Fauna e “Sharrit” në mëshirën e pushkëve të gjuetisë dhe zagarëve

Kosova ende nuk e ka bërë një hulumtim të mirëfilltë sa i përket faunës përderisa në Parkun Kombëtar “Sharri” po rrezikohet balanci ekologjik me gjuetinë e paligjshme që po zhvillohet.

 

Fauna në Parkun Kombëtar “Sharri” është duke u rrezikuar nga gjuetia e paligjshme që bëhet në hapësirën e madhe të këtij parku.Krahas zjarreve dhe degradimit të pyjeve, gjuetia ilegale përbën kërcënimin më të madh që i bëhet vlerave të këtij Parku i cili mbrohet me ligj në Kosovë që nga viti 2002.

Kosova nuk ka një hulumtim të mirëfilltë sa i përket faunës, ndërsa mungesa e një zyrtari për faunë në Drejtorinë për Administrim të këtij parku bën që të mos dihet qartazi se sa është popullata e një lloji në një lokacion të caktuar, ose informacione kualitative rreth faunës në Parkun Kombëtar “Sharri”.

Gjuetia ilegale në Parkun Kombëtar “Sharri” mund të çojë deri tek ulja e popullatës të një lloji të shtazëve në një habitat ku vihet në rrezik direkt zhdukja e llojit të shtazës. Pretekstet se gjuetia bëhet që të zvogëlohet numri i egërsirave është një argument i dobët. Ne si njerëz po hymë në territorin e huaj, në një hapësirë e cila është vendbanim i një lloji tjetër dhe kjo e bën njeriun apo thënë ndryshe “efektin antropogjen” evident dhe keqbërës ndaj krijesave të tjera.

Llojet e kafshëve në rrezik të përhershëm nga gjuetia ilegale janë: kaprojtë, dhitë e egra dhe ariu i murrmë.

Ariu i murrmë dhe dhia e egër(specie e rrezikuar sipas Librit të Kuq të Faunës), në Parkun Kombëtar “Sharri”

Megjithatë, kohëve të fundit është vërejtur një gjë e mirë në zonën e Parkut Kombëtar “Sharri”. Është vetëdijesimi i banorëve të cilët reagojnë menjëherë kur dëgjojnë të shtëna të armëve për gjueti, dhe lajmërojnë policinë. Gjuetia me qen (zagarë) është një formë e gjuetisë shumë bizare sepse llojet e ndryshme të kafshëve largohen nga habitatet e tyre dhe hyjnë në habitat të një lloji tjetër, për shkak se qentë (zagarët) për gjueti janë të trajnuar të afrojnë prenë te gjahtari i cili mund të jetë larg prej vendit ku gjendet preja. Kafshët e ndryshme largohen nga habitatet e tyre dhe hyjnë në habitate të tjera, që prish balancin ekologjik të Parkut Kombëtar “Sharri”.

Kaprolli, specie e rrezikuar sipas Lbrit të Kuq të Faunës

Zonat malore ku ndër vite është hasur gjuetia ilegale janë: Shutmani, Oshlaku, Koxha Ballkani, Liqeni i Jazhincës, Bistra e Koritinku. Por nuk janë vetëm gjuetarët kosovarë ata që po rrezikojnë faunën në hapësirën kosovare të parkut.

Vëzhgimet nga Drejtoria Për Administrimin e Parkut Kombëtar “Sharri” kanë dëshmuar se kohë pas kohe, gjuetarët ilegalë nga Shqipëria, paraqesin problem direkt në zonën e Dragashit, pasi veprojnë në zonën kufitare nga Koritniku deri te Rudoka. Këto zona nuk janë të vetme të prekura nga gjuetia ilegale nga shtetas të huaj pasi gjuetarët nga Maqedonia e Veriut ushtrojnë gjuetinë ilegale në zonat malore të Konjushkës dhe Dupnicës.

Kjo përbën veprimtaritë jashtëligjshme meqë, sipas ligjit, zona e ndikimit është një zonë prej pesëdhjetë (50) metrash nga kufiri i Parkut Kombëtar “Sharri” që shërben për të parandaluar ndikimet negative në këtë park.

Drejtoria për Administrimin e Parkut Kombëtar “Sharri” thotë se banorët e anëve të ndryshme të Parkut janë më të vetëdijesuar dhe po i lajmërojnë në polici të shtënat e armëve që i dëgjojnë.

Gjuetia ilegale e cila realizohet në Parkun Kombëtar “Sharri” ka pasoja të ndryshme. Realisht, gjuetia në këtë Park dëmton habitatet e shtazëve të egra, pasi që shtazët tmerohen nga të shtënat e armëve të gjahtarëve që dalin për gjueti në atë anë, thotë Fatos Lajçi nga OJQ ERA.

Ai gjithashtu shtoi që shumë gjahtarë i shfrytëzojnë lejet për gjueti të cilën e marrin nëse anëtarësohen në ndonjë shoqatë për gjueti për të marrë armën për gjueti me leje dhe pastaj e përdorin atë në mënyra të ndryshme për gjueti në zona të cilat nuk mund të bëhet gjuetia si Parku Kombëtar “Sharri”.

Gjuetia është e ndaluar me ligj në zonat e mbrojtura siç është Parku Kombëtar “Sharri”. Ligji për Mbrojtjen e Natyrës nuk e lejon gjuetinë pa një arsye të justifikuar. Fryme e ligjit e ndalon që kafshët në zonat e mbrojtura të shqetësohen, të kapen, të lëndohen dhe të zvogëlohet numri i poplacionit të llojeve të tyre.

Poashtu, ndalohet kapja ose vrasja e shtazëve të cilat i përkasin kategorisë të llojeve të egra të mbrojtura, përveç nëse gjuetia bëhet me qëllim të përpunimit, tregtisë dhe qarkullimit tjetër, por në këto raste nevojitet marrja e lejes nga Ministria me vendim apo me pëlqimin e pronarit ose bartësit të së drejtës në të mirat e natyrës.

 

Baton Isniqi është biolog dhe ambientalist. Ai është Koordinator i Projekteve për Politika Ambientaliste në Konsorciumin Kosovar të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID).

Publikimi u bë në kuadër të projektit “Zonat e Mbrojtura për Natyrën dhe Njerëzit II”, zbatuar nga WWF Adria, me mbështetjen e Agjencisë Suedeze të Zhvillimit Ndërkombëtar të Bashkëpunimit (Sida).

Pikëpamjet dhe mendimet e shprehura në këtë botim janë të autorit  dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikën ose pozicionin zyrtar të WWF, Sida ose ndonjë organizate tjetër