Çekani i drejtesise - Ilustrim

Detyrat që e presin Ministren/in e Drejtësisë për përmirësimin e sundimit të rendit dhe të ligjit

Në qeverinë e re, mandati i Ministrit të ri të Drejtësisë do jetë krucial në përcaktimin e drejtimit mbi të cilin do të ndërtohen themelet e një shteti ligjor në Kosovë.

Duke hequr nga lista vendimet për territorin vendimet që duhet të merren nga Ministria e Drejtësisë i prijnë listës për reform në shoqërinë tonë

Kjo analizë sjell në vëmendje gjendjen dhe nevojën për ndryshime të cilat duhet të derivojnë nga Ministria e Drejtësisë sipas mandatit të përcaktuar ligjor. Vendimet e mëdha pritet të merren në katër vitet e ardhshme përkatësisht Ministrja/i i ri duhet të vendosë për krijimin e një mekanizmi funksional ligjor për kontrollin e cilësisë dhe integritetit të gjykatësve dhe prokurorëve.

Ministri duhet të vendosë në mes propozimit për përpilimin e ligjit antimafia i cili do kontrollonte pasurinë nga viti 1999 apo vetëm dhjetë (10) vitet e fundit.

Përkundër që nuk janë në mandatin e Ministrisë së Drejtësisë (Kushtetuta e ka ndarë gjyqësorin si shtyllën e tretë të shtetit), në vorbullin e diskutimeve publike dhe politike  ku të gjithë janë fokusur në punën nëse prokuroria dhe gjykata po i përmbushin detyrimet dhe objektivat e parapara në kuadër të mandatit të tyre e mbi të gjitha nëse është rritë efikasiteti dhe efektiviteti i gjyqësorit dhe prokurorëve për paratë që qytetarët po i paguajnë pas rritjes së fundit të pagave, Ministria e Drejtësisë ka krijuar përshtypje të përgjithshme se këto debate po bëhen me qëllim për t’u shmangur nga problemet e mëdha që i ka Ministria e Drejtësisë.

  • Askush nuk flet për kapjen e sistemit noterial dhe faktit që në vitet e ardhshme vendi do ketë Noter që në bazë të percepcionit publik kanë kaluar nëpër një process shumë të dyshimtë
  • Askush nuk flet për sistemin e dështuar korrektues e sprovues
  • Askush nuk flet për dështimet gjigande të avokaturës shtetërore në mbrojtjen e shtetit para gjykatve përkatësisht procedurat e inicuara me padi
  • Dështimet në procesin e ligjbërjes dhe huqjeve gjigande në reformën legjislative.

Si avokate kam dëgjuar shumë për reformën legjislative por, po jap vetëm disa shembuj ku ligjet e promovuara nuk zgjidhin problemet.

  • Legjislacioni i ri për trashëgëminë nuk i jep zgjidhje rasteve si ai i Shyhrete Berishës
  • Ligji i ri për disciplinimin e gjyqtarëve nuk ka paraparë mekanizma se si disiplinohen gjykatësit e Gjykatës Supreme andaj, është dilemë juridike dhe faktike nëse Gjyqtarët në fjalë janë mbi ligjin.
  • Paqartësi juridike dhe faktike me themelimin e Departamentit Special në Gjykatën Themelore në Prishtinë se cka ndodhë me lëndët që janë në procedurë gjyqësore
  • Mangësitë themelore që i ka sektori i sundimit të ligjit është harmonizimi i ligjeve mes vete dhe brenda vetes si elemente absolutisht i rëndësishëm dhe luan një rol kyç në përmirësimin e sundimit të ligjit p.sh. ka disa shembuj në kuadrin ligjor ku ligjet janë në kolizion me njëri tjetrin ose edhe më keq kur p.sh “Kodi i Drejtësisë për të Mitur” (06/L-006) i cili e ka shfuqizu “Kodin e Drejtësisë për të Mitur” (03/L-193) igj i cili në dispozitat kalimtare e shfuqizon Kodin e vjetër të Drejtësisë për të Mitur 6 muaj para se Kodi i ri të hyjë në fuqi

Tutje, ndër dështimet me të përfolura muajve të fundit është provimi i Noterisë. Aplikantët që iu nënshtruan provimit ishin absolutisht të mllefosur për shkak të pretendimeve për konflikt të interesit nga parashtruesit e pyetjeve dhe aplikantët.

