Coronavirusi- Si të mbrohemi? Si ta luftojmë të keqen?

Si të mbrohemi?

Virusi i ri corona, nga ajri hyn te njeriu nga goja, hunda dhe ne sytë; sapo prek aty mukozat e tyre i depërton. Përhapet në trup, dhe karakteristika e coronavirusit të ri është që vendin kryesor ku vendoset dhe shumëzohet është mushkëria.

Mënyra kryesore e përhapjes nga njeriu në njeri e kësaj sëmundje mjaft ngjitëse, është me anë të kollës. I sëmuri me çdo kollitje nxjerr në ajër me miliona grimca të padukshme pështyme të cilat janë plot me virusin e ri corona. Këto grimca mbeten në ajër për pak kohë, pezull në lundrim si aerosol dhe një njeri që gjendet afër, brenda 2 metrash, e merr sëmundjen me futjen e grimcave të aerosolit me virus, në gojë, në hundë dhe në sy. Mbrojtja është ajo që quhet “social distancing”, mbajtja e distancës 2 metra nga njeriu në njeri. Kjo distancë në ambient të hapur garanton mbrojtje të plotë. Në ambient të mbyllur duhet të mbahen të hapura dritaret. Distancën 2 metra e rekomandon Qeveria e Britanisë së Madhe. Qeveria e Italisë i kërkon njerëzve të mbajnë distancë minimale mbi 1 metër. Mjekë në Itali këshillojnë 2 metra sepse nëse personi kollitet 1 metër nuk është e mjaftueshme për t’u mbrojtur.

I sëmuri ose i infektuari e nxjerr në ajër aerosol virusin, edhe kur flet, përveçse me kollë. Virusi del jashtë në ajër edhe me frymëmarrjen e të sëmurit ose të infektuarit. Kur je brenda distancës 1 metër me të sëmurin ose të infektuarin e merr virusin, sidomos kur fytyra e tij është e drejtuar nga ty, ose e ke përballë. Që ta marrësh virusin me këtë mënyrë duhet kontakt që zgjat në kohë, mendohet që kontakti i shkurtër nuk mjafton që të infektohesh. Ndërsa për kollitjen, mjafton vetëm një kollitje afër teje që ta marrësh. Në Kinë, në epiqendrën e epidemisë – provinca e Hubei-t, mjekët gjenin përhapjen e Covid 19 brenda një familje që kishte një të sëmurë ose të infektuar, nëpër kolegë të punës që punonin në një ambient të mbyllur me një të sëmurë, nëpër pjesëmarrësit e një konference që rrinin të ulur pranë njëri-tjetrit për një kohë të gjatë, etj. Pra mendojnë mjekët që kur personi nuk kollitet, kontakti duhet të jetë i afërt dhe pak i zgjatur. Sa i zgjatur nuk dihet.

Personi qe i futet virusi në trup, i zhvillon shenjat e sëmundjes (shenjat tipike te Covid 19 janë temperaturë e lartë dhe kollë), pas një periudhe inkubacioni prej 2 deri 14 ditë. Shumica e tyre e zhvillojnë në ditën e 5-të dhe rrotull saj.

Është fakt i sigurt që në periudhën e inkubacionit, në dy ditët para se personi të shfaqë shenjat e sëmundjes, ai nxjerr virus në ajër aerosol, duke folur ose me frymëmarrje, dhe ua ngjet të tjerëve. Pra një person që duket i shëndetshëm, infekton të tjerët në 2 ditët para se të shfaqë shenjat e sëmundjes. Pra rëndësi e madhe, që kjo sëmundje e keqe të mos përhapet, ta bëjmë zakon, me rigorozitet të mbajmë 2 metra distancë nga të tjerët.

Kush është i sëmurë, gjatë gjithë kohës që zgjat sëmundja duhet të rrijë i izoluar në një dhomë, i ndarë nga familja, që të mos ia kalojë të tjerëve, sepse gjatë gjithë kohës së sëmundjes është shumë infektues ndaj të tjerëve. Në Kinë, ata që shërohen nga sëmundja, nëse tamponi i grykës, testi për coronavirus del pozitiv, megjithëse personi është i shëruar, e mbajnë të izoluar sepse mendojnë që mund të jetë akoma infektues për të tjerët. Kur negativizohet testi i coronavirus e lënë të lirë. Në vendin tonë, me mundësi të kufizuara për të bërë testime, duhet të ndiqen udhëzimet e autoriteteve shëndetësore të cilat janë të bazuara në rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Sa janë personat e infektuar me coronavirus të cilët nuk zhvillojnë sëmundjen Covid 19? Pra sa janë ata që quhen mbartës të shëndetshëm dhe transmetues të virusit tek persona të tjerë që i rrinë afër atyre? Me sa kam gjetur unë, kjo nuk dihet akoma.

Konkluzioni: distancën 2 metra ta mbajmë nga çdo person. Mos ju afro të tjerëve, mos u jep dorën, mos përqafo, etj. Social distancing 2 metra është arma kryesore që ka në dorë çdo person, dhe që ka detyrë ta përdorë pa pushim në luftën e ashpër dhe të gjatë që na ka hapur coronavirusi.

Aerosoli me coronavirus që del nga të sëmurët dhe jo-të sëmurët, ngadalë bie dhe depozitohet mbi sipërfaqe të objekteve, të dyshemesë dhe të rrugëve. Ky coronavirus i ri jeton në ambient jashtë të paktën disa ditë; ka disa të dhëna që tregojnë që jeton deri 9 ditë. Duart prekin vazhdimisht objekte të ndryshme dhe në duar mbetet coronavirusi. Për shembull, dikush është kollitur, ka vënë para gojës dorën dhe jo gropën e bërrylit; me dorën e ndotur hap ashensorin, butonin e ashensorit ose dorezën e derës. Ti më pas prek aty me dorën tënde. Shumë e rëndësishme dhe e domosdoshme, të sforcohemi që me duar të mos prekim në asnjë mënyrë fytyrën! (Nga prekja e fytyrës coronavirusi na futet në gojë, hundë ose sy.) Kjo të na bëhet zakon! Edhe nëse na kruhet ndonjë pjesë e fytyrës dhe nuk durojmë dot. Duhet të durojmë! Asnjëherë mos prekim fytyrën! Jemi në luftë dhe në luftë ka sakrifica. Kjo është një sakrificë e vogël por me rëndësi të madhe që i kërkohet secilit.

Kuptohet duart duhen larë shpesh me ujë dhe sapun. Në pamundësi të larjes së duarve, mund të dezinfektohen me solucione të ndryshme, por duhet të kemi parasysh që dezinfektimi nuk i vret dot të gjitha viruset. Është provuar me studime që më e mira është larja me ujë dhe sapun. Nuk ka ndryshim nëse i lan duart me ujë të ngrohtë apo të ftohtë – është njëlloj, kjo është e provuar. Vetëm me fërkim të duarve me sapun për 20-30 sekonda është i mundur pastrimi i plotë i duarve nga virusi duke e hequr dhe shpëlarë atë. Teknikën e larjes së duarve mund ta gjeni në youtube “how to wash your hand”. Duhet zbatuar pikë për pikë! Fërkimi me sapun i shkurtër i duarve nuk mjafton; e domosdoshme 20-30 sekonda – fëmijëve i thuhet zgjat fërkimi i duarve me sapun përgjatë kohës që duhet për të kënduar dy herë “Happy birthday to you”.

Duart lahen gjithmonë sapo hyn në shtëpi dhe para se të hash. Përveç kësaj sa më shpesh që të  mundesh gjatë ditës aq më mirë.

Një ekip ekspertësh të Organizatës Botërore të Shëndetësisë qëndruan në Wuhan për dy javë në fund të shkurtit, duke intervistuar dhe mbledhur të dhëna nga mjekë dhe infermierë në spitalet Covid. Pjesëtarët e këtij ekipi i lanin duart çdo gjysmë ore dhe respektonin social distancing. Si mbrojtje personale kishin vetëm maska kirurgjikale (pak të efektshme); asgjë tjetër. Asnjëri prej tyre nuk u sëmurë, nuk mori coronavirusin megjithëse qëndronin në spitale, jo pranë të sëmurëve, por sidoqoftë zona me rrezik të lartë! Pra kur i zbaton me rigorozitet rregullat e mbrojtjes, nuk infektohesh!

Maskat për përdorim të publikut të gjerë, sipas ekspertëve, nuk janë të nevojshme.

Të mos infektohesh është detyrë e secilit në këtë luftë të egër që po na bënë coronavirusi! është mënyra e vetme që secili ka detyrim ta bëjë për të frenuar përhapjen e epidemisë dhe përshpejtimin e saj në vendin tonë! Detyrim që duhet ta zbatojë secili me ndjenjë të lartë përgjegjësie! Coronavirusi kërkon të sëmurë midis nesh, me numra të mëdhenj dhe në rritje. Kërkon të na vrasë. Kërkon të na shkatërrojë ekonominë. Luftë pa ndalim kundër coronvirusit prej secilit! Do t’ia dalim! Do ta fitojmë këtë luftë!

Shumë qytete po bëjnë dezinfektim të rrugëve dhe ambienteve. Këtë e bën gjerësisht Koreja e Jugut por ajo është vend i pasur. Pra virusi mund të mbetet në tokë, në rrugë dhe trotuare, dhe ti e merr me këpucë dhe e fut në shtëpi. Lexoj që ekspertët mendojnë që është pak probabël ta marrësh virusin në këtë mënyrë. Megjithatë, opinioni im, dhe ajo që kam bërë unë: sapo hyn në shtëpi, afër derës heq këpucët dhe i vendos aty afër derës një vend që e konsideron që mund të jetë i ndotur me coronavirus dhe ku nuk duhet të afrohesh ose të vendosësh sende. Gjithashtu heq rrobat që mban veshur kur je jashtë sepse mund të jesh ulur ose mbështetur diku ku ka ndotje me coronavirus. Edhe veshjet ose i vendos në një vend të caktuar që e konsideron mundësisht të ndotur ose i mbyll në qese, ose i lanë në lavatriqe.

Opinioni im: Nuk e di a janë para të shpenzuara mirë dezinfektimi i gjerë i ambienteve të jashtme në shtete të varfra si tonat. Italia e bën pak këtë. Disa bashki shpenzojnë para në Itali për këtë. Por Italia nuk e bën gjerësisht si Koreja e Jugut. Mendimi im është që akoma jemi ne fillimin e epidemisë në vendin tonë dhe mundësi që të ketë ndotje me coronavirus në ambient duhet të jetë e pakët. Mendoj që shtete të varfra si tonat këto para të dezinfektimit, shpenzohen me efikasitet shumë më të lartë duke blerë kit-e testimit coronavirus, për të bërë më shumë testime dhe kërkim në popullsi kush është i infektuar. Të gjesh dhe të izolosh të infektuarit dhe njerëzit që kanë pasur afër ata, kontaktet e tyre, është shumë e efektshme dhe e domosdoshme për të frenuar epideminë.

Strategjia e luftës kundër epidemisë

CONTAINMENT – pra përmbajtja, frenimi i përhapjes është strategjia e parë e luftës kundër një epidemie. Zbatohet duke bërë testime për të gjetur të sëmurët dhe të infektuarit. Të sëmurët izolohen në një dhomë në shtëpi deri sa të shërohen plotësisht. Të infektuarit dhe personat që kanë qenë në kontakt me ata, mbyllen në një dhomë të shtëpisë për 14 ditë. Quhet karantinë, për të parë a e zhvillojnë apo jo sëmundjen. Nëse zhvillojnë sëmundjen, rrinë në izolim në dhomë deri në shërim të plotë. Ekspertë në Itali thonë që mirë është kur gjendet një i sëmurë, testi për coronavirus t’i bëhet gjithë familjes, gjithë komshinjve, madje mirë është gjithë pallatit. Por kjo ka kosto të lartë financiare. Italia nuk po e bën dot. Këtu në Romë nuk bëhet. Në Romë testi po i bëhet vetëm kujt ka temperaturë të lartë dhe/ose kolle. Kur gjendet një i sëmurë, bëhet me imtësi contact tracing – gjurmimi i kontakteve. Cilët persona ka takuar i sëmuri gjatë sëmundjes dhe në dy ditët para shfaqjes së temperaturës ose kollës. Të gjithë këta persona vihen në karantinë të detyruar për 14 ditë, të mbyllur në një dhomë në shtëpinë e tyre, në mënyrë që të mos përhapin coronavirusin tek të tjerë.

Personit të mbyllur në një dhomë kështu, i lihet ushqimi jashtë derës, largohesh, ai hap derën, e merr dhe e mbyll shpejt derën. I izoluari duhet të ajrosi shpesh dhomën. Pasi shkon në banjo personi i izoluar, banjo mirë është të dezinfektohet.

Në SHBA kanë premtuar që brenda disa javësh do të kenë mundur ti bëjnë gratis testin për coronavirus të gjithë popullsisë. Kjo për të gjetur dhe izoluar çdo të infektuar. Por SHBA është vendi më i pasur i botës. Këtë gjë nuk e ka bërë Kina as në epiqendër, në provincën Hubei për koronavirus në numër shumë të lartë në popullsi kanë bërë Koreja e Jugut, Taivani, Japonia dhe Singapore. Kjo ka dhënë rezultate shumë të mira: kanë mundur të realizojnë containment. Në Korenë e Jugut për shembull, në tre javë, kanë bërë 14 mijë testime për 1 milionë banorë. Natyrisht përzgjidhet kë ja vlen të testosh. Këto testime në numër kaq të madh, kanë mundur të identifikojnë të infektuarit dhe ti izolojnë. Tani po japin fryte këto testime dhe ky veprim i containment. Për shembull në Korenë e Jugut numri i të infektuarve dhe të sëmurëve është në ulje të dukshme. Kështu edhe në vendet e tjera që përmenda.

Nëse veprohet herët në nisjen e epidemisë, me energji dhe sforcime të mëdha, është e mundur të realizosh containment. Por është shumë e vështirë, sidomos për vendet e varfra si vendet tona. Që është e vështirë nuk do të thotë të mos e bësh dhe të përfitosh me anë të saj, sa më shumë që të mundesh, për frenimin e epidemisë. Pra duhet bërë vazhdimisht containment.

MITIGATION – ulja e efektit të keq

Italia pas 18 ditë pune dhe sforcimesh për të bërë containment (e cila u bë me vonesa dhe gabime), nuk frenoi dot përhapjen, kaloi te faza e mitigation – shpalli gjithë Italinë zonë nën mbrojtje. Jemi të izoluar në shtëpi. Masat e social distancing zbatohen me rreptësi të madhe. Shkollat, universitetet dhe të gjitha aktivitetet komerciale janë të mbyllura. Ke të drejtë të dalësh nga shtëpia vetëm për të shkuar në punë, për të blerë ushqime, barna dhe cigare, ose për të nxjerrë pak qenin në shëtitje. Para se të dalësh nga shtëpia, shkruan një vetëdeklarim, ku po shkon dhe orarin e hyrjes dhe daljes nga shtëpia. Nëse të ndalon Policia, i bën foto vetëdeklarimit dhe të ndjek për kontrollë. Ka sanksione të rënda.

Në vendet e punës kërkohet të respektohet distanca midis njerëzve të paktën një metër. Në dyqanet e ushqimeve, dalin tre veta, futin tre të tjerë që të kenë pak njerëz brenda, që njerëzit të mos jenë afër njëri-tjetrit. Njerëzit presin në radhë jashtë në distancë mbi 1 metër njëri nga tjetri.

Të gjithë jemi të mbyllur në shtëpi. Njerëzit çdo pasdite dalin në dritare e ballkone, vihet himni kombëtar “Fratelli d’Italia”, këndojnë e duartrokasin, pastaj vënë këngë të ndryshme, këndojnë bërtasin. Këtë po bëjnë tani që po shkruaj. Flamuj italian kanë varur në dritare e ballkone.

Kur shteti kërkon izolimin e popullsisë në shtëpi, është masë që secili ka për detyrë ta zbatojë.

Çfarë ndodh me të sëmurët?

80% e atyre që zhvillojnë sëmundjen Covid 19, e kalojnë në shtëpi, mesatarisht për një javë, me temperaturë dhe kollë (të cilat janë simptomat tipike). Covid 19 shumë rrallë shkakton rrufe (hunda me sekrecione), dhimbje gryke ose teshtitje – këto nuk janë simptoma tipike të Covid 19. I izoluar nga të tjerët në një dhomë, duhet të rrish në krevat, të flesh sa më shumë, të pish shumë ujë dhe të hash në mënyrë të shëndetshme. Nuk ka ilaçe. Vetëm për temperaturën e lartë mund të marrësh ilaçet e zakonshme antipireteke. Kush është nën 60 vjeç dhe i shëndoshë, pa sëmundje, është gati e sigurt që e kalon kështu. Ke nevojë për spital vetëm nëse shikon që po të merret fryma, ke frymëmarrje të shpeshtë, nuk mbushesh dot me ajër – po nis të zhvillohet polmoniti virial. Kjo zakonisht ndodh pas një jave sëmundje. Vetëm në këtë rast bëhet shtrimi në spital. Vdekshmëria e përgjithshme e të sëmurëve të moshës 30-60 vjeç është 0,2% – mjaft e ulët.

Por është tepër më e lartë në të moshuarit që kanë sëmundje të tjera. Në Wuhan, dy të parët që vdiqën ishin dy burra në moshë rreth 50 vjeç – pa asnjë sëmundje të mëparshme, të shëndoshë, vetëm se të dy ishin duhanpirës. Mendohet që dëmtimi që i bën duhani mushkërive, favorizon zhvillimin e Covid 19 të rëndë. Kush pi duhan, tani i kërkohet që është mirë të bëjë sakrifica, mundime e sforcime që ta ulë duhanin dhe ta lërë atë, siç e kanë bërë shumë të tjerë.

Kur e sheh që po të fillon temperaturë e lartë dhe kollë, në Itali kërkohet të izolohesh në një dhomë dhe të marrësh telefon numrin e posaçëm për Emergjencën Coronavirus. Të gjithë personat që ke pasur kontakt vihen në karantinë – 14 ditë të mbyllur, nuk u bëhet testi.

Pra nuk duhet të shkosh të paraqitesh te mjeku – rrezikon të infektosh mjekun dhe pacientët e tjerë aty. Kush dyshon se është i sëmurë me Covid 19, nuk duhet t’i afrohet asnjë njeriu dhe aq më pak personelit mjekësor. Në këtë luftë të ashpër me coronavirusin, personeli ynë mjekësor janë luftëtarët tanë në vijën e parë të frontit, nën zjarrin e armikut. Edhe në Kinë edhe në Itali, shumë mjekë dhe infermierë janë infektuar, sëmurur dhe ka pasur edhe vdekje ndër ta. T’i ruajmë mjekët dhe infermierët! Nëse dyshoni që keni sëmundje mos ju afroni atyre nëse ata nuk janë të veshur kokë e këmbë me mjetet e mbrojtjes personale.

20% e të sëmurëve kanë nevojë për shtrim në spital. Nga këta në Kinë, 6% kishin nevojë për terapi intensive (e cila ka kosto të lartë dhe çdo vend e ka me numër të kufizuar). Në Itali 10% janë në terapi intensive.

Vdekshmëria e përgjithshme në të gjithë popullsinë e sëmurë ka qenë 2-4% në Kinë dhe është mbi 3% në Itali – konsiderohen shifra të larta për një sëmundje infektive që përhapet lehtë midis njerëzve. Kjo vdekshmëri varet nga sa të mirë dhe të pajisur janë spitalet dhe sa të aftë janë mjekët që të mbajnë gjallë pacientët deri sa ata të shërohen vetë. Nga Irani nuk ka të dhëna të besueshme mbi vdekshmërinë; ka gazetarë që raportojnë vdekshmëri të lartë, madje edhe në mosha më të reja. Ilace kundër coronavirusit nuk ka. Janë në eksperimentim dhe shpresa është që ilaçe specifike do të jenë gati pas disa muajsh.

Në Itali mosha mesatare e pacientëve që kanë vdekur është 80,3 vjeç, dhe shumica dërmuese e tyre me sëmundje të mëparshme, si diabet, sëmundje zemre, hipertension, kancer, etj. Nën moshën 40 vjeç, tani pas 3 jave epidemi, ka pasur vetëm 2 vdekje në Itali, të dy në moshë 39 vjeç, të dy me diabet. Pra deri tani mjekësia italiane ja ka dalë të përballojë dhe të shërojë shumicën e të sëmurëve. Puna që bëjnë është heroike. Tre të identifikuarit e parë në Itali me coronavirus në 20 shkurt, ishin 2 të moshuar që vdiqën dhe një 38 vjeçar që kishte pasur gjithmonë shëndet të plotë. Këtë e diagnostikuan me Covid 19 kur kishte bërë polmonit viral të rëndë. E mbajtën gjallë në terapi intensive për 3 javë deri sa u përmirësua dhe u zgjua. Ishte pa ndjenja. Fjalën e parë që tha: “ku ndodhem?”.

Kush shërohet nga polmoniti viral i Covid 19, thuhet nga specialistet qe i mbeten dëmtime në mushkëri dhe ka rrezik të bëjë shpesh më vonë infeksione – bronkopolmonit.

Kush shërohet nga Covid 19, i lehtë apo i rëndë, mendohet se fiton imunitet dhe mbrojtje të plotë nga coronavirusi.

Të sëmurët nën moshën 30 vjeç në Itali, kanë qenë 5-7% e të gjithë të sëmurëve. Fëmijët duket se infektohen më pak, sëmuren më lehtë, dhe mendohet e transmetojnë pak coronavirusin tek të tjerët. Por një ekspert që dëgjova tha: “këto nuk janë fakte tërësisht të sigurta e të provuara dhe unë fëmijët e mi do t’i ruaj”.

Mund të themi që kush është i shëndoshë dhe i ri duket se e kalon mirë sëmundjen (sidoqoftë nuk është shaka të shtrohesh në spital nëse rastis Covid 19 me pomonit). Në Kinë, në numrin e madh të të sëmurëve, pak kanë qenë të rinjtë plotësisht të shëndoshë, që vdisnin. Në përgjithësi kush është i ri e kalon, por ai është infektues ndaj të tjerëve, është përhapës i sëmundjes, përshpejtues i epidemisë nëse nuk izolohet, dhe mund të bëhet shkak i vdekjes së personave që infekton. Secili të zbatojë me përpikmëri masat mbrojtëse dhe të mos infektohet! Kjo është lufta që i kërkohet secilit të bëjë. Nëse të sëmuret bëhen shumë, me numra të mëdhenj, do të arrij koha kur nuk do të ketë vende në spitale, nuk do të ketë doktorë dhe infermierë për t’i kuruar.

Me coronavirusin, me shumë gjasa, do të jemi në luftë gjatë gjithë këtij viti, dhe me sa jam informuar unë nga vlerësimet e ekspertëve, lufta do të zgjasë e ashpër mbase deri sa të jetë prodhuar vaksina pas 1 viti ose ka mundësi edhe pas një vit e gjysmë. Vlerësohet nga ekspertët që pandemia do të ulet gjatë verës, ose do të bjerë sipas grafikut në figurën më poshtë. Figura tregon që nuk duhet të lejojmë që në vendin tonë epidemia të bëjë rritjen e madhe me majë, sepse ajo rritje do të ketë numër aq të madh të sëmurësh, që nuk ka sistem shëndetësor që t’i përballojë. Në asnjë vend të botës! Pra kurba e epidemisë duhet ta mbajmë të ulët që ta përballojë sistemi ynë shëndetësor.

Detyra luftarake e çdo qytetari është të mos infektohet! Të zbatojë të gjitha rregullat e mbrojtjes! T’u bindet të gjitha udhëzimeve dhe urdhrave të Autoriteteve Shëndetësore dhe të Autoriteteve Qeveritare.

Të informohet mbi sëmundjen vetëm nga burimet e besueshme: Autoritetet Shëndetësore të vendit, WHO, mediat prestigjioze dhe profesionale (BBC, CNN, etj). Të mos u besojë çfarë qarkullon në internet, në social media dhe whatsapp. Ka shumë fake. Çfarë duket tepër e bukur, me siguri ka mashtrim. Përzihen aty disa të vërteta, me disa shtrembërime dhe me gënjeshtra të pastra. Ka pasur prova të sigurta në të kaluarën që Rusia përhap mesazhe të tilla dezinformimi me qëllim që të ketë konfuzion në popullsi dhe mosbesim ndaj Autoriteteve Shëndetësore dhe Qeveritare. Për të dobësuar demokracitë tona.

Rri i qetë dhe lufto! Mbrohu nga sëmundja ti! Mbro të afërmit dhe familjen!

Lexo edhe një herë pjesën e parë të këtij shkrimi ku janë këshillat e mbrojtjes.

Politikanët e të gjitha partive, e kanë për detyrë në këtë kohe lufte, të ndalojnë kritikat ndaj njëri-tjetrit dhe polemikat! Të lënë mënjanë çdo përfitim politik personal! Janë në rrezik jetët e njerëzve! Dhe me numra të mëdhenj! Rrezikon të na shkatërrohet ekonomia! Të gjithë politikanët, në luftë me coronavirusin! Nga mëngjesi deri në darkë të punojnë! Të informohen, të lexojnë, të mësojnë për këtë epidemi dhe si duhet luftuar ajo dhe me dijet që marrin të kenë mundësi të dëgjojnë dhe të kuptojnë çfarë do tu thonë atyre ekspertët e Autoriteteve Shëndetësore. E gjithë politika të jetë e bashkuar në mënyrë konstruktive me Autoritet Qeveritare dhe vetëm ti mbështesë ato, jo ti kritikojë. Jemi në luftë! Politikanët të përdorin prestigjin që kanë në popull për të përhapur informim për kujdesjet që duhen bërë për tu mbrojtur nga coronvirusi, për ti dhënë zemër njerëzve dhe ti motivojnë njerëzit që të jenë të rregullt dhe rigorozë në masat mbrojtëse! Politikanët e kanë për detyrë të punojnë më shumë me njerëzit pa shkollim dhe ata që nuk lexojnë, që tu trasmetojnë atyre mesazhet e mbrojtjes nga koronavirusi dhe t’i bindin sa rëndësi të madhe ka që të zbatojnë mbrojtjen me përpikmëri.

Gazetarët të japin shembull për publikun duke qëndruar për intervista vetëm në ambient të hapur dhe në distancë 2 metra nga i intervistuari; mikrofoni i vendosur në shufër të gjatë ose shkop. Kështu bëjnë në Itali.

Të gjithë bashkë do të luftojmë armikun e padukshëm, armikun e egër dhe tinzar: coronavirusin! Të bashkuar do të fitojmë! Të jemi të ndarë me distance 2 metër njëri nga tjetri, por me zemra të gjithë pranë njëri-tjetrit! Të gjithë luftojmë! Do të fitojmë! Do t’ja dalim! Do ta fitojmë këtë luftë.

Hektor Grazhdani, PhD, është mjek në Romë, Itali.