Ilustrimi: Trembelat për Kallxo.com

Çfarë gjuhe flet Hashim Thaçi?

Është bërë e vështirë të dekonstruktohet fjalori politik dhe të përcaktohet ajo që përfaqëson Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi përmes ideve dhe qëndrimeve të tij.

Në një artikull autorial të publikuar të enjten në Financial Times, Thaçi ishte konsistent vetëm me atë që ai vazhdimisht ka thënë gjatë dekadës së fundit si ish-kryeministër dhe tash si president. “Për Kosovën, nuk ka alternativë tjetër pos anëtarësimit në BE dhe NATO. Ne nuk kemi një plan B, as nuk jemi duke kërkuar një të tillë”.

Megjithatë, në vazhdimësi të kësaj vendosmërie dhe pozicioni të qëndrueshëm, të pranuar gjerësisht nga spektri politik në Kosovë, befas, Thaçi dha një paralajmërim. “Mundësia që Kosova dhe Serbia të arrijnë marrëveshje, rrezikon të pakësohet. Potenciali i të tjerëve për të përfituar nga vakumi është i madh”.

Nëse Kosova nuk ka alternativë tjetër përveç anëtarësimit në BE dhe NATO dhe nuk ka plan B, lind pyetja legjitime: Çfarë e bën këtë vakum aq të madh për Kosovën?

Megjithëse Thaçi nuk e thotë në mënyrë eksplicite kur ai shkruan “të tjerët”, ai nënkupton Rusinë, pasi ai më parë ka folur për ndërhyrjen ruse në rajon.

Sipas logjikës së tillë, Kosova duhet të përshpejtojë arritjen e një marrëveshje, jo sepse është jetike për interesin e Kosovës, por për t’u përshtatur me rrethanat e saj gjeopolitike. Sigurisht, një gjuhë e tillë është një rregullim në përputhje me perëndimorët e shqetësuar për ndërhyrjen e shtuar ruse në Ballkan.

Oksimorja qendrore në op-ed-in e Thaçit vërehet sidomos kur ai thotë këtë:

“Kosova do ta ruajë sistemin aktual politik si republikë unitare …. Ne nuk do të shqyrtojmë eksperimente që do ta hedhin poshtë rendin kushtetues”.

Tani, Thaçi, i cili e krijoi idenë e “eksplorimit të eksperimenteve” javë më parë, ose ka harruar se ai ka shpikur idenë për “korrigjimin e kufijve”, ose thjesht përdor gjuhë aq të paqartë saqë ai kundërshton veten. Skenarë të tjerë mund të jenë që presidenti ka marrë mesazhe të qarta në Nju Jork në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, që shkëmbimi i territorit është jashtë diskutimit në Ballkan. Nga ana tjetër, ndoshta Thaçi po komunikon me dy audienca, ndërkombëtarët dhe ata që ai pretendon se përfaqëson- popullin e Kosovës.

Sidoqoftë, pikërisht ideja e tij për korrigjimin e kufijve rrezikon rendin kushtetues të Kosovës, dhe për disa ditë, Thaçi po e denoncon autorin e një ideje të tillë – vetveten.

Një tjetër antagonizëm në fjalimin e Thaçit shkon në mënyrë të ngjashme. “Para së gjithash, një korrigjim kufitar nuk duhet të bazohet në parimin e ndarjes etnike. Ne nuk duam të ndajmë dy popujt tanë “, argumenton Thaçi.

Pikërisht Thaçi propozoi idenë e çuditshme të korrigjimit të kufijve të bazuar në parimin e ndarjes etnike. Lugina e Preshevës është e banuar kryesisht me shqiptarë dhe kërkesa e vetme e Thaçit – e kamufluar nën termin “korrigjim kufish” – ishte se lugina e Preshevës të bashkohet me Kosovën.

Sa naiv mund të jenë të tjerët që të besojnë se kjo ide nuk është e bazuar pikërisht në ndarje në vija etnike?

Përsëri në shënimin e tij përmbyllës, ai vazhdon të shërbejë kontradikta duke lënë të kuptohet se ai mbetet i përkushtuar ndaj idesë së korrigjimit të kufijve, duke e konfirmuar se mbetet kjo temë mbetet një qëllim i tij.

“Së dyti, ne nuk po kërkojmë të krijojmë kushte për ndryshime të kufijve kudo në rajon, siç është me Shqipërinë, pavarësisht nga ajo që disa kanë thënë,” vazhdoi ai.

Për më shumë se një dekadë, Thaçi dhe vartësit e tij e kanë  folur se si një shtet multietnik është zgjidhja e vetme në Kosovë, përpara se të kalohet haptazi në një kthesë drastike për të nxitur korrigjimin e kufijve, bazuar tërësisht në linjat etnike.

Ata që kanë mësuar manovrat politike të Thaçit gjatë gjithë karrierës së tij, janë të vetëdijshëm se për të marrë Luginën e Preshevës, duhet të paguhet një çmim i lartë.

Thaçi shpesh ka thënë se marrëveshja përfundimtare do të jetë një “kompromis i dhimbshëm”. Megjithatë, ai nuk ngurronte të emërojë çmimin e tij, në veri të Mitrovicës dhe nuk do të ishte befasi që së shpejti të shiheshin lëvizje të tjera taktike sapo ai të jepte idenë. Ka shembuj të tjerë të tij se mund të veprojë kështu dhe për të përmendur atë më të freskëtën, mund t’i shohim përpjekjet e tij për të shfuqizuar Dhomat e Specializuara në dhjetor të vitit 2017, edhe pse ai ishte një nga përkrahësit më të mëdhenj të themelimit të Gjykatës Speciale.

Të premten, në një konferencë për shtyp, presidenti tha se me këtë kërkesë po respekton “thirrjen e ligjshme” të popullit të Luginës së Preshevës që dëshiron të bashkohet me Kosovën. Nesër, ai mund të thotë vetëm se Vuçiq thjesht po e respekton “thirrjen legjitime” të popullit serb të komunave veriore të Kosovës për t’u bashkuar me Serbinë.