Ilustrim

Ekonomia joformale sfidë serioze për Kosovën!

Ekonomia joformale është pjesë e një ekonomie që as nuk tatohet (pasi shmanget ose operon ilegalisht) dhe as nuk monitorohet nga asnjë formë e qeverisjes. Ndryshe nga ekonomia formale, aktivitetet e ekonomisë joformale nuk përfshihen në prodhimin e brendshëm bruto (PPB ose GDP) të një vendi. Si e tillë, ekonomia joformale kryesisht përfshinë konceptet si evazionin fiskal (ekonomia gri, kontrabanda dhe aktivitetet tjera ilegale), punësimin jo-formal dhe nën-deklarimin e pagave të punëtorëve, si të hyrat e fituara nga aktivitetet ilegale etj.

Gjendja e ekonomisë joformale në Kosove nuk është qartë e identifikueshme. Megjithatë, raportet vendore dhe ndërkombëtare theksojnë se ekonomia joformale në Kosovë është më shumë se 30% e PBB-së ose shprehur në numra i bie rreth 1.8 miliardë euro në vit.

Një vlerësimi i fundit sektorial i masës së ekonomisë joformale i financuar nga BE-ja në vitin 2017 me të dhënat statistikore të vitit 2015, gjeti që shkalla e ekonomisë joformale në Kosovë arrinte deri në 31.7 % (EU, Further Support to Kosovo Institutions in fight against organized crime, corruption and violent extremism, 2017, fq.37).

Ekonomia joformale qëndron në top listën e barrierave të të bërit biznes në Kosovë, pasi e njëjta përveç që i zvogëlon të hyrat e shtetit ka ndikim direkt në konkurrencë jo të drejtë në mes të bizneseve.

Ekonomia joformale shtrihet gjithandej. Aktualisht më e theksuar është shmangja tatimore përmes kontrabandës që bëhet përmes pikave doganore formale dhe joformale me Serbinë. Por, ajo vazhdon edhe brenda territorit të Kosovës, ku personat fizik dhe juridik përdorin çdo formë shmangie vetëm që të mos paguajnë tatim dhe si pasojë buxheti shtetëror dëmtohet me qindra miliona euro në vit.

Sektorët më problematikë me prezencë të ekonomisë joformale janë: sektori i ndërtimit, shërbimeve sidomos hoteleri, restorante, tregtia dhe transporti.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2016, 16% e të punësuarve nuk kishin kontratë pune. Niveli i lartë i ekonomisë joformale në Kosovë ka efekt destruktiv ndaj politikës fiskale duke shkaktuar humbje të mëdha ndaj buxhetit edhe ashtu deficitar dhe me presione fiskale nga të gjitha anët.

Ky nivel aq i lartë i ekonomisë joformale shkakton dëme të drejtpërdrejta ndaj konkurrencës dhe bizneseve të rregullta që i paguajnë tatime shtetit. Një tjetër efekt negative ka të bëjë me investimet e huaja direkte, sepse investitorët seriozë nuk do të vijnë në një vend ku evazioni fiskal përbën mbi 30% të PBB-së. Në këtë drejtim ajo gjithashtu paraqet pengesë të madhe në matjen e treguesve makroekonomik siç janë: bruto produkti vendor (BPV), shkalla e rritjes ekonomike dhe papunësisë, etj. të cilat reflektohen në krijimin e politikave ekonomike.

Ekonomia joformale në Kosovë është bërë pjesë e shoqërisë dhe komunitetit të biznesit, duke bashkëjetuar qetë njëra me tjetrën, pa u trazuar shumë. Për më keq ekziston botëkuptimi ndërmjet shumë tatimpaguesve se “të gjithë mashtrojnë me tatime”, e ky botëkuptim forcohet sidomos në rastet kur me tatime mashtrojnë edhe zyrtarë të nivelit të lartë, ose të afërmit e tyre.

Ekonomia joformale në Kosovë influencohet nga shumë faktorë siç janë perceptimi mbi kualitetin e qeverisjes publike me të cilën qeveria funksionon, politikat tatimore, sjellja e administratës tatimore, barra tatimore e perceptuar, struktura tatimore në përgjithësi si dhe strategjia e përdorimit të masave shtrënguese. Këta janë vetëm disa prej faktorëve që ndikojnë mbi gatishmërinë e tatimpaguesve për të paguar tatimet.

Në rastin e Kosovës konsideroj se faktorë kryesor influencues të ekonomisë joformale në përgjithësi dhe evazionit tatimor në veçanti janë:

  1. Kualiteti i dobët i qeverisjes institucionale dhe
  2. Mungesa e sundimit të ligjit

Mungesa e sundimit të ligjit në Kosovë ka ndikuar në zvogëlimin e transparencës mbi aktivitetet e institucioneve publike, ka rritur korrupsionin dhe ka rritur mosbesimin te tatimpaguesit dhe, si rezultat, tatimpaguesit nuk kanë dëshirë që ta financojnë qeverisjen me anë të pagimit të tatimeve dhe si pasojë bëjnë evazion tatimor.

