Disa arsye përse mediat e Kosovës nuk duhet t’i citojnë ato të Serbisë

Një medium i afërt me pushtetin në Serbi para tre vitesh keqpërdori fotografinë e një të moshuari kosovar për të sajuar një lajm me qëllim që të hidhte re të zeza mbi sistemin shëndetësor në Kosovë.

Ishte koha kur personeli shëndetësor protestonte për kushte më të mira për punë, ndërsa mediat e afërta me pushtetin në Serbi kujdeseshin që ta rëndonin edhe më tepër situatën duke e përdorur propagandën si mjet.

hulumtimin e bërë atë kohë rezultoi që gjithçka në lajmin e sipërpërmendur ishte gënjeshtër, manipulim dhe trillim.

Për më tepër, lajmi ishte publikuar nga një verzion online i një gazete që pak vite më vonë do të klasifikohej si medium i afërt me pushtetin në Serbi nga Twitter, mikroblogu më me ndikim në kohën e sotme.

Sipas mediave lokale Twitter ka vendosur shkrimin media-state affiliated në ditoret si Telegrafi, Kuriri, Informer, Politika, dhe tri televizione Happy, Prva TV dhe B92, portalin online te televizionit Pink gjithashtu për agjencinë e lajmeve Tanjug.

Twitter i definon mediat që kanë lidhje me shtetin si të tilla ku ushtrohet kontroll mbi përmbajtjen editorial nëpërmjet burimeve financiare, kontroll mbi prodhimin dhe shpërndarjes dhe presionit politik direkt ose indirekt.

Përveç llogarive zyrtare  në Twitter, kryeredaktorët ose stafi i tyre lartë mund të etiketohen si persona të lidhur me pushtetin, rrjedhimisht të pabesueshëm.

Përtej zonës së mediave sociale, organizatat ndërkombëtare që avokojnë për të drejtat e gazetarëve dhe liri të shprehjes kanë lëshuar alarmin për kontroll të shtuar të mediave nga pushteti i Aleksandër Vuçiqit prej vitesh. Kjo situatë është reflektuar edhe në renditjen numerike sidomos nga 2017 e tutje kur Vuçiqi mori presidencën në Serbi.

Për shembull, sipas organizatës joqeveritare Reporterët Pa Kufi, pozicioni i Serbisë në renditjen botërore të lirisë së shprehjes ka shkuar nga vendi i 66-të në vitin 2017 në vendin 93-të në vitin 2020. Freedom House, një organizatë tjetër jo qeveritare që kryen hulumtime për liritë politike dhe të drejtat e njeriut, e ka ulur vlerësimin për gjendjen e mediave në Serbi.

Sipas Freedom House Serbia e vitit 2020 konsiderohet si vend me media pjesërisht të lira për herë të parë pas një dekade, duke i lënë prapa statusin e një vendi me media të lira.

Për arsyet e kësaj situate, Freedom House në raportet e saj i referohet parregullsive gjatë zgjedhjeve, kërcënimeve ligjore dhe fushatave urrejtëse kundër gazetarëve të pavarur.

Freedom House, por edhe organizata të tjera një pjesë të madhe të fajit për gjendjen e mediave dhe gazetarisë prej vitesh ia faturojnë Aleksandër Vuçiqit, presidentit të Republikës së Serbisë.

Raportet e organizatave kredibile ndërkombëtare dhe vendimet e fundit te mediave sociale nuk i pengojnë disa portale në Kosovë që të shërbehen me lajme nga mediat serbe, që për shkak të lidhjeve me pushtetin kur shkruajnë për Kosovën zënë vend qëllime të tjera në vend të informimit të saktë. Zënë vend mesazhet propagandistike, trillimet dhe manipulimet e opinionit të gjerë publik. Java e fundit e shtatorit u karakterizua me zhvillime politike dhe ato të sigurisë që kërkojnë mbulim profesional gazetaresk.

Por, siç ka gazetarë profesionistë të cilët prej disa ditësh raportojnë me gjuhën e fakteve nga vendi i ngjarjes, ashtu edhe ka të tillë që nga karrigeja e zyrës përkthejnë lajme nga mediat e afërta me presidentin e Serbisë, të denoncuara si të tilla nga organizatat ndërkombëtare.

Propaganda si mjet për të manipuluar opinionin publik është studiuar për herë të parë pas Luftës së Parë Botërore.

Studiues të shkencave sociale në vitet njëzet, të shekullit të kaluar zbuluan se qeveritë vazhdimisht ishin mbështetur në divizionet propagandistike për të shpërndarë informacione për publikun gjatë luftës.

Krejt në fillim propaganda ishte konsideruar si një forcë mobilizuese e popullit. Por pas disa vitesh studimi, hulumtuesit konsideruan që divizionet propagandistike qeveritare bazoheshin në gjysëm të vërteta me qëllim të manipulimit të opinionit publik në periudha krizash.

Harold Lasswell, një nga inovatorët më të spitakur në shkencat shoqërore të shekullit të kaluar, do ta definonte propagandën si mjet që e kontrollon opinionin publik nëpërmjet thashethemeve, fotografive dhe formave të tjera të komunikimit.

Epoka dixhitale e komunikimit e plotëson definicionin e propagandës sikurse efektin e saj, me veçori të tjera që pashmangshëm rrisin fuqinë e propagandës.

Nga një perspektivë më e gjerë gjeopolitike, propaganda dixhitale definohet si mjet efektiv ushtarak për arritjen e qëllimeve politike dhe strategjike në një mënyrë që e tejkalon fuqinë e forcës së armëve.

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq, ditëve të fundit ka kërcënuar Prishtinën zyrtare duke i ngritur helikopterët dhe avionët luftarak në ajër, ndoshta edhe duke i shëtitur tanket brenda territorit të Serbisë. Por propaganda dixhitale e tij ka kohë që e shqetëson, para së gjithash raportin e lexuesve me mediat edhe në Kosovë.