Faton Fetahu - Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Çka nënkupton përfaqësimi i unitetit të popullit, si funksion i veçantë i Presidentit të Republikës së Kosovës
Debatet publike për pozitën e Presidentit të Republikës së Kosovës, zakonisht aktivizohen çdo herë kur kjo pozitë mbetet vakante. E tillë është situata edhe tani kur kjo pozitë për gati pesë muaj është me ushtrues detyre, ndërsa, nëse më së largu deri më 5 maj nuk zgjedhet presidenti i ri, në pikëpamje kushtetuese, vendi hyn në një ‘terra incognita’. Kjo për arsye se posti i ushtruesit të detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, nuk mund të ushtrohet për një periudhë më të gjatë se gjashtë (6) muaj.
E për fatkeqësinë e rastit, mbetja vakante e kësaj pozite ndodhi pikërisht në kohën e tranzicionit kushtetues të kuvendit dhe qeverisë, ku para dhe pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, edhe kjo pozitë në shpërputhje me frymën e Kushtetutës, u bë pjesë e pazareve parazgjedhore, e për më keq, nga partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, pretendentja për kandidate për këtë pozitë, u promovua si “presidente në ardhje” brenda platformës se tyre elektorale, përkundër që zgjedhjet organizohen vetëm për Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Me supozimin se pretendentja për kandidate për presidente, ka fituar legjitimitetin e nevojshëm qytetar dhe duke abstrahuar qëllimshëm faktin se sipas Kushtetutës, presidenti e fiton legjitimitetin nga të zgjedhurit e popullit, vullneti i të cilit përfaqësohet në Kuvend nga 120 deputetët e tij, ata vazhdojnë të insistojnë në këtë lloj legjitimiteti fiktiv. Sipas tyre, ky lloj “legjitimiteti”, paravlen ndaj rregullave strikte kushtetuese, si për procedurën e veçantë zgjedhore, si për parakushtet që duhet t’i plotësojë kandidati që të zgjedhet president, si për domosdoshmërinë e koncensusit dhe kompromisit politik që kërkohet me Kushtetutë për t’u zgjedhur presidenti.
Ndërkaq, në këto debate publike, përveç aspekteve të mësipërme, në argumentet pro dhe kundër një pretendenti të caktuar për kandidat, jo rrallë degjojmë se Presidenti i Republikës së Kosovës, pos tjerash, përfaqëson edhe unitetin e popullit. Madje në shumicën e rasteve, me të drejtë insistohet në këtë parim kryesor kushtetues, paçka se, fare pak ose aspak, nuk diskutohet për kuptimin apo elementet që e formësojnë këtë detyrim kushtetues.
Por çfarë nënkupton në të vërtetë ky koncept kushtetues, që në rastin konkret, kreut të shtetit të Kosovës – Presidentit, i kërkohet ta ushtroj si funkison i detyrueshëm kushtetues?
Në fakt, në teorinë dhe praktikën e të drejtës kushtetuese krahasuese, një funksion i tillë, në shumicën e vendeve demokratike i njihet me Kushtetutë, “kreut të shtetit” (që diku mund t’a gjejmë me emërtime të ndryshme, por në të shumtën e rasteve e gjejmë me emërtimin më të shpesht “President”) të cilit, krahas përgjegjësive si i pari i shtetit, i jepet edhe detyrimi i përfaqësimit të unitetit të popullit, si një atribut që i takon vetëm presidentit.
Megjithatë, ajo që bie në sy, është fakti se, as teoria e praktika kushtetuese në përgjithësi, e as përcaktimi shprehimor në kushtetuta të ndryshme, nuk e japin një definim të qartë se çka nënkupton uniteti i popullit, sidomos në kontekst të përfaqësimit nga ana e presidentit.
Për rrjedhojë, për t’a kuptuar me lehtë këtë koncept, që ushtrohet si një përgjegjësi abstrakte kushtetuese nga presidenti, duhet të kthehemi fillimisht në interpretim gjuhësor të kësaj fjale, për të vazhduar më pas, me analizimin e natyrës dhe pozitës së Presidentit të Republikës, në kuadrin e peizazhit të institucioneve kushtetuese brenda rendit juridik kosovar.
Në gjuhën shqipe “unitet” do të thotë bashkim. E sipas interpretimit gjuhësor, atributi kushtetues i presidentit për të përfaqësuar unitetin e popullit, nënkupton detyrimin e tij për të mbajtur popullin e bashkuar ose për të përfaqësuar shumicën e popullit. Pra, unitet, nënkupton të qenit së bashku me dikë apo me diçka, e kundërta e së cilës është mosuniteti apo ndarja (Fjalori i Gjuhës Shqipe).
