Fantazitë mbi “Botën Serbe” të Beogradit e rrezikojnë Bashkëpunimin Ballkanik

Ka pak gjasa që projektet e bashkëpunimit ekonomik ndërkufitar, i tillë si ‘Ballkani i Hapur’ të jenë vërtet të suksesshëm ndërkohë që liderët politikë në Beograd vazhdojnë të ëndërrojnë për një shtet më të madh serb që përfshin territorin dhe qytetarët e vendeve fqinje.

Damir Marusiq dhe Benjamin Haddad nga Këshilli Atlantik, një institut amerikan, botuan një ese provokuese në Politikën e Jashtme javën e kaluar në lidhje me këtë iniciativë të re të përbashkët ‘Ballkani i Hapur’ i themeluar nga qeveritë e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.

Eseja në fjalë kërkon një lexim serioz, dhe fokusohet në idenë se epoka e zgjerimit të BE-së definitivisht ka përfunduar, dhe kështu shtetet lokale domosdoshmërisht po kthehen drejt zhvillimit të mekanizmave ndër-rajonalë për të promovuar bashkëpunimin politik dhe ekonomik.

Nga ana e tyre, Marusiq dhe Haddad janë optimistë për rëndësinë e projektit, dhe shkruajnë se: “Me kalimin e kohës pas marrëveshjes së arritur në Prespë midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, iniciativa sikurse Ballkani i Hapur sinjalizojnë se diçka e rëndësishme, dhe vërtet e shëndetshme, po ndodh në terren: Udhëheqësit lokalë po e marrin përsipër fatin e tyre dhe po demonstrojnë kreativitet.”

Problemi me këtë narrativë, megjithatë, është se nuk vërtetohet nga faktet se çfarë – siç thonë autorët – po ndodh në terren.

Siç e pranojnë vetë Marusiq dhe Haddad, fakti që vetëm tri nga shtetet e ‘Gjashtëshes së Ballkanit Perëndimor që i janë bashkuar këtij plani, është domethënës. Por mungesa e Kosovës, Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Malit të Zi nuk është domethënës, siç argumentojnë autorët, sepse “tri vendet e mbetura mbeten skeptike, duke argumentuar se kjo iniciativë e re e dyfishon zhvillimin e një Tregu të Përbashkët Rajonal, për të cilin u pajtuan të gjashtë vendet në kryeqytetin e Bullgarisë, Sofje, vitin e kaluar si pjesë e Procesit të Berlinit ”.

Së pari, iniciativa e bashkëpunimit rajonal të Procesit të Berlinit të mbështetur nga BE për Ballkanin, ashtu si projekti i zgjerimit të BE, është i vdekur. Tani për tani, nuk është më shumë se një format diskutimi dhe përgjatë shtatë viteve qysh nga samiti inaugurues i Procesit të Berlinit, ka prodhuar shumë pak pasoja politike. Në të vërtetë, fakti që një Treg i Përbashkët Rajonal ishte dakorduar dhe tani po zëvendësohet nga kjo iniciativë tripalëshe, tregon shumë se sa i parëndësishëm është bërë Procesi i Berlinit.

Arsyeja pse Kosova, Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i Zi nuk e kanë vënë nënshkrimin e tyre për idenë e Ballkanit të Hapur nuk është se këto vende vazhdojnë të shpresojnë për një Treg të Përbashkët Rajonal të inicuar nga BE. Ato nuk kanë nënshkruar për të njëjtën arsye që Tregu i Përbashkët Rajonal ka arritur të bëhet asgjë më shumë sesa vetëm një tjetër në një trajektore të gjatë të “koncepteve” ndërkombëtare për rajonin (si rikujtim, “pronësia lokale”, “lidhshmëria”, dialogu Beograd-Prishtinë, etj).

Problemi mbetet Serbia, dhe makinacionet e saj ndaj pjesës më të madhe të rajonit – makinacione të cilat nuk kanë të bëjnë me bashkëpunimin politik dhe ekonomik, dhe që kanë të bëjnë gjithçka me fantazitë revanshiste dhe hegjemoniste të elitës sunduese të Beogradit.

Aleksander Vulin, ministri i brendshëm serb dhe i besueshmi i Presidentit Aleksandar Vuçiq, ka promovuar idenë se Serbia po kërkon bashkimin formal politik dhe institucional të të gjithë serbëve etnikë në Ballkanin Perëndimor. Kjo është Serbia e Madhe, me Beogradin si kryeqytet dhe Vuçiqin si liderin e saj të padiskutueshëm. Ai e ka etiketuar këtë ide si ‘Bota Serbe’.

Vulin ka mbrojtur hapur idenë e ‘Botës Serbe’ në tubimet politike dhe në televizionet kombëtare, dhe ai e ka përdorur konceptin si një mjet për të luftuar kundër qeverive fqinje, veçanërisht në Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Mal të Zi.

Jobefasisht, këto tri shtete e përbëjnë shumicën e popullsisë dhe territoreve për të cilat Vulin dhe Vuçiq besojnë se përfundimisht do të inkorporohen në mega-shtetin e ri serb.

Idealet e Millosheviqit janë ende gjallë 

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq (Q), kryeministri shqiptar Edi Rama (M) dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev (RD) shtrëngojnë duart pas konferencës për media pas takimit tripalësh të nivelit të lartë të Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në Novi Sad. Foto: EPA-EFE/ANDREJ CUKIC

Me pak fjalë, Serbia shihet, në të paktën gjysmën e rajonit, si një kërcënim për integritetin territorial dhe sovranitetin e shteteve në fjalë. Si i tillë, pak njerëz në Prishtinë, Sarajevë apo Podgoricë janë të interesuar në thellimin e marrëdhënieve me një regjim të tillë.

Ky është realiteti i pashmangshëm politik i Ballkanit Perëndimor bashkëkohor. Fatkeqësisht, shumë pak njerëz në SHBA ose BE janë të gatshëm ta adresojnë këtë fakt. Në vend të kësaj, një program shpresëdhënës politikash e zëvendëson një tjetër, sikurse kur kalon prej një stine në tjetrën. Dhe sikurse stinët, secila prej tyre zbehet, për t’u ripaketuar diku më vonë. Pra, Tregu i Përbashkët Rajonal bëhet Ballkan i Hapur, e kështu me radhë.

Sidoqoftë, është një përpjekje e kotë, sepse politika nuk mund të jetë kurrë një zëvendësim për politikën. Për sa kohë që Beogradi mbetet i përkushtuar ndaj idealeve dhe aspiratave të regjimit të mëparshëm të Sllobodan Millosheviqit, asnjë progres nuk mund të arrihet në këtë rajon. Kjo nuk është thjesht një çështje implementimi; është çështje substanciale.

Për të qenë i qartë, koncepti i Ballkanit të Hapur – ashtu sikurse Tregu i Përbashkët Rajonal, sikurse zgjerimi i BE-së, si të gjitha këto projekte të mëdha që janë propozuar për rajonin për pjesën më të mirë të këtyre dy dekadave – është një ide e mirë. Idetë e tilla pa dyshim do ta përmirësonin jetën dhe mënyrën e jetës për të gjithë që janë të përfshirë, nëse do të implementoheshin ndonjëherë.

Sidoqoftë, rajoni do të kishte pësuar një përmirësim të madh nëse vendi më i populluar në Ballkanin Perëndimor nuk do të qeverisej nga një autokrat mohues i gjenocidit, irredentist, militant. Megjithatë, është duke u qeverisur. Dhe për shkak se është, nuk ka të ardhme reale as për iniciativën Ballkani i Hapur, as për një Treg të Përbashkët Rajonal.

Tërheqja dramatike dhe, nganjëherë, poshtëruese amerikane nga Afganistani ka rezultuar me një reflektim mes ekspertëve të politikës së jashtme në të dy anët e Atlantikut. Me sa duket, një nga mësimet kryesore të luftës në Afganistan duhet të jetë fakti që duhet bërë politikë e cila bazohet në kushtet që triumfojnë në të vërtetë në terren, jo ato që ne do të donim të triumfonin.

Në Ballkanin Perëndimor, Bota Serbe është një fakt në terren dhe një kërcënim me të cilin duhet përballur; koncepte si iniciativa Ballkani i Hapur janë vetëm ide të përsosura në letër.

Përktheu: Nuhi Shala

Jasmin Mujanovic është ekspert i shkencave politike dhe autor e librit ‘Hunger and Fury: The Crisis of Democracy in the Balkans’.

Opinionet e shprehura janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e BIRN.