Barnat e sugjeruara nga interneti dhe dezinformatat e rrezikshme
Një person u arrestua javën e kaluar për shkak se është paraqitur si doktor popullor dhe ka përdorur reklamën për të ftuar njerëz në trajtime që nuk janë të lejuara.
Sindromi i mjekëve popullorë por edhe i shitjes së ilaçeve popullore online nuk është i ri për vendin tonë.
Faktet tregojnë që bota e internetit e ka thelluar problemin e në raste edhe stërkequr.
Kudo që të jesh gjatë trajtimeve mjekësore do të dëgjosh muhabete të stilit: “E kam lexu në internet kjo të ndihmon shumë”, ”Doktor po më duket që kam problem me helikobaktere”, ”Doktor po më duket vitamina D i ka fajet”.
Këto fraza i dëgjon shumë shpesh në korridoret e hapësirat ku mjekët në Kosovë kontrollojnë pacientët.
Në një shoqëri ku 98 % e qytetarëve kanë qasje në internet sigurisht burimi kryesor për informacionin është interneti apo thënë më mirë rrjetet sociale.
Por shoqëritë si Kosova të cilat kanë një disbalancë serioze midis qasjes në internet dhe edukimit për internetin vlerësohet të jenë në një rrezik të lartë, në raste edhe me pasoja, për shëndetin e njerëzve.
Qytetarët e Kosovës vlerësohen si pak të edukuar në edukimin medial dhe edhe më pak në mendimin kritik. Si rrjedhojë kjo mungesë tashmë është dokumentuar se po shfrytëzohet për t’i mashtruar qytetarët.
Lajmet e rreme për shëndetësinë janë kudo dhe me qëllime shpeshherë djallëzore për qytetarët.
Nga verifikuesit e fakteve që operojnë në Kosovë lehtësisht konstatohet se një përqindje e lartë e lajmeve të rreme janë për shëndetësinë.
Ato nisin që nga shitjet online të ilaçeve “popullore e natyrale” e deri te mashtrimet për analizat apo për zbulimin e medikamenteve alternative.
Një kërkim i thjeshtë në databazat e verifikuesve të fakteve të tregon që mashtrimet e para zhvillohen me të ashtuquajturat zbulime të reja shkencore.
Në to gjeni pa asnjë fije turpi lajme të rreme se janë zbuluar vaksinat kundër kancerit, janë zbuluar medikamente për mëlçinë apo edhe tituj të tillë të cilët nga larg kuptohen se janë të rrejshëm.
Por publiku kosovar është i ekspozuar ndaj rrezikut për shkak të mungesës së edukimit medial. Materialet e rreme të hasura gjatë viteve të fundit janë të përgatitura me fotografi, me video apo edhe me infografi dhe kjo i bën ato në dukje si të vërteta.
Sindromi tjetër që vërehet shpesh e që në esencë është po ashtu i dëmshëm është shitja e barërave online. Në fakt, sipas Ligjit, online lejohen të shiten vitamina por që prodhuesit e lajmeve të rreme i fabrikojnë si ilaçe.
Shembull me qindra lajme të këtij formati gjenden me titujt ”ilaç për prostatë” apo “ ilaç për zemër”. Materialet që shiten janë shtesa ushqimore dhe vitamina.
Pak njerëz në vend e dinë që secili ilaç për t’u shitur në Kosovë duhet të regjistrohet në Agjencinë e Kosovës për produkte dhe pajisje medicinale dhe pak njerëz e dinë që Agjencia e ka publike listën e të gjitha barnave.
Abuzimi me qytetarin është i dukshëm dhe shitjet online nuk kanë të ndalur. Bashkë me to nuk kanë të ndalur as sugjerimet për analizat pa nevojë në laboratorët privatë dhe shitja e barnave pa nevojë në barnatoret private.
Është evidente që përfundimi i COVID-19 la prapa një industri laboratoresh të cilat medoemos duhet të mbajnë veten dhe të nxjerrin investimet në këtë kohë.
Si rrjedhojë, interneti është mbushur me këshilla për analiza dhe udhëzime për t’i bërë ato.
Ngjashëm vendi përballet me shitjen e barnave pa recetë në disa barnatore. Të edukuar në internetin plot dezinformata qytetarët e Kosovës përdorin antibiotikët si bonbonet pa asnjë kujdes paraprak nga mjekët.
Lista me këto konstatime është e rëndësishme të ndiqet nga njerëzit e mediave dhe të paktën të synohet që profesionistët të nisin e të ndërmarrin hapa për t’i trajtuar këto dezinformata.
Gazetarët duhet të bëjnë më shumë për të hulumtuar dhe raportuar për këto tema në mënyrë që qytetarët të jenë të informuar për të dalluar se cilat materiale që i lexojnë janë të rreme.