Pa u marrë me analizimin e ankesave dhe pretendimeve për parregullsi, Ministri i Drejtësisë doli me deklaratë për opinionin që të mbrojë qëndrimin e Komisionit se rezultati në provimin e Noterisë ishte real dhe nuk kishte pasur keqpërdorime gjatë procesit edhepse ata të cilët iu nënshtruan provimit kanë ofruar dëshmi publike se jo çdo gjë ka qenë siç është prezentuar.

Për më tepër, poashtu është çështje jashtëzakonisht e kontestueshme edhe provimi i jurisprudencës dhe efekti që i njëjti ka prodhuar për sistemin juridik në Kosovë.  Juristët të cilët e kanë kaluar provimin e jurisprudencës janë gjyqtarë, prokurorë dhe avokatë që u shërbejnë qytetarëve të Kosovës në bazë të mandatit të tyre ligjor, por efikasiteti, efektiviteti dhe pakënaqësitë e palëve në raport me këta shërbyes janë jashtëzakonisht të mëdha. Ky provim mund të konsiderohet edhe si hyrje nga dera e prapme e politikës në sektorin e drejtësisë.

Këto parregullsi kanë burimin në dy ligje të ndryshme:

Ligji 04/L-141 për Provimin e Jurisprudencës, përkatësisht neni 4.2 thekson se kryetarin, anëtarët e komisionit dhe zëvendësit e tyre propozohen nga ministri I drejtësisë ndërsa emërohen nga antarët e Kuvendit të Kosovës. Ndikimi i madh i faktorit politik në testim qoftë të jurispudencës apo noterisë është i paarsyeshëm dhe është dëshmuar se në 20 vitet e fundit vetëm e ka kolapsuar sistemin e drejtësisë.

I njëjti rast është edhe me provimin e noterisë ku në Nenin 6.1. thuhet se Komisioni vlerësues për provimin zgjedhet drejtpërdrejtë Ministri i Drejtësisë dhe jemi dëshmitarë që kjo e drejtë ligjore në kontekstin e Kosovës është lehtë dhe thjeshtë të manipulueshme.

REKOMANDIME:

Amandamentimi i ligjeve të cekura me lartë në mënyrë që:

Procesi nëpër të cilin kalon vlerësimi i provimit të jurisprudencës ka të involvuar shumë faktorin politik.  Propozimi i antarëve të komisionit nga Ministri i Drejtësisë dhe aprovimi i tyre nga Kuvendi në letër duken mirë por në realitet lënë shumë për të dëshiruar rreth demokracisë. Dihet se ministri është pjesë e Qeverisë e cila domosdoshmërisht duhet t’i ketë shumicën e votave. Kjo rezulton se zgjedhja e antarëve të Komisionit bëhet nga vetë Ministri. Një diskrecion i tillë për këtë proces është shumë i lartë dhe demokracia në vend nuk është në stadin ku domosdoshmërisht do të nëkupton vlerën dhe meritoracinë si pjesë të domosdoshme të procesit .  Andaj,  propozimi është që anëtarët e komisionit të zgjidhen nga institucionet për të cilët provimi i jurisprudencës është kusht i domosdoshëm  përkatësisht,  Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës, Oda e Avokatëve të Kosovës, Oda e Përmbaruesve të Kosovës dhe Universiteti i Prishtinës. Bordet e këtyre institucioneve e zgjedhin përfaqësuesit e tyre të cilët me anë të votimit zgjedhin 5 anëtarë të komisionit vlerësues dhe 5 zëvendësit e tyre.

Provimet bëhen vetëm me shkrim dhe të gjitha në mënyrë anonime që të hiqet mundësia e vlerësimeve subjektive (manipulimeve potenciale) nga ana e komisionit.

Administrimi i provimeve të bëhet në kuadër të Akademisë së Drejtësisë dhe Ministria e Drejtësisë ka rol mbështetës (administrativ) të procesit ( ruajtja e dosjeve, aplikimi, përpilimi i listave etj).

Shënim: nuk ka nevojë për buxhet shtesë.

Në anën tjetër zgjedhja e antarëve të komisionit për provim të Noterisë nga ana e Ministrit është komplet jodemokratike. Propozimi është që Ministria të mirret vetëm me administrimin e përgjithshëm të provimit të noterisë ndërsa zgjedhja e antarëve të komisionit të bëhet nga Oda e Noterëve (2 anëtarë), Këshilli Gjyqësor i Kosovës (1 anëtar), Bordi i Dekanatit të Fakultetit Juridik të UP (1 anëtar) dhe Ministria e Drejtësisë (1 anëtar). Testi i noterisë duhet të  me shkrim vetëm dhe vlerësimi të bëhet me komjuter (p.sh. ngjashëm me testin e maturës), testet të kodohen me shifra dhe listat të shpallen 24 orë pasi që komisioni të i dorëzojë raportet e vlerësimit. Kjo metodë besoj që e zvogëlon mundësinë e manipulimeve gjatë kontrollimit të testit.

