorim të gjuhës seksiste në media dhe institucione të arsimit, duhet shikuar si shqetësuese për faktin se ato luajnë edhe rolin edukues, dhe duhet të jenë shembull i mirë, në respektim të të drejtave të njeriut në shoqëri.

Gjuhë diskriminuese dhe seksiste nuk shohim e dëgjojmë vetëm në media e universitete, por edhe në institucionet më të larta në vend. Në Kuvendin e Kosovës, shpesh kemi dëgjuar fjalë ofenduese e gjuhë të ultë të komunikimit ndaj grave deputete, pastaj në Komisionin e Qendror të Zgjedhjeve, ndaj kryetares Valdete Daka.

Por fatkeqësia është se, seksizmi po ndodhet kudo, përfshirë ambientet publike në rrugë, në sektorin e biznesit – në vende të punës. Prandaj, derisa seksizmi ka gjithë këtë shtrirje, duhet kujtuar se pikërisht vitin 2019 , kur Këshilli i Evropës ka vendosur të veprojë duke miratuar një Rekomandim për të gjitha shtetet anëtare, që për qëllim kishte, parandalimin dhe luftimin e seksizmit.

Andaj, kjo praktikë duhet të ndryshoj duke qenë e dënueshme dhe duke rritur angazhimin e përgjithshëm institucional dhe shoqëror në drejtim të vetëdijësimit!

(Autorja është gazetare e pavarur)