A mund të jetë bashkërendimi BE-ShBA shpëtim për dialogun Kosovë-Serbi?

BE dhe ShBA janë përsëri pjesë e të njëjtit ekip, por a është ky fakt i mjaftueshëm për ta shpëtuar dialogun nga të metat e saj dhe për të prodhuar një marrëveshje përfundimtare?

I dërguari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi,  Miroslav Lajçak, dhe Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit i ShBA, Matthew Palmer, e vizituan Prishtinën këtë javë për të dhënë porosi kyçe por edhe për ta dëgjuar mendimet e udhëheqjes së re të Kosovës.

Kjo vizitë ishte një shenjë inkurajuese nga procesi i ndërmjetësuar nga BE që më tepër ka qenë dekurajues. Bisedimet nuk kanë dhënë rezultate konkrete dhe mirëbesimi në ndërmjetësimin nga BE vazhdon të dobësohet.

Sidoqoftë, kjo rinisje më e fundit e dialogut mund të rezultojë e suksesshme nëse BE dhe ShBA vendosin që të jetë e tillë.

Dialogu në mëdyshje

Marrëdhëniet Prishtinë-Beograd nuk po shkojnë drejt përafërimit dhe hendeku midis palëve mund të jetë ende shumë i madh për të arritur një zgjidhje gjithëpërfshirëse – veçanërisht normalizimin e plotë dhe njohjen reciproke.

Palët kanë pikëpamje shumë të ndryshme sa i përket bisedimeve. Kosova, shumica e vendeve të BE-s, ShBA dhe shumica e shteteve në të gjithë botën besojnë se dialogu është një proces relativisht afatshkurtër midis dy shteteve sovrane për normalizimin e marrëdhënieve. Sidoqoftë, Serbia dhe përkrahësja e saj Rusia, nuk pajtohen me këtë: ata janë të mendimit se kemi të bëjmë me një proces afatgjatë, të hapur, që synon në thelb të rinegociojë statusin e Kosovës.

Mungesës së kësaj qartësie i shtohet edhe pozicioni i BE-së. Pesë shtetet anëtare të saj të cilat nuk e njohin Kosovën – Greqia, Qiproja, Rumania, Sllovakia dhe Spanja – janë pengesë e një politike të jashtme të qartë të BE-së mbi dialogun dhe e bëjnë atë neutral ndaj sovranitetit të Kosovës. Kjo, natyrshëm, e forcon pozicionin negociues të Serbisë, pasi palët nuk trajtohen si të barabarta.

Dobësimi i mëtejshëm i pozitës së Kosovës është se, si pala relativisht më e dobët në bisedime, vazhdimisht i kërkohet që të bëjë kompromise, duke e minimizuar entuziazmin për normalizimin e plotë si qëllimin e afërt dhe përfundimtar.

Vizita e fundit e Ministrit të Jashtëm Grek në Prishtinë është shenjë pozitive nga vendet mosnjohëse të BE-s. Sidoqoftë, në mungesë të rreshtimit pro njohjes bilaterale dhe/apo mbështetjes së jashtme për liberalizimin e vizave, Greqia dhe pjesa tjetër e ‘pesëshës së BE-s’ në mënyrë të konsiderueshme po i dëmtojnë shpresat për arritjen e ndonjë rezultati real.

Së fundmi, karrota kryesore e BE-së për ta inkurajuar dialogun, anëtarësimin përfundimtar në BE, nuk është aq e pjekur apo e shijshme sa ishte dikur. Afati kohor për anëtarësimin në BE për Kosovën dhe Serbinë është ende i paqartë dhe duket se mund të mbetet një proces i tejzgjatur.

Ndërkohë, Kosova ka provuar se zotimet e saj të mëparshme nuk janë përkthyer në progres për anëtarësim në BE apo për ndonjë veprim konkret nga ana e BE-s. Pavarësisht nga përmbushja e kritereve në raport me Komisionin Evropian, Kosovës ende nuk i është dhënë liberalizimi i vizave.

BE-ja më shumë ka favorizuar qeverinë aktuale serbe, që ka pririje autrokratike, megjithatë në përgjithësi nuk ka shumë progres të shënuar.