  1. Përfaqësimi i autoriteteve publike në procedurat gjyqësore dhe të arbitrazhit

Përfaqësimi i shtetit në procedura Gjyqësore dhe të arbitrazhit do të duhej të ishte fokusi kryesor i Ministrisë së Drejtësisë. Përkundër, që Avokatura Shtetërore në bazë të ligjit është e thirrur që të përfaqësojë institucionet publike ( të gjitha entitetet që financohen nga buxheti i Kosovës), mirëpo vetëm në mandatin e fundit të Qeverisë, disa nga dështimet e Avokaturës Shtetërore e cila është pjesë e Ministrisë së Drejtësisë i kanë kushtuar rreth 70 milion euro buxhetit të Kosovës dhe atë vetëm me rastet e Post-telekomit duke angazhuar Avokatë të jashtëm, përkatësisht duke kontraktuar shërbimet juridike te kontraktorët e jashtëm (shpenzim i dyfishtë). Ministria e Drejtësisë ka dështuar që të ngrisë kapacitetet e Avokoaturës Shtetërore përkundër që me ligj gjithe përfaqësimin e institucioneve të shteti ua ka bartë të njëjtëve. Ndërsa këto humbje janë regjistruar në buxhet, as Ministri i Drejtësisë, përkatësisht udhëheqësit e Avokaturës Shtetërore nuk kanë sqaruar për publikun rreth dëmtimit të buxhetit shtetëror. Duke u bazuar në Nenin 8 të Ligjit nr. 04/L-157 për Avokaturën Shtetërore, kjo e fundit përfaqëson, jep këshilla dhe mbron autoritetet publike të Republikës së Kosovës.

Si rrjedhojë përkatësisht rezultat i këtyre dështimeve ( humjes në Arbitrazh) , sot shohim një PTK e cila është në prag të falimentimit, ndërsa Ministria e Drejtësisë vazhdon me punët e përditshme pa treguar aspak përgjegjësi për këto humbje. Në buxhetin e vitit 2019 , qytetarëve të Kosovës ky deparatement i ka kushtuar € 138,622 dhe ka të punësuar 14 Avokatë.

Në mënyrë që të kemi një departament më efektiv brenda institucionit ( Ministrisë së Drejtësisë), duhet që punëtorët të zgjedhen duke përdorur kriteret më të larta dhe të njëjtit të vlerësohen dhe/ose ndëshkohen në rast të performancës së dobët. Ligji për Avokaturën Shtetërore e parasheh performancën e dobët të Avoaktit Shtetëror si arsyeje për shkarkim nga puna, deri më tani nuk është parë asnjë vlerësim i performancës edhe pse percepcioni i përgjithshëm i publikut është se në përfaqësimi nga Avokatura Shtetërore ka shumë dështime në përfaqësimet e lëndëve në Gjykatat e Kosovës.  Për më tepër, vlerësimi i përformancës do të duhet të bëhet çdo gjashtë (6)  muaj në vend të çdo 1 vit, dhe nëse një avokat ka 3 performanca të dobëta atëerë ai/ajo largohet nga pozita e punës, sepse humbjet buxhetore sikur këto të fundit (p.sh. Arbitrazhi lidhur me PTK) lidhur me Kosova nuk mundet t’i përballoj në të ardhmen. Këto raporte duhet të i’u tregohen taksapaguesve në mënyrë që procesi të jetë sa më transparent dhe t’i kthehet besimi qytetarëve në Ministrinë e Drejtësisë.

REKOMANDIM:

Avokaturës shtetërore përpos 14 avokatëve duhet shtuar edhe 7 bashkëpunëtorë profesionalë me qëllim të përfaqësimit përmbajtësor në çështjet para gjykatave dhe të shërbejnë si hulumtues dhe analistë ligjor në shërbim të institucioneve publike të Kosovës.

Shënim:  Këto dy ndryshime, do t’i kushtonin buxhetit të Kosovës 271,212 euro por do të rrisnin nivelin e përkushtimit tek avokatët shtetëror.

