Dënimi me Vdekje, është Akt Mizor që Duhet Ndaluar!

ISIS po vjen për të ju pushtuar. Grupi terrorist, i njohur edhe si shteti islamik, në mënyrën më ç’njerëzore ka prerë kokat e viktimave të saj. Si guxojmë ne të lejojmë ndodhjen e shkeljeve të tilla tragjike të të drejtave të njeriut kudo në botë, sidomos në vitin 2015!

Për të ndaluar këtë parodi, (mbase!) qeveria e Shteteve të Bashkuara duhet dhunshëm të ndërhyjë për të vazhduar ciklin e saj të luftës së vazhdueshme në Lindjen e Mesme. Bombat duhen rënë dhe fëmijët duhen gjymtuar, por (duket!) se nuk shqetësohemi aspak që ky është çmimi i lirisë sonë.

Këto janë natyrisht, përshkrimet e titujve në disa prej medieve si në televizor, radio, internet e gazetë të cilat po recitohen nga [disa!] mediet si të thëna nga politikanët dhe (gjoja!) ekspertët.

“ISIS është duke prerë kokat e njerëzve, kështu që ata duhet të shfarosen,” —ky titull pothuajse është bërë një ‘lloj mantre e një lloj feje’ propagandistike moderne për ta përfaqësuar dhe shtyrë përpara interesin e kompleksit të industrisë ushtarake.

•    A është ISIS një trishtim e kërcënim për njerëzimin? Me siguri që po.
•    A i prejnë ata kokat e viktimave të tyre si egërsira të maskuara mesjetare? Nuk ka dyshim.
•    Por pyetja mbetet: A janë ata të vetmit në botë që marrin pjesë në aktivitete të tilla barbare? — Epo përgjigja kam frikë se nuk është një ‘Po!’.

Arabia Saudite, aleati i zellshëm i Shteteve të Bashkuara, sapo ka prerë kokën qytetarit të 100 të saj që nga 1 janari i këtij viti. Nëse juve nuk ju ka interesuar për të bërë matematikë për veten tuaj, atëhere unë po ju tregoj se këtë muaj njeriu i 100 është vrarë nga prerja e kokës në vetëm gjashtë mujorin e parë të këtij viti. Në fakt, ky është një numër ironikisht modest, në bazë të një ritmi i cili ka shënuar rekordin për ekzekutimet saudite në ditët moderne, sipas Human Rights Watch.

Ekzekutimet në mbarë botën janë rritur ndjeshëm sidomos që nga viti 2013, precizon një raport i Amnesty International. Një pjesë vogël e vendeve kanë ekzekutuar në mënyrë të konsiderueshme shumë të burgosur, duke shtuar kështu interesimin e të raportuarit për ekzekutimet e ISIS, të cilat veprimtari dukshëm iu kanë shërbyer vendeve (‘demokratike!’) si mburojë për veprimtaritë e tyre kriminale.

Pesë shtetet të cilat vazhdojnë të thyejnë rekorded e të gjithë të tjerëve në ekzekutimin e të burgosurve të tyre janë: 1) Kina – me mijëra në vit, derisa numrat e saktë janë të panjohur; 2) Irani – me më së paku 369 në vit; 3) Iraku – me të paktën 169 në vit; 4) Arabia Saudite – me të paktën 79 në vit, dhe 5) SHBA – me të paktën 39 ekzekutime në vit.

Disa vende (mbase!) të inspiruara nga pesë vendet e lartëshënuara kanë rifilluar ekzekutimet. Indonezia, Kuvajti, Nigeria dhe Vietnami në vitin 2013 ndërmorën hapa konkret për ekzekutimin e të burgosurve, pasi ishin përmbajtur nga kjo veprimtari për të paktën një vit. Disa vende të tjera kanë zgjeruar përdorimin e dënimit me vdekje, derisa Algjeria dhe Bahreini kanë ri-zgjeruar ligjet e brendshme për të bërë më shumë krime të dënueshme me ekzekutim.

Sigurisht, në të gjitha rrethanat dënimi me vdekje duhet ndaluar, të paktën të gjithë janë dakord me këtë ide, edhe Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj Perëndimorë duke përfshirë sauditët, por ata pajtohen me këtë vetëm atëhere kur ata kanë një shans për të komentuar mbi ekzekutimet televizive që i bënë ISIS. Por, siç evidentuam edhe më lartë, ata e bëjnë të njëjtën gjë.

Vitin e kaluar pamë shumë prerje kokash nga Arabia Saudite [ … sigurisht duke mos përjashtuar edhe çoroditjet mizore të ISIS! ] në epokën mbretit Abdullah, kur 87 persona u ekzekutuan në mënyrën më mizore brenda një hapësire 12-mujore. Që kjo sëmundje patologjike të vazhdoj jetën e saj për t’u bërë edhe më e ashpër, mbretit të ri iu desht vetëm gjysma e kohës për të thyer rekorded e mbretit të vjetër këtë vit.

Arabia Saudite është renditur vazhdimisht si një nga dhunuesit më të tmerrshëm të drejtave të njeriut në botë. Freedom House, një grup amerikan joqeveritar që vëzhgon lidhur me të drejtat e njeriut, aktualisht rendit Arabinë Saudite si një nga vetëm 10 vendet në të gjithë planetin që nuk janë “të lirë”.

Kur Mbreti Abdullah u nda nga jeta një vit më parë, qeveria amerikane iu përgjigj vdekjes së tij me Gjeneralin Martin E. Dempsey, kryetarin e Shefave të Përbashkët të Shtabit, duke sponsorizuar një rrugëtim zyrtar-nëpërmjet Departamentit të Mbrojtjes, për të nderuar monarkun.

Presidenti Obama gjithashtu vazhdoi patetizmin e tij hipokritik duke thënë se, “Vizioni i Mbretit Abdullah ishte i dedikuar për edukimin e popullit të tij dhe me angazhim më të madh me botën,” dhe se ai gjithnjë

” … e kishte vlerësuar perspektivën e Mbretit Abdullah duke vlerësuar miqësinë [e tyre] e vërtetë dhe të ngrohtë.”

Derisa Uashingtoni është i prirur që të përqëndrohet në mizoritë e kryera nga një grup, ndërsa tërësisht duke e kthyer një sy-qorr në një tjetër për kryerjen e krimeve të njëjta, pyetja tani bëhet, pse “Ne Njerëzit” hezitojmë t’i quajmë zyrtarët shtetëror hipokrit të zhurmshëm?

Familja Bush ka bashkëpunuar shkëlqyeshëm me familjen mbretërore saudite për vite me rradhë, pavarësisht abuzimeve të dëshmuara të drejtave të njeriut. Nëse nuk ju kujtohet, ishte raportuar se 15 nga 19 rrëmbyesit e fluturakeve civile në sulmet e 11 shtatorit, ishin shtetas të Arabisë Saudite dhe reagimi i qeverisë së Amerikane ishte për të bombarduar Irakun!

Ndërkohë, ShBA-të vazhdimisht deklarohen dhe bashkëveprojnë në një aleancë të zellshme me sauditët, duke u bërë kështu edhe kampioni kryesor i cili ka shkaktuar gjakderdhje në vendet fqinje të Lindjes së Mesme. Kombe me të cilat vetë Arabia Saudite ka pasur një histori të grindejeve të vazhdueshme. A po e përdorin sauditët qeverinë amerikane për të shtypur popujt e Lindjes së Mesme? Ndoshta!, të paktën faktet janë trishtuese.

Megjithatë, unë besoj se dënimi me vdekje në të gjitha rrethanat shkel të drejtën e jetës dhe kjo është veprimtaria më mizore, më ç’njerëzore dhe degraduese që një sistem mund t’i bëjë të drejtave të njeriut. Prandaj, duhet kundërshtuar me çdo kusht, kushdo që e bënë këtë veprimtari ç’njerëzore. Nëse jemi të rrezikuar dhe kërcënuar nga ekzekutimet e ISIS, sigurisht se jemi të kërcënuar edhe nga sistemet (tona!) politike të cilat në emër të demokracisë, ligjeve dhe miqësive, lejojnë ekzekutimin e qytetarëve.