Çka u Bë Me...

Në këtë vend, lajmi më i keq e mbulon lajmin e keq. Në momentin kur vëmendja e publikut kalon nga një lajm i keq në tjetrin, edhe institucionet përgjegjëse ndalojnë së trajtuari rastet të cilat presin gjykim apo trajtim disiplinorë. Janë me qindra raste të cilat morën vëmendjen e qytetarëve për pak ditë, por të cilat u harruan tërësisht pas pak kohe.

Andaj, 43 pyetjet në vijim kanë të bëjnë me të gjitha ato raste të cilat janë ngritur në debat përgjatë këtyre viteve të fundit, por kurrë nuk kemi dëgjuar përfundimin e tyre:

Përse i lejohet edhe më tutje ushtrimi i veprimtarisë mjekësore urologut Lutfi Dervishi të dënuar nga gjykata për transplantim ilegal organesh?

Çka u bë me padinë e ish-drejtorit të Policisë së Kosovës Reshat Maliqi kundër Presidentit në ardhje Hashim Thaçi? E me padinë e ish-deputetit të Vetëvendosjes Florin Krasniqi kundër Hashim Thaçit?

A u hetuan ndonjëherë personat përgjegjës të Komunës së Istogut të cilët kishin vendosur t’i dhuronin një veturë zyrtare familjes së të ndjerit Fadil Ferati –  ish kryetar i kësaj komune?

A i ktheu ndonjëherë mjetet avans ish-zëvendësministri i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale Gjergj Dedaj, për të cilat u shkarkua nga detyra? Përse një zyrtar publik i shkarkuar një herë për keqpërdorime është emëruar sërish zëvendësministër në qeverinë aktuale?

A i kthyen zyrtarët komunal të Klinës banesat të cilat ua ndau komuna padrejtësisht më 2011, duke përfshirë edhe kryetarin Sokol Bashota?

Çka u bë me banesën e ish kryetarit të Prishtinës Ismet Beqiri i cili bleu banesë dukshëm nën çmimin e tregut?

A u mor ndonjëherë masa për të gjitha ata keqpërdorues të veturave zyrtare të cilët me pasurinë publike shëtisnin qentë e tyre, blinin në supermarkete në ditë të pushimit, e u prinin dasmave?

Çka u bë me ata të cilët kanë tërhequr mjete nga Fondi i 3% edhe 15 vite pas përfundimit të luftës?

Po me ata që kanë tërhequr mjete nga Fondi Vendlindja Thërret?

Çka u bë me të gjithë ata uzurpatorë të cilët kanë uzurpuar me qindra prona publike?

Përse asnjëherë para askujt nuk dha llogari ish-drejtori menaxhues i Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit Ahmet Shala, në kohën kur kjo agjenci dyshohet për keqpërdorimet më të mëdha? [easy-tweet tweet=”Çka u bë me vjedhjen e drogës dhe parave në Dhomën e Dëshmive në Stacionin Policor në Prishtinë?” user=”Kallxolive” hashtags=”#Kallxo”]

Po me vjedhjen e arit në stacionin e policisë në Pejë?

A dha dikush përgjegjësi për shpërthimin në Termocentralin “Kosova A” më 2014, ku përveç dëmeve materiale, kishte dy punëtor të vdekur; e sot vazhdojmë të paguajmë çmim më të lartë të energjisë për fajet e dikujt që nuk u mor kurrë në përgjegjësi?

Po me pretendimet e Presidentit në ardhje Hashim Thaçi kur më 2010 akuzonte deputetët se po marrin vendime nën ndikim dhe korrupsion?

Po me akuzat e Hashim Thaçit të dhëna në emisionin “Opinion” të Klan-it më 2009 se së shpejti do të publikoj listën e dëshmitarëve të cilët kanë dhënë informata për raportin e Dick Marty?

Çka u bë me akuzat se kryetari i Bordit të ujësjellësit “Prishtina”, Amir Gashi, krijoi kushte që kompania e sigurimeve ku ai punon të fitoj tender në ndërmarrjen publike?

Çka u bë me profesorin universitar dhe anëtarin e Këshillit Drejtues të UP, Fevzi Berisha, i cili ka avancu me një punim shkencor i cili asnjëherë nuk është publikuar?

Po me anëtarin tjetër të Këshillit Drejtues të UP, Beqir Sadikaj, i cili ishte shpallur fajtor për plagjiat, por tash vendos se kush me qenë rektor i UP?

E me dekanin e fakultetit filozofik të UP, Bujar Dugolli të cilit iu njoh si punim shkencor një shkrim në revistë të Deçanit dhe me atë punim u avancua në karrierë?

Çka u bë me hetimet për ish-ministrin Fehmi Mujota, i cili i dha tender vëllait të gruas së tij, si dhe nënshkroi marrëveshje monopolizuese për certifikimin e veturave që përdorin gaz?

A filloi hetim ndaj Ministrisë së Infrastrukturës dhe deputetes Margarita Kadriu e cila pas votës për Presidentin mori licencën për terminal doganor?

Po me pretendimet e Behxhet Pacollit se iu kërkuan para nga persona të politikës dhe Agjencisë së Privatizimit në procesin e blerjes së Hotelit Grand?

A kishte ndonjë hetim se si u bë që daja Curr të merrte postin e kreut të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës pas aferës “Pronto”, ku shefi i grupit parlamentar të PDK i kërkonte Presidentit në ardhje “me ja rahatu një dajë”?

Si u bë që drejtori i RTK të qëndroj ende në këtë pozitë përkundër asaj se keqpërdor me buxhetin e këtij institucioni publik për vite me radhë?

[easy-tweet tweet=”Çka u bë me personat përgjegjës për djegien e arkivit të RTK? ” hashtags=”#KallxoLive”]

Po me ata që djegën arkivimin e Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit (tash AKP)? E me ata që dogjën Pallatin e Rinisë?

Çka u bë me pretendimet se kryetari i Klinës Sokol Bashota aksidentoi një të moshuar në vendkalimin e këmbësorëve, por përgjegjësinë për këtë e mori vozitësi i tij?

Përse edhe pas dy vrasjeve të konfirmuara, Gani Geci nuk ndodhet në burg, por vazhdon të kontaminoj opinionin publik me akuza vrasjesh e haraçi, të cilat nuk hetohen asnjëherë?

Përse ish ministri i Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunkacionit Fatmir Limaj nuk u hetua asnjëherë për marrëveshjen monopolizuese në homologimin e veturave në Kosovë?

Po ata të cilët vendosën monopol në arka fiskale?

Çka u bë me shkresën e Agjencisë Kundër Korrupsion e cila konstatoi se Qeveria e Kosovës ka bërë shkelje ligjore në së paku 17 emërime për anëtar bordesh të ndërmarrjeve publike?

Përse Bordi dhe ministri Stavileci nuk dhanë përgjegjësi politike për vendimin e tyre për të kthyer në pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv Gjelosh Vatajn, edhe pse auditori i brendshëm i Ujësjellësit Prishtina kishte konstatuar shumë vite me radhë se ka keqpërdorime financiare dhe probleme me menaxhim?

A u morën në përgjegjësi të gjithë ata prokurorë të cilët lejuan që rastet për korrupsion e krim të organizuar të parashkruheshin dhe krejt ata të akuzuar të shpëtojnë jo për shkak se nuk ishin fajtorë, por për shkak të neglizhencës së sistemit gjyqësor? Si për shembull ata që parashkruan dosjen e APEX – lojërave të fatit ku dyshohej se janë të përfshirë shumë politikanë?

Çka u bë me rastin e konfiskimit të veturës së vjedhur e cila ishte gjetur në pronësi të ish Ministrit të MPB z.Bajram Rexhepi?

Po me akuzat për diplomat false të lëshuara nga universiteti i Pejës “Haxhi Zeka”, në mesin e të cilëve kishte edhe zyrtar shtetëror të cilët janë pajisur me këso diplomash?

Përse askush nuk jep përgjegjësi për shkatërrimin e trashëgimisë kulturore në Prizren dhe shkeljen e Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit dhe ligje e strategji tjera të trashëgimisë kulturore?

A dha ndonjëherë dikush përgjegjësi ligjore e politike për politizimin e prokurimit në Komunën e Pejës, ku Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik kishte konstatuar se kryetari i Pejës Gazmend Muhaxheri jashtëligjshëm kishte emëruar nënkryetarin e LDK për të qenë pjesë e komisioneve verifikuese të tenderëve?

Çka u bë me akuzat e ish-ministrit të Tregtisë dhe Industrisë z.Ismet Mulaj se për keqpërdorimet me njehsorët elektrik të KEDS kishte njohuri edhe MTI e edhe ish ministri i Zhvillimit Ekonomik z.Fadil Ismajli?

A u zbulua ndonjëherë se kush dhe pse e dogji memorien e Doganës në Han të Elezit, e cila shlyhu të gjitha dëshmitë e vitit 2007 dhe kjo dyshohej se u bë për të humbur gjurmët e kontrabandës?

Përse nuk u hetua asnjëherë askush nga KEK dhe Qeveria e 2007 për nënshkrimin e marrëveshjes në mes të KEK dhe Ferronikelit për shfrytëzim të energjisë elektrike, marrëveshje nga e cila siç raportohej më 2008 KEK-u humbiste deri në 20 milionë euro në vit?

Si arriti të shpëtoj nga gjykimi ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, z.Bujar Dugolli, për keqpërdorimet dhe dyshimet për korrupsion në ndërtimin e Parkut Industrial të Drenasit?

Si përfundoi rasti i të akuzuarve të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, Afrim Haziri, Vlora Ferizi dhe shefit të Petrol Company Shkëlzen Jusaj të cilët më 2008 i arrestoi Policia e Kosovës? Nëse ata nuk u dënuan asnjëherë, a dha dikush përgjegjësi për shkeljen e dinjitetit të tyre duke u arrestuar nën prani të mediave dhe duke i dërguar të lidhur në gjykata?

Po rasti i ish Guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës Hashim Rexhepi i cili u arrestua vetëm pasi që policia u sigurua që  media është aty. U nxor  i rrethuar nga maskat policore me duar të lidhura dhe aktakuza ndaj tij ishte me 5 pika dhe në të gjitha këto pika doli i pafajshëm?

Janë me qindra raste të këtilla të cilat lexuesit e këtyre rreshtave mund ti kujtojnë e që nuk janë përfshirë në këtë listë. Shumë shkrime të mediave, raporte të auditorit, raporte të organizatave jo qeveritare, raporte të institucioneve ndërkombëtare e denoncime individuale kanë mbetur pa u trajtuar nga institucionet gjyqësore. Në rastet kur kanë filluar hetimet apo gjykimet, ato janë mbyllur për shkak të presionit politik, janë parashkruar për shkak neglizhencës, ose kanë marr dënime me kusht.

Mos trajtimi i këtyre rasteve dhe lejimi që këta keqpërdorues të mbajnë pozita publike apo të menaxhojnë me buxhetin, po krijon ditë e më shumë një gjendje të devalvimit të akuzës apo inflacionit të skandaleve, ku gjithkush është i ligë, por askush nuk jep llogari. Në një ambient të këtillë krijohet bindja se të qenurit qytetar i ndershëm është disavantazh shoqëror. Kjo gjendje e pa përgjegjësisë shoqërore na solli Gjykatën Speciale e po na sjell shumë marrëveshje të dëmshme shtetërore në negociatat me Serbinë, ku shteti Serb kërkon garancione ligjore dhe territoriale për të drejtat e komunitetit serb në Kosovë, e ku pozicioni i Qeverisë së Kosovës është i dobët në negociim pikërisht për shkak të paaftësisë shtetërore për të zgjidhur rastet dhe për të trajtuar të gjithë qytetarët të barabartë para ligjit.

Andaj, ky sistem i anti-vlerave duhet të marr fund sa më parë, ngase vazhdimi i kësaj gjendjeje do të gërryej edhe më tej themelet e shtetësisë së Kosovës.