  1. Personat e zhdukur

Në të kaluarën hulumtimi dhe gjetja për personat e zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë ishte pika kryesore e çdo fushate elektorale dhe lobimi përkatësisht prezentimi i çelësit të mundshëm  shërbente që të arrihej fitorja e mundshme në zgjedhje. Kohëve të fundit, pak e hiç flitet për këto viktima, ndërsa Qeveritë nuk kanë shpalosur asnjë plan se si do të kërkohen apo gjinden këta persona. Mendohet se janë më shumë se 1500 viktima të zhdukura ndërsa familjarët e tyre nuk janë në dijeni se kur Qevertië udhëheqëse do të përkushtohen në gjetjen e tyre.

Legjislatura e IV-të e Republikës së Kosovës ka miratuar “Ligjin për Persona të Zhdukur” mirëpo, miratimi i të njëjtit nuk sjell në dritë të vërtetën e këtyre viktimave. Në anën tjetër,  që nga përfundimi i luftës e deri në ditët e sotme Ministria e Drejtësisë nuk ka përpiluar asnjë raport hulumtues (ashtu siç parashihet ne mandatin e tyre ) për krimet e luftës të kryera qoftë nga shqiptarët apo serbët në kuadër të planit të punës dhe zhvillimeve në fushën e drejtësisë tranzicionale dhe katër shtyllave themelore të identifikuara sipas Kombeve të Bashkuara (të vërtetës, drejtësisë, dëmshpërblimi, garancionit për mos përsëritje). Harrimi i shpejtë i të kaluarës është edhe fakti kryesor i mosgjetjes së viktimave të luftës dhe humbjeve të vazhdueshme të shtetit të Kosovës në negociatat të cilat kryesisht janë mbikqyrë dhe mbështetë nga kouniteti ndërkombëtar me  Serbinë.

REKOMANDIME:

Në mënyrë që të gjejmë zgjidhje për problemet duhet të ri-shikohen praktikat e shteteve të ndryshme të cilat kanë kaluar nëpër histori të ngjashme, e të mirren shembujt më të mirë të suksesit.

Krijimi i komisioneve të së vërtetës ka rezultuar të jetë e sukseshme në të kaluarën për shtetet që janë ballafaquar me tranzicionin e pas-luftës. Si mundësi, poashtu mund të konsiderohet edhe shtimi i kapaciteteve (p.sh. ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë  të forenzikës  që të ndihmojnë në grumbullimin e provave dhe dëshmive në rastet konkrete) në kuadër të institucioneve përgjegjëse  për hetimin e krimeve të luftës do të gjente fakte shtesë për t’i vënë në bankës e drejtësisë  kryesit e krimeve.

Strategjia për Drejtësinë Tranzicionale është përpiluar nga ekspertët vendor me  mbështetje të UNDP dhe e njëjta është dorëzuar në zyrën e Kryeministrit Mustafa, mirëpo tashmë nuk dihet se a është duke u aplikuar ajo strategji, apo a ka ndonjë plan aplikimi për të ardhmen.

Shënim:  Në Ministrinë e Drejtësisë është themeluar Departamenti për Drejtësinë Tranzicionale për të cilin janë destinuar 45,861 euro (buxheti i vitit 2019) dhe janë shatë (7) zyrtarë të punësuar në këtë departament por, publiku duhet patjetër të informohet lidhur me të arriturat e këtij departamenti!

  1. Ushtrimi i mbikëqyrjes ekzekutive mbi tërë shërbimin korrektues dhe sprovues

Duke u bazuar në përgjegjësitë e Ministrisë së Drejtësisë rrjedh se njëra nga përgjegjësitë kryesore të saj është menaxhimi dhe administrimi i Shërbimit Korrektues dhe Sprovues të Republikës së Kosovës. Krahasuar me nivelin e përgjegjësisë që ka Ministria e Drejtësisë ndaj këtij institucioni, të bëmat e saj në përmirësimin e sistemit lënë për të dëshiruar. Shërbimi korrektues ende merret me probleme themelore të cilat janë qesharake për shërbimet korrektuese evropiane të shekullit XXI. KMDLNJ disa herë ka raportuar se Shërbimet Korrektuese në Kosovë nuk kanë staf të mjaftueshëm mjekësor që të trajtojn të burgosurit në rast të sëmundjeve, mirëpo të njëjtit duhet të dërgohen në Qendra të Mjekësisë Familjare apo në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës që të trajtohen për sëmundje të lehta. Qytetarët e Kosovës kanë qenë dëshmitarë se si të dënuarit e kanë kaluar pothuajse tërë dënimin në klinikat e QKUK. Në anën tjetër shërbimet korrektuese nuk kanë as medikamentet themelore për trajtimin e të burgosurve, mirëpo ato duhet të sigurohen nga familjarët dhe të njëjtat të futen brenda shërbimit korrektues. Për më tepër disa herë është raportuar se ndodh që brenda vet shërbimit korrektues dhe sprovues , e kjo e rritë rrezikshmërinë e futjes së sendeve të palejueshme brenda burgjeve.

