DW, 20 Vjet Transmetime në Shqip

Në prag të festimit të 20-vjetorit të fillimit të këtij audioprogrami është botuar një libër monografik që ka për autor korrespondentin e saj në Shqipëri, Arben Muka.

“Ja si duhet të informohem!” paraqitet si një përmbledhje e aktivitetit të këtij stacioni gjerman të preferuar nga shqiptarët në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Luginën e Preshevës, Malin e Zi dhe kudo ku jetojnë dhe punojnë shqiptarët në çdo anë të globit. Ndikimi i kësaj radioje me profil europian nuk ka qenë vetëm për informimin e dëgjuesve më zhvillimet më të fundit nga Kosova, rajoni e bota, nuk ka qenë vetëm për të pasqyruar pikëpamjet e qarqeve më të rëndësishme europiane dhe ndërkombëtare për aktualitetin dhe perspektivën, por dhe një mbështetës për kualifikimin e shumë gazetarëve shqiptarë në rajon.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, në një prononcim enkas për këtë botim është shprehur: “Radio DW në shqip është një radio që dëgjohet, çmohet dhe respektohet për informim të saktë, të drejtë dhe të shpejtë. Nëpërmjet emisioneve të Radios DW hapen çështje dhe problematika që zgjojnë interes, ndërsa qasja profesionale ndihmon në kuptimin dhe në zgjidhjen e tyre”.

Në periudhën para, gjatë dhe pas krizës në Kosovë, Radio DW ishte burimi më i besueshëm dhe i pazëvendësueshëm për shqiptarët e Kosovës dhe jashtë saj. Në valët e saj vinte atmosfera e zhvillimeve dramatike në terren, por dhe opinionet e kancelarive auro-atlantike për vendimmarrjen dhe rrugëzgjidhjet për të ndalur dhunën e represionin e Beogradit zyrtar dhe makinës ushtarake serbe ndaj popullsisë së pafajshme.

Në një kapitull të veçantë autori ka përfshirë shumë opinione të dëgjuesve të DW, një pjesë e mirë e të cilave janë nga Kosova. “Ja si duhet të informohem!” është botuar nga Instituti Shqiptar i Medias në Tiranë. Më herët gazetari Arben Muka ka botuar dhe disa libra të tjerë nga fusha e medias, kryesisht për radiogazetarinë.