Photo- REL-Reuters.

BE kundër ShBA-së: Dy palë të etura për fitore në dialogun Kosovë-Serbi

   Pozicionet e ndryshme nga të dyja anët e Atlantikut kanë krijuar paqartësi të mëtutjeshme lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, me të dy palët të prirura të luajnë rolin e paqeruajtësit.

Ndërkohë që dialogu Kosovë-Serbi mbetet i pezulluar, i stopuar që nga muaji nëntor i vitit 2018-të, kur qeveria paraprake e Kosovës vendosi një taksë 100 përqind për mallrat serbe, interesi perëndimor për dialogun nga të dy palët e Atlantikut është rritur me shpejtësi muajt e fundit.

Muaji janar u karakterizua me vizita në Kosovë dhe Serbi nga Richard Grenell, i emëruar i Presidentit të ShBA-së, Donald Trump, si i Dërguar Special në dialogun Kosovë-Serbi dhe Josep Borrell, Përfaqësuesi i Lartë i sapoemëruar i BE për Çështje të Jashtme.

Grenell këmbënguli se do ta linte politikën mënjanë dhe se fokusi i tij do të jetë ekonomia, ndërkohë që inkurajoi Kosovën që të heqë taksën dhe, njëkohësisht, duke u kërkuar zyrtarëve serbë që të përfundojnë fushatën e tyre duke inkurajuar vendet që ta “ç’njohin” shtetësinë e Kosovës.

Borrell, në ndërkohë, e riafirmoi angazhimin evropian për Ballkanin, duke përfshirë vendosmërinë e tij personale për një progres në dialogun Kosovë-Serbi. Raportet e fundit sugjerojnë gjithashtu se ai do të emërojë një të dërguar special për dialogun Kosovë-Serbi, diplomatin gjerman Christoph Heusgen, i cili ka shërbyer si ambasador i Gjermanisë në Kombet e Bashkuara, emër ky që është përmendur.

Në Prishtinë, Borrell insistoi që BE dhe ShBA nuk janë rival kur bëhet fjalë për diplomacinë ose ndërmjetësimin mes Kosovës dhe Serbisë. Sidoqoftë, një vështrim i pozicioneve të dy superfuqive paraqet dy grupe të ndryshme interesash.

Qasja e Presidentit Trump, “Së pari Amerika”, është e fokusuar në arritjen e rezultateve të shpejta. Fillimin i vitit 2020-të, një vit elektoral në ShBA, Trump e ka zhvendosur fokusin e tij drejt politikës së jashtme, duke u angazhuar në mënyrë aktive në çështjet ndërkombëtare dhe duke marrë një varg vendimesh impulsive të politikës së jashtme. Vrasja e komandantit të lartë ushtarak iranian, Qassem Soleimani, më 3 janar përshkallëzoi tensionet midis Uashingtonit dhe Teheranit, dhe i dha fund marrëveshjes bërthamore të Iranit.

Interesimi i Trump në politikën e jashtme ka prodhuar një varg paqartësish që po hyn në një fazë të një krize të përhershme. Ai duket se nuk ka objektiva të qarta, e lëre më një strategji, dhe mandati i tij në detyrë shënon një zhvendosje larg qasjeve konvencionale të politikës së jashtme amerikane dhe drejt një stili të tij dallues.

Tani, me më pak se dhjetë muaj para ditës së zgjedhjeve, Trump është në kërkim të një historie suksesi të politikës së jashtme për ta shitur para publikut në ShBA. Çështjet e keqpërdorura në Ukrainë rezultuan me një proces akuzash ndaj tij (Impeachment), ndërsa vrasja e Soleimanit ka përshkallëzuar më tej tensionet në Lindjen e Mesme dhe nuk është arritur asnjë përparim në bisedimet bërthamore me Korenë e Veriut. Bërja publike nga Trump për “marrëveshjen e tij të shekullit” për planin e paqes Izrael-Palestinë është hedhur poshtë nga autoritetet palestineze dhe vendet e Lidhjes Arabe si një plan i njëanshëm ndaj Izraelit.

E gjendur në mes të këtij konflikti, administrata Trump-it mund t`i kthejë sytë drejt Evropës Juglindore, që mund të jetë tentimi më i mirë i presidentit Trump në një veprim të suksesshëm të politikës së jashtme, duke marrë parasysh shkallën e mosmarrëveshjes Kosovë-Serbi dhe qëndrimin e shumëpërhapur proamerikan të Kosovës ndaj ShBA-së.

Në muajin dhjetor të vitit 2018, Presidenti Trump bëri një veprim befasues duke u dërguar letra personale presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, për t`i inkurajuar ata në arritjen e një marrëveshje përfundimtare për paqe dhe duke u ofruar mundësinë e një ftese të përbashkët për vizitë në Shtëpinë e Bardhë.

Më 20 janar, Grenell dhe Këshilltari për Siguri Kombëtare i ShBA-së, Robert O’Brien, ndërmjetësuan një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë për të rivendosur fluturimet direkte midis Prishtinës dhe Beogradit.

Menjëherë pas kësaj marrëveshje, Presidenti Trump ishte i shpejtë duke e cilësuar këtë marrëveshje si një fitore tjetër, duke i marrë meritat për arritjen e “marrëveshjes simbolike të linjës ajrore” midis dy vendeve – një demonstrim i mëtejshëm i nevojës së tij të dëshpëruar për të arritur një marrëveshje kuptimplote të politikës së jashtme që ai mund ta përdorë si një levë për fushatën e tij presidenciale.

 

Dështime të vjetra, pasiguri të reja

Në ndërkohë, BE është duke u përpjekur ta korrigjojë një dekadë të kthimeve të kufizuara në lidhje me politikën e jashtme në Ballkanin Perëndimor, dhe veçanërisht si një ndërmjetës midis Kosovës dhe Serbisë. Dialogu është aktualisht në pauzën e tij më të gjatë që kur ka nisur në vitin 2011-të, me samitet e ndërmjetësuara dhe të lehtësuara nga BE në Poznan dhe Berlin duke dështuar në rifillimin e diskutimeve.

Dialogu Kosovë-Serbi është përmendur gjithmonë si një synim kryesor i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, por paraardhësja e Borrell-it si Përfaqësuese e Lartë për Punë të Jashtme, Federica Mogherini, ka arritur një progres të vogël në diskutime dhe u karakterizua me pretendime për takime të fshehta dhe për një përfshirje në një zgjidhje thellësisht jopopullore të ‘shkëmbimit të territoreve’ me Kosovën me të dy presidentët, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq.

Ky progres i ngadaltë, i shoqëruar me refuzimin për të filluar negociatat e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në tetor 2019-të, si dhe implementimi i vazhdueshëm i një regjimi vizash për qytetarët kosovarë do të thotë se besueshmëria e BE-së në Ballkanin Perëndimor po lëkundet. Në një kohë kur ky ndikim është dobësuar nga largimi i Mbretërisë së Bashkuar nga BE, kjo e fundit gjithashtu ka një nevojë dëshpëruese për “një fitore” nga dialogu, por jo në një afat kaq të shkurtër kohor.

Potenciali i interesave konkurruese për sa i përket ndërmjetësimit gjithashtu lë mundësinë e një dallimi midis politikanëve vendorë në Kosovë dhe Serbi.

Partia Demokratike e Kosovës, PDK, bojkotoi një takim me Borrellin gjatë vizitës së tij në Prishtinë, duke kritikuar të kaluarën e BE-së si ndërmjetës në këtë dialog në arsyetimin e tyre për ta bërë një gjë të tillë, ndërsa themeluesi i partisë dhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e përshkroi trajtimin e çështjes së vizave nga BE-ja si një “gabim strategjik”.

Ndërkohë, të dy partitë përbërëse në qeverinë e koalicionit në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK, patën takime me Borrellin. Kryeministri i ri Albin Kurti ka folur për gatishmërinë e tij për të udhëhequr dialogun. Ministri i ri i nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, gjithashtu ka hedhur poshtë idenë e nxitimit për arritjen e një marrëveshje me Serbinë apo për heqjen e taksave ndaj importit.

Në Serbi, Vuçiq e ka paralajmëruar publikun se emërimi i mundshëm i një gjermani si i dërguar special i BE-së do të jetë një sfidë për vendin, potencialisht duke anuar edhe më tej drejt amerikanëve për një zgjidhje të mundshme.

“Pavarësisht se kush është, Berlini do ta ketë kontrollin përmes Brukselit, gjë që nuk është e lehtë për ne”, i tha Vuçiq televizionit lokal serb, TV Prva, në përgjigje të diskutimit të të dërguarit të ri.  “Do të jetë shumë, shumë e vështirë”, deklaroi Vuçiq.

Teksa futemi më thellë në vitin 2020-të, dialogu mbetet i pezulluar, por pyetjet se kush do t’i përfaqësojë të dy shtetet dhe kush do të marrë meritat për çdo “marrëveshje përfundimtare” të nënshkruar midis Kosovës dhe Serbisë, vetëm sa po bëhen më komplekse.