Varreza e personave të vrarë në Krushë të Madhe gjatë masakrës së marsit 1999 - Foto: KALLXO.com

Amnistia që na solli deri këtu!

Vizita e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Kosovë shpërfaqi edhe një herë qëndrimin e këtij shteti ndaj Kosovës. Nga deklaratat e tij u pa qartë se ky shtet ende mban qëndrim të njëjtë dhe pretendime armiqësore. Vuçiq në fjalimin e tij, ndër të tjera, e lartësoi edhe ish presidentin e Serbisë Sllobodan Millosheviq, duke mohuar kështu krimet e luftës që ai kishte kryer në Kosovë e vendet tjera të Ballkanit gjatë viteve të 90-ta. Pjesë e atij regjimi kishte qenë edhe vetë Aleksandar Vuçiq.

Pas presionit nga ana e Bashkimit Europian, Vuçiqit iu lejua të vizitonte edhe Liqenin e Ujmanit edhe pse fillimisht autoritetet e Kosovës nuk e kishin miratuar një gjë të tillë. Pas revokimit të vizitës së tij në fshatin Banjë të Skenderajt, që erdhi si rezultat i protestave nga shqiptarët e atij rajoni, Kosova u qortua nga BE-ja. Në anën tjetër, BE-ja komentoi  fjalimin e Vuçiqit vetëm disa ditë pas vizitës së tij dhe me ton më të butë, që vështirë se mund të quhet reagim dënues.

Janë kryesisht dy arsye pse sjellja e BE-së ndaj Kosovës ka dalluar me atë ndaj Serbisë. Arsyeja e parë është si rezultat i qasjes disavjeçare të udhëheqëseve të Kosovës ndaj Serbisë, qysh para shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Gjatë negociatave në Vjenë për zgjidhjen e statusit të Kosovës, udhëheqësit e Kosovës zgjodhën të mos përmendin gjenocidin që Serbia kishte bërë gjatë luftës në Kosovë, ndoshta me besimin se kështu Serbia do të pranonte zgjidhjen e propozuar për Kosovën. Kjo qasje u shpërfaq sërish edhe në deklaratën e Presidentit Thaçi rreth protestës së qytetarëve të Skenderajt ndaj vizitës së Vuçiqit. Presidenti Thaçi e komentoi këtë protestë me fjalët se nuk i ndihmonte përpjekjet për paqen dhe pajtimin dhe se qytetarët duhet të dinë të ngrihen mbi vetveten, mbi plagët dhe dhimbjet e shumta, për hir të paqes dhe pajtimit.

Takimi Thaçi- Vuçiq në kuadër të dialogut Kosovë- Serbi. Foto: BE

Edhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në preambulën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës të dalë nga Plani i Ahtisarit udhëheqësit e Kosovës nuk e vendosën luftën për liri dhe sakrificat e popullit të Kosovës nën regjimin serb. Në anën tjetër, ata u pajtuan për një numër të madh të kompromiseve për komunitetin serb në Kosovë. Me gjithë këtë, në fund Serbia nuk e pranoi pavarësinë e Kosovës, por në të kundërtën vazhdoi pretendimet e saj ndaj Kosovës dhe me  fushatën e saj lobuese tek shtetet tjera me qëllim të pengimit të njohjeve.

Në vitin 2010, Serbia kërkoi edhe mendim nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë lidhur me shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Kjo e fundit në vendimin e saj konstatoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, duke i dhënë kështu Kosovës një argument të fortë në konsolidimin e shtetësisë së saj. Përpjekjet e Serbisë për ta minuar pavarësinë e Kosovës vazhduan edhe më tutje kur në shtator të po të njëjtit vit ajo sponsoroi një rezolutë në Kombet e Bashkuara me anë të së cilës kërkonte dialog, për siç u referohej, të gjitha çështjet e hapura rreth Kosovës. Pas diskutimeve të përfaqësuesve të BE-së me palën serbe ishte arritur që Serbia të bindej për modifikim të kësaj rezolute dhe bashkësponsorim me 27 shtetet e BE-së. Rezoluta e re e miratuar nga  Asambleja e Përgjithshme e OKB-së pranonte përmbajtjen e mendimit këshillëdhënës të GJND-së dhe mirëpriste gatishmërinë e BE-së për të lehtësuar një proces të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Udhëheqësit e Kosovës u pajtuan të hyjnë edhe në këtë proces të dialogut, që filloi në vitin 2011, pa kërkuar llogari dhe kërkim falje nga Serbia për viktimat dhe dëmet që ajo kishte shkaktuar gjatë luftës. Ashtu siç kishin besuar se me mohim të luftës në Kushtetutën e Kosovës Serbia do të njihte pavarësinë e Kosovës, vazhduan me të njëjtën qasje duke besuar se kjo do ta sillte normalizimin e marrëdhënieve, pajtimin e anëtarësimin e Kosovës në OKB.

Kjo qasje e udhëheqësve të Kosovës i përshtatej edhe BE-së, pasi që nëse Kosova do të kishte kërkuar që në dialog të flitej për luftën, Serbia mund të mos kishte pranuar të niste dialogun fare. E për BE-në ishte më e rëndësishme që të ndodhë normalizimi i marrëdhënieve, në mënyrë që Serbia të mund të avanconte drejt integrimit në BE, e kështu t’i afrohej perëndimit e të qëndronte sa më larg Rusisë. Largimi i Serbisë nga Rusia dhe afrimi me BE-në, sot e asaj dite ka qenë synimi i raporteve të BE-së me Serbinë dhe qasja e butë ndaj Serbisë ka qenë në funksion të arritjes së këtij qëllimi. Kjo është vërtetuar shumë herë kur Serbia në situatat kur nuk ka qenë e kënaqur nga rezultatet e dialogut ka kërcënuar BE-se se nuk kishte nevojë për integrim dhe se mund të vazhdonte orientimin e saj kah Rusia.

