PZAP - Foto: PZAP/Video

Fëmijët duan mbrojtje dhe kushte më të mira, e jo shfrytëzim

Edhe kësaj radhe po vazhdon pjesëmarrja e fëmijëve në fushata zgjedhore! Kjo dukuri që përsëritet çdo herë në kohë fushate, pavarësisht, se prania e tyre në hapësira të tilla, përbën vetëm shfrytëzim dhe shkon në dëm  e vet fëmijëve.

Por kjo po tregon qartë, që partitë politike po bëjnë shfrytëzimin e të miturve për interesat e tyre. Edhe pse, një gjë e tillë është shkelje e të drejtave të fëmijëve. Mirëpo duket që kjo, nuk po i’u bën përshtypje fare partive politike.

Pjesëmarrja e fëmijëve në aktivitete të këtij lloji duhet të shihet si veprim i dëmshëm, dhe të kuptohet se kjo është shkelje e Kodit të Mirësjelljes, dhe se është e dënueshme.

Fëmijët si pjesë e shoqërisë sonë, në fakt duhet të gëzojnë përkrahje dhe jo shfrytëzim. Përveç kësaj, fëmijët duhet të marrin përkrahjen e partive politike, duke i vendosur ata si një ndër prioritetet kryesore në programet e tyre, kur dihet që fëmijët janë dhe do të mbeten e ardhmja e këtij vendi. Por jo, kjo nuk po ndodh në realitet as në këtë fushatë.

Pjesëmarrja e fëmijëve në tubime, në një ambient që aspak nuk u takon atyre, dhe në një ambient që çfarë do që flitej nuk kuptohet nga ta, dhe nuk u duhet atyre që ta dëgjojnë. Sepse, si fëmijë ata duhet të jenë bashkë me moshatarët e tyre, duke gëzuar të drejta të barabarta me gjithë fëmijët e tjerë të botës.

Derisa, partitë duhet të punojnë për të krijuar një ambient të qetë për rriten dhe zhvillimin e tyre,  jo për qëllimet e veta elektorale.

Situata e tillë, nxiti edhe reagimin e organizatave që merren me mbrojtjen e të drejtave e fëmijëve në vend. Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF,  ka apeluar te subjektet politike të cilat janë pjesë e fushatës elektorale për zgjedhjet nacionale, që të mos i shfrytëzojnë fëmijët në kuadër të fushatës zgjedhore.

Sipas KOMF, kjo përbën shkelje të të drejtave të fëmijëve. Për më tepër, përfshirja e fëmijëve në aktivitetet e fushatës zgjedhore gjatë kësaj periudhe, përbën rrezik të drejtpërdrejtë edhe për shëndetin e tyre për shkak të situatës së shkaktuar nga pandemia, thuhet në reagimin e KOMF.

Përveç kësaj,  i’u është kërkuar edhe prindërve që të mos i politizojnë fëmijët, të mos i marrin fëmijët në aktivitetet të cilat organizohen nga partitë politike dhe të vetëdijësojnë fëmijët për të mos e ndërprerë procesin mësimor për qëllime të pjesëmarrjes në aktivitetet e partive politike gjatë fushatës elektorale.

Gjithashtu, duhet ditur se çdo shfrytëzim i fëmijëve nga ana e subjekteve politike është në kundërshtim me Konvetën për të Drejtat e Fëmijëve. Partitë politike, duhet të distancohen nga kjo praktikë e tillë, dhe të punojnë në krijimin e kushteve më të mira për fëmijët.

Disa prej nevojave janë identifikuar tashmë edhe nga koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve, një ndër to është edhe deklarimi i buxhetit në mënyrë transparente në fushat të cilat prekin fëmijët dhe mbrojtjen e tyre, pastaj krijimin e mekanizmave të qëndrueshëm dhe të pavarur të inspektimit për cilësinë e ofrimit të shërbimeve në fushën e shëndetësisë, arsimit dhe mirëqenies sociale.

Përveç këtyre, janë edhe disa kërkesa të tjera, të cilat duhet realizuar. Krijimin e programeve për mbështetjen e prindërve dhe kujdestarëve për zhvillimin në fëmijërinë e hershme, si dhe rritjen e investimeve për rritjen e cilësisë në arsim dhe zbatim efikas të të gjitha ligjeve që rregullojnë gjithëpërfshirjen dhe qasjen në arsim, parandalimin e braktisjes dhe parandalimin e dhunës në shkolla.

Poashtu, kryeministri i ri duhet të punojë më shumë për të krijuar kushte më të mira. Kur kemi parasysh gjendjen e vështirë të shumë fëmijëve, madje të rënduar tashmë në kohë pandemie.

Jo vetëm,  krijimi i shërbimeve të nevojshme, por edhe mundësi për të mira për rriten dhe zhvillimin e tyre. Dhe në asnjë formë përdorimi në forma të ndryshime për interesa personale.

Në anën tjetër, çdo shkelje duhet të identifikohet edhe nga ana e atyre organizatave që merren me monitorimin e procesit zgjedhor, duke raportuar qoftë edhe rastin vetëm. Rastet që i kemi hasur për prezencën e fëmijëve në fushatë  janë raportuar  vetëm në media.

Gjithashtu, çdo ankesë tjetër e llojit të tillë duhet dorëzuar tek Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa – PZAP, të cilët do i shqyrtojnë dhe nxjerrin pastaj vendimin për rastin përkatës.

Deri më tani PZAP ka pranuar 9 ankesa. Sipas njoftimit të tyre, këto ankesa kanë qenë të natyrës si, përdorimi i aseteve dhe objekteve publike gjate fushatës zgjedhore, vendosja e billbordeve në hapësirat e subjekteve tjera politike, por nuk ka munguar edhe ankesa për përdorimin e personave të mitur gjatë fushatës. Ndërsa, pas shqyrtimit të tyre, janë dhënë edhe gjoba të cilat në total kapin shumën deri në 16,700.00 euro.

Dafina Lata – Autorja është gazetare e pavarur