Bruksel - Foto: REL/Tass

Agjenda 2021: Si mund t'i qaset Qeveria e Kosovës çështjes së liberalizimit të vizave?

Kanë kaluar tri vjet qyshkur Komisioni Evropian (2018) konfirmoi se Kosova i ka përmbushur dy kërkesat e fundit të përcaktuara në udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave. Kjo do të thotë se të gjitha kriteret e përcaktuara në Udhërrëfyesin për Liberalizimin e Vizave janë përmbushur dhe se se tani topi është në fushën e BE-së. Bazuar në vlerësimin e tyre pozitiv, propozimi i Komisionit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës – siç përcaktohet me procedura – është dërguar për miratim në Parlamentin Evropian dhe në Këshillin Evropian.

Kjo ka ndodhur pas katër raporteve të progresit plus një raport përfundimtar shtesë për dy kriteret e mbetura, d.m.th., marrëveshja e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe të arriturat në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Gatishmëria e Parlamentit Evropian për të lëvizur me shpejtësi për këtë çështje u konfirmua më 13 shtator të vitit 2018, kur shumica e eurodeputetëve votuan pro miratimit për fillimin e bisedimeve për viza me Kosovën. Megjithatë, Këshilli ende heziton në vendosjen e kësaj çështje në votim dhe vendimi për propozimin është ende në shqyrtim në Këshill. Ka disa arsye pse kjo nuk po ndodh, ndërkohë që edhe zyrtarisht deklarohen, dy shtetet anëtare të BE-së siç janë Franca dhe Holanda, në mënyrë implicite e kundërshtojnë vlerësimin e Komisionit, veçanërisht në lidhje me çështjet e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Derisa shqetësimet e këtyre dy vendeve anëtare të BE-së të mos adresohen sa duhet, Kosova do të mbetet në dhomën e pritjes. Komisioni është i obliguar që në të ardhmen të vazhdojë me monitorimin e kritereve për liberalizimin e vizave, duke e bërë këtë përmes mekanizmit të Stabilizim-Asociimit.

Kësisoji, ata japin opinionin e tyre për këtë çështje në baza vjetore, i cili ka mbetur i pandryshuar që nga viti 2018 dhe së fundmi është rikonfirmuar në Raportin për Kosovën 2021. Mirëpo, kjo këmbëngulje e shprehur në letër, por edhe përmes deklaratave të përkrahësve të liberalizimit të vizave, nuk e ndryshoi situatën në terren për Kosovën që është ende në një limbo.

Ndërkohë, duke qenë dëshmitarë të mbështetjes së Komisionit të BE-së dhe Parlamentit të BE-së pa ndonjë plan se si do të përmbyllet ky proces, zhgënjimet e qytetarëve të Kosovës dhe elitave politike kanë qenë në rritje konstante, madje disa prej tyre kanë hequr dorë nga procesi.

Ndërkohë që të dyja palët, BE-ja dhe Kosova, i kanë kaluar tri vitet e fundit duke ia hedhur fajin njëra-tjetrës se kush dështoi në procesin e liberalizimit të vizave, pak është diskutuar lidhur me atë se si të krijohen mundësitë për ta tejkaluar ngërçin aktual. Andaj, shtrohet pyetja se çfarë mund të bëhet në këtë drejtim. Rekomandimi i vetëm për Kosovën ishte angazhimi në nivel diplomatik e bilateral me vendet skeptike. Kjo u bë përgjigja kryesore edhe e përfaqësuesve të BE-së nga Komisioni dhe Parlamenti, të cilët e pranuan mungesën e ofrimit nga ana e BE-së për shkak të skepticizmit të shfaqur nga disa shtete anëtare.

Të njëjtën gjë e ka bërë edhe Kosova, përkatësisht MPJ-ja dhe MPB-ja e Kosovës, të cilat për dy vite në vazhdimësi kanë ofruar informacione për progresin e arritur në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit për Francën dhe homologët gjermanë. Sipas raporteve qeveritare, nën udhëheqjen e kryeministrit Albin Kurti, shkalla e luftimit të elementeve të krimit të organizuar në Kosovë ka shënuar rritje.

Në gjashtë muajt e parë të qeverisjes së tij (1 prill-30 shtator), janë arritur rezultate shumë premtuese në luftën kundër krimit dhe korrupsionit nga: 519 bastisje dhe janë ndërmarrë 283 operacione policore, duke shkatërruar 29 grupe kriminale. Është vërejtur intensifikimi i luftës kundër kontrabandës, evazionit fiskal dhe krimit në mbarë Kosovën.

