Ilustrim: Kallxo.com

Burimet e ujërave të ngrohta të shfrytëzohen për ngrohje në Kosovë

Furnizimi i qëndrueshëm me energji pa e ndotur mjedisin është një nga sfidat më të mëdha të Kosovës dhe vendeve të tjera. Energjia dhe mjedisi janë faktorë esencialë të zhvillimit të qëndrueshëm. Mirëpo një pjesë e madhe e problemeve mjedisore mund të zgjidhen nëse ka mjaft energji, e cila nuk është e shtrenjtë dhe mund të prodhohet e përdoret pa krijuar probleme dhe pasoja mjedisore të pariparueshme.

Qëllimi bazë i menaxhimit të integruar energjetik është kalimi kah zhvillimi energjetik i qëndrueshëm, duke përdorur edhe burimet energjetike të qëndrueshme – të ripërtëritshme të cilët janë mjaft efiçente dhe nuk e dëmtojnë mjedisin.

Nisma të ndryshme janë ndërmarrë nga vendet e zhvilluara për të parandaluar ndotjen e mëtutjeshme të mjedisit dhe ngrohjen globale. Sipas Grupit Ndërqeveritar të Eksperteve mbi Ndryshimet Klimaterike (IPCC), për të kufizuar rritjen e temperaturave nën 2°C dhe për të parandaluar rrjedhoja të rënda për njeriun, emetimet globale të gazit me efekt serë duhet të ulen me 50% brenda vitit 2050 (në krahasim me nivelet e vitit 1990).

Meqë Kosova mëton të jetë pjesë e BE-së dhe është nënshkruese e Traktatit të Komunitetit të Energjisë, është e obliguar të plotësojë Vendimet që dalin nga Këshilli i Ministrave të Komunitetit të Energjisë si dhe plotësimin e objektiva kombëtare shtetërore 20-20-20. Këto objektiva janë avancuar edhe më shumë, pasi në Udhëzimin Administrativ nr. 05/2017 (MZHE), për gjenerim të energjive nga burimet e ripërtëritshme është vendosur caku prej 29,89%, ku energjia gjeotermale për gjenerim të energjisë së nxehtësisë (për ngrohje –ftohje) parashihet të jetë në pjesëmarrje prej 10 MW/nxehtë.

Në shkrimet e një analize për disponueshmërinë e “Opsionet për Energji të Qëndrueshme për Kosovën” (Grupi për Energji dhe Burime, Universiteti i Kalifornisë, Berkeley)i bërë për KOSID-in, thuhet se “nuk ka studime në dispozicion për potencilin e energjisë gjeotermike në Kosovë, megjithatë vendet fqinje (Maqedonia dhe Serbia) kanë një histori të përdorimit gjeotermik si një burim të energjisë”.

E tani në Kosovë, sikur edhe në shumë vende evropiane, ka studim shkencor për vlerësim të potencialit të energjisë gjeotermale, mundësitë e përdorimit, por edhe janë dhënë opsione se si ta shfrytëzojmë këtë energji me teknologji bashkëkohore- pompat e nxehtësisë.

Energjia gjeotermike është energji e ripërtëritshme, që gjenerohet nga proceset gjeologjike në thellësi të tokës. Fjala gjeotermik rrjedh nga fjala greke: geo (toka) dhe termo (nxehtësia), që do të thotë nxehtësi e tokës. Pra, përdorimi i nxehtësisë së tokës për t’i ngrohur vendbanimet tona.

Edhe Kosova disponon me burime natyrore energjetike- burime gjeotermale. Regjimi gjeotermal të vendit e përcaktojnë parametrat e ndryshëm gjeotermalë. Dendësia e fluksit të nxehtësisë prej 40, 50 MW/m2 deri në 110MW/m2. Gradientët mesatarë gjeotermalë (mbi mesataren e Evropës), prej 0.035, 0,05 deri në 0,120C/m përkatësisht me temperatura nga 30, 40 deri në 1080C, në 1000m thellësi, që përfshijnë zona dhe nën-zona gjeotermale në shtrirjen VP-JL-VL dhe në qendër të vendit.

Për të shfrytëzuar energjinë e tokës, duhet t’i jepet konsideratë e veçantë zonave të “nxehta” me energji, si edhe ujërave të ngrohët në shtresë të cekët pranë sipërfaqes së tokës, që në Kosovë përdorën vetëm si ‘banjo termale’, apo derdhen të pa shfrytëzuar në natyrë.

Në Kosovë, potenciali i energjisë gjeotermale që vie nga ujërat termominerale (të ngrohta nga nxehtësia e tokës) rezulton me energji për ngrohje me vlerat e kapaciteti instalues prej 10.45 (MW/nxehtë.), deri në 14.5 (MW/nxehtë) dhe energji vjetore prej 108.5TJ/vit deri në atë të afërt me 250.3TJ/vit, si edhe nga ujërat e nxehtë pranë sipërfaqësorë në shtresë të cektë, i tejkalon kornizat e kufizimeve për mundësit e shfrytëzimit të kësaj energjie. Pra, ato mund të shfrytëzohen jo vetëm për tretmane banjologjike, sport dhe rekreacioni- si qendra turistike, por edhe për ngrohje të objekteve individuale me urbanizim të ulët dhe atyre në industri, me metodë të drejtpërdrejtë me teknologji moderne – pompat e nxehtësisë, me metodë direkt dhe atë:

Në shtresë të tokës me nxjerrjen e nxehtësisë me sondime, deri në 200m thellësi,

Në ujërat me temperaturë prej 10-180C, në shtresë pranë sipërfaqësore

Në shfrytëzimit të entalpisë së ulët të ujërave termominerale me temperatura mbi 200C, në lokalitete të caktuara të Kosovës.

Në Kosovë, shfrytëzimi i energjisë gjeotermale me entalpi të ulët, me teknologji moderne me pompa të nxehtësisë ka filluar të zbatohet në disa ndërtesa individuale, në lokalitete publike, me përmasa më të vogla, shkolla dhe fare pak në ato kolektive.

Nga të gjitha burimet e energjisë së ripërtëritshme, energjia gjeotermale është ndoshta zgjidhja më e mirë me arsye se: era nuk është gjithmonë e besueshme, dielli është lozonjar nuk ndriçon tërë kohën, dhe në hidrocentrale mund të gjenerohet më pak energji nëse nuk ka reshje të mjaftueshme. Kështu, e pavarur nga kushtet atmosferike, ora dhe dita, energjia gjeotermale është përparësi e këtij burimi të ripërtëritshme të energjisë së shpesh e quajmë edhe “energji e gjelbër”.

Me këtë vlerësim të përgjithësuar të potencialit të energjisë gjeotermale-të nxehtësisë, në terrene të caktuara të Kosovës, është sinjal për komunitetin tekniko-shkencor, të biznesit, të bujqësisë si dhe administratës shtetërore për mundësit në shfrytëzim të kësaj energjie, e cila sjell ndihmesë në lokalitete të caktuara si në: bilancin energjetik të ngrohjes, hapjen e vendeve të reja të punës, si edhe në mbrojtje dhe ruajtjen e mjedisit. Programe në shfrytëzimit të energjisë gjeotermale, tashmë janë shtruar presin për implementim!

Shkrimi është shkëputur nga studimet shkencore të Doktoratës së autores, Prof. Dr.sc. Atifete Zuna.