Mangësitë e sistemit korrektues dhe sprovues në Kosovë kanë reflektuar në masë të madhe edhe ngritjen e kriminalitetit në njërën anë dhe në anën tjetër në pamundësinë e të dënuarve për vepra penale që të ri-socializohen dhe bëhen pjesë e shoqërisë.

Cenimi i konfidencialitetit Avokat-Klient për shkak të pamundësisë që të ketë një zyre të ndarë ku të njëjtit do të diskutonin për çështje konkrete. Si Avokat shumë herë jam gjetur ne situatë kur disa avokatë kemi biseduar me palët në të njëjtin vend dhe në të njëjtën kohë.

REKOMANDIM

Të përpilohen dhe aprovohen planet për edukim dhe aftësim profesional të burgosurve në mënyrë që pas përfundimit të dënimit të bëhen pjesë integrale dhe e dobishme e shoqërisë. Të bëhen analiza të mirëfillta kriminologjike dhe penologjike për kriminalitetin në Kosovë.

Për çështjet penale -juridike në fazën e hetimeve ose lëshohen për mbrojtje në liri me qëllim  të sigurimit të hetimeve dhe ose mbarëvajtjes së procedurës shumë shpesh caktohet paraburgimit (masë për sigurimin e pjesëmarrjes së të pandehurit) mendoj që për shkak të ruajtjes së buxhetit të shtetit më shpesh duhet caktuar arresti shtëpiak POR duhet që të pandehurve t’u vendosen “byzykyku elektonik i të burgosurit” ( electronic monitorig system) për të cilën ka bazë ligjore por asnjëherë nuk është zbatuar.

Shënim: Çmimi mesatar i një byzylyku elektonik është 100.00 dollarë amerikanë për njësi d.m.th. 3500 shtetit do të i kushtonte 350,000.00 dollarë (sipas kursit zyrtar të dt. 23.09.2019 do të kushtonte 320,000.00 euro) që do të kursente ushqimin dhe monitorimin fizik nga ana e policise etj.

Sigurimi i hapësirave ku të burgosurit do të takoheshin me avokatët e tyre me qëllim të mbrojtjes së konfidencialitetit të raportit të tyre.

  1. Zhvillimi i politikës së sundimit të ligjit

Sundimi i rendit dhe i ligjit është njëri nga elementet kryesore të forcimit të shtetit dhe tërheqjen/sigurimin e investimeve të huaja neë secilin shtet. Në gjendjen që gjendet Kosova është shkëputje e plotë mes sundimit të ligjit dhe zhvillimit ekonomik.  Përderisa,  arritja e sundimit të ligjit është sfidë në vete, Republika e Kosovës përkatësisht Ministria e Drejtësisë nuk ka bërë mjaftueshëm që të siguroj qytetarët se Sistemi Gjyqësor i Kosovës  është i pavarur  për faktin që Ministria e Drejtësisë shumë shpesh në publik ka dalë  me rparaqitje të të dhënave lidhur me sektorin e drejtësisë dhe mbi të gjitha i kanë marrë të gjitha meritat lidhur me rritjen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, përkundër që kjo nuk është varur nga të njëjtit ngase equivalenca në paga është e percaktuar me Ligjin për Gjykatat. Kjo rrethanë qytetarëve ju ka krijuar percepcionin që Gjykatatat dhe Prokuroritë varen nga  ekzekutivi dhe pavarësia e tyre në sytë e publikut është e dikutueshme. Për më tepër, qeveritë ndër vite dhe sidomos qeveria e fundit/në ikje, e ka forcuar bindjen e qytetarëve se sistemi  drejtësisë është  dhe/ose duhet të jetë nën ndikim nga politika, kur Kryeministri e quan një prokuror “hajn i pulave” dhe se ai nuk është i denjë të hetojë për krimet e kryera përkatësisht, në rastin e veteranëve të UÇK.

Poashtu, është e çuditshme që zyrtarët jo gjyqtarë (stafi mbështetës i sistemit gjyqësor të Kosovës) është pjesë e shërbyesve publikë dhe nuk është pjesë e sistemit gjyqësor. Kjo qasje përkatësisht politikë-bërje, sipas standardeve të shteteve demokratike dhe atyre që e forcojnë dhe ruajnë pavarësinë e gjyqësorit paraqet cënim të pavarësisë dhe ndikim i gjyqësorit nga “dera e pasme” dhe që politika në mënyrë klandestine ndikon në sistemin gjyqësor. Nëse këtë e vëmë në kontekstin praktik d.m.th. nëse gjyqtari disiplinohet dhe/ose ndëshkohet për shkelje të rregullave të drejtësisë, kjo masë si e tillë është vështirë të realizohet me zyrtarët ligjorë ngase, ata janë zyrtarë publikë dhe në rast të shkeljeve të detyrave të punës dhe/ose zbulimit të sekretit të punës (p.sh. të informohet i pandehuri se Gjyqtari i procedurës paraprake ka lëshuar urdhëresë për lëshimin e urdhërit për përgjim të telekomunikimit ose diçka e ngjashme etj) për ta zbatohen procedura të tjera. Madje gjatë punës sime shumë shpesh janë shtyer seancat gjyqësore dhe/ose kanë zgjatë më shumë se që duhet në mungesë ose për mospajtime në mes të gjyqtarëve dhe zyrtarëve ligjorë. Gjyqtarët e kanë pranuar se nuk mund të kenë ndikim në zyrtatët mbështetës të gjykatave. Ky është një precedent i rrezikshëm që e atakon ndikon pavarësinë e gjyqësorit.

Ndryshimet e Ministrisë së Drejtësisë në ligjin për Avokatinë

Sikurse sferat tjera të drejtësisë në Kosovë, edhe Avokatia si pjesë e saj ngërthen në vete probleme me trajtimin e të cilave Qeveria, përkatësisht Ministria e Drejtësisë nuk i ka adresuar fare. Avokatia e Kosovës dhe puna e avokatëve rregullohet me Ligjin nr. 04/L-193 për Avokatinë i cili është publikuar në gazetën zyrtare të Republikës së Kosovës në vitin 2013. Që nga ai vit, sistemi i drejtësisë në Kosovë ka kaluar nëpër shumë ndryshime të cilat Ministria e Drejtësisë nuk i ka harmonizuar në Ligjin për Avokatinë.

REKOMANDIM:

Të inicohet rregullimi ligjor të çështjes së definimit që stafi mbështetës i gjykatave dhe prokurorive të kalojë në sistemin gjyqësor . Kjo çështje duhet rregulluar me urgjencë edhe për faktin që me “Ligjin për zyrtarët publik” (06/L-114) ka hyrë në fuqi këto ditë dhe i gjithë rekrutimi i zyrtarëve publik është centralizuar ne Ministrinë e Administratës Publike (duke e perfshirë edhe zyrtarët e sistemit gjyqësor) për të ruajtur pavarësinë e sistemit gjyqësor me të gjithë të punësuarit në kuadër të të njëjtit.

Harmonizimi i ligjeve është tjetër hallkë që e lëndon mjaftueshëm sistemin e drejtësisë. Përkundër që Kosova bënë një punë të mirë në ofrimin e ligjeve dhe kushteve për çasje në Gjykata të gjithë qytetarëve, Ministria e Drejtësisë nuk i ka kushtuar kujdes të mjaftueshëm harmonizmit të ligjeve me njëra tjetrën dhe në anën tjetër, faktit se ekziston divizioni për harmonizimin e ligjeve brenda Ministrisë së Drejtësisë, ky division ka qenë mjaft jo-funksional në kryerjen e detyrës së vet.

Themelimi i divizionit qendror për harmonizim të legjislacionit  në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë është domosdoshmëri në mënyrë që iniciativat ligjore dhe draftimi i ligjeve të bëhet në harmoni.  Shumë ligje nuk zbatohen në tërësi në mungesë të akteve nënligjore dhe të tjerat ligje ngase, janë në kundërshtim me njëra tjetrën.

Shënim: Ministria e Drejtësisë – Departamenti ligjor tash ka 16 të punësuar dhe buxheti për vitin 2019 është 104,646 euro.

Të amandamentohet Ligji për Avokatinë për të reflektuar nevojat e e sistemit të drejtësisë, avokatëve dhe qytetarëve t’u ofrohet siguri juridike.

 

Merita Stublla- Emini është avokate me përvojë paraprake në organizatat ndërkombëtare.