Megjithatë, çfarë mund të bëjë Kosova për ta zhbllokuar ngërçin në lidhje me procesin e liberalizimit të vizave: Të vazhdojë së fajsuari BE-në për padrejtësinë dhe mospërmbushjen e premtimeve të saj duke bërë disa hapa të vegjël dhe jo të prekshëm. Përderisa kjo është një strategji e përdorur edhe nga lidershipi i mëparshëm politik në Kosovë, kjo qasje nuk dha ndonjë rezultat pozitiv e as nuk e forcoi pozitën e Kosovës në këtë proces. Kosova ende mbetet një vend i izoluar.

Për t’i shmangur pritjet nga një presidencë e BE-së në tjetrën, duke shpresuar se liberalizimi i vizave do të shtyhet nga secili shtet anëtar i BE-së që merr Presidencën, opsioni i dytë që Kosova mund ta ndjekë është t’i rishikojë dhe rivlerësojë kriteret që janë problematike për shtetet anëtare skeptike  – lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar – nga momenti kur Komisioni (2018) ka vendosur e deri më sot.

Ky skenar përmban rreziqet e veta. Kryesorja është rreziku i hapjes së kapitullit i cili në sytë e liderëve politikë dhe qytetarëve të Kosovës, është i mbyllur. Megjithatë, Kosova mund të përpiqet të ndryshojë pak strategjinë e saj dhe të angazhohet në mënyrë proaktive duke propozuar një rrugëdalje nga kjo situatë bazuar në konsultimet me Parisin, Hagën dhe Komisionin e BE-së – nëse ky i fundit zyrtarisht ose joformalisht dëshiron të angazhohet në këtë proces. Plus, përkushtimi i vëmendjes ndaj këtyre fushave të politikave është në përputhje me prioritetet kryesore të qeverisë së Kurtit.

Hapja sërish e procesit të liberalizimit të vizave do të mund të ishte jopopullore dhe kundërproduktive. Megjithatë, propozimi i një plani të detajuar për adresimin e kritikave të vendeve anëtare skeptike të BE-së duke i përfshirë ato në vlerësimin e veprimeve mund të jetë një ndryshim i mundshëm.

Për më tepër, kjo do ta riafirmojë përkushtimin e Kosovës dhe qeverisë së saj reformiste në përmbylljen e një procesi të vonuar tashmë prej kohësh. Në fund, edhe vendet nga Ballkani Perëndimor të cilat kanë një regjim pa viza me BE-në janë duke u monitoruar nën Mekanizmin e Suspendimit (Pezullimit) të Vizave.

Afati kohor është vendimtar në politikë. Kjo është dëshmuar në rastin kur Kosova humbi mundësinë për ta finalizuar këtë proces krahas Gjeorgjisë dhe Ukrainës. Prandaj, iniciimi i diçkaje të tillë në fazat e hershme të Presidencës Franceze është kruciale. Krijimi i një historiku në disa fusha të sundimit të ligjit kërkon kohë. Kësisoji, anashkalimi i presidencës së parë të BE-së 2022 dhe fokusimi/avokimi për një vendim nën Presidencën Çeke ia vlen të eksplorohet.

Ky proces mund të jetë efektiv dhe të prodhojë rezultate të prekshme, veçanërisht me mbështetjen e rikonfirmuar të qeverisë së re gjermane pasi liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës është pjesë e marrëveshjes së koalicionit qeveritar të sapoformuar atje. Në këtë mënyrë, duke e bërë Gjermaninë një kolege të mirë për Qeverinë e Kosovës për t’i adresuar shqetësimet kryesore që kanë të bëjnë me pamundësinë e procesit të liberalizimit të vizave – veçanërisht në ofrimin e skeptikëve dhe shtyrjen përpara të procesit të liberalizimit të vizave. Por edhe në angazhimin dhe mbështetjen e qeverisë aktuale të Kosovës në përmbushjen e reformave të paralajmëruara dhe të shumëpritura.

Ky artikull u shkrua si pjesë e përpjekjeve më të gjera kërkimore dhe avokuese të mbështetura nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur në kontekstin e ‘Kosovo Research and Analysis Fellowship’. Donika Emini dhe Zoran Neçev janë anëtarë të Grupit Këshillues për Politikat e Ballkanit në Evropë (BiEPAG). Emini është Ph.D. kandidat për marrëdhënie ndërkombëtare dhe politikë në Universitetin e Westminster. Ajo është Drejtore Ekzekutive e Platformës ‘CiviKos’. Neçev është udhëheqës i Qendrës për integrim në BE në Institutin për Demokraci Societas Civilis dhe kandidat për doktoraturë në Institutin për Studime Evropiane në ‘Vrije Universiteit Brussel’. Vasolli është ekspert i pavarur dhe drejtor i think tank-ut të sapokrijuar rajonal, ‘ReAct-LAB’ (Laboratori i Aktivitetit Rajonal), me seli në Kosovë.

Linku: https://europeanwesternbalkans.com/2021/12/17/agenda-2021-how-can-kosovo-government-approach-the-visa-liberalisation-issue/