Fotografi nga një protestë kundër ndërprerjes së rrymës në Prishtinë. Foto: Kallxo.com

Aktivizëm Përtej Facebook-ut

Shtëpia e bën lagjen, lagja e bën fshatin, fshati e bën qytetin dhe qyteti e bën shtetin, sepse rriten nevojat shoqërore dhe pse ato nuk mund të përmbushen me vendbanimin aktual, zhvillohet vendbanimi më tej. Po përse një vendbanim ndalet së rrituri kur bëhet shtet? Përse ne nuk kemi një gjë më tepër se shteti?

Shteti, ndryshe nga qyteti apo fshati është i vetëmjaftueshëm për veten e tij. Shteti, ndryshe nga qyteti, mund të qëndrojë mbi këmbët e veta. Prandaj nuk ndjejmë nevojë që të kemi një vendbanim më të lartë se shteti. Ndërsa shtetasit që tregojnë mundim për të qëndruar Republika e Kosovës mbi këmbët e veta quhen shoqëri civile. Pra të jesh një individ apo organizëm që kontribuon të qëndrojë shteti yt mbi këmbët e veta do të thotë të jesh shoqëri civile. Kjo është logjika e lindjes së shoqërisë civile e përmendur nga Aristoteli, që është përkthyer si “Civitas Perfecta” në gjuhën latine si dhe e adaptuar si Shoqëri Civile në gjuhën shqipe.

Në nivelin shtetëror të vendbanimit, burokracia e merr formën e saj më të mirë. Të kesh burokraci, do të thotë, në të njëjtën kohë të udhëheqësh dhe të udhëhiqesh. Me një shembull ta ilustrojmë. Nëse jeni një qytetar që punoni në një institucion, sipër jush e keni një qytetar që ju udhëheq, por nën e keni një qytetar që ju e udhëhiqni. I gjithë ky mekanizëm, të jesh i udhëhequr dhe të udhëheqësh në të njëjtën kohë, ndërtohet për të pasur një vendbanim që ka “vetëmjaftueshmëri”, që rri mbi këmbët e veta (Dücane C). Kjo, për herë të parë, me aq sa dihet, ka dalë në Polis. Pra, vendbanimi i cili ka arritur të qëndrojë mbi këmbët e veta pa pasur nevojë për vendet e tjera është quajtur polis dhe ata që kanë kontribuar për këtë janë quajtur, me gjuhën e sotme, shoqëri civile. Pra, shoqëri civile është secili grup shoqëror; OJQ – të, Media, Shoqata e Asociacione të ndryshme, të cilët mundohen ta ndihmojnë shoqërinë që të qëndrojë mbi këmbët e veta.

Vetëmjaftueshmëria

Kur një temë e tillë trajtohet për gjendjen aktuale të Republikës së Kosovës, supozimet për të arritur “vetëmjaftueshmërinë” janë të lehtë lexueshme:

  1. Nëse populli është i uritur, shoqëria civile duhet të punojë në këtë drejtim, derisa të mos mbetet njeri i uritur në shtet.
  2. Nëse ka qytetar pa strehë mbi kokë, qoftë i tillë një i vetëm, shoqëria civile për këtë punë duhet të punojë, derisa të mos mbetet njeri pa strehë mbi kokë.
  3. Nëse ka njeri që nuk di të lexojë e të shkruajë, shoqëria civile duhet të orientohet në këtë drejtim.

Këto janë tri shtylla kryesore, pa ndërtimin e të cilave nuk ka vetëmjaftueshmëri shoqërore apo shtetërore. Me popull të uritur, me popull që nuk ka strehë mbi kokë dhe brenda të cilit popull ka qytetar që nuk di të lexojë, tipare këto të Republikës së Kosovës, nuk mund të arrihet vetëmjaftueshmëria. Nëse një shoqëri civile nuk i ngrit seriozisht këto probleme thelbësore, mund të perceptohet si një që nuk e kupton realitetin.

Hegeli ka një anekdotë për këtë punë. Realitetin, thotë ai, njerëzit e kuptojnë si karotë, majdanoz e domate, por këto gjëra njerëzit në të njëjtën kohë i hanë, i zhdukin. Ndërsa realiteti nuk është një gjë që mund të zhduket. Pra realiteti është ekzistenca e varfërisë në Kosovë, derisa ajo nuk zhduket. Realiteti është ekzistenca e analfabetizmit në Kosovë, derisa ajo nuk zhduket.

Në Kosovë sheh fëmijë që pastrojnë xhama veturash, pleq që nëpër kontejnerë të mbeturinave fusin dorën e kokën, për të gjetur një copë ushqim të braktisur. Në Kosovë sheh pensionistë që shpërblehen fare pamjaftueshëm për kontributet e tyre për ndërtimin e shtetit. Shtetit që tash nuk i gjendet afër për t’i siguruar një mirëqenie në pleqëri. Në Kosovë sheh qytete që nuk kanë biblioteka të mirëfillta dhe studentë që nuk mund të gjejnë literaturë. Këto janë hallet e qytetarëve, ky është realiteti. Pra, kur flasim nëpër konferenca për terma ekonomike dhe premtime pompoze, realiteti i varfërisë nuk zgjidhet. Vetëm pse flasim për shoqëri civile, nuk do të thotë që ne e kemi atë. Jemi në një gjendje, ku secili cent që shpenzohet nga shteti dhe shoqëria civile duhet të shpenzohet në mënyrën më të mirë sepse qytetari është i varfër e i uritur. Ky është realiteti që nuk mund të hahet e të zhduket si domatja pra.

Pasqyra e popullit

Në Kosovë, shoqëria civile duhet ta detyrojë shtetin dhe vendimmarrësit që t`i zgjidh problemet konkrete të popullit. Kjo duhet bërë duke i përdorur burimet njerëzore, pra duhet t`ia vizatosh shtetit, hap pas hapi, se si zgjidhet një problem e për këtë duhet t`i përdorësh burimet njerëzore, sepse e ke një shtet i cili ka nevojë për instruksione. Shteti, edhe nëse nuk e di ai, është shërbëtor i popullit dhe, sa më herët aq më mirë, duhet ta mësojë këtë. Këtë duhet t`ia bëjë me dije shoqëria civile duke i nxitur qytetarët që të marrin pjesë në hartimin e buxheteve komunale apo qendrore, të marrin pjesë në debate për zgjidhjen e problemeve, t`i mbrojnë të drejtat e tyre qytetare e ta monitorojnë sjelljen e institucioneve ndaj tyre.

Pse shoqëria civile dhe jo populli duhet t`ia mësojë këtë shtetit, mund të parashtrohet pyetja. Sepse, shoqëria civile është pjesë e udhëheqjes. Prandaj mund ta qortojë, mund të propozojë zgjidhje, mund ta detyrojë çdo ditë shtetin për veprim. Qytetari që është i uritur, që nuk ka çfarë të hajë, që nuk ka strehë mbi kokë, që nuk ka çfarë të lexojë, mund ta ndëshkojë shtetin me votë, vetëm kur bëhen zgjedhjet, nëse nuk vdes nga uria e padituria deri atëherë. Shoqëria civile duhet dalë nga zyret dhe nga rrjetet sociale dhe duhet të ecë në terren për të parë problemet e qytetarëve me gjithë lakuriqësinë e tyre. Sa të padrejtë që jemi, aq të padrejtë do të jenë me ne. Dorën në zemër, që të gjithë, më të sinqertë dhe më vetëkritik duhet të jemi. Punët, siç e dëshmuam për shumë vite, me fjalë nuk kryhen.