Udhëheqja dhe vendosmëria e ShBA mund të jenë ndihmesë

Siç ndodh shpesh në Ballkanin Perëndimor, udhëheqja e ShBA-s mund të jetë vendimtar. Ekziston një dritare e mundësisë e prezantuar nga angazhimi i Administratës Biden për rinovimin dhe forcimin e marrëdhënieve ShBA-BE, në kontrast me qasjen më konfrontuese të paraardhësit të saj.

Arritja e një normalizimi të plotë të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë ofron një mundësi konkrete për bashkërendim BE-ShBA, sukses ky i përbashkët dhe një demonstrim i marrëdhënieve të forta BE-ShBA.

Do të ishte një sukses kyç në një rajon që shpejt po shëndrrohet në një tjetër fushëbetejë të konkurrencës Euro-Atlantike me Rusinë dhe Kinën. Ndërhyrja e Rusisë në Ballkan dhe përmbysja e vazhdueshme nga ajo të qëndrimeve pro-BE dhe pozicioneve pro-NATO të shteteve të rajonit, ngërthen në vete një sfidë të qartë, që kërkon zgjidhje.

Në rajon, Shqipëria, Maqedonia dhe Kroacia janë me orientime të qarta pro-perëndimore, ndërkohë që Serbia e portretizon veten e saj si pro-perëndimore, ndërkohë që vazhdon të thellojë lidhjet e saj me Lindjen. Mali i Zi është anëtar i NATO-s dhe tradicionalisht vend pro-perëndimor, megjithatë forcat politike që udhëheqin qeverinë e saj aktuale po tregojnë tendencë se duan të ndryshojnë këtë qëndrim. Kosova dhe shumica e forcave politike në Bosnjë dhe Hercegovinë janë gjithashtu pro-perëndimor, por u mungon perspektiva e integrimit të qartë Euro-Atlantik.

Një sukses në Kosovë do të sqaronte perspektivën Euro-Atlantike për rajonin, ndërkohë që do t’i vendoste baraspeshë Serbisë ëdhe miqve që paraqesin sfida të hapura ndaj Euro-Atlantiizmit. Kjo, në anën tjetër, mund të bëjë të mundur fuqizimin e forcave alternative, demokratike në rajon.

Çfarë marrëveshje dhe kur?

Pavarësisht deklaratave të guximshme nga z. Lajçak për zgjidhjen e procesit brenda disa muajsh, duket se nuk ka gjasa që një marrëveshje gjithëpërfshirëse do të mund të arrihet aq shpejt.

Serbia ka të ngjarë që të mos jetë e gatshme të hyjë në ndonjë marrëveshje të rëndësishme përpara zgjedhjeve të saj parlamentare dhe presidenciale, që pritet të mbahen në pranverën e vitit 2022. Ndërkohë, Kosovës po ashtu nuk po i ngutet për të negociuar, pasi që qeveria e saj e re po angazhohet për reformat që kanë të bëjnë me pandeminë dhe me çështje të brendshme.

Në vend të kësaj, ne mund ta shohim një marrëveshje tjetër të përkohshme, të lehtësuar nga BE, për një aspekt praktik të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, duke ju qasur potencialisht fatit të të zhdukurve, pasi që një lloj konsensusi duket se tashmë është arritur, apo edhe një marrëveshje që vë në pah një bashkëpunim të mëtejshëm ekonomik. Sidoqoftë, marrë parasysh dyshimet aktuale dhe mungesën e një pozicioni të bashkuar të BE-s ndaj palëve në bisedime, është e paqartë nëse BE mund të ofrojë përfundimisht një zgjidhje gjithëpërfshirëse që çon në normalizimin e plotë. Faktorët e mësipërm duhet të ndryshojnë. Nëse jo, e gjithtë kjo përfundoj si një dështim.

 

Ky shkrim fillimisht është publikuar në anglisht në PrishtinaInsight: https://prishtinainsight.com/can-eu-us-coordination-salvage-the-kosovo-serbia-dialogue/

 

Drilon S. Gashi është specialist për zhvillim ndërkombëtar me bazë në Uashington. Ai ka punuar për tre vite në sektorin publik dhe jo-fitimprurës në Kosovë si dhe ka titullin Magjistër në Marrëdhënie Ndërkombëtare nga Universiteti Columbia në New York.

Opinionet e shprehura janë të autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e BIRN.