Ura mbi Ibër në Mitrovicë

Dy anët e medaljes për komunat në veri

Në raportimet për komunat në veriun e Kosovës gazetarët shpesh e kanë huqur parimin e parë të gazetarisë, kontaktimin e disa burimeve dhe palëve. Duke mos tentuar të marrin të gjitha palët raportimet kanë qenë të pasakta e shpeshherë të mangëta me rrezikun që të nxisin edhe tensione ndëretnike.

Në krizën e pandemisë COVID-19, temat kryesore në vend vazhduan të jenë kriza politike dhe krizat e provokuara ndëretnike.

Në shoqëri si Kosova ku korrupsioni është në nivel të lartë, politikanët e mediat e tyre janë kujdesur vazhdimisht të mbajnë larg vëmendjes së publikut temat kryesore të cilat lidhen me jetën e qytetarëve.

Me nivel të lartë korrupsioni, Kosova ka sistemin më të pazhvilluar shëndetësor në rajon ndërsa kapacitetet për t’u përballur me virusin COVID-19 janë të limituara.

Nuk kemi mjaftueshëm infektologë e mikrobiologë. Mjekët ishin pa mbrojtje, ndërsa klinikat ku do trajtoheshin të sëmurët nuk kishin as sapun.

Në situatën ku të gjithë do të thelloheshin në analiza pse vendi nuk ishte gati që në nevoja elementare të përballet me pandeminë, debati u zhvendos shumë lehtë te kriza politike e tutje edhe në tensionet ndëretnike të cilat janë forma më e mirë për ta tërhequr vëmendjen nga problemet reale të Kosovës.

Një deklaratë e Presidentit Thaçi se veriu i Kosovës po zbaton masat e Serbisë për pandeminë COVID-19 u shndërrua në një agjendë lajmesh për të nxitur friken dhe tensionet etnike.

Kjo deklaratë u bë nga personi që ka qenë kryeministër gjatë viteve 2008-2014. Gjatë kësaj kohe kemi pasur shumë veprime të serbëve që kanë qenë në kundërshtim me ligjet e Kosovës, siç është: regjistrimi i veturave, mos-pagesa e rrymës e ujit, operimi ilegal i bizneseve, kontrabanda.

Por, si zakonisht “Ura në Mitrovicës” është përdorur vazhdimisht nga politika në Kosovë e Serbi për të shpallur tensione e për të tërhequr vëmendjen nga krizat dhe aferat e korrupsionit.

Edhe këtë radhë gazetarët ranë pre dhe diskutimi për nevojat në shëndetësi u shmang për më shumë se një javë në diskutimin kush e kontrollon atë zonë me një raportim të njëanshëm pa palën tjetër.

Në media, përfshirë edhe televizionin publik, u panë dhjetëra tituj si “Veriu i përgjigjet qeverisë së Serbisë”, “Qeveria e Serbisë vendosë orë policore në Veri” e deri tek ajo që qytetarët zbatojnë masat e vendosura nga Serbia.

Dy qeveritë, ajo e Kosovës dhe e Serbisë, deklarativisht shpallën zonën në karantinë dhe ndaluan lëvizjen, ndërsa mediat nuk raportuan profesionalisht duke pasur edhe ngjyrime të cilat dërgonin në tensione ndëretnike.

Deklarimet në media të pushtetarëve në zonë vazhdimisht kanë ngjallur frikë dhe tensione ndëretnike duke krijuar klimën që qytetarët të përgjigjen në thirrjen e grupeve kriminale kundër autoriteteve të shtetit.

Raportet u kufizuan në deklaratat e dhënë në konferenca për shtyp dhe atë vetëm nga njëra anë e medaljes.

Mediat në Prishtinë transmetuan vetëm deklaratat e analistëve shqiptarë duke shmangur anën tjetër të medaljes, kontaktin me qytetarët serbë të asaj zone përfshirë edhe aktivistë të cilët punojnë çdo ditë në atë zonë. Në raportime u intervistuan vetëm banorë shqiptarë të zonës të cilët të mbushur nga neglizhenca 20 vjeçare nuk  u kursyen nga deklarata nxitëse.

Serbët që në fakt ishin të prekur nga pandemia dhe rreziku nuk u kontaktuan dhe nuk patën hapësirë në raportimet për përhapjen e pandemisë në këto komuna. Si rrjedhojë, askush nuk pyeti nëse në spitalin e Mitrovicës ka barna, nëse aty ka pajisje të ajrimit të pacientëve e poashtu askush nuk pyeti nëse qeveria e Kosovës dërgoi furnizime në atë zonë ashtu siç dërgoi në pjesët e tjera.

Në media u raportuan vetëm kontingjentet me ndihma që erdhën nga Serbia por pa anën e qytetarëve nëse këto ishin të mjaftueshme.

