COVID-19: Informimi i drejtë si vaksinë për infodemi

“COVID-19 nuk eksizton”

“Pandemia është krijuar për të na kontrolluar”

“Vaksina shkakton sterilitet”

“Derivate të derrit janë përbërës të vaksinës”

“Vaksinat kanë microchipa për të na përcjellur”

“Atë që e kanë kaluar COVID-19 nuk kanë nevojë për vaksinë”

Për një pjesë të popullatës globale, këto deklarata janë jo të vërteta dhe nuk përkojnë me logjikë. Për pjesën tjetër të popullatës globale, deklaratat e tilla pranohen si fakte të pakontestueshme që as shkenca dhe ekspertët nuk po arrinjnë t’i përmbysin. Atëherë, shtrohet pyetja si erdhëm deri këtu?

Në janar të vitit 2020, pakkush do të kishte menduar se ishim në prag të një pandemie. Serioziteti i situatës u bë i qartë në një konferencë shtypi më 11 mars 2020 kur Drejtori Gjeneral i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh), Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesusdeklaroi kumtoi vendimin e organizatës se virusi i ri do të karakterizohej si pandemi.

Në fjalimin e tij ai deklaroi se nuk e përdorte fjalën pandemi aq lehtë apo pa e menduar mirë. Përkundrazi, OBSh-ja kishte ardhur në këtë përfudnim duke e marrë parasysh seriozitetin e situatës dhe pas shqyrtimeve të ekspertëve. Tash, pas gati dy vjetëve që po bashkëjetojmë me pandemi, ekziston një dukuri paralele dhe po aq serioze që e po shoqëron pandeminë. Fjala është për infodeminë, apo thënë ndryshe, dezinformatat dhe lajmet e rreme në lidhje me COVID-19, vaksinat dhe trajtimet mjekësore, që kanë efekt të drejtpërdrejtë në zhagitjen e pandemisë.

 

Viti i parë me pandemi dhe lajmet e rreme

Në muajt e parë të pandemisë kur e tërë bota ishte mbyllur në katër mure mbizotëronte frika dhe ankthi që na shtyenin të gjithëve të kujdesemi dhe ta parandalojmë shpërndarjen e virusit. E tërë bota hyri në karantinë përafërsisht në të njëjtën kohë për të njëjtin qëllim.

Mirëpo, pas dy-tre muajsh karantine, largimi i masave krijoi dallime në menaxhimin e pandemisë prej shtetit në shtet. Gjatë gjithë pandemisë, mediat dhe rrjetet sociale kanë luajtur rol kyc në shpërndarjen e informatave korrekte e dhe lajmeve të rreme karshi një popullate laike që mundohej të merrte informata rreth një virusi, shpjegimi i të cilit kërkon teori të ndërlikuara shkencore e jo shpjegime sipërfaqësore.

Vera e vitit 2020 e gjeti Kosovën përbrenda një iluzoni se virusi nuk është edhe aq i dëmshëm dhe masat u hoqën tërësisht. Maska dhe distanca percpetoheshin si dukuri abnormale karshi një virusi që me gjasë “nuk eksizston”. Kombinimi i këtyre dy mendimeve (se virusi nuk është i rrezikshëm apo edhe nuk ekziston) krijoi një rehati në shoqërine kosovare, përkundër shumë qytetarëve që me ngulm i përmbaheshin masave edhe kur ato ishin larguar në nivel qendror.

Kjo rehati vazhdoi edhe gjatë fushatës zgjedhore kur varianti Alfa i identifikuar së pari në Britani të Madhe filloi të shpërndahej vrullshëm në sallat e tubimeve zgjedhore në Kosovë. Mospërfillja e asnjë mase parandaluese gjatë kësaj krize të shëndetit publik coi në vdekje të pavenojshme në vendin e vetëm në Evropë që ende nuk kishte filluar vaksinimin.

 

Viti i dytë, ardhja e vaksinave dhe hezitimi për vaksinim

Viti i dytë i pandemisë e gjeti botën duke filluar vaksinimin masovik kundër COVID-19. Ardhja e vaksinave të para në Kosovë si donacion nga COVAX ndodhi mu në kohën kur kishte filluar një kampanjë e shëmtuar kundër vaksinës së Oxford-AstraZeneca. Për një shoqëri si ajo kosovare, e etur për konspiracione dhe panikë, kampanja kundër AstraZeneca ishte koha ideale për triumfin e dezinformatave.

Anti-vakserët zëshëm filluan një kampanjë për mosvaksinim dhe njerëz jokompetentë deklaroheshin mbi një temë për të cilën nuk kishin as edhe një fije ekspertize. Kjo kakofoni informative bëri që popullata e gjerë të ushqehej me panikë të njëpasnjëshme për mpiksje të gjakut, sterilitet dhe efekte anësore afatgjate prej vaksinave. Përderisa mpiksja e gjakut me AstraZeneca ishte dhe mbetet një brenge legjitime, mediat dështuan në komunikim të drejtë. Raportimet mbi prezencën e efekteve anësore nuk kanë kurrëfarë kuptimi nëse ato nuk shpjegohen në suaza të statistikave dhe gjasës.

Gjasat për mpiksje të gjakut nga vaksina ishin dhe mbesin jashtëzakonisht të ulëta karshi gjasës për mpiksje tek pacientët e infektuar me COVID-19. Por, ky fakt mbetet i zhytur nën lajmet bombasitke dhe panikënxitëse nëpër rrjete sociale se vaksinimi është i rrezikshëm.

Një studim në nivel global i 4.5 milionë postimeve në rrjete sociale konstatoi se lajmet e rreme janë 70% më të prirura të shpërndahen nëpër rrjete sociale sesa lajme e vërteta të bazuara në shkencë. Njashtu, një studim i publikuar në Nature konstatoi se ekspozimi sado i shkurtër në dezinformata dhe lajme të rreme e ulë gatishmërinë për vaksinim për përafërsisht 6% në Britani dhe ShBA.

Përderisa nuk kam hasur në studime të tilla në Kosovë, tregues i mirë është fakti se edhe kur Kosova furnizohej me AstraZenenca dhe Pfizer, numri i të vaksinuarve mbetej i ulët. Heqja e masave në verën e 2021 shtoi iluzionin se pandemia përfundoi dhe shoqëria i mbylli sytë para rrezikut të Delta që vetëm po lëshonte rrënjë në Kosovë. Vdekjet alarmante dhe rritja numrit të rasteve gjatë muajit gusht dhe shtator janë tregues i qartë i asaj se si mosvaksinimi e destabilizon situatën shumë shpejtë.

 

Viti i tretë

Informimi i drejtë mbetet i domosdoshëm për ta luftuar pandeminë, për t’i ndërtuar sjelljet e popullatës konform krizës së shëndetit publik dhe për të ulur sa më shumë numrin e të prekurve dhe viktimave nga COVID-19.

Vaksinimi në Kosovë duhet të nxitohet në mënyrë që një pjesë e konsiderueshme e popullatës të ketë imunitet ndaj COVDI-19 gjatë muajve të dimrit kur priten të rikthehen virusët sezonal.

Sukesi me kontroll të pandemisë në vitin e tretë të COVID-19 do të varet nga aftësia e mediave për të plasuar informata. Nëse vaksina e lufton virusin, informimi i drejtë përmes mediave e lufton injorancën dhe keqinformimin që po ndikojnë në rritjen e hezitmit  për vaksinim.

Për fund, gjatë gjithë kësaj kohe kemi mësuar se si përhapet ky virus kur distanca dhe maskat nuk përfillen dhe kur njerëzit nuk vaksionhen. Mirëpo, armiku i fshehur këtu është përhapja e dezinformatave që i jep nxitim virusit – e për këtë vaksina e vetme mbetet informimi i drejtë dhe luftimi i teorive konspirative e të pabaza.