“EtnoFest 2024”. Foto: EtnoFest.

Dita e gjashtë e “Etno Fest 2024”: Lumturi është me u taku me veten në qetësi

Festivali “Etno Fest 2024” po i afrohet pikës kulminante. Mario Biagini, artist i njohur italian, me shumë dashuri e përkushtim po punon në zbërthimin e temës së shfaqjes “Etja” me vijuesit e laboratorit Grotovski, duke futur elemente të etnosit – këngë e valle shqiptare, melodinë e duhur të shfaqjes e cila trajton problemet e njeriut modern – tëhuajësimin, tjetërsimin deri në përhumbje.

Të shtunën përmbyllet puna e laboratorit dhe jepet produkti i punës intensive njëjavore – shfaqja “Etja”.

Debati: Liria si proces, çast apo synim

Si uverturë për debatin për lumturinë, çka është, si mund të përkufizohet, aktorja Sheqerie Buçaj performoi në temën lumturisë bazuar në poezitë e Sibel Halimit. “Do të qesh edhe kur vetja do të më del përpara…do të qesh dhe do të vrapoj drejt vetes si e marrë…”.

Interpretimi inventiv i poezisë së Sibel Halimit preku në thellësinë e qenies njerëzore që të vërtetën e thotë me heshtje aty ku edhe mund të banojë lumturia. Duhet të mësohemi si me e dashtë qetësinë, buzëqeshjen, pavarësisht rrëzimeve. “Liria është fustani im…i preferuar që më bën të ndihem e lumtur.” Çka është lumturia? Ndjenjë çasti, dëshirë e bërë realitet, fjalë që thuhet apo heshtet apo thjesht një gjendje e pashpjegueshme.

Sibel Halimi përmes interpretimit të Sheqerie Buçajt në kërkim të lumturisë prek thellësi të fshehura aty ku mund të ngjizet lumturia.

Pas performancës në temën e lumturisë, Fadil Hysaj në fjalën hyrëse përmendi një histori epidemie vallëzuese në Strasburg shekuj më parë të cilët kanë vallëzuar lumturisht deri në vdekje për të shpëtuar nga një epidemia shfarosëse.

Në pyetjen pse e synojmë lumturinë dhe çka është ajo, panelisti Nezir Kraki, profesor i filozofisë në Paris, tha se për lumturinë secili ka një kuptim të veçantë. Lumturia mbetet si proces, synim që e motivon individin.

Çelësi, sipas Krakit, është liria, ajo sipas tij është baza e lumturisë. Andaj kosovarët ende shprehen të lumtur veçse jetojnë të lirë. Kjo nuk vlen për intelektualët të cilët nëse janë të lumtur nuk janë intelektualë?!

Ndërsa, Agim Selimi, psikolog dhe regjisor, e përkufizoi lumturinë si një gjendje e brendshme e emocioneve pozitive.

Baza e lumturisë, sipas Selimit, është dashuria, pastaj vjen liria si mundësi e zgjedhjes. Kusht tjetër është kompetenca. Nevoja e katërt që thërret lumturinë është argëtimi si nevojë e të gjithëve. Sepse në instancë të fundit të lumtur na bën vetëm vetja, pra secili e ka në dorë lumturinë e tij duke qenë se lumturia është zgjedhje e cila nuk jep rezultat por është rrjedhë, harmoni. Meqë lumturia lidhet me mendësinë Selimi konstaton se njerëzit me mendësi të ngurtë përjetojnë më pak lumturinë sesa ata me mendësi rritëse, e cila i do dhe tejkalon sfidat në kërkim të lumturisë.

Naim Telaku, psikolog, tha se shpesh njerëzit më pak të lumtur janë më të sukseshëm dhe se lumturia nuk mund të pritet nga jashtë. Për të qenë i lumtur duhet të kënaqesh me pak dhe ta mundësh letargjinë. Ajo varet edhe nga raportet me njerëz të tjerë, por gjithherë është siç thotë poetja Sibel Halimi: “me pasë qetësi dhe me ndjek yjet si synim”.

Fadil Hysaj e përmbylli debatin duke akcentuar rëndësinë e artit në kapërcimin e frikës e cila e përjashton lumturinë. Arti, Teatri kanë mision në tejkalimin e barrierave që i prodhon frika.

Vetëm kur arrihet shpirtërorja njeriu mund të prekë lumturinë, konstatoi Fadil Hysaj.

Ansambli i këngëve dhe valleve “Deçani” nga Deçani dhe grupi nga Podguri

Paraqitja simpatike e ansamblit “Deçani” nga Deçani me një program të pasur nisur me këngën e çikave kënduar me fyt, pastaj vallëzimi ritual i kositjes së barit nga djemtë derisa vajzat këndojnë, pastaj mblidhet sana dhe rrëfimi përmbyllet hareshëm. Ansambli ekzekutoi edhe “Këngë djepi”, vallja e vajzave me def dhe kënga humoristike e vajzave, për të përmbyllur paraqitjen me vallen e Rugovës.

Loja me kapuça

Sidomos ishte atraktive loja e vjetër e kapuçave, e luajtur nga burrat e Podgurit nga Istogu. Në finale të lojës këndohet kënga e fituesve të cilës iu bashkëngjitën edhe spektatorët.

Plaku 85-vjeç, lojtar i lojës së kapuçave, evokoi kujtimet kur kishte qenë mësues në Kukaj e sonte ishte në funksion tjetër.

I emocionuar ai recitoi një poezi patriotike për lirinë dhe pavarësinë, për unitetin si një gjendje e kombit që do shkakton lumturinë.

“Etno neja” me Vesa Smolicën

Atmosfera e mirë, sado qielli vetëtinte e bubullonte, u bart në skenën e koncerteve ku mysafirët e “Etno nejës” po i priste Vesa Smolica, e cila i argëtoi  të pranishmit me këngë nga repertori i saj, e ndezi atmosferën e etno nejës duke kënduar bashkë me mysafirët. Entuziazmi shprehej me vallëzim popullor të cilin po e mësonin një grup vajzash mërgimtare.

Secilin moment të përmbajtësuar me këngë, vallëzim, teatër, biseda, debate, e takime të shumta, ushqime tradicionale “Etnofestin” e përshkojnë frekuenca të ndjenjave të mira që prekin lumturinë.

“EtnoFest 2024”. Foto: EtnoFest.

 

“EtnoFest 2024”. Foto: EtnoFest.