Adam Smith gati tre shekuj më parë theksonte se “Atje ku të paktën ka një dyshim të zakonshëm për shumë shpenzime të panevojshme dhe keqmenaxhim të shpenzimeve publike, legjislacioni që e ruan atë respektohet pak.”

Nëse i referohemi historisë së shteteve me edukatë të lartë tatimore do shohim se edhe këto shtete në fillimet e konsolidimit të tyre kanë pasur një evazion shumë të lartë tatimore, por sundimi  i fort, i drejt dhe permanent i ligjit ka bërë që ato të bëhen  shtete me edukatë të lartë tatimore.

Këtë më së miri e tregon rasti i historisë së Francës së dikurshme për të cilën nga teoria financiare mësojmë se “kur qytetari francez e parafytyronte djallin ai atë e parafytyronte në formë të inkasantit tatimor”. Pra, ky ishte disponimi tejet negative i shoqërisë franceze dikur karshi tatimeve qw pwrshkruhet nw librat e financave. Ky disponim u ndryshua gjatë viteve që pasuan si rezultat i sundimit të ligjit dhe tani Franca hyn në grupin e shteteve me edukatë të lartë tatimore.

Përgjegjësia e institucioneve qëndron, përveç tjerash, në krijimin e mekanizmave që sigurojnë kualitet të qeverisjes dhe politike të qëndrueshme fiskale. Kjo nuk është arritur mjaftueshëm në Kosovë. Në listën e Indikatorëve Botërorë të Qeverisjes (WGI) nga Banka Botërore, Kosova ka një indikator negative të vazhdueshëm të kualitetit të qeverisjes. Ky indikator tregon perceptimin e kualitetit të qeverisjes publike, pavarësinë e shërbimit civil dhe kualitetit të krijimit të politikave.

Veprimet e institucioneve të Kosovës në luftimin e ekonomisë joformale kanë qenë të zbehta dhe jo të koordinuara nga të gjitha qeveritë e deritanishme. Hapi më serioz në këtë kuadër është miratimi në muajin Maj të këtij viti i një strategjie të rishikuar dhe një plan veprimi për të luftuar ekonominë informale. Miratimi i strategjisë së rishikuar mund të cilësohet si hap më serioz për shkak se në këtë strategji janë futur tregues cilësorë dhe sasiorë për të monitoruar më mirë progresin në krahasim me dokumentet paraprake të aprovuara nga institucionet e Kosovës.

Megjithatë, kjo strategji do konsiderohet e suksesshme vetëm nëse jetësohet në praktikë duke u ndërmarrë veprimet që janë të parapara në të, si dhe nëse ka vullnet të fort politik të qeverisë për luftimin e kësaj dukurie. Nga praktikat e luftës së shteteve kundër ekonomisë jo-formale mësojmë se suksesi në luftimin e ekonomisë jo-formale ka rezultuar vetëm atëherë kur strategjitë për luftimin e kësaj dukurie kanë qenë të shoqëruara me një vullnet të fort politikë të qeverive dhe veprime të sinkronizuara ndërinstitucionale.

Nivelit të lartë të ekonomisë joformale i referohet edhe Raporti mbi zgjerimin i BE-së kushtuar Kosovës i cili ju dorëzua Institucioneve të Kosovës para disa ditësh. Raporti  tërheq vëmendjen se evazioni fiskal dhe informaliteti vazhdojnë të pengojnë ekonominë dhe nevojiten përpjekje të mëtejshme, veçanërisht në inspektimet në terren të bazuara në rrezik dhe në bashkëpunimin ndërinstitucional.

Administrata tatimore duhet të forcojë më tej kapacitetet e saj administrative dhe profesionale dhe të sigurojë proceset e përzgjedhjes bazuar në merita dhe transparente. Raporti i BE-së rekomandon, citoj “Kosova duhet të zbaton në mënyrë sistematike strategjinë për luftimin e ekonomisë joformale, pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe krimit financiar (2019-2023) dhe planit të saj të veprimit; si dhe  rritjen e bashkëpunimit me kornizën ekzistuese të gjyqësorit për të siguruar gjykimin me kohë të rasteve të evazionit fiskal dhe mashtrimit”.

Pra, mirë që është përpiluar strategjia për luftimin e ekonomisë joformale, pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe krimit financiar, por nevojitet që ajo të zbatohet.

Gjetja e zgjidhjeve për ekonomin joformale ka rëndësi të madhe nëse shikohet nga perspektiva ekonomike dhe socio-politike. Në këtë kuadër konsideroj se dizajnuesit e politikës fiskale në Kosovë do jenë më të suksesshëm nëse përqendrohen në gjetjen e mënyrave që gradualisht të inkorporojnë sektorin jo-formal në atë formal, sesa që ta eliminojnë atë.

Autori është Profesor i Rregullt në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, bashëpunëtor i përhershëm në Byronë Ndërkombëtare të Dokumentacionit Fiskal- Amsterdam, dhe anëtar i rregullt në Asociacionin Europian të profesorve të së Drejtës Tatimore -Amsterdam.