FOTO-Urim Krasniqi/KALLXO.com
Është koha që Vetëvendosja përfundimisht ta dënojë homofobinë
A do të mund ta quajë qeveria e re e Kosovës veten progresive nëse i injoron grupet e të drejtave LBGTI dhe përfshin homofobë të paskrupullt aty? Nuk pajtohem.
Si pjesë e fushatës elektorale të vitit 2019, BIRN u parashtroi një seri pyetjesh kandidatëve që garonin për deputetë, përfshirë edhe pyetjet nëse ishin për apo kundër martesave të së njëjtës gjini. Pyetja i ndau në dysh politikanët, me gati gjysmën prej tyre që përkrahnin të drejtën për çifte të të njëjtës gjini për t’u martuar, mirëpo mbi 40 përqind prej tyre ishin në kundërshtim me këtë.
Një prej kandidatëve e cila që shprehu kundërshtimin e saj ndaj martesave të së njëjtës gjini ishte ish-deputetja Emilija Rexhepi, e cila të hënën u emërua Zëvendëskryeministre për Çështjet e Pakicave dhe të Drejtave të Njeriut në qeverinë e re të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje.
Marrë parasysh qëndrimin e saj evident për martesat e së njëjtës gjini, mbase nuk është për t’u habitur që aktivistë dhe organizata të shumta që punojnë me komunitetin LGBTI të Kosovës kanë shprehur skepticizëm nëse ajo do të jetë në gjendje në përmbushjen e rolit që i është caktuar.
CEL, një organizatë lidere e avokimit për komunitetin LGBTI, deklaroi të martën se “është ironike dhe lë të nënkuptohet se i gjithë avokimi dhe lobimi për të drejta të njeriut nuk është i sinqertë.”
CEL i bëri thirrje Rexhepit që ta tërheqë prapa pozicionin e saj të mëparshëm në lidhje me martesat mes të njëjtës gjini, duke deklaruar se personat LGBTI janë edhe shtetas e edhe tatimpagues të Republikës së Kosovës që meritojnë trajtim dhe të drejta të barabarta.
Ndërkohë, Dylberizm, një platformë në gjuhën shqipe dedikuar çështjeve LGBTQ +, i bëri thirrje Kryeministrit Albin Kurti ta shkarkojë Rexhepin, duke deklaruar se “emërimi i një homofobi në pozicionin e Zëvendëskryeministrit për Çështjet e Pakicave dhe të Drejtave të Njeriut është jashtëzakonisht shqetësues dhe i rrezikshëm për respektimin e të drejtave të njeriut, më saktësisht të të drejtave të komunitetit LGBTIQ+.
Deri më tani, as Rexhepi, as Kurti, as Vetevendosja, nuk kanë dalë me një sqarim lidhur me çështjen në fjalë, e cila është tipike e një pozicionimi vazhdimisht neglizhues që kjo parti e ka marrë shpesh atëherë kur bëhet fjalë për çështjet LGBTI.
Është me rëndësi të ceket se LV kishte përqindjen më të lartë të deputetëve që mbështesin martesat e së njëjës gjini në sondazhin e bërë nga BIRN në vitin 2019 dhe se kjo parti shpesh vë theksin tek rëndësia e të drejtave të njeriut në diskursin e saj. Vetëvendosja, po ashtu, është partia e vetme politike në zgjedhjet e vitit 2021, deputetet gra të së cilës u zgjodhën në Kuvendin e Kosovës pa nevojën e përdorimit të kuotës gjinore.
Sidoqoftë, kjo parti shpesh ka heshtur për çështjet LGBTI. Kanalet zyrtare të kësaj partie asnjëherë publikisht nuk janë shprehur mbështetëse në Ditën Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë, IDAHOT, dhe liderët e saj asnjëherë nuk kanë marrë pjesë në Paradën, tashmë të përvitshme, të Krenarisë në Prishtinë.
Disa ditë para IDAHOT së vitit të kaluar, organizatat LGBTI raportuan se qeveria e udhëhequr nga Vetëvendosje ishte hezituese në lidhje me festimin e këtij evenimenti duke e ndriçuar ndërtesën e qeverisë me ngjyrat e ylberit – një festë që është bërë çdo vit që nga viti 2016, madje edhe atëherë kur Kosova qeverisej nga partitë e qendrës së djathtë, “me orientim familjar”.
