Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Administrimi i vaksinës kundër COVID-19 në Kosovë dhe disa shembuj nga vendet e tjera

Që nga 13 marsi 2020 kur janë paraqitur rastet e para me COVID-19 deri më 28 prill 2021, në Kosovë kanë qenë të konfirmuara 104,717 raste me COVID-19, raste aktive janë 9,485  dhe 2,153 raste të vdekjes me këtë virus. Në mesin e vendeve të rajonit, Kosova është vendi i fundit që ka pranuar vaksinat kundër COVID-19, përkatësisht me 28 mars 2021. Numri i dozave të siguruara është 24 mijë nga kompania AstraZeneca. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, deri më 23 prill janë vaksinuar rreth 22,096 persona.

Qeveria ka miratuar Planin Shtetëror të Vaksinimit kundër COVID-19, i cili ka qenë i paraparë me  Ligjin për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19. Vaksinimi sipas këtij plani të shëndetësisë është planifikuar të kryhet përmes tri fazave:

 

 

 

 

Faza e parë

·         12,825 persona (apo 95% e punëtorëve shëndetësorë)

·         1,187 persona (apo 95% e banorëve në shtëpitë e pleqve dhe punëtorët social)

·         31,350 persona (apo 95% e banorëve mbi 80 vjeç)

·         Vaksinimi i 5,938 personave (apo 95% e personave me sëmundje kronike).

 

Faza e dytë

 

Vaksinimi i personave të moshës 65-69 vjeçare

 

Faza e tretë

Personat me sëmundje kronike, mësimdhënësit dhe pjesëtarët e forcës së sigurisë së Kosovës.

 

 

Plani Shtetëror i Vaksinimit kundër COVID-19 është hartuar mbi pritshmërinë e sigurimit të 54,000 dozave të vaksinës sa ishte planifikuar në fillim dhe raportuar në publik dhe jo 24,000 sa kanë arritur deri tani në Kosovë. Për këtë arsye, plani do të duhej të rishikohej duke marrë për bazë numrin e dozave të siguruara sepse është e pamundur që me një numër të vogël të dozave të kryhet vaksinimi me dy doza i një kategorie, kurse vaksinimi i një kategorie tjetër (po ashtu prioritet) të mos mund të ndodhë as me një dozë.

Edhe pse numri i dozave të vaksinës kundër COVID-19 të siguruara nga vendet tjera është shumë më i lartë, prapëseprapë janë disa praktika të mira që Kosova duhet të marrë mësim në këtë aspekt. Vendet të cilat janë trajtuar në një punim të shkurtër të D+ që janë shembull për administrimin e vaksinave janë: Luksemburgu, Lituania, Franca, Greqia, Shqipëria dhe Maqedonia Veriut.

Me një fjalë, në Luksemburg prioritet për vaksinim ndër të tjera kanë qenë vozitësit e autoambulancave, në Francë në fazën e parë janë vaksinuar zjarrfikësit, Greqia në listë prioritare ka vënë edhe punonjësit e administratës që kryejnë shërbime direkte me qytetarët ndërsa Shqipëria prioritet për vaksinim ka pasur edhe mësuesit. Përveç këtyre kategorive, Kosova në listë prioritare për vaksinim duhet të ketë edhe grupet si: shoferët e autobusëve dhe ndihmësit e shoferëve, zyrtarët policor në terren, punëtoret në sportele të bankave, punëtorët e sigurimit pranë klinikave të përfshira në trajtimin e COVID-19, punëtorëve të laboratorëve si dhe farmacive, grupe këto që janë drejtpërdrejtë të rrezikuara nga infektimi dhe bartja e virusit.  Kjo për arsye se dozat e vaksinave janë të pakta dhe, shpërndarja e tyre duhet të bëhet në bazë të vlerësimit të rrezikshmërisë për infektim tek grupet e shënjestuara për vaksinim.

Në këtë funksion, disa nga rekomandimet e D+ të publikuara në një analizë të veçantë për shpërndarjen e vaksinave , e që do të duhej të merreshin parasysh nga Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, janë:

  1. Vaksinimi i një kategorie që vlerësohet prioritet nuk duhet të kryhet me dy doza, nëse numri i dozave të siguruara është i pamjaftueshëm për të vaksinuar një kategori tjetër e cila është po ashtu prioritet. Për shembull, banorët e shtëpive të pleqve, personat e moshuar, personat me sëmundje kronike, etj., duhet të vaksinohen me nga një dozë në fazën e parë;
  2. Në fazën e parë të vaksinimit të përfshihen edhe grupet të cilët kanë kontakt të përditshëm me qytetarë siç janë; Shoferët e ambulancave dhe mjeteve tjera për bartjen e pajisjeve mjekësore; Arkëtarët e dyqaneve të mëdha të cilat kanë frekuentim të lartë nga qytetarët; Shoferët e autobusëve dhe trenit, konduktorët, si dhe vozitësit e taksive; Mësuesit; Zjarrfikësit; Policia e trafikut; Punëtorët e farmacive dhe laboratorëve; dhe Stafi esencial në administratë që ofrohen shërbime të drejtpërdrejta për qytetarët.
  • Shoferët e ambulantave
  • Arkëtarët e dyqaneve të mëdha të cilat kanë frekuentim të lartë nga qytetarët
  • Shoferët e taksive, autobusëve dhe konduktorët
  • Mësuesit
  • Zjarrfikësit dhe Policia e Trafikut
  • Punëtorët e farmacive dhe laboratorëve
  • Stafi esencial në administratë
  1. Para vaksinimit, personat të testohen me test rapid (të shpejtë) për të përcaktuar nëse personi e ka kaluar virusin dy muajit e fundit, dhe nëse vërtetohet, atëherë personi i njëjtë të vaksinohet në fazën e dytë apo tretë varësisht nga disa specifika si koha e kaluar nga përfundimi i COVID-19, nëse personi është i moshuar, me sëmundje kronike, etj.
  2. Ministria e Shëndetësisë duhet të përdorë metodën e thirrjes së personave nga Qendrat e Mjekësisë pasi për personat e moshuar është e vështirë përdorimi i metodave online.
  3. Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik (IKSHP) duhet të publikojë rregullisht të dhëna për numrin e personave të vaksinuar, sipas kategorive, dhe t’i vendos ato në faqen e internetit. Kjo e fundit duhet të plotësohet me të dhëna mbi procesin, përfshirë sa njerëz vaksinohen, kush dhe ku, në mënyrë që qytetarët të kenë një pasqyrë të përgjithshme se si po përparon procesi.

 

Kosova duhet të marrë shembull nga praktikat e vendeve të lartpërmendura në shpërndarjen e vaksinave brenda vendit dhe, prioritizimin e grupeve për vaksinim.

Deklaratë mohimi:

Ky artikull është botuar në kuadër të projektit “Kontribut në gjetjen e shkeljeve në prokurim publik të institucioneve në luftën kundër pandemisë COVID-19” i financuar nga BE, implementohet nga Demokraci Plus (D+). Përmbajtja e këtij shkrimi është përgjegjësi e vetme e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqes pikëpamjet e D+ apo të Bashkimit Evropian.