Gurakuç Kuçi

E vërteta që nuk po thuhet për ndërtimin e xhamisë

Influencat e shteteve veprojnë duke shfrytëzuar mjete të ndryshme të cilat shtrihen në fusha materiale dhe shpirtërore. Një prej tyre është përdorimi i civilizimit në kuptimin e historisë së religjionit. Civilizimi është rrethi i parë koncentrik që një shtet e ka parasysh kur dëshiron ta shtrijë mendësinë e tij strategjike. Një mendësi gjeopolitike viteve të fundit po e shpreh edhe Turqia e cila jo vetëm në Kosovë por edhe në BE ka ndërtuar tempuj fetar islam dhe ka bërë edhe financime të ndryshme jofetare. Mirëpo, ndërtimi i xhamisë 40 milionëshe në Prishtinë në të vërtet është më shumë dhënie e hapësirës Turqisë nga politika e atëhershme për influence se sa një imponim nga Turqia.

 

Si erdhi deri tek ndërtimi i xhamisë?

Në vitin 2008 me urdhër të kryeministrit të atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçi, ishin arrestuar tre spiunë gjermanë. Arrestimi i tyre ishte bërë me shumë zhurmë mediale duke e vënë miqësinë në provë ndërmjet Kosovës dhe gjithë BE-së e veçanërisht Gjermanisë. Pikërisht në kohën kur Kosovës i duhej mbështetja dhe njohja e Perëndimit. Incidente të tilla ndërmjet shteteve mike kryesisht zgjidhen me elegancë diplomatike dhe pa pompozitet në publik.

Mirëpo, në këtë rast u veprua ndryshe pa menduar gjatë për pasojat ndaj shtetit të Kosovës. Andaj kryeministri i Kosovës për një kohë përjetonte një izolim nga Perëndimi, veçanërisht Gjermania. Mos-durimi i kryeministrit aso kohe ndaj izolimit e kishte shtyrë të hapej drejt Lindjes gjegjësisht Turqisë. Andaj në kohën kur Perëndimi Kosovës po ia dhuronte fitoren në GJND për pavarësinë, Thaçi zgjodhi që të vizitoj me 2010 Turqinë dhe po ashtu në të njëjtin vit Erdogani të vinte në Kosovë dhe të quhej vëlla. Kjo po ashtu ndodhte në periudhën kur Thaçi gjatë zgjedhjeve kishte premtuar liberalizim të vizave nga BE-ja për Kosovën brenda 15 muajve. Këto veprime cinike nuk mund të kapërdiheshin nga BE-ja për të ia ofruar Kosovës liberalizimin e vizave. Mirëpo, për t’ia dhënë Kosovës edhe më shumë vulën orientale, ishte vënia me 2012 e gurthemelit të një xhamie me financim të plotë nga Turqia në Prishtinë, dhe në po të njëjtin vit të refuzohej kërkesa e Hillari Klintonit, e cila gjatë vizitës së saj në Kosovë në cilësinë e Sekretares së Shtetit kishte kërkuar privatizimin e PTK-së (refuzimi nuk ishte me fjalë por me veprime).

Këto gjeste gjatë qeverisjes së Thaçit vetëm sa ia dhanë një ide BE-së se më mirë është të përkrahin serbët më të cilët janë më të afërt për nga civilizimi. E kësaj ia ndihmon shumë lobi i vazhdueshëm i Serbisë kundër shqiptarëve dhe shtetit të Kosovës. Ndikimet e veprimeve të tilla shihen edhe sot kur BE-ja më shumë mban anën e serbëve se të shqiptarëve.

Pra, gabimi i vitit 2008 prodhoi pasoja të vazhdueshme për Kosovën, sepse para shtetit u vu përpara interesi personal. Për më keq material i mjaftueshëm kundër Kosovës për BE-në ishte edhe keqqeverisja në Kosovë ngjashëm me korrupsionet si në shtetet afrikane e disa aziatike. Kjo xhami nuk do të bëhej fare pjesë debati kundërshtues nëse shteti i Kosovës do të ishte i suksesshëm, ashtu si xhamit tjera të ndërtuara nga Turqia në BE nuk bëhen pjesë e debateve si në Kosovë.

Kosova dhe Thaçi asokohe u treguan krejtësisht të pakujdesshëm për mbrojtjen e interesit të shtetit të ri që të mos lëndonin marrëdhëniet me aleatët perëndimor e veçanërisht me BE-në e cila mbahet në vijë të hollë nga SHBA-ja pro apo neutral Kosovës (përjashto disa vende). Andaj edhe xhamia është prodhim i këtij procesi politik tendencioz. Nuk është e as nuk ishte problem ndërtimi i xhamisë por më mirë do ishte që kjo xhami të ndërtohej nga vetë Kosova nga fonde të mbledhura dhe fondet e Turqisë të dedikohen në fusha tjera, Turqia ka shumë investime jo-fetare në Kosovë. Fryma e re e mendësisë gjeopolitike të Turqisë dhe ndërtimi i xhamisë në Kosovë e lëndon tej mase integritetin pro-perëndimor të Kosovës, sepse lobet anti-Kosovë mezi nuk presin të gjejnë arsye armatosje kundër Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Andaj, marrja e fondeve të huaja dhe investimi i tyre duhet të bëhet më kujdes sepse jo çdo investim nënkupton zhvillim. Sidoqoftë, Turqia në këtë mes nuk është demoni kundër shtetit të Kosovës. Demonët duhet kërkuar më shumë tek fryma të cilët e quajnë vetën liberal për lejimin e homoseksualizmit dhe po aq liberal e quajnë veten duke u shprehur anti-islamik.

Mos të harrojmë se Kosova ka pranuar që ta humb një pjesë të identitetit të saj kur ka pranuar që çdo trashëgimi dhe kishë ortodokse të jetë trashëgimi serbe. Ky demonizim i religjionit ndërmjet politikës, kisha ortodokse në oborrin e Universitetit të Prishtinës e Lista Serbe bashkë me Serbinë e Rusinë janë demonët e vërtet dhe jo Turqia.

Në Prishtinë shumë besimtarë faleshin në rrugë por si tërësi Kosova nuk ka mungesë as të xhamive e as të shkollave, por ka mungesë të shkollimit e gradualisht po përballet që edhe këto xhamia, kisha e shkolla të mbesin të zbrazëta nga ikja e popullatës.

Një gjë tjetër që duhet pasur parasysh se kjo xhami përbën nevojë dhe jo kundërpërgjigje ndaj katedrales, e nuk përbën as ekstremizëm nga brenda e as nga jashtë, është fakti se Turqia dhe shumica dërrmuese e shqiptarëve myslimanë janë sunni të shkollës juridike hanefi, që njihet ndryshe edhe si shkolla më liberale.

Medllin Ollbrajt në librin e saj “Kryqi, Gjysmëhëna, Ylli: I plotfuqishmi dhe të fuqishmit” shkruante: “Do të bënim mirë të pranonim se bota është e mbushur me myslimanë politikë, të krishterë politikë, çifutë politikë, dhe njerëz të çdo lloj besimi tjetër. Nuk është krim të kesh një program politik. Por nga ana tjetër, është krim të veprosh në mënyrë të dhunshme dhe të paligjshme. Në fakt, nëse duam që Al Kaeda të mposhtet, këtë do ta bëj një lloj Islami politik që lufton për mundësi ekonomike, liri personale dhe marrëdhënie paqësore brenda dhe midis popujve të botës”.

Nga gjithë kjo Kosova duhet të marrë mësim që të mbahen nën kontroll fondet e huaja dhe të kihet kujdes me mënyrën si investohen ato, për çka investohen e madje edhe kohën kur investohen. Investimet e huaja duhet lejuar vetëm si interes dhe strategji shtetërore dhe jo e individëve. Kosova akoma duhet të vërtetoj para botës aftësinë e të qenurit shtet dhe gabimet e tilla për interesa personale të individëve dëmtojnë interesin e shtetit në plan afatgjatë.

Italia kishat, Serbia manastiret e Turqia xhamit, po ne çka?

Mos të harrojmë se Ballkanin sot më shumë se Turqia po e influencon Kina deri në Itali me Belt and Road Initiative.