Aktivistët e kësaj platforme deklaruan për BIRN se qeveria fillimisht kishte rënë dakord për ekspozimin (ndriçimin) tashmë tradicional të ndërtesës qeveritare, mirëpo, tri ditë para këtij evenimenti ata kishin dërguar një e-mail duke deklaruar se ndërtesa nuk do të ndriçohet dhe se Zyra e Kryeministrit është në kërkim të mundësive tjera.
Kur hezitimi i tyre u bë publik, megjithatë, dukej se kishte një ndryshim mendimi. Ndërtesa përfundimisht u ndriçua me ngjyrat e ylberit, me Kryeministrin Kurti duke postuar përmes llogarisë së tij në Twitter se “diskriminimi nuk ka vend në shoqërinë tonë dhe askush nuk mund të gjykohet ose frikësohet për sigurinë e tyre për shkak të asaj që janë. #IDAHOT. ”
Sidoqoftë, pak më vonë po atë vit kur Dita e Paradës së Krenarisë u festua më 12 tetor, llogaritë zyrtare të LV-së përsëri mbetën të heshtura, ndërsa aktivistë individualë dhe deputetë nga kjo parti bënë deklarata homofobike përmes medieve sociale.
Deputeti i Vetëvendosjes, Eman Rrahmani e zgjodhi vetë Ditën e Krenarisë për të deklaruar se: “Nuk ka më mirë se të jesh prind, të thërras nënë, babë, vajzë, djalë, gjysh, gjyshe….! Angazhimi im politik ka të bëjë me të ardhmen e fëmijëve tanë, angazhimi im politik bëhet për një familje ku ka nënë, babë, djalë, vajzë, gjyshe, gjysh’.
Pak ditë më vonë, më 18 tetor, një anëtare e Kuvendin Komunal të Prishtinës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Leonora Shabani-Bajraktari, deklaroi se një fushatë sensibilizuese që promovonte të drejtat LGBTI dhe martesat e së njëjës gjini ishte “e tepërt”.
Protestat u organizuan nga një numër i grupeve LGBTI dhe të drejtave civile jashtë zyrave qendrore të Vetëvendosjes pasi që partia në fjalë dështoi në dënimin e secilës deklaratë të bërë.
Në nëntor të vitit 2020, Vetëvendosje ishte përsëri objekt i kritikave publike nga grupet LGBTI, pasi nuk arriti ta ftojë asnjë përfaqësues nga komuniteti LGBTI në një seancë dëgjimore publike mbi hartimin e Kodit të Ri Civil. Aktivistët tashmë e një kohë të gjatë po avokojnë që Kodi i Ri Civil duhet të përfshijë përcaktime të reja që do të bënin të mundur martesën e gjinisë së njëjtë, dhe të sigurojnë që ajo të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, e cila ndalon diskriminimin në orientimin seksual.
Është dështimi i të qenit të vetëdijshëm për këto çështje, duke mos përmendur heshtjen e Lëvizjes Vetëvendosje në përgjigje të kritikave nga grupet LGBTI e që është po aq e dëmshme sa deklaratat nga anëtarët “e paskrupullt”. Çështja është më e thellë sesa gjuha urrejtëse e shprehur nga disa individë.
Pas fitores masive në zgjedhjet e shkurtit 2021, pyetja kyçe tani ka të bëjë me qëndrimin e Vetëvendosjes për çështjet LGBTI, edhe si parti politike e po ashtu edhe brenda qeverisë të cilën ajo tani e udhëheq.
As partia dhe as lidershipi i saj nuk mund të qëndrojnë indiferentë atëherë kur anëtarët e saj diskriminojnë komunitetin LGBTI. Nëse ata vazhdojnë ta bëjnë këtë, do të jetë e pamundur për ne ta kuptojmë atë si diçka tjetër përveçse si një miratim i heshtur.
Opinionet e shprehura në pjesën e opinioneve janë vetëm të autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e BIRN.
Adea Kondirolli është menaxhere e projektit dhe studiuese në Organizatën për Përmirësimin e Cilësisë së Arsimit – ORCA. Ajo ka studiuar Metodat e Kërkimit MSc në Psikologji në Universitetin e Surrey (2019-2020).