Arsyetimi i parë te gazetarët është se në atë zonë puna e gazetarëve shqiptarë është e rrezikshme për shkak të sulmeve të cilat kanë ndodhur.

Është fakt se gazetarët nuk mund të qarkullojnë lirshëm por kontakti me disa qarqe të shoqërisë civile aktivistësh e gazetarësh profesionist të cilët punojnë në veri është i mundshëm. I mundshëm është edhe kontakti me zyrtarë komunalë e mjekë të zonës të cilët edhe pse me hezitim deklarohen edhe për media me seli në Prishtinë.

Megjithatë, në bazat e gazetarisë kontaktimi i palës tjetër është i domosdoshëm dhe këtu nuk ka përjashtim edhe raportimi për ato çka ndodhin në Zveçan, Leposaviq, Mitrovicën Veriore e Zubin Potok.

Mirëpo paragjykimi se serbët nuk flasin, nuk kanë shoqëri civile aktive e as opozitë aktive shpesh na bën të gabojmë.

Tentativa për të zbatuar këtë parim do garantonte raportim profesional me të gjitha këndet e raportimit duke u dhënë hapësirë edhe njerëzve që jetojnë në atë zonë të tregojnë për hallet e tyre.

Me të gjitha anët e medaljes në storien e tij gazetari, do ishte jashtë agjendave të politikës për ta kontrolluar dhe përdorur veriun për mbulimin e skandaleve të korrupsionit e krimit në të dyja anët e kufirit. Në parim edhe raportimi nga mediat lokale në atë zonë lë shumë për të dëshiruar.

I kontrolluar nga grupet e krimit dhe kontrabandës, demokracia në komunat veriore është e cunguar. Gazetarët lokalë nuk arrijnë të raportojnë për grupet e kontrabandës krimit dhe ato çka ndodhin në veriun e vendit. Madje disa media lokale u larguan nga rrjeti kabllor që është funksional në katër komunat me shumicë serbe.

Shumë prej gazetarëve në Kosovë kanë mësuar në shkollat e gazetarisë se ngjarjet e marsit 2004 u nxitën dhe u shtynë nga raportimet joprofesionale të mediave.

Në fakt në mungesë hetimesh të mirëfillta, faji atëkohë iu la në tërësi mediave duke shmangur lidhjen e politikës e cila solli në situatën ku 30 njerëz vdiqën e shumë prona u dëmtuan në konfliktet ndëretnike në mes serbëve e shqiptarëve.

Për të gjithë më së lehti faji ishte të lihej te mediat ndërsa vetëm dhjetë vjet më vonë një prokuror italian zbuloi se marsi nuk ishte vetëm prodhim i mediave por trazirat u shkaktuan nga një grup i organizuar i përkrahur nga politika. Prokurori Danilo Secilio kishte gjurmuar dhe arritur në konstatimet se marsi 2004 u shkaktua nga grupi i organizuar i cili kishte një mbështetje politike për ta kryer këtë aksion. Informacioni nga kjo aktakuzë shërben si mësim për të gjithë gazetarët për të kuptuar se në raportimet e tyre duhet të shmangin lajmet e porositura e gjithmonë të kontaktojnë të gjitha burimet për ta kuptuar të vërtetën.

Mësimet nga marsi duhet të avancohen tutje për t’i ikur gjuhës triumfuese të një etnie mbi tjetrën.

Gazetarët dhe publiku duhet t’i marrin me dyshim ato çfarë politika i zhvillon në atë zonë.

Me kriticizëm duhet të merren veprimet kur në një ditë proteste në Prishtinë, Presidenti Hashim  Thaçi bëri paradën e tij në liqenin e Ujmanit për të treguar se vendi kontrollohej nga autoritetet e Kosovës apo veprimet kur Marku Gjuriq u arrestua në Mitrovicë dhe në paradë u soll në Prishtinë. Apo edhe paradat e fundit të disa deputetëve të Vetëvendosjes dhe ish-Kryeparlamentarit Kadri Veselit të cilët vizitojnë fshatra e pika kufitare në këtë zonë.

Në media për vizita të tilla dhe operacione të tilla hasim në tituj triumfues të cilët veç tituj profesional nuk janë. “Policia lëvizë autoblindat” apo grupi NN u fut në Mitrovicën Veriore, ky politikan pati guximin ta vizitojë veriun etj… janë tituj joprofesional të cilët duhet shmangur nga diskursi i gazetarëve.

Për fat të keq, kontrolli dhe vendosja e rregullit është e pamundur në ambientin ku veprojmë me mbi 400 portale online dhe mbi 1 milion përdorues të rrjeteve sociale andaj lexuesi duhet të shndërrohet në një filtër të këtyre informacioneve duke larguar faqet të cilat shpërndajnë këto informacione të pasakta.