Mitrovica e Veriut. Foto: Atdhe Mulla

Decentralizimi si alternativë për ndarjen

Një rrugë na shpien te ndarja, e cila kërkon ta qetësojë Serbinë. Përkrahësit gabimisht besojnë se korrigjimi i kufijve do ta ndihmojë Kosovën të fitojë njohje më të gjerë ndërkombëtare.

Rruga tjetër përfshin decentralizimin, gjë që do ta forconte demokracinë në Kosovë dhe do të krijonte qeverisje më të mirë.

Decentralizimi nuk është slogan, idetë duhet të përkufizohen praktikisht. Për arritur këtë, Kosova do të transferonte kompetenca, përveç atyre që ruhen posaçërisht nga qeveria.

Qeveria e Kosovës do ta zhvillonte pushtetin për menaxhimin e financave, ofrimin e sigurisë kombëtare dhe mbrojtjen e Kosovës nga agresioni. Qeveria do të mund të vazhdonte të siguronte mandatin për policinë lokale, duke përfshirë në të zyrtarë policorë që flasin gjuhë të pakicave, përfshirë serbishten, në përputhje me marrëveshjen e Brukselit mbi policinë dhe gjyqësorin.

Qeveria po ashtu do të mund kontrollonte gjyqësorin vendor, duke i lejuar procedurat gjyqësore në gjuhët e pakicave, përfshirë edhe gjuhën serbe, si dhe publikimin e njoftimeve gjyqësore në gjuhët e tyre.

Ide tjetër është edhe nxjerrja dhe zbatimi i rregulloreve mjedisore me këshilla nga këshillat vendorë dhe koordinimin e planifikimit urban.

Qeveria gjithashtu do ta mbante përgjegjësinë për ta mbrojtur trashëgiminë kulturore, sipas marrëveshjes për Zonat e Veçanta të Mbrojtura.

Këto masa, të cilat nëse do të zbatoheshin në mbarë vendin do të shmangnin nevojën për Asociacionin e Komunave Serbe. Të gjithë qytetarët do të trajtoheshin njësoj.

Asociacioni i Komunave Serbe me fuqi ekzekutive ishte marrëveshje e papërshtatshme qysh në fillim. Tani, propozuesi i saj vazhdon të lobojë për ndarje. Ky asociacion do të krijonte paqëndrueshmëri të ngjashme me kushtet aktuale në Bosnjë dhe kjo është një pikë ndalimi në rrugën e fragmentimit.

Decentralizimi nuk ndodh në vakuum. Duhet të ndodhë në një kontekst më të gjerë, dhe me thirrje për ideale më të larta. Në këtë aspekt, Qeveria e Kosovës do ta rimerrte veten në dispozitat e të drejtave të minoriteteve të përmendura në parimet e Ahtisarit dhe në Kushtetutën e Kosovës. Ajo gjithashtu do të miratonte reforma në mbarë vendin, duke rritur ofrimin e shërbimeve dhe masa vërtet të efektshme kundër korrupsionit.

David L. Phillips

Decentralizimi do të ndikonte në qeverisje më të mirë dhe do të forconte demokracinë në Kosovë për të gjithë qytetarët, jo vetëm për serbët e Kosovës. Nuk ka rëndësi se si reagon Serbia, as nuk ka rëndësi se çfarë mendon Federica Mogherini dhe Komisioni Europian. Qeveria e Kosovës është përgjegjëse për kosovarët – jo për Beogradin apo Brukselin.

Një dekadë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, është koha që Kosova të fillojë të veprojë si një shtet i pavarur dhe sovran. Interesi kombëtar dhe e mira e përgjithshme janë shumë të rëndësishme.

Qeveritë perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do t’i mbështetnin reformat demokratike që e lidhin Kosovën më ngushtë me institucionet euroatlantike.

 

David L. Phillips është Drejtor i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtave në Institutin e Studimit të të Drejtave të Njeriut të Universitetit Columbia. Ai ka shërbyer si këshilltar i lartë dhe ekspert i çështjeve të jashtme në Departamentin e Shtetit të ShBA-së për Presidentët Clinton, Bush dhe Obama.

Mendimet e shprehura në seksionin e opinionit janë vetëm të autorëve dhe nuk reflektojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e BIRN-it.