'Evropë ndërroje flamurin, merre atë të SHBA-së që çdo herë mbrojti lirinë e popujve të robëruar'

Ka aq shumë vite, që para syve të Evropës, rritej dhe zhvillohej diktatori i sotëm, Putini, apo ujku i hirtë. Me vite ndodhnin aq tragjedi para syve te evropianëve dhe ata heshtnin apo dilnin me ndonjë deklaratë që as vetë se kuptonin. Me rëndësi e kishin që ata të ishin mirë dhe të mos prekeshin nga politika fashiste ruse dhe ky ujku i hirtë.

Ishte vetëm një zë, ishin veç dy shtete dhe dy popuj që e bën të pamundurën për të mbrojtur popujt e tjerë nga fashizmi rus, që ishin edhe buzë asgjësimit total fizik, e ato shtete janë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe.

Bile filluan edhe kritika ndajë tyre, filluan edhe t`i quanin ‘Polici i Botës’, e disa shkuan edhe më larg, harruan të kaluarën e tyre të përgjakshme, nga ujqit e vjetër të hirtë.

Në vitin 1945, kur rusët në emër të luftës kundër nazizmit, shkatërruan çdo gjë gjermane, edhe pse fare s’kishte të bënte me nazizmin e Hitlerit. Vodhën çdo gjë që kishte mbetur pa u shkatërruar nga vetë ata. Ata dhunuan në mënyrën më çnjerëzore gratë e ndershme të popullit gjerman. Çka kishin faj ato për të bëmat e Hitlerit. Po harruan, dhe me vite e vite ndihmuan ekonominë e ujkut të hirtë. A thua Shrederi që udhëheqë Gaz-Promin rus, a i sheh skenat e llahtarshme të luftës në Ukrainë.

E Franca e Sharl de Golit? E dinë edhe ata aq mirë historinë e ujqve të hirtë.

Po, Ju lejuat që ata të rriten dhe të zhvillohen. Ju lejuat që politika e tyre fashiste, përmes ujqve të vegjël të hirtë të vrisnin njerëz, të dhunonin, të shkatërronin çdo gjë në Slloveni, Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë.

Evropë para syve tuaj, me ushtarët evropianë nga Holanda Demokratike, u vranë mbi 8000 njerëz në Bosnjën e mjerë. 8 mijë jetë u shuan, 8 mijë familje mbetën pa më të dashurit e tyre.

Evropë falangat e ujqve të hirtë në Vukovarin legjenedar, vranë të plagosurit dhe mjekët në Spital.

Evropë, në Kosovë ndodhi gjenocid, vranë gra e pleq, janë mbi 1300 fëmijë të vrarë disa edhe varr disa ende s`kanë. 1 milion njerëz vetëm pse ishin shqiptar u dëbuan nga atdheu i tyre.

E Ju, prapë me ujq të hirtë! Ti e dashur Evropë, nga një evropian i juaj i shitur, thua se nuk mjaftojë e gjithë kjo çka i ndodhi Kosovës, me gjellërat e gatuara nga ujqit e hirtë, ngritët akuza ndaj popullit dhe Kosovës, shtëpia imagjinare e verdhë e aq rëndë na e kthyet. Neve nga Kosova që mezi arritëm lirinë.

E tani, e tani kur ujku i hirtë na ka mësyrë gjithë neve, Evropë, duket se je zgjuar.

Je zgjuar tani, por jo atëherë kur u bën gjithë këto masakra në truallin tënd Evropë. Je zgjuar tani, por jo atëherë kur Amerika dhe Presidenti i saj të kërkonte të zgjohesh dhe të paguash pjesën tënde për NATO, për ta mbrojtur Evropën – vetveten oj “Evropa e mençur”.

Dje nuk e dëgjoje Presidentin Tramp,  e sot po i lutesh të nderuarit Biden. Ama a e di, këta të dytë janë amerikan.

Urojë për zgjimin tënd Evropë, sepse edhe unë jetojë në Evropë.

Pra ty Evropë të sugjeroj, ndërro flamurin, merre flamurin amerikan që çdo herë ka mbrojtur liritë e popujve të robëruar, që edhe sot ty Evropë po të mbron nga ujku i hirtë.

Afrim Veseli, Kolonel në pension