Ka pasur raste kur edhe udhëheqësit e Kosovës janë munduar të përdorin një kartë pak a shumë të ngjashme. Kur Kosovës nuk i është dhënë për disa vite radhazi liberalizimi i vizave, Presidenti Thaçi në atë kohë kryeministër i vendit, pati deklaruar disa herë se nëse nuk ndodhte kjo Kosova do të konsideronte bashkimin me Shqipërinë. Megjithatë për dallim nga udhëheqësit e Serbisë të cilët kanë kërcënuar me mbulesë, kërcënimet e udhëheqësve të Kosovës kanë qenë blanko. P.sh në Serbi kanë bërë veprime konkrete të bashkëpunimit me Rusinë, duke shkuar deri aty sa Rusia u ka dhuruar avion e raketa ushtarake. Ndërsa, udhëheqësit e Kosovës përtej retorikave ditore kanë ndërmarrë fare pak veprime konkrete të bashkëpunimit me Shqipërinë. Kjo tek BE-ja ka përçuar mesazhin e qartë se kush e ka seriozisht në këtë aspekt.

I njëjti veprim mund të jetë duke ndodhur edhe tash me pretendimet e Presidentit Thaçi se Kosova do të marrë nga Serbia Luginën e Preshevës edhe pse çështja e shqiptarëve atje dhe të drejtave të tyre nuk është shtruar asnjëherë nga pala e Kosovës në dialog. Nëse nuk ka plan konkret dhe mundësi reale për këtë, kjo vetëm sa do ta dobësojë edhe më tutje pozitën e Kosovës në dialog me Serbinë.

Presidenti Hashim Thaçi takon liderët e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Foto: Kallxo.com

Pas një sërë marrëveshjeve nga dialogu teknik, me 19 prill 2013, Kosova arriti me Serbinë edhe marrëveshjen e parë të parimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Mirëpo gjashtë vite pas arritjes së kësaj marrëveshjeje raportet nuk janë normalizuar dhe Serbia ka vazhduar me qasjen e vet të bllokimit dhe lobimit kundër Kosovës.

Tani që dialogu ka hyrë në fazën tjetër të tij, nga e cila pritet të rezultojë edhe një marrëveshje  mes Kosovës dhe Serbisë, pala e Kosovës sërish ka hyrë edhe në këtë fazë me qasje të njëjtë. Edhe këtë herë udhëheqësit e Kosovës po vazhdojnë dialogun pa kushte dhe pa insistuar në kërkim falje, kthim të të pagjeturve dhe kompensim të reparacioneve të luftës nga Serbia. Për më tepër, në diskurse publike ata kanë shpërfaqur hapur gatishmërinë e tyre për të bërë edhe kompromise tjera me gjithë numrin e madh të kompromiseve që Kosova ka bërë deri më tani në raport me Serbinë. Kjo e ka vendosur Kosovën në pozicion të pafavorshëm qysh në fillim të kësaj faze të dialogut.

Udhëheqësit e Kosovës është dashur që deri më tani të ndryshonin qasjen në dialog me Serbinë, duke qenë se me gjithë  kompromiset nga plani i Ahtisarit, heqjes nga Kushtetuta të luftës për liri, kompromiset në marrëveshjet e dialogut që nga viti 2011, nuk është arritur as pajtimi, as njohja nga Serbia dhe as anëtarësimi në OKB. Është absurde të priten rezultate tjera nga dialogu, me vazhdim të veprimeve të njëjta.

Me amnistinë që udhëheqësit e Kosovës i kanë bërë Serbisë për krimet e luftës, ia kanë rritur asaj pretendimet ndaj Kosovës dhe ia kanë mundësuar që të marrë rolin e viktimës së luftës në vend të Kosovës. Mbi bazën se Serbia është viktima sepse Kosova ka shpallur pavarësinë e saj, Serbia po vazhdon pretendimet se për këtë duhet të kompensohet, duke kërkuar kështu pjesë nga Kosova. Kështu ajo po vazhdon përpjekjet e saj për të vendosur kontrollin e saj në shtetin e Kosovës dhe resurset natyrore. Një nga qëllimet e Serbisë është edhe krijimi i Asociacionit autonom të komunave me shumicë serbe që do të vendoste një pushtet të tretë të qeverisjes në Kosovë. Ndërsa, qëndrimi i saj zyrtar vazhdon edhe më tutje të jetë se Serbia kurrë nuk do ta njoh Kosovën.

Kosova duhet ta ndërrojë urgjentisht këtë qasje dhe parakusht për vazhdimin e kësaj faze të dialogut duhet të jenë kërkim falja nga Serbia për krimet e luftës, kthimi i të pagjeturve dhe kompensimi i reparacioneve të luftës. Këtë argument Kosova mund ta mbështesë me praktika të vetë shteteve anëtare të BE-së të cilat pas luftërave mes vete kanë vendosur normalizim dhe pajtim përmes kërkim faljes dhe kompensimit të reparacioneve të luftës dhe jo mohimit të krimeve të luftës.

 

(Autorja është hulumtuese në Institutin Demokratik të Kosovës – KDI)

Opinionet e shprehura në këtë rubrikë janë vetëm të autorëve dhe nuk reflektojnë domosdoshmërisht ato të KALLXO.com.