Ndërsa, për të mësuar më shumë rreth debatit dhe ndërtimit të teorisë për unitetin e popullit, kushteve që një president apriori duhet t’i plotësojë në mënyrë që të përfaqësojë unitetin e popullit, mënyrat e përfaqësimit të unitetit të popullit, etj, sugjerohet të analizohet debati kushtetues në mes dy konstitucionalistëve gjerman Carl Schmitt-it dhe Hans Kelzen-it lidhur me atë se kush duhet të jetë kujdestar i kushtetutës.
Natyrisht se uniteti i popullit dhe përfaqësimi i tij nga presidenti, është një atribut që nënkupton raportin e ndërtuar të presidentit me qytetarët.
Teorikisht, por edhe në rastin e Kosovës, për të qenë përfaqësues i unitetit të popullit, presidenti duhet të ketë disa veti kushtetuese, siç janë: paanshmëria politike, neutraliteti, zgjedhja e tij me një shumicë të kualifikuar në Kuvend (në rastin më të mirë), reflektimi i besueshmërisë tek populli me vendimet dhe veprimet e tij, veprimi i tij në mënyrë të vazhdueshme në interes të popullit dhe shtetit, krijimi i besueshmërisë së publikut, kujdesi i tij i vazhdueshëm për ruajtjen e të mirës publike, respektivisht reflektimi i interesit qytetar në secilin vendim të tij, etj.
Gjithashtu, edhe jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, ka trajtuar çështje të caktuara përkitazi me përfaqësimin e unitetin e popullit nga presidenti por edhe në përcaktimin e rolit të tij, në sistemin kushtetues. Veçmas në dy aktgjykime të saj, është definuar rëndësia e përfaqësimit të unitetit të popullit nga presidenti në raport me ushtrimin e kompetencave nga ana e tij. (Aktgjykim Rasti Nr. KO 97/10, Naim Rrustemi dhe të tjerët; Aktgjykim Rastet K.O. 29/12 dhe K.O. 48/12).
Sipas kësaj jurisprudence, detyrimi për përfaqësimin e unitetit të popullit, është interpretuar i lidhur ngushtë dhe në vartësi të modelit të zgjedhjes së presidentit, në vartësi të pozitës politike të institucionit të presidentit në raport me institucionet e tjera kushtetuese, si dhe në raport me ushtrimin konkret të kompetencave të dhëna me kushtetutë.
Në dritën e këtyre aktgjykimeve, funksioni i presidentit si përfaqësues i unitetit të popullit, nënkupton që Presidenti i Republikës të mos jetë pjesë aktive e as pasive e ndonjë partie politike, apo që të mos mbaj çfarëdo posti që mund t’i paragjykojë animin e tij partiak e politik.
Pra, Presidenti i Republikës, në mënyrë që të ushtrojë detyrën e një përfaqësuesi të unitetit të popullit, duhet që të mos jetë thjeshtë dhe vetëm në pikëpamje subjektive i paanshëm ndaj cilësdo parti politike, por edhe që të shihet ashtu në anën e jashtme, përmes demonstrimit të veprimeve konkrete të tij/ saj. Po ashtu, koncepti i përfaqësimit të unitetit të popullit krijon detyrimin që Presidenti i Republikës të jetë kundërbalancues popullor ndaj politikave publike që nxjerr qeveria dhe parlamenti.
Në këtë mënyrë, bazuar në përcaktimin kushtetues që mishëron neni 83 “Statusi i Presidentit”, si dhe nga konceptimi i rolit të tij si faktor ekuilibri në jetën politike të vendit, mund të konkludojmë se sikurse në shumicën e vendeve demokratike, Presidenti i Republikës së Kosovës, paraqet një faktor neutral që nuk përfshihet në lojën e përditshme politike, por qëndron mbi palët dhe sigurohet për funksionimin demokratik të institucioneve.
Nga sa u tha më sipër, ky do të ishte modeli i një presidenti ideal që e ka projektuar kushtetuta për të ushtruar në mënyrën më të mirë, detyrimin e përfaqësimit të unitetit të popullit.
Megjithatë, praktika parlamentare kosovare nuk është aq shpresdhënëse për sa i takon procesit politik që i paraprinë zgjedhjes së një presidenti që do t’i përmbushte në masën e duhur kriteret e kërkuara, për përfaqësimin më të mirë të këtij parimi kryesor kushtetues nga ana e tij.
Faton FETAHU
Autori është njohës i të drejtës kushtetuese dhe parlamentare, me përvojë solide në këshilldhënie juridike