FOTO-BIRN

COVID-19 thelloi mangësitë  e arsimit në  Kosovë 

Viti 2020 ishte një tjetër vit i vështirë për arsimin, me më shumë keqqeverisje, ndërhyrje politike dhe rezultate të dobëta në teste, ndërkohë që përpjekjet për shkollim gjatë pandemisë ishin shpesh të pamjaftueshme. 

Sistemi arsimor në krejt botën përjetoi një tronditje në vitin 2020, me përhapjen e koronavirusit duke i mbyllur shkollat në shkallë globale. Sipas raportit të Kombeve të Bashkuara, rreth 1.6 miliardë studentë në krejt botën u prekën nga ndërprerja e mësimit fizik gjatë pandemisë.

Pas rasteve të para të konfirmuara me coronavirus në Kosovë në muajin mars, qeveria menjëherë i mbylli institucionet arsimore në të gjitha nivelet, nga kopshtet deri tek universitetet, me rreth 420,000 nxënës dhe studentë të prekur nga ky vendim.

Rreth 10 ditë pas mbylljes, Ministria e Arsimit filloi me prodhimin e video-ligjëratave për shkollat fillore (klasat 1-5) të cilat transmetoheshin çdo ditë përmes transmetuesit publik, RTK. 

Shumë shpejt, pati një rritje të këtij prodhimi mësimor dhe nxënës të të gjitha moshave po mbanin orë mësimi në platforma të ndryshme online, përfshirë studentë të universitetit.

Ky tranzicion nuk ishte aq i lehtë sa do të donim të ishte. Pavarësisht shkallës prej 96.4 për qind të familjeve kosovare në qasje në internet, kishte raportime për fëmijë që nuk kishin asnjë lloj pajisje përmes të cilave do të mund të qaseshin nëpër video-thirrje që kërkoheshin për të qenë pjesë e orëve të mësimit, ose për t’i bërë detyrat e shtëpisë përmes internetit.

Një sfidë tjetër ishin nxënësit nga komunitetet Rom Ashkali dhe Egjiptas që kishin probleme me qasjen në mësimin online (internet), ku në një  raport të Admovere deri në 51 përqind prej tyre nuk kishin mundësi të ishin pjesë e asnjë mësimi online.

Testi i Arritshmërisë  për nxënësit që mbarojnë shkollën fillore u anulua, me 14-vjeçarë të cilët e filluan mësimin në shkollat e mesme bazuar në notën e tyre mesatare. Ndërkohë, Testi i Maturës u shty deri në muajin gusht, duke shkaktuar një efekt zinxhiror në afatet e pranimeve në universitete dhe duke ndikuar në datën e fillimit të vitit akademik nëpër universitete.

Gjatë këtij viti të trazuar, kishte edhe zgjedhje për drejtimin e Universitetit të Prishtinës. Një rektor i ri dhe drejtues të rinj për njësitë akademike u zgjodhën, megjithëse jo edhe pa ngjarje dramatike, sepse kjo do të ishte e pamundur.

Një profesor sapo kishte dhënë dorëheqjen nga posti i tij (mbikëqyrës) si anëtar i Këshillit Drejtues në Universitetin e Prishtinës kur paraqiti kandidaturën e tij për të qenë rektor (një pozitë menaxheriale). Kjo u pamundësua nga Agjencia Kundër Korrupsionit e cila deklaroi, në mënyrë të qartë se një individ nuk mund të ketë pozitë drejtuese në të njëjtin institucion në të cilin gjithashtu ka mbajtur një pozitë mbikëqyrëse në dy vitet e mëparshme.

Gjithsesi, një rektor i ri u zgjodh dhe dikush do të mendonte se gjithçka kishte shkuar mirë, por jo. Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës përbëhet nga nëntë persona: Pesë zgjidhen nga Senati i Universitetit nga lista e stafit akademik, ndërsa katër të tjerët emërohen nga Ministri i Arsimit. Kur rektori i ri e propozoi ekipin e tij të prorektorëve, Këshilli Drejtues papritmas ishte “tepër i lodhur” për të votuar dhe vazhdoi të vononte procesin. Deri më sot, ata ende nuk kanë votuar për prorektorin e pestë.

Viti i ri akademik filloi më 14 shtator për arsimin parauniversitar, duke i ndarë fëmijët në klasa prej 20 nxënësish (që mund të tingëllojë normale, mirëpo normalja e Kosovës nënkupton 30-40 nxënës për një klasë), duke i mbajtur maskat brenda ndërtesave shkollore dhe duke ua kontrolluar temperaturën për çdo mëngjes. Viti akademik për universitetet filloi më 15 tetor, me shumicën e universiteteve duke mbajtur orët online në përgjithësi.

Ka pasur edhe zhvillime të tjera interesante në arsimin e lartë, me Armend Zemajn, me diplomë juristi dhe Ministër i Shëndetësisë, duke kërkuar nga Ramë Likaj, Ministri i tretë i Arsimit që ka shërbyer këtë vit, që ta rrisë numrin e studentëve me 50 sosh në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës.

Shpjegimi i Zemajt për kërkesën e tij ishte se “nuk ka mjaftueshëm mjekë në sistemin tonë, mjekët tanë po largohen nga vendi dhe personeli ynë mjekësor është i rraskapitur”. Gjë që e dini, do të ishte mirë, nëse nuk do të ishte e palogjikshme dhe e paligjshme.

Aktualisht jane me qindra mjekë të diplomuar që po punojnë diku tjetër sepse rrallë ka ndonjë vend të lirë në spitale. Ekzistojnë gjithashtu qindra mjekë të diplomuar të cilët kanë aplikuar për specializime e të cilëve u është thënë se duhet të vet-financoheshin, që do të thotë 3-4 vjet punë me orar të plotë pa asnjë pagesë.

Në fund të fundit, nuk mund të rritet numri i studentëve pasi programi është vlerësuar nga ekspertë ndërkombëtarë të akreditimit që përcaktojnë kritere për numrin e studentëve bazuar në kapacitetet e institucionit. Kjo është, kryesisht, sepse një gjë e tillë do të përbënte ndërhyrje të drejtpërdrejtë politike në Agjencinë e Akreditimit, arsyeja pse kjo Agjenci u përjashtua nga Asociacioni Europian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA) në tetorin e vitit 2019.

Kur jemi te ndërhyrjet politike brenda Agjencisë së Akreditimit, respektivisht Këshillit Shtetëror të Cilësisë, edhe Ministri i ri i Arsimit nga radhët e AAK-së nuk la pa e futur një përfaqësues të kësaj partie brenda Këshillit përgjegjës për të gjitha akreditimet e institucioneve të arsimit të lartë. Në gusht, Binak Beqaj, profesor në kolegjin UBT dhe anëtar i AAK-së u emërua anëtar i Këshillit Shtetëror të Cilësisë.

Qershia mbi tortë, megjithatë, ishte një raport i titulluar “Trendet në Studimin Ndërkombëtar të Matematikës dhe Shkencës“, i cili u botua nga Shoqata Ndërkombëtare për Vlerësimin e Arritjeve në Arsim.

Testi është kryer në 58 vende të botës dhe mat njohuritë e nxënësve të klasave të 4-ta dhe 8-ta në lëndën e matematikës dhe lëndëve shkencore. Kosova mori pjesë vetëm në vlerësimin e nxënësve të klasave të 4-ta, të cilët dolën në vendin e 49-të për matematikë dhe vendin e 52-të për lëndët shkencore.

Renditja e Kosovës ka qenë ndër më të këqijat nga të gjitha vendet pjesëmarrëse të Ballkanit, me 73 për qind të nxënësve në Kosovë që morën rezultate të dobëta në matematikë. Vetëm një për qind e nxënësve të klasave të 4-ta të Kosovës u klasifikuan si të ‘avancuar’ dhe 8 për qind si ‘të mirë’ në matematikë, ndërsa në lëndët shkencore, 59 për qind e nxënësve regjistruan rezultate të dobëta, me zero për qind të klasifikuar si të “avancuar”.

Përfundimisht, nuk mund ta fajësojmë tërësisht coronavirusin për cilësinë e arsimit që po marrin studentët tanë, sepse këto rezultate janë produkt i 20 viteve të keqmenaxhimit, korrupsionit, mosinvestimit dhe mungesës së sigurimit të cilësisë. Pandemia, në fakt  ka ekspozuar mungesën e përgatitjes së institucioneve të Kosovës për gjithçka që nuk i ngjason ‘normalitetit’ të rehatshëm të keqfunksionimit të sistemit arsimor.

Urime festat!

 

Opinionet e shprehura në pjesën e opinioneve janë vetëm të autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e BIRN.

Adea Kondirolli është menaxhere e projekteve dhe hulumtuese në Organizatën për Rritjen e Cilësisë në Arsim – ORCA. Ajo ka studiuar MSc Metodat Kërkimore në Psikologji në Universitetin e Surrey (2019-2020).

Ky artikull është përkthyer nga anglishtja ku ishte publikuar fillimisht në